E hene, 14.10.2024, 09:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Moikom Zeqo: Migjeni, piramidë midis kohërave

E hene, 26.08.2013, 08:12 PM


Migjeni, piramidë kufitare midis kohërave

Nga Moikom Zeqo

''Me Diell veshun e mbathun me Hanë”

Pjetër Bogdani, Sibila Libika, vargu 9.

1. Në kaleidoskopin e veprës së Migjenit - realiteti kohor (realiteti kombëtar dhe ai ndërkombëtar si unitet) lëviz ngjyrat e tij shoqërore dhe tragjike. Ndërsa figurat e njerës anë të antitezës shoqërore janë simetrike në përgjithësi, midis tyre të grupuara, të përmbledhura, midis dy anëve të antitezës ekziston si të thuash asimetria. Kontradikta, antonomi

përjashtimi i elementeve nga pikëpamja e kundërsisë së tyre, antagonizmi.

Ky ish ligj i këtij kaleidoskopi.

2. Vepra e Migjenit është ekuinoksi (ndërrimi i stinëve) i letërsisë moderne shqipe jo vetëm i poezisë, por sidomos i prozës. Migjeni është një talent i madh. Në krahasim me përmasat liliputiane të mediokërve të pendës së kohës së tij, ai është një gjigand i vërtetë. “Alfat e zakonshme tingëllojnë në çdo orë, alfat eoliane tingëllojnë vetëm atëherë kur në telat e saj godet stuhia”.

3. Analiza e së përgjithshmes si e përgjithshme është e domosdoshme si uniteti i të veçantave, si rezultante e forcave paralelograme. Analiza e të veçantave duhet vënë në funksionin e mësipërm. Duhet të ruhemi nga fetishizimi i ndonjë të veçante, nga përmbysja ose shtrembërimi i raportit të saj me të përgjithshmen. Por nga ana tjetër nuk duhet mohuar asnjë nga të veçantat vetëm për hir të thelbit, sepse analiza do të ishte e mangët. Ç’dua të them me këtë?

Konkretisht: pesimizmi është një e veçantë në veprën e Migjenit. Atë nuk duhet ta indentifikojmë me të përgjithshmen, thelbin, por nuk mund as ta mohosh. Përkundrazi. Nuancat, kontradiktat janë në vetë procesin e analizës objektive.

4. Vështrimi artistik i Migjenit mbi sendet s’është tangental, i sipërfaqshëm, i rastësisishëm, empirik, por diagonal dmth mes për mes. Migjeni si subjekt, është i shkrirë në objektin që trajton. Kjo është një karakteristikë e artit të tij. Ndërhyrjet e tij meditative janë një nga shprehjet e kësaj shkrirjeje. Këto ndërhyrje s’duhen quajtur si mosaftësi e përgjithësimit konkret me anë të një qëndrimi objektiv “më të ftohtë”, të fshehtë, jo shumë të dukshëm të autorit, por si një karakteristikë funksionale, një farë aksiologjie ndaj objektit trajtues në procesin e ndërlikuar e sublim të krijimit. Migjeni është shumë tendencioz. Ai është një nga shkrimtarët shqiptarë më të mëdhenj tendenciozë. Tendenca e tij është ajo e zhvillimit, e mohimit për të pohuar. “Tendenca duhet të mishërohet në figurën artistike dhe të mos jetë një shtojcë e saj”. Migjeni ka realizuar pikërisht këtë. Migjeni si subjekt i vetëm është me objektin artistik, jeton në të, por dhe ngrihet mbi këtë objekt duke abstraguar.

5. Te Migjeni gjejmë determinizimin shoqëror. Determinizimi fiziologjik, motivet frojdiane, me një fjalë biologjizmi i letërsisë nuk janë në bazë të krijimit të figurave artistike të botës së tij letrare. Determinizmi shoqëror nganjëherë tek ai ka ndonjë nuance fatale (në lidhje me pesimizmin), por në përgjithësi figurat njerëzore të prozës së tij nuk janë gurë shahu në duart e forcave të verbra dhe të panjohura. Për Migjenin, e keqja nuk është një e panjohur. Ky determinizëm shoqëror jepet me një plan relativ: ndodhet në pragun e shkatërrimit të marrëdhënieve të vjetra ekzistuese, ka diçka edhe nga e kaluara dhe nga e ardhmja.

6. Migjeni është një misionar shoqëror. Ai merr pjesë në projektimin e së Ardhmes, por si s’mund të ishte një ndërtues i drejtpërdrejtë i saj. Dhe kjo jo vetëm nga pamundësia e kohës. Por ai për këtë të Ardhme ka një koncept të përgjithshëm, shpesh të papërcaktuar, por përherë simbolik. Të thuash se “Migjeni projektoi në Ardhmëni shoqërinë socialiste” se mbinjeriu migjenian “është figurë e proletariatit” është një modernizim jo real i fakteve ekzistuese dhe një tejkalim më tepër se sa duhet.

E Ardhmja për Migjenin është një kuptim i abstraguar, domosdoshmëria historike e së cilës është e kuptueshme, por konkretësia e saj ende e panjohur. Migjeni e ndien të ardhmen më tepër me zemër se sa me mendim. Emocionalja dhe racionaliteti te ai janë në sintezë origjinale. Atij nganjëherë e Ardhmja i dukej e çuditshme, e pakuptueshme. Ai vuante për këtë. Dhe kjo është vuajtja e tij më e madhe. Ai donte një të ardhme të shpejtë, sa më të shpejtë, por kjo qe e pamundur. Motivi i pesimizmit së tij është pamundësia: “Ky paradoks i trumcakut (paradoksi i zëvendësimit në rezigantë) mund të ngjajë edhe një milionë vjet kur truni i trumcakut të zhvillohet aq sa ash sot i zhvilluem truni i njeriut. E na njerëzit e këtij skaji të dheut, për një milion vjet mund të arrijmë që të mos ja kemi zilinë njerëzve që na rrethojnë (si trumcaku ia kish zili bilbilit) një milionë vjet -afat i  bukur. Si ju duket? Jo, jo nuk është shumë. Ç’janë një milionë vjet përpara eternitas”...

7.Në prozën “Kënga e qytetit të huaj”, dëshira për të shijuar jetën, jepet me një nuancë hedonizmi filozofik: “ambëlsinë e jetës kërko ta gjesh se e hidhuna e jetës vjen lehtë. Prandaj janë dritat-ngjyra që të kujtojnë: mos harro të shijosh ëmbëlsinë e jetës”.

8. Planet e ndërmjetme? Dy plane: 1) në mënyrë universale, 2) në mënyrën më konkrete dhe të veçantë. Tek plani i parë veprohet në mënyrë më abstrakte, abstragimi është shumë i madh (proza eseiste). Plani konkret me figura njerëzore dhe me subjekt.

Shpesh i kryqëzon planet, ashtu si dy prozhektorë nga pika të ndryshme për të ndiçuar më mirë objektin.

9.”Njeriu i thyer nga mendimi dhe nevoja, është indiferent edhe ndaj një pamjeje të mrekullueshme”, ka thënë një filozof. Objektivisht edhe shtërngata e dëborës e ka bukurinë e saj, ekziston tek ajo kategoria e bukurisë, por në prozën “Bukuria që vret”, kjo është një bukuri që shprehet ndërmjet tragjikes. Është edhe konkrete, edhe simbolike. Ky peisazh i bardhë (Migjeni nuk bën përshkrimin e nocionit por shpreh peisazhin shpesh si nocion), është vdekjeprurës për njerëzit e varfër që s’kanë zjarr. Ndjenjat e tyre s’kanë se si ta perceptojnë të bukurën vdekjeprurëse të këtij peisazhi. Kjo është kontradikta e natyrshme e njeriut, që simbolizon kontrastin e njeriut me njeriun, por ai kur Migjeni do të shpjegonte çështje, vetëm kështu shpjegimi s’do t’ia vlente. Ai nxjerr në pah në fakt tragjikën e njeriut me njeriun, e cila përcakton edhe të parën si një dimension ekzistencial. Pra, shpjegimi shoqëror. Qëllimi i Migjenit është të tregojë që arti i njerëzve duhet të bëhet i njerëzve. Objekt i tij të jetë vuajtja si metaforë paraprake e gëzimit, shkëputja e artit nga realiteti shkakton humbjen e pikës së gravitacionit midis të dyve.

10. Migjeni shkatërron moralin e kohës së tij. Kjo s’do të thotë që ai kërkon ashtu si iluministët vetëm ndryshimin e superstrukturës së shoqërisë. Migjeni s’kërkon reforma.

Morali i përmbysur s’duhet të krijojë vakum. Atë duhet ta zëvendësojë morali i ri. Migjeni nuk predikon as relativizmin moral, as moralin e shkëputur nga konkretësia shoqërore “të lirë”. As moralin në përgjithësi, jashtë kohës dhe hapësirës. Morali i Migjenit është si ai që thotë Brehti si ndërtues i së resë: “Morali ynë krijohet nga nevojat e luftës sonë”.

11.Edhe koha në të cilën jetoi Migjeni, ishte si të thuash në plan ndërmjetës. Në të Tashmen, kish ndërhyrë e Ardhmja. Ndihej ndërrimi i akteve mbi skenën shqiptare. Migjeni u bë akumulator i pakënaqësisë dhe revoltës popullore. Ai u ngrit mbi golgotën shoqërore jo duke mbajtur kryqin, por pishtarin e kushtrimit.

“Është kuptuar zinxhiri i kohrave” - thotë Hamleti. Pikërisht në këtë plan ndërmjetës, mund të shpjegohet personaliteti i tij tejet i fuqishëm e sfidues. Por ai u bë piramidë kufitare midis kohërave. Ai ka nga e Kaluara, por kryesore për të është pikërisht ajo që ai ka nga e Ardhmja.

12. Është thënë se tek “Zeneli” Migjeni është përpjekur të çlirojë njeriun nga njohja intelektuale. Diku tjetër ai thotë: “Të vërtetat e rrenat nuk i ndihmuan dheut”. A mos kemi këtu një ndikim të mendimit agnosticist të Niçes, që e vërteta është një lloj mashtrimi, i cili është biologjikisht i dobishëm. Kjo gënjeshtër është kulti i ekzistencës. Që ta durosh jetën, ka nevojë për iluzione. Unë mendoj se jo.

Pesimizmi i Migjenit s’është as shumë konsekuent, as shumë i përgjithshëm. Ai përshkruan deziluzionin e intelektualëve, qoftë edhe si ai. Migjeni e urren primitivitetin. Tendenca e zhvillimit të tij është një malstrom i pandalshëm, që në krahasim me disa rryma të parëndësishme, i ka në drejtim të kundërt.

13. Një kritik i shquar ka shkruar: “Ai (Migjeni) dëshëron t’i tregojë lexuesit sipërfaqe të gjera jetësore dhe të hapë dritare të mëdha shikimi. Por horizonti është i gjerë dhe dritarja është e vogël. Autori s’ka durim t’i zgjerojë dritaret, dimensionet e saj”. Këtu s’është i drejtë kuptimi “dritare të vogla shikimi”. Mos vallë dimensionet e dritareve përcaktojnë qiejtë që mund të shohësh përmes tyre? Syri i njeriut, sado i vogël, mund të shohë gjithçka. Më saktë, kritiku do të thotë se Migjeni është më i madh si poet sesa prozator. Kjo është e diskutueshme. Si poezitë, dhe proza e Migjenit, janë si ata yjet e dyfishtë në astronomi. Kjo nuk duhet diskutuar. Fuqia shpërthyese e poezisë është e shkrirë me ironinë filozofike të prozës. Në prozë ai paraqitet si një mjeshtër, që i pari në letërsinë tonë, bën lidhjen midis reales, së përditshmes me imagjinatën e fantazinë e guximshme intelektuale. Kujtoni skicën e tij të çuditshme “Të korrat”. Jasoni i argonautëve u trondit, kur nga dhëmbët e mbjella të kuçedrës dolën nga dheu ushtarë të armatosur. Migjeni arrin në një fabul moderne, ku miti tjetërsohet në raport me realitetin, ku fshatarët mbjellin misër e shohin se si mbijnë topa hekuri. Libri “Main Kampf” e presupozonte këtë shndërrim. Hitleri do

kuptonte se Migjeni e urrente.

14. Vetëvrasja e trumcakut është po aq simbol, sa figura biblike e mollës së ndaluar. Po në vend të pemës së parajsës, Migjeni përfytyron një peizazh me brirët e një kafshe prehistorike. Trumcaku i ngulur në një bri, vërtitet si fluger. Mos e besoni këtë mit migjenian të dhimbshëm! Trumcaku i vetëvrarë i Migjenit është njësoj si Albatrosi i Bodlerit. Qiejtë janë materia e fluturimeve të tyre në pavdekësi. Qiejt janë në çdo fjalë të Migjenit.

15. Kulla e Babilonit. Migjeni beson në Njerëzimin e ri.

Duke dyshuar te Mesia e Biblës, beson te Njeriu i së Ardhmes.

Durrës, qershor 1970



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora