E diele, 04.05.2025, 08:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Ukshin Morina: E bukura dhe poeti

E enjte, 15.08.2013, 07:44 PM


UKSHIN MORINA

 

TI JE VET PRANVERA...

 

Ti je pranvera që dhe pse shpirti im vdes,

unë do mund te jetoj në ermimin e luleve te tua

Asgjë s’më thotë vdekja ime,

kur ju miqtë e mi

jetoni me diellin e veshur me bukuri stinore

S’do ketë lot as dhembje që të mund të ndalë

epërsinë e këtij misteri të gjelbërt

Ti je vet ajo që nga dimri vjen me flokrat e lagështa

bashkë me bukurin e dritës së bardhë,

që vesh shpirtin në emër të ripërteritjes

O zot është vertet pranverë,

dimri u rrëzua nën hijen e ngrohtë

dhe shiu rrjedh në fusha

Unë që prej kohësh i vdekur,

vishem me ngjyrën tënde të butë

dhe vi në formën e erës si lot i mbrëmjes

paundier mbi gjoksin tënd

Trupi im është i lehtë, ka formën e gjethës

dhe gjithë loti im rrjedh nga deget e një lisi të hershëm.

...

 

 

NË BREG TË DETIT

 

Jeta ime që kur të njoha mbeti mbi valën e detit,

humbur nga stuhite në një liman pa emër

dhe rroj si i shkretë

Pres të më vish këtu pranë shkëmbit,

ku dallgët për ty këndojnë

dhe në më leshoj zemra,

me ler aty në breg të mund të shoh anijen e bardhë

dhe dritën e syve tu

S’ke pse qan, është veçse një shpirt i humbur

i cili pret premtimin e një të thëne

S’mund të rroj i vetëm në bregun e detit,

sytë e mi kanë trazimin tënd të fshehur

ndaj ke ende kohë ti prekësh të gjalla buzët e mia

Humbur kam qetësine e shpirtit

këtu në detin e pavdekshëm,

ku yjet derdhin dritën e tyre të butë

dhe kërkojnë zallit kujtesën time mes vajesh.

 

 

E BUKURA DHE POETI

 

Ai ishte veçse një poet,

i cili vishte të bukurën e tij me vargje stinore

Rrinte deri vonë dhe pse zemra i regëtinte ngadalshëm

si flaka e një kandili në shkrehje duke errësuar më shumë natën

Ai s’flinte, i varfër ishte me zi rronte, ndërsa hidhte hijen në letër

dhe thoshte,

o Zot dhe nje herë në paqe sonte!

 

Po, Ai ishte,

e njihja silueten e tij kur kthehej që nga nata

me larg se drita e hënxës,

ulej në cakun e vet dhe me pëshpërimë këndonte

dhe lutej të mos vdiste sonte!

 

Ai e donte të bukurën e tij, aq sa natën e mbyste dhembja,

e priste, ishte vetem, ëndërronte

duke ushqyer shpresen e të qënit me fat

dhe lutej të mos vdiste sonte!

 

Mesnatë ishte ndërsa i dëgjoi çapat tek vijnë

bashkë me kërcitjen e bravës dhe hijen e saj blu,

ishte ajo me sytë e një qielli loti

duke i puthur etshëm buzët e tij nën errësirën e natës...

 

 

RRUGËS SË QUMËSHTIT

 

Ma sjell mua o zot fuqin tënde qiellore,

të mos vuaj këtu në burgun tim

ku lulet e pranverës i kam harruar si çelin ndër fusha

Ma sjell mua paqen e mohuar në kufinjtë e tejlargët të lumit,

fëshfërimen e ëmbël të valës,

si një këngë në partiturat e shpirtit të thyer

Zot të lutëm ma sjell mua të vetmen ëndërr që dua,

këtu në skajin e lindjes sime

ku pemet në kopësht përkunden nga gjumi i rëndë

S’di, s’po mundëm lidhur pas kockave i gjymtuar

si një statujë e tërshitur lufte,

therrmuar jam dhe s’dua me të voglin zë

Me mjafton dhe drita më e largët e yllit

të shkreptij mbi mua

Ja pra me ty o zot në rrugën e qumështit,

ku mund të shoh shpirtin e një ylli të ndritshëm

që ma fale mua natën e mbrëmshme

Është drita e syve tu që nuk fle e s’lodhet kurrë së ndrituri

udhët e mia, që i rrojta i vetëm pranë pyllit të egër.

 

 

JAM NJË VARG I SHKRUAR

 

Unë jam si një re që shkon horizonteve

Me vete mbaj të vetmen dhembje që dua

Po le të shuhet dhe djelli nën vete

Dhe hënza me dritën e saj vagelluar

Unë për ty jam më shumë se frymëmarrja

Kur ty të zë e të mbyt pikëllimi

I ëmbël pa fund do të dukët ky mall

Si dritë e një ylli do të digjet shpirti.

I humbur jam sonte si një ëngjëll nate

Vetmitar i huaj në borë e stuhi

I veshur jam me të bukurën tënde

Me zërin e ëmbël rrugëve pakufi.

Do vije një ditë ku zëshem do qash

Atje së largu, më keq së një fëmi

Si viola e përroit të lumit të bardhë

me zerin e qyqes mbi kry

Une jam veçse një varg në letër

I shkruar me lotet e syve të mi blu

Lundroj si vala mbi detin e kaltër

Me dhembjet e mia trazu.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx