Kulturë
Vezir Ukaj: Prekja e artit ndryshe
E merkure, 21.08.2013, 08:16 PM
PREKJA E
ARTIT NDRYSHE
(Sofije Zguri, "Ku më vanë Hirushet e mia" (poezi), Botimet Dudaj, Tiranë, 2005)
Nga VEZIR UKAJ, Prishtinë
Hirushja në poezinë e Sofije Zgurit nuk vjen nga përralla jonë, e vuajtur e e keqtrajtuar nga njerka... Hirushja vjen nga jeta, nga një faqe jete e veçantë, e dhimbshme, po me frymëzime thuaja hyjnore për një optimizëm ku s'e pret...
Poetja e
talentuar e dhembjes së ngjyrimeve të bukura të jetës - korçarja Sofije Zguri,
me një gjuhë të veçantë, vjen e arrirë me librin poetik "Ku më vanë
Hirushet e mia", e cila duke aluduar për këmbët e veta, në mënyrën sa të
shkëqyer aq edhe të dhembshme, me figura të reja shprehjeje poetike, përshkruan
dhe përfytyron ecjet e saja që tashmë kishin humbur lëvizjet, për të mos u
kthye kurrë. Kjo përmbledhje poezish është një vepër, që trajton gjendjen
shpirtërore të saj nëpër labirintet e jetës. Me metafora ndryshe, "nën
dhembjen që dënes" - "... Dy rrokje dy tinguj magjie / ç'më ngjallin
drithërima nostalgjie..." (
Aftësitë
fizike të kufizuara, me shumë dhembje të emocioneve të fuqishme, egërsisht të
vrazhda, për ta pranuar jetën ashtu siç është, vjen poetja me shpresa të
humbura e të thyera në brendi që mundësitë e zgjidhjes për një ecje përpara
drejt ndryshimit të gjendjes së vetmisë ngulfatëse, fuqishëm thotë: "...
"Ku
më vanë Hirushet e mia / Mbeta me këpucë nën jastëk / U grisa në udhë e pa udhë
/ Kërkova e s'lashë asnjë vend..." (Ku më vanë Hirushet e mia, fq. 33).
Përshkrimi i këtyre gatimeve të pësimit me simbole e metafora të një dëshpërimi
të thellë, janë gjetje e zgjedhur me pasionin e një artisteje e cila, duke
krijuar hapësirë aq të qëlluar negative të jetës - na bën të njohim tragjikën e
saj dhe vetë esencën kuptimore të kësaj krijuese të re në krijimtarinë letrare
ndryshe...
Kjo
pëmbledhje e qëndisur me poezi të veçanta, që trajtojnë dhe shpërfaqin me
invencion e pasion padrejtësitë e një shpërfilljeje të skajshme, kulmojnë me
përjetimin intensiv dhe shumë interesant për të poetizuar disfatën e rëndë -
tregimin me elemente autobiografike që s'do të kishte dëshiruar kush ta jetonte
në fizikun e vet... "Me fizikun u pajtova / E pranova me kohë / Si diçka
pa rëndësi... / Por shpirti... Ah shpirti... / Sa më dhemb / kur rënkon
ai..." (Rënkim, fq. 65). Vlerat artistike - letrare të këtij rrëfimi, me
një stil e një gjuhë tjetërfare, dëshmojnë e flasin për dëshirën për t'u
rikthyer në jetë me gazin në buzët e në sytë, qoftë edhe e ngujuar në karrocën
e invalidit..., sepse situatat e ideve të realitetit aktual, realizohen përmes
një përjetimi të thellë që ruan baraspeshën në gjuhen e veçantë poetike.
Zonjusha
e mirëfilltë Zguri, përpos krijimtarisë poetike, është e njohur edhe si
stiliste qëndistare me duar të arta - që nga mosha e saj relativisht e re. Kjo
shpreh edhe më qartë unin e saj duke u marrë me punime me shtiza e grep,
traditë kjo e njohur për vashat korçare.
Prandaj,
poetja Sofije Zguri, motivet që përbëjnë tipare të veçanta të shprehjeve a
ideve të tjera që artikulojnë këto pikëpamje, veçohen në tërë poezitë e këtij
libri për të cilin po shkruajmë, qëndisur me simbole e metafora dëshpërimi të
thellë që "përgëzon çdo këngë zemre" me shpresën premtuese të ndonjë
korrigjimi për ecjen e vonuar" për ta "prekur" tokën, ndoshta edhe
"për një çast të vetëm", duke përafruar mendimet për jetën në
"përpjekjet e mëdha për korrigjimin e gabimit mjekësor që solli
gjendjen...", me të cilën bashkëjeton kjo krijuese, ani pse: " Në
dukje e lirë / Brenda "lirisë" / mberthyer mbeta / Të çlirohem nga ky
kurth / S'mjafton / e gjithë jeta!" (Paradoks, fq. 55).
Përmbledhja
"Ku më vanë Hirushet e mia", është një libër me veçanti krijuese që
gjithçka lëviz drejt një fundi të pafund, që mbledh e mbyll në vete këngëvajin
e një brenge të ndrydhur si në pasqyrë - malli, urrejtja, dhembja - atje ku
lëshon shtat revolta me elemente të një drame vetiake të ëndrrës a të
ëndërrimit për një nesër tjetër...
Ky libër
(i ndarë në tri cikle me 75 vjersha), ndonëse dendur përshkohet nga një frymë
pafajësisht pesimiste, që ruan komunikimin e veçantë pëmes një stili krejt
tjetërfare, do të mbetet një zë poetik në botën tonë letrare...