Kulturë
Vangjush Saro: Rëndësia e gjetjes artistike
E shtune, 31.08.2013, 07:25 PM
Rëndësia
e gjetjes artistike
Përsiatje
Nga Vangjush Saro
Ndërsa
lexojmë e rilexojmë letërsinë më të mirë të krijuar në kohëra - në këto radhë
kam parasysh kryesisht prozën dhe disi më pak dramën - vetvetiu na bëjnë
përshtypje: rrëfimi i veçantë, thurrja e pamërzitshme e ngjarjeve, forca imponuese
e tekstit, vizatimi organik i personazheve, etj. Dhe themi me vete se pikërisht
për këtë, ato vepra na pëlqejnë, ndonjëherë shoqërojnë breza të tërë me dritën
e tyre artistike. Por ka edhe diçka tjetër që mbase peshon më shumë se të
gjitha këto mjete të rënda të ‘farkëtimit’ të një krijimi artistik. Një nga të
fshehtat më të mëdha pse na pëlqejnë ato krijime, pse ato jetojnë shumë dhe
bëhen pjesë e përjetimeve njerëzore edhe pasi e kanë konsumuar gjatë lavdinë e
tyre, është gjetja; gjëja e veçantë dhe interesante, që ngjiz krejt veprën, që
shkakton emocione të forta dhe prodhon kujtime të pashlyeshme te lexuesi. Në
një kuptim, gjetja është “gjysma” e krijimit artistik.
Në këto
radhë nuk do të citoj, po shfaq thjesht disa mendime të mijat, sikundër edhe shembujt
iu përkasin shijeve dhe pëlqimeve vetiake. Por nëse tema e këtij shkrimi i
qaset herë pas here një pikëpyetjeje të kohës, asaj se ç’po ndodh sot me
letërsinë, edhe me atë shqiptare, një përgjigje mund të jepet duke kërkuar
rreth termit “gjetje”, si dhe duke rishfletuar një sërë krijimesh të kohëve të
ndryshme. Mbase kështu, mund t’i qasemi sadopak argumentit të mësipërm, që
ndjek edhe interesin sa i takon mbijetesës së krijimeve më të mira në kohëra.
Kështu, përtej forcës së mitit, “Odiseja” i Homerit mbështetet pikërisht mbi
një gjetje, duke plazmuar një hero dhe një gjendje krejt të veçantë: një njeri
që përplaset me gjithçka, që do të ngadhnjejë mbi çdo gjë të panjohur e të
frikshme, edhe pse në shumë episode ka humbur të vetët dhe rrezikon të mos e
shohë kurrë vendin e tij, gruan, djalin. Midis frikës dhe guximit, sajimeve dhe
realitetit, urrejtjeve dhe dashurive më të thella, ai për asnjë çast nuk heq
dorë nga aventura dhe kërkimi, paçka se dikur i dorëzohet fatit, që në fakt
është “hija” e të gjitha bëmave të tij.
Njëlloj
anijeje në aventurë, me vela të shkalafitura, është edhe kërkuesi tjetër i
fatit, Don Kishoti i M. Servantesit, që shëtit nëpër shekuj me ëndrrën e tij
për të ndrequr botën dhe (apo) për të prodhuar famë(!) Shumë shkrues janë përpjekur
të gjejnë te ai personazh budallanë dhe zotërinë që “i ka ikur koha”. Jam i
bindur se prirja e Don Kishotit për të ndrequr botën, është vlera më e madhe
dhe njëherësh, trishtimi më i sinqertë që përndjen çdokush teksa lexon a
përfytyron aventurat e tij, në dukje komike. M. Prust thoshte se në librat e
bukur të gjitha kundërthëniet janë të bukura. Por ndërkaq, ne me të drejtë
pyesim: Pse ai u jetoi kohërave? Ka një sërë krijimesh të shkrimtarëve të tjerë
spanjollë të shkollës së Rilindjes Evropiane, madje edhe të tjera vepra të vetë
Servantesit. Por Don Kishoti, të paktën prej pesë shekujsh, na mahnit me
bukurinë e vet; tashmë romani është cilësuar si një nga librat më të lexuar
ndonjëherë në kohëra, është ekranizuar pafundësisht, është dramatizuar, është
bërë balet. Performimi i tij në kaq shumë arte, flet vetiu për një gjetje të
jashtëzakonshme, që patjetër është përcjellë nga një mjeshtër i madh.
Gjithë në
këtë vijë, ne gjithnjë pyesim dhe duam të ftillojmë veten dhe të tjerët në
lidhje me atë se çfarë e bën një vepër të rëndësishme, jetëgjatë? Përse, bie
fjala, “Romeo e Zhuljeta” e U. Shekspirit edhe sot e gjithë ditën tërheq
vëmendjen e publikut, rivihet pareshtur në skenë dhe jeton si një rast artistik
proverbial? Në themel të veprës është gjetja e madhe e dashurisë së pamundur
dhe e vdekjes së njëhershme që i vë kapak floriri kësaj dashurie. Hasmëria mes
dy familjeve e pengon realizimin e saj, por njeriu priret të shkojë edhe më
fuqishëm drejt piketës që është e ndaluar, e panjohur...Ky pasion i madh
performon në sfondin e luftës për tregje dhe hegjemoni - në kushtet e lindjes
së kapitalizmit - rafsh ku kapen mjaft studjues e dashamirës të artit për të
kategorizuar veprën. Megjithatë, gjetja është më e rëndësishme se sfondi. A
mund të jetonte aq gjatë dhe a mund të ishte kaq e njohur përralla madhështore
e Andersenit “Rrobet e reja të mbretit” pa gjetjen e vet? Një mbret i
budallallosur nga siguria dhe boshllëku, që
Edhe “Ana
Karenina” ka shumë kohë që shtegton me dramën dhe me fatin e saj të dhimbshëm
nëpër botë. Mund të thuhet se është një nga gjetjet më origjinale të L.
Tolstoit; çka është e vështirë të përsëritet për “Lufta dhe paqja”, që ashtu si
një numër i madh veprash të spikatura (“Të mjerët”, “Evgjeni Grande”,
“Budenbrokët”, “Tragjedi amerikane”, “David Koperfild”, “Saga e Forsajtve”,
“Vilet e zemërimit”, etj.) marrin përsipër të vizatojnë me durim një epokë të
caktuar dhe jetën e sjelljet e banorëve të të gjitha shtresave, madje edhe të
disa breznive. Një e rrëfyer pa fund, ndoshta gjer në lëkundje të raporteve me
lexuesin. Kurse krijime të tjera, të dorëzuara te magjia e gjetjes, duket se
komunikojnë në mënyrë edhe më bindëse. Kështu, disa nga tregimet dhe novelat e
A.Çehovit, pikërisht falë gjetjes, shkojnë te lexuesi me një shpejtësi të
papërfytyrueshme dhe e prekin atë në shpirt. Tregimi i vogël “Vanka”. Një
fëmijë që heq e vuan në dyqanin ku e kanë punësuar dhe që të gjitha brengat e
tij ia shkruan në një letër gjyshit të vet, të cilit i lutet të vijë e ta
marrë. Mbi zarf, i shkreti djalë, e shkruan kështu adresën: Gjyshit në fshat...Tani përfytyroni
Rusinë e paanë dhe pastaj vlera e gjetjes shkëlqen vetiu.
Me “Frymë
të vdekura”, N. Gogol edhe sot e kësaj dite na kujton se si mund të zhbëhet
njeriu, për pasuri, për votë, për t’u bërë pjesë e një liste...Kurse Pinoku i
vogël i K. Kolodit, një copë dru, që në atë kohë gdhendur në mënyrë moderne, i
mbeti botës trashëgimi në trajtën e një mëdyshjeje për atë çka jemi, por edhe
të apelit për pak dashuri. Shkrimtarët dhe artistët më të mirë gjithnjë i qasen
publikut me gjetje. Jo çdolloj subjekti e çdolloj e rrëfyere, përbën një
gjetje. Atje ku kjo e fundit mungon, fillon shtrin rrënjët e veta e zakonshmja,
në mos mediokriteti. Një krijues profesionist gjithnjë tenton të kuptojë nëse
po i qaset sadopak lexuesit me krijimin e tij. L. Cerroll me “Liza në botën e
çudirave” ka ndërtuar një “botë” në dukje kaq larg realitetit; në të vërtetë, e
gjithë hamendja dhe aventurat e këtij libri, burojnë nga ngurtësia e po atij
realiteti, në të cilin vetë autori jetoi mes thashethemesh. E kundërta ndodh me
“Aventurat e Tom Sojerit” të M.Tuen, ku gëlon bota reale, konkrete, e
përditshme, bota e frikshme e shpërblimeve dhe e ndëshkimeve, e interesave dhe
gjallesave gjithfarë, në sytë e një çamarroku që guxon dhe kërkon pareshtur...
Nganjëherë,
i tërë sistemi krijues i ngjan “argëtimit” të një fëmije, që luan, prish,
ndreq, kërkon, sistemon gjithë çka përpara dhe, në këtë ndërkohë “loje”,
shpirti i dridhet, qoftë edhe për më të voglin episod. (D.Aligieri dhe “Komedia
Hyjnore”. H. De Balzak dhe “Komedia njerëzore”) J. Hashek e shpie heroin e tij
të çuditshëm në qindra episode, ndërkohë që personazhi interesant edhe vetë
s’pushon së rrëfyeri. Por gjetja e tij qëndron përmbi të gjitha anekdotat dhe
historitë groteske që ai rrëfen. Dhe kjo gjetje është kaq e rrallë: realitetit
me kaq shumë dritë e hije, personazhi ka zgjedhur t’i përgjigjet me braktisje.
Shvejku i tij, sado që është brenda të gjitha ngjarjeve dhe aventurave, madje i
udhëheq ato, me shpirt ndodhet shumë larg, si të thuash iu ka vënë kryq të
gjithave, duke ndërtuar botën e vet, ku shumica e gjërave përthyhen a
shndërrohen në grotesk.
Gjetja
është përherë shumë e komportueshme me realitetin, pavarësisht nga stili dhe
shkolla që ndjek autori. Le të kujtojmë një çast novelën “Metamorfoza” të F.
Kafkës. Gregor Z. mund të jetë çdokush prej nesh. Në rrethana të caktuara. Dhe
kjo është kaq për të qarë. A nuk na ndodh të gjithëve “metamorfoza”, ashtu si
personazhit të tij, kur ata që s’kanë më interes, të largohen në mënyrën më
prozaike; ose kur në atmosferën e ligështisë e trysnisë politike, aksh njeri i
mjerë thotë se është ballist, por kur ia do puna bëhet prapë komunist, në u
dashtë edhe fashist…S. Beket, me dramën e tij “Në pritje të Godosë”, në pamje
të parë tallet pa sens me ekzistencën njerëzore. Dikush pritet të vijë,
ndërkohë që biseda e dy personazheve vërtitet rreth gjërave më të rëndësishme
të jetës.
Shpesh në
letërsinë më moderne apo që kërkon përtej skemave të realizmit, janë thirrur
“armët” klasike të këtij të fundit: vizatimi deri në përsosmëri i
karaktereve, pritja me durim dhe
kompozimi i ngjarjeve duke lënë ndezur dritën e suspansit të vazhdueshëm,
ndeshja me të pamundurën dhe tjetërsimi; këso përkimesh i drejtojnë në sukses
shumë autorë të njohur. Te “Plaku dhe deti” e
Sfida
rikthehet si pjesë e gjetjes artistike te “Fëmija i pestë” (D. Lesing);
përballja me një qënie të pazakontë pas një lumturie të zgjatur. U. Golding te
“Perëndia e mizave” (përkthyer në 26 gjuhë dhe shitur në miliona kopje në mbarë
botën) flet për përballjen e një grupi fëmijësh britanikë - të braktisur në një
ishull për shkak të një aksidenti ajror gjatë një lufte - me sfidën për të
mbijetur dhe për të ndërtuar një shoqëri të organizuar e demokratike.
Natyrisht,
gjetja nuk është një qëllim në vetvete dhe as mund të sajohet me sforcime të
padobishme. Gjetja vjen në kushtet e një zhvillimi të caktuar shoqëror dhe të
një realiteti që ngarkohet paprerë me dukuri e shenja ndryshimi të
pashmangshëm; të gjitha këto dikur e grishin shkrimtarin e mirë. Kështu, duket
se edhe përhapja pa kriter dhe në mënyrën më bajate e letërsisë plot psherëtima
dhe aventura pa fund - krahas gjithë rrethanave të ndërrimit të rendit feudal
me atë kapitalist që po lindte - e çuan M. Servantesin te ajo gjetje perfekte
me titullin “Don Kishoti i Mançës”. “Eugjen Onegin” e A. Pushkinit vizaton një
pamje gjithë pikëpyetje (në Rusinë e shek. 19) dhe ku vaniteti dikur do të
shpërbëjë një shoqëri që s’mund t’iu besojë më raporteve të vjetra; ndërkohë që
te “Portreti i Dorian Greit”, Oskar Uajlld parasheh lëvizje dhe dukuri që shumë
shpejt do t’i shfaqen botës si një pikëçuditëse e madhe.
Zakonisht,
një shkrimtar i mirë, e sjell nëpër mend paq se ç’do të shkruajë, ku do të
përqendrohet mundi i tij, si do të kompozohen ngjarjet, cilët do të jenë
personazhet që do të mbartin idetë dhe vizionet e tij dhe ç’vend do të ketë në
vepër secili prej tyre; ai i shikon ngjarjet si të gjalla. Vizioni i tij për
veprën mund të performojë me kalimin e kohës, por në themel gjithsesi mbetet
gjetja, pa të cilën mund të mos fillosh të shkruash asfare...Realisht, në këtë
trajektore të trishtë vërtitet bota letrare prej shumë kohësh; po ashtu, fati i
krijuesve dhe i krijimeve të tyre, shpesh të paragjykuara, të pakuptuara, për
fat të keq ndonjëherë edhe të palexuara. Gjetja, si ëndërr dhe si punë e rëndë,
si shpëtim apo si pamundësi për të shkuar më tej, gjatë gjithë kohës, i qëndron
krijuesit mbi shpinë, njëlloj Guri i Sizifit, që simbolizon deri diku vetë
fatin e tij. Më në fund, kjo e gjitha është njëlloj lufte, mundim që shpesh
herë nuk shpërblehet, madje merr edhe trajtat e zhgënjimit; por krijuesit vetë qasen
në këtë “llavë” të frikshme, duke përzgjedhur midis shumë vuajtjeve të tjera...
...................................
* “Alkimisti” e filloi jetën nga një shtëpi botuese braziliane vetëm për 900 kopje. Pikërisht për shkak të gjetjes e subjektit tërheqës, si dhe të forcës artistike, vepra njeh sot një tirazh prej 65 milionë kopjesh dhe është përkthyer tashmë në 71 gjuhë. (Sipas një sondazhi të para disa kohëve të BBC, ky libër qëndron në krye të një liste me 100 veprat më të lexuara të kohërave; (në anglisht). Pas tij, renditeshin “Liza në botën e çudirave” i L. Cerroll, “Ferma e kafshëve” e Xh. Oruell dhe “Ana Karenina” e L. Tolstoit.)