Kulturë
Daniel Marian: Mbrojtja e identitetit shqiptar
E diele, 18.08.2013, 02:43 PM
MBROJTJA
E IDENTITETIT SHQIPTAR
Simbolistika e kësaj kërkese i përket shqiptarit të Kosovës gjithmonë dhe gjithkund. Lindjen e botës, shijen e padurimit për liri, Dardaninë e bekuar dhe përjetësinë e saj, të gjitha këto i gjejmë në poezitë e Vezir Ukajt që e plason ekzistencën ndërmjet kuptimit të fillimit dhe horizontit të pambarimit.
Nga Daniel Marian
Kërkimi
permanent i dentitetit dhe mbrojtja e tij edhe pas grilave të burgut, së bashku
me përjetimet, ëndrrat dhe aspiratat. Simbolistika e kësaj kërkese i përket
shqiptarit të Kosovës gjithmonë dhe gjithkund. Lindjen e botës, shijen e
padurimit për liri, Dardaninë e bekuar dhe përjetësinë e saj, të gjitha këto i
gjejmë në poezitë e Vezir Ukajt që e plason ekzistencën ndërmjet kuptimit të
fillimit dhe horizontit të pambarimit. Pas pyetjeve për Jetën e Vdekjen,
përgjigjet ndërlidhen me Kohën e paskajshme. Nuk i kam gjetur as në Libër,
thekson autori, as në gjuhën e mikut tim. Jeta sipas tij ka rrugë të panumërta.
Poeti
është rebel porsi ngjyra që nuk din të derdhet nga pena, apo të kthehet në
përmbajtjen e saj paraprake, atë të kalimarës: „Në Oxhakun e Vetmisë/ shaloj
Natën e përgjumur/ Flaka më lag si me Ujë/ nuk më lënë djersët/ të digjem
shkrumb.// Mërdhin Qielli Ngricë Acar/ një copë e pafund Akulli është/ që më
mbulon si të vdekurin me Dhe.// Shpirti i mikut më foli Shqip/ në Gojë kishte
Zemër jo Gjuhë/ nuk mbajta në mend asnjë Fjalë/ veç Heshtjes që ajo ende më
Flet...(Siluetë e strukur).
Vezir
Ukaj din t’i dëbojë dilemat së bashku me të gjithë ata që kemi qenë në ring me
kuptimin e fjalëve, pa e ditur se atje e kemi fatin. Nga një herë mendonim se
duket mirë, kurse herë tjera zhgënjimi na mbetej si një ëndërr e bukur: „Për
shembull/ nuk gjen mënyrë si ta thuash/ një gjë të re se fjalët janë të vjetra/
as nuk sosen kurrë / as nuk janë të njoma/ edhe lulet janë të tjera / çdo
Stinë/ po janë të njëjta si fjalët...// Emrin e ka Vetmia vetmi/ Dashuria
dashuri. Urrejtja/ urrejtje e ka emrin/ nuk i ka hije poezisë/ fjalëve të
bukura/ e si ta them kuptimin e ri/ me po ato Fjalë të përdorura...” (Si ta
quaj). Dhe kjo, në kohën kur kuptimi i fjalëve shndërrohet në njërën nga odat
më të qarta e më të përmbushura. Gjallërimi i tyre mugullon përmbi parfumin e
ngjyrave dhe të freskisë së luleve. Fjalët janë madje yje të tejdukshëm, atë që
vetëm i ëndërrojmë. Shkëlqimit të tyre ua nuhasim dhe rrëfejmë një tjetër
projektim në veten tonë. Jo çdokush mund të deshifrojë shtjellën magjike të
fjalëve për fjalë:
“Pse i
them Kopsht ky nuk ka lule/ i them se më të bukura se Fjalët janë Yjet që as
preken/ as thuhen.../ Si në përrallë. Mugullojnë lule Parajse/ më të bukura se
të herbariumit/ pa Jetë janë ato kur përshkrimi/ u bëhet vetëm me simbole.../ E
krijoj vetëm që të kenë ku të shëtisin/ njerëzit e vdekur që dalin gjallë/ nga
Përralla të bredhin/ nëpër jetën time/ të gjitha rrugëve/ që shkova dhe
shkoj... (Në kopshtin e fjalëve të bukura). Kurse tani, për çdo shprehje
ekziston nevoja të jesh i lirë, dhe ja se si më në fund arrin të parashtrosh
pyetjen ç’është liria. A ekziston vallë ajo në këtë botë të tejet të shtrembët,
apo do ta presim kur do të ngujohemi në kthetrat e hapsirës dhe kohës?
“Përmallimi/ Zog i trembur...// Dashuria/ buzëqeshjen kafshon/ Vdekja pa Emër/
Liria Det i panjohur...// Të vijë Dita/ të çmallem/ në Qerpik Syri/ të pushojë
Dashuria...// Liria/ Vdekjes i vë Emër...” (Liria det i panjohur).
Për
dashuri duke folur, poeti përballet me trishtimin. Përsëri nuk i mjafton bota
për t’i përfshirë lumturitë e mëdha që na jepen për t’i shijuar, pa e patur të
gjithë fatin për t’i përjetuar: “Kishte një ditë feste Dashuria/ tha sot
ekzistoj/ as ajo vetë nuk besonte...// Sa e bukur jam thoshte/ e nuk mund ta
shihte vetveten/ në Gramatikë e pa se është/ Emër kuptimi...// Por pa Dashuri
si të jetojmë/ ndoshta jetojmë duke bërë Rrugë/ për të arritur Dashurinë/ dhe
në fund/ arrijmë Vdekjen...” (Shqetsim i pafshehur).
Ndoshta
më së miri e njohim Vezir Ukajn atëherë kur na shpie atje ku shpirti, sado i mveshur
të jetë me stolitë e shtrenjta të shpërndara nëpër botë, ai kthehet dhe arrin
të jetë më në fund vetë sublimja nga thjeshtësia e tij: “Pa krahë fluturimi/
pandeha se jam Poet/ vrap pa Këmbë kërceva/ e dergja Burgun/ ndër dhëmbë/
Vdekjen kafshova/ Bjeshkë Mllefi Gufoi...// Shumë herë florë do të mugullojë/
Vendlindja me rrugë Kthimi/ Shtëpitë/ Oxhaqe të Vogla/ Çatia bishtuk Tymi/ djeg
shpirtin Xhelozia...// Dhe trishtimi vjen në Ëndërr/ Zjarr të valë në kraharor
derdh/ Pritja një Jetë...// Djepi lind Ardhmëri/ Dritë Syri – Liri...” (Kur
mendova se jam poet).
Do të thonim më në fund, se dita e poetit është përsërtitja e ditëve të përditshme, sidomos atëherë kur lind dielli i lirisë, apo kur përfundon robëria e huaj në trojet shqiptare. Ka qenë dhe do të vijë dita e tij, sepse: “Për mua vetëm Nesër jo/ kjo është Ditë./ Nata në Gjuhën Time/ flet për Kohën e humbur.../.../ As Nata që vjen Sonte/ nuk është Natë. Për mua krejt hapësira/ veç vendit ku rrinë Yjet/ është një Burg i errët...// Jo Sot jo Nesër vjen Dita Ime... (Pranë, krejt pranë agimi). Dita e poetit, siç duket, shëmbëllen me një shkëlqim tringëllimtar të sekondës, porsi vetë përjetësia e tij. Ja pra, edhe një vepër e re e sivëllezërve tanë nga Kosova, që vjen në gjuhën rumune përmes përkthimit briliant të poetit Baki Ymeri. (Vezir Ukaj, Camera num?rul patru/Dhoma numër katër, Albanezul, Bukuresht 2010)
BOX
Vezir
Ukaj u lind në katundin Dobrajë e Madhe të komunës së Lipjanit - Prishtinë
(Kosovë). Është mësues i gjuhës shqipe. Ka mbaruar studimet e larta
universitare (letërsinë dhe gjuhën shqipe) në Prishtinë. Si veprimtar i
Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, me Adem Demaçin në krye, ka
qenë i dënuar politikisht dhe, për disa vjet, dënimin e ka vuajtur në burgun më
famëkeq të Serbisë - në Nish. Edhe pas vuajtjes së këtij dënimi, është
arrestuar disa herë. Vezir Ukaj është shkrimtar dhe ka botuar tri përmbledhje
me poezi. Jeton dhe punon gazetar e redaktor i kulturës në gazetën e mësuesit
“Shkëndija” në Prishtinë. Vjershat e këtij vëllimi janë shkruar në vitet
1965-1970, në një periudhë të vështirë të ekzistencës shqiptare në Kosovë.