E diele, 28.04.2024, 11:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Rrustem Geci: Poezia e Elida Buçpapajt

E premte, 23.08.2013, 09:10 PM


Ese për poezinë e Elida Buçpapajt

FJALA, TOKA DHE GJUHA

Nga Rrustem Geci - Dortmund

Jeta është lum i pavarur për të gjithë lumejtë, për të gjithë detërat, për gjithë tokën ku mbjellim e jetojmë. Kot më del përpara me hijen tënde, jam vetja, vetvetja, fjala e parë e fjalës, fjala e bukur e jetës. Këtë ese më nxiti të shkruaj poema e botuar dje, në „Zërin e shqiptarëve“ me titull, „Ne e lamë fjalën të humbë“. Nuk është e ndaluar të mos ëndrrojmë, të mos ndryshojmë, apo të mos dëshirojmë. „Mikja ime, Hije; ji e lirë me veten tënde. O e uruar, mos më dil përpara, shkruan Elida Buçpapaj, se fjalën e kam brenda, ajo është e zemëruar dhe mund të godas. Poezia e Elida Buçpapajt është poezi e pasionit, poezi e dalë nga shpirti, poezi e shkrimit të mirëfilltë shqip. Ujqit e fjalës, armiqtë e fjalës, horrat e së keqes, kudo janë shumëzuar, të bëjnë zap fjalën, të shkërmoqin  fjalën ma të bukur, fjalën e shkruar. Po, po, ata duan fjalës t´ia marrin frymën dhe ta lënë pa afshin e frymëmarrjes. Krijimtaria e shkrimtares, publicistes dhe kolumnistes, Elida Buçpapaj, është e gjerë dhe e thellë. Shkrimet e para Elida i bëri para 30 vjetësh. Ajo deri më tash ka botuar këto libra; 1. Vij , 2. Unë nuk jam e përjetshme 3. Hiperbola dhe paralelizmi në Ciklin e Kaçakëve 4. Tirania e tranzicioni 5. 6 .Traumat e tranzicionit, si dhe analiza e polemika. Njëherit, Elida Buçpapaj bën punë heroinash, duke përkthyer shkrimtarët më të vlerësuar të Elitës Botërore. Elida, bijë e shkrimtarit të njohur, Vebi Skënderit, njëherit edhe bashkëshorte e shkrimtarit të njohur, Skënder Buçpapjt, përbëjnë një treshe shkrimtarësh të mirfilltë në letërsinë shqipe. Shkrimtarja, Elida Buçpapaj, nuk vjen në Letërsinë tonë të bukur, përmes librave të lexuar, por, përmes talentit dhe leximit të jetës. Shpërthimet e saj në poezi, publicistikë, në polemika dhe analiza, janë mënyra e shkrimtares Buçpapaj, për të bërë letërsi, O vetja ime e trazuar; Shqipëria është diell / është ëndërr / zgjandërr / është shi, breshër e borë / është furtunë e stuhi / është stuhi në gotë... Këto dhe qindra vargje të tjera, tregojnë për shtrirjen e saj në letërsi, dhe të bukurën e saj në poezi. Motivet me Kosovës janë të pranishme tek kjo treshe shkrimtarësh. Fjala, toka dhe gjuha amë, lulëzojnë në qënien e vargjeve të shkrimtares. Në poezinë e Elida Buçpapajt, por edhe në poezinë e babait të saj , si dhe të bashkëshortit,  Skënderit, janë së brendshmi tharmi i të bërit letërsi. Kosovë, shkruan shkrimtarja; Unë vij në Prekaz / mbi kalin e pikëllimit / prej plagosjes së natës /..këtu fjalët i ka zënë gjumi i madh / i tokës së skuqur / si flamuri nga gjaku/ ... Unë vij në Prekaz / dhe ngrij palëvizur / si mermeri i varreve / nën harkune violinave të vajit / e të fijeve të barit që qajnë...Harta poetike e Elida Buçpapajt është plotë maja poezish. Ngjyrat në krijimtarinë e Elidës janë nga ma të bukurat. Temat e saj shprehin çastin dhe kohën; Mirëmëngjez Paris / sot jemi gëdhirë në një shtrat / të dy të përgjumur nga mosfjetja /..Në një kafene  buzë Senës / porosis një kafe me qumësht/..dhe filloj me llogaritë / Paris, unë banorja jote efemer / ndërsa ti dhe Sena eternel... Shkrimtarja Elida Buçpapaj, e lindur dhe e rritur në Tiranë, bashkë me prindërit, përjetoi gjenocidin e diktaturës Hoxha, kundër zërit të shkrimtarëve dhe inteleltualve. Idetë në letërsi shprehej Vebi Skënderi, ( në një bisedë që pata me të dhe Agim Gjakovën, në vitin 1994 ) kontrolloheshin që në embrion të krijimit. Diktatura e Hoxhës e kishte bezdi zërin e shkrimtarëve. Në tërë ato rrethana  ç´njerëzore, poezia e pati shumë të vështirë ta heq  ujkun nga fjala. Cenzorët në Shqipëri aso kohe shprehej poeti, Vebi Skënderi, ishin shndërruar në kafshë të këqija, dhe masakronin vargjet tona. Por, bija e shkrimtarit, shkrimtarja, Elida Buçpapaj, e di s´e është e ndaluar të mos krijosh; Jam shi në Tiranë / shi që bie rrëke / nëpër rrugët mbi pluhurin e harresës / janë shkërmoqur grimca-grimca / si fosile antike / ditët e mia…Mbi këtë peisazh jete, kujtoj se fshihet bardhësia e ngjyrave të Tiranës, vetullat dhe balli saj, buzët pa të kuq të Onufrit. Jeta e shkrimtarëve më thotë Elida Buçpapaj, është kjo që e bëjmë. Mirëpo, poeti e ndien atë që s´shihet, dhe shkrimtari s´heq dorë nga asnjë ditë e kësaj jete. Mbushjet e mëdha shpirtërore janë burimet të artit të pashterrshëm. Jam Zana / Tanusha / jam dhi e egër / e pakapshme /shkreptimë…Nuk ka titull më të lartë në jetën e një njeriu, shkruan Elida Buçpapaj, se sa të jesh, shkrimtare, nënë, bashkëshorte dhe gazetare. Poezia është në qenien time, dhe rron në qenien time!..Me këtë ese të shkurtër, i uroj shëndet dhe vepra të reja shkrimtares dhe gazetares, Elida Buçpapajt!..



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora