E shtune, 27.04.2024, 10:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Qazim Shehu

E enjte, 15.08.2013, 08:07 PM


QAZIM D. SHEHU

 

NJË ZEMËR

 

Një zemër s`është një zemër pa një tetër,

Kjo përrallë drithëron njerëzimin e vjetër.

Sjell ajo shumimin në shekuj:

Të gjallë me të gjallë,

Të vdekur me të vdekur.

Dhe bie aq begati dhuratash paanë,

Kur zemra tek zemra hyn lehtë, mënjanë.

Me dy regëtima pushtoi tjetrën e iu dha,

Në ftohtësi kohe ndodhi që zemra u nda.

E sërish zemra zemrën vetë gjet,

Pa ndalesë , drejt, në aksident.

Zemrat e errëta dritën mbyllën,

Mina të harruara në ujëra të turbullta,

Kur njëra tjetrën kafshuan pa siklet,

Aq sa njeriu nga dhimbja hëngri zemrën e vet….

 

 

PËRSËRITJE

 

Që nga Homeri deri më sot,

Pak motive afër na vijnë,

Dashuria, lufta-një det me lot,

Konturethyer në flakë kjo botë.

 

Nga njëri poet tek tjetri poet,

Motivet shkojnë në ngjashmëri,

Si mali përballë malit mijëra vjet,

Rri e s`shkon ,ngutet për dashuri.

 

Mos vallë të gjitha janë thënë,

Lapsi-filiz rrufeje shkrumbuar krejt,

Me gjurmën e hirit në letër lënë,

Si të ketë djegur mjekrën një shenjt?

 

Po, janë thënë të gjitha, ndonëse,

Dridhjet e zemrës s`janë llogaritur,

Ndaj kjo botë bëhet përherë e re,

Duke u përsëritur…

 

 

RRITJA

 

Për lulet e reja që po afrojnë,

Dyshim ka,

Ato po vijnë,

Po përparojnë,

Në fusha, kodra, kreshta të mëdha.

Ndonëse herë herë stepen, presin,

Nga një çmendje stine,

Me tjetër diell,

Tjetër shi.

Të shpërhejnë gonxhet kanë frikë

Mos i shpërhejnë,

Rritja

I  ha në gji….

 

 

ZOGJTË E FUSHËS

 

I shikon si ulen mbi të,

Pika pika,

Si mbi një fustan të bukur.

Ngrihen pastaj trumba- trumba,

Në lartësi idilike,

Për tu ulur sërish të urtuar,

Fushës nazike.

Grurin e sapokorrur çepkatin,

Kokrrat e shkundura të kallirit,

Si thërmija puthjesh të dështuara,

Nga ngrohtësi e gjirit….

 

 

VITET E HUMBURA

 

Në hallkat e hidhura të fatit nopran,

Si kalorës që rend e rend,

Mbi kalin që gremina kapton,

Stuhi e tyre veten çmend.

 

Për shkak të kohës, regjimit, vetes,

Ato i ngjajnë një pylli të dendur,

Ku ngjyrën më të trishtë ka errësira,

Prej rrugës së pabesë dredha dredha.

 

Në lartësi të tyre një herë hipa,

Mbi supa u vura këmbët,

Dhe pashë se ishin rritur,

Aq sa i kish zgjatur guximi për ëndrrat…

 

 

PIGMENT

 

Pikë e bardhë në ajër, vizatohet pulëbardha,

Mbi suprinën mavi të detit.

Me tërbim shoqen kafshon dallga.

 

Ajo ulet e ulet.Të hidhet në rrafshin blu -mavi.

Si pigment.Tharm magjik.

Gjithë këtë hapësirë ta kthej në të bardhë.

Në dritë…

 

 

DEKOR

 

Në kurora lulesh më tepër trishtim thuret se lumturi,

Lulet mbeten të bukura kur nuk këputen,

Kurorën e tyre s`e meriton asnjë dashuri,

Që mbetet e freskët edhe pa lulet.

 

Kur dashurisë i mungojnë të gjitha,

Zemra regëtin, në ankth ndjen zor,

Shpejt nxitojmë, këpusim lulet e lira,

T`ia sajojmë pamjen me to, sa për dekor….

 

 

GUR

 

Jam gur lëvizës në arrati.

 

Jam gur i Camajt,

Gur i randë në vend të vet,

Gur kalaje që i piu qumështin,

Rozafës krejt.

 

Jam gur lëvizës,

Gdhend  hapësirën nga pak,

Memecëria më rrudh,

Fjala më zgjat.

 

Nuk e di ku do qëndroj,

Në kohën e ndalur,

Pa dashur,

Mos i dhimbsem gurit,

Këtë dua ta besoj

Edhe pse jam gur e prej gurit

Kam ardhur…

 

 

FJALË…

 

Kur ti ike, mbete vetëm fjalë,

Në duart e mia gërvisht pengu jot,

Gur i madh, i stërlashtë,

As e ul, as e ngre dot.

 

Njeriu është i dhimbsur më tepër se dhimbsuria,

I krisur, kore toke në thatësirë.

Dhe kur ikën mbetet vetëm fjalë,

Zemër s`ka kujtimin e tij ta përballë….

 

 

ADAMI

 

Adami hëngri mollën, ra në mëkat,

Pastaj mijëra, miliarda të tjerë,

Mëkatin e tyre s`e zë njeri me gojë,

Faji i mbeti Adamit të mjerë…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora