Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Kulla e kujtimeve
E enjte, 15.08.2013, 07:05 PM
Kulla e
kujtimeve
Tregim
nga Hazir Mehmeti
Liqeni shikoi i hutuar drejt monitorit
lajmërues të fluturimeve. Me të shpejtë thithi duhanin pranë taketukës, në hapësirën ndarëse nga xhamat, mori
valixhën, shkundi xhaketën nga gjoksi për të vërtetuar pasaportën dhe u fut në
rresht. Çdo gjë i dukej si në ëndërr. Nuk u durua dhe nga xhepi nxori ftesën.
“Kemi nderin t’iu ftojmë...” arriti të lexoj shkarazi...
“Ata që udhëtojnë me Aer German të
renditën pranë sporteleve me ngjyrë portokalli”- u dëgjua thekshëm altoparlanti
në gjithë hapësirën. Kishte kaluar disa minuta në rreshtin e gabuar, që
mbaronte pranë sporteleve me ngjyrë të verdhë dhe ndjeu në vete shqetësim.
U vonova, mendoj me vete. Ah, e
shkreta kokë, ku do vete kështu, dhe ku, atje ku flitet për rrugën tonë drejt
së nesërmes, dhe po të mos i kishte duart e zëna, do i kishte rënë tëmthit me
gishtin e tij tregues e të trashë si bisht grabuje. Ngushëllimin e gjithë
shqetësimit e gjeti në muzikën
Betovenit, e cila dëgjohej në bordin e avionit.
Rendi i tetë, ulësja A,- lexoi gati me
zë. Një zonjë, e cila ishte rehatuar në ulësen e mesit, i lëshoj rrugë, duke u
ngritur nga vendi. Liqeni nuk harroi ta falënderonte. Pas mësimeve që dha
stjuardesa si të veprohet në rastet e rrezikut me mjetet rrethuese, motorët
fuqizuan zhurmën, duke i dhënë avionit shtytje drejt qiellit të errët.
Derisa udhëtarët u qetësuan nga dridhjet
e shkëputjes, avioni zhytej në qiellin e natës së ftohtë dimërore. Nga dritarja
e vogël dukeshin dritat e shumta që
krijonin figura të ndryshme në fantazinë e kujtesës krahasuese. Poshtë tij
dukej hapësira e zezë, pa kufij, e shpuar nga dritat e shumta të mëdha e të
vogla, në radhë e në vijëzime, paralele e gjithfarë formash. Pa dashur iu
kujtuan figurat gjigante mijëravjeçare në shkretëtirat e Perusë, siç mendohej
dikur për komunikim me jashtëtokësorët.
- Çfarë doni të pini zotëri? - iu drejtua stjuardesa, me buzëqeshjen
profesionale të mirësjelljes.
- Kafe të Zezë, ju lutem,- foli
Liqeni me një zë të rënduar nga pështjellimet e mendimeve të shumta që i
silleshin në kokë.
Nuk kishte ndodhë asnjëherë një
ringjallje e kujtimeve kaq të fuqishme, sikurse sonte në fluturimin e tij drejt
Shtutgardit, ku e prisnin mërgimtarët hallexhinj, ashtu siç ishte edhe ai.
Huaji për ta ndezur një cigare i vlonte në kokë. Ndërrimet e informatave në
navigator sikur e qetësonin, duke dhënë
konditat e pozitës së avionit në lartësinë dhjetëmijë metra dhe temperaturë
pesëdhjetë e dy gradë nën zero.
Një
ngrohje e brendshme e vuri në meditim kotës, i shoqëruar me valëzimet e
grunajave të gjelbëra Arës së Madhe, në kujtesën e aromës së barit që ngrohej
nga dielli pas shiut pranveror. Koka e rënduar peshonte anash në mbështetëse, e
pa kontrolluar në botën e largët të ëndrrave.
“Jo, nuk do të lë arën djerrinë, derisa të rrah edhe damari i
fundit, gjysh. E sheh si valon bereqeti, kjo është pasuri shkuar floririt të
gjithë botës”.
...Një autoblindë e kaltër armike me zhurmën
trishtueshëm para se ta shkelte Arën e Madhe me grurë, u ndërpre kur avioni preku tokën në pistën e ndriçuar.
-“E rëndë është jeta”- belbëzoi, duke
drejtuar kokën nën dhembjen e qafës.
Shkëlqimet e dritave të shumta të korridorit lëvizës, ngjitur me avionin, tani nuk i bënin përshtypje. Doli
nga stacioni në katin e parë dhe pa vargun e gjatë të taksive. “Do ta ndez një,
e pastaj do shohim”- gati sa nuk foli me zë.
Pak pas mesnate Liqenin e solli taksi
në fshatin e vogël Enstingen. Restorati ishte shndërruar në kullë shqiptare. Në
ballë të hapësirës valonte flaka në oxhakun e stilit të kullës shqiptare.
Masha, hiri, tangari e drutë, dukeshin nën shkëlqimin e flakës së kuqërremtë,
shoqëruar me hijet gri të rrethit. Një
postiqe, gjysmë e bardhë e gjysmën e zezë, kishte para xhezven e verdhë me
bisht të ngritur pak mbi madhësitë e buzëve të saj, me skaje të harkuara nga
jashtë, që shkëlqenin herë pas herë, sipas lojës së flakës. Dy filxhanë pa vegë, me shqiponja të
zeza brenda kornizave ngjyrë ari, rrinin përulur anash njëri nga tjetri, sipas fundëses
që kishte zgjedhur i zoti i shtëpisë. Tabakat e bakrit, të punuara me
mjeshtri, të kujtonin mjeshtrit prizrenas të njohur për artin e tyre. Lahuta me
pëlhurën e grisur, e varur në murin e
nxirë nga koha, përballë pianon që shkëlqente në këndin solemn.
Liqenit i bëri përshtypje ambienti i
traditës, i ngjashëm ma atë ku kishte kaluar fëmijërinë, në vendlindjen e tij.
Për një moment iu kujtua gjyshi, mbështetur për muri, pranë oxhakut, me llullën
e tij që tymoste së bashku me oxhakun e zi e plotë blozë brezash...
Porosia e tij për Arën e Gatë, që ia
lakmonin hasmit, e cila denbabaden kishte qenë e tij, kishte mbetur e pashlyer
në kujtesën e tij. Gruri kallirëndë, që çdo maj valëzonte mahnitshëm deri në
fantazinë e përbotshme, këtu, në dhe të huaj, i fanitej disi më ndryshe. Bec Sytrimi,
stërgjyshi i Liqenit, u kishte lënë porosi në bisht të lahutës palosjen dymbëdhjetë kokëve me shajka të
përdherë, kur kishin guxuar të shkëlnin tokën e bekuar stërgjyshore. Dardhënia,
nga vinte ai, kështu e kishte pasur gjithmonë, kur e lypte mbrojtja e
vatrës shekullore. Prekja e tokës do
thoshte prekje në nder e jetë dhe vdekja për të quhej e shenjtë. Lahuta
përcillte këngën pranë oxhakut që
thyente dimrin e gjatë e të egër. Ulërima e ujqve ishte përditshmëri e jetës që
në pragun e kullës me frëngji mbante erë baroti.
Mëngjesi i ftohtë dimëror sfidohej nga
oxhaku përplot drurë me valëzimet ndriçuese këndeve të kullës. I zoti i
shtëpisë, një burrë thatan e i gjatë dhe zonja e shtëpisë, një grua e bukur me veshje
elegante, përshëndetnin mysafirët e ardhur nga atdheu i lodhur nga robëria dhe
mërgata. Ministri i parë, njeri me kulturë e orator i buzëqeshur, zuri vendin
ballë oxhakut, në një karrige banaku nga druri. Tryeza ngjyrë kafe shkëlqente
me nyjëzimet drunore, kushedi nga cili mal i
kontinentit ishte sjell. Pas tij, Ministri i Dytë, nga ministra më e re e shtetit më të ri në
Europë.
- “Mirësevini, në shtëpinë tonë, kjo
është nderim për ne, të kemi dy ministra dhe shumë mërgimtarë nga e gjithë
kontinenti”- u dëgjua zëri i Durimit.
Prapa tij, në mur, qëndronte
“Kosovarja”, një punim mjeshtëror në pikturë. Anash mureve, vështronin
gjallërisht, pamje nga gjuha e kamerës, protestuesit në sheshet e Bonit,
Berlinit. Sytë e tyre ishin sa magjepës aq edhe qortues, të rrethuar me
flamurin kuqezi, tani i rikthyer në
kujtesën e ditëve të rënda të atdheut.
Vargu i mysafirëve ishte i gjatë. Secili
prej tyre barte një histori në vete në kopshtin e përbashkët të kombëtares.
Njëri nga Londra, tjetri nga Berlini, nga Vjena, Brukseli, Parisi, Roma,
Torino, Bostoni, Athina, Stokholmi, Osllo. Mungonin përfaqësuesit nga
Stambolli, dikur qendër e aktiviteteve për liri.
Kuvendi i parë i lirisë në Kullën e
Kujtimeve të historisë së secilit në thurjen e së përbashkëtës, e cila tani
prekej në hapat e parë. Rektori, një burrë me mustakë të shkurtër e të vijëzuar
mbi buzën e trashë, ishte thelluar në mendime. Ai e kishte provuar largimin nga
Universiteti, burgun dhe maltretimet nga më të egra nga pushtuesi. Kulla tani
sillte qetësinë pas betejës së gjatë që nga stërgjyshërit në vendlindjen, tani
të lirë e me plotë
Nuk kishte fjalë. Kulla e Re po lindte në themelet e Kullës së Kujtimeve të Përbotshme.