E premte, 04.10.2024, 09:08 AM (GMT+1)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Udhëtimi

E merkure, 13.02.2013, 08:33 PM


Udhëtimi

Tregim

Nga Hazir Mehmeti, Stuttgart

Derisa Treni IC gjarpëronte luginës së Danubit, në monitor shënohej shpejtësia dyqind e pesëdhjetë në orë. Lehtë dëgjohej rrëshqitja mbi shina çeliku, me brumë të nxjerrë  nga nëntoka e këtyre bjeshkëve madhështore. Dikur çeliku shkëlqente në maje shtize, në kokë përmende që shponte dheun e bukës, duke i dhënë njeriut forcën e veprimit. Çeliku u bë sinonim  force në  ecjen e kohës. Anash luginës së thellë në Alpet Qendrore, krenare ngrihet Grosglockna e njohur me akullnajat e saj shekullore. Majat e bjeshkëve,  në të dy anët e Luginës Danubiane, preknin qiellin e ngjyrosur prej rrezeve të zbehta të mbrëmjes që përuleshin në shkëlqimin reflektues xhamave të dritareve duke  mbetur hije në ikjen tonë.

Dhe, po u ndale dy sekonda nga shikimi i pamjeve magjike nga dritarja, ndër mend të vjen i madhi Karl Gega, gjeniu me gjak shqiptari, i cili  nisi  lokomotivën drejt  lartësisë  në zemër të bjeshkëve. Mendjendrituri gjunjëzoi lartësitë e Alpeve, shtroi rrugën e hekurt duke bërë hapjen e arterieve frymëmarrëse të luginave e bjeshkëve shekullore. Ato  lidhen kohët e njerëzit, dje e sot, “Shumë Karl Gega  linden në tokën arbërore, kur historia ishte e ndalur për ne nën hijen aziatike dhe shkuan pa e parë orën e re të hapit njerëzor”,- mendoja. Apo, cilitdo i le përshtypje kjo, tani në injorancën e sotme,  në një mbrëmje rrëzë bjeshkëve. Sigurisht, askujt, vetëm ndonjë mendjekrisuri, siç është dalldisur sonte kjo mendja ime. Asnjëherë nuk ia dola ta disiplinoj këtë lazdrake tekanjoze. Vrik, fluturon nga koka dhe për sekonda shëtit në hapësirat e pafund të universit. Ulet galuc mbi shkrepat e Kodrës së Gurit, aty  ku keci e ka vështirë të vë thundrën e tij.

Dhe s’ka faj, atje mori brumin e saj i rrahur nga erërat e  kamotshme. Nuk ishte e lehtë jeta në Dreninë e robëruar, ku jeta  varej në fije bari dhe nuk i duhej shumë të rrokullisej në greminën e errët ku xhelatët pritnin të tërbuar me shpatat e tyre gjysmëhënë. Vrik, për sekondë ulet nën Bungun e Shpatit te Varreve në aromën e qumështit që pikonte  nga sisa e Deles Bardhoshe pasi kishte  kullotur në Fushën e Pëllumbit. Në degët shekullore te Bungut një jetë e tërë zogjsh, fluturash, milingonash, ku çerdhet e turrecit plot zogj e  plotësonin orkestrën e operës madhështore  përball fshatit. Vrik, sekondë e fluturon mendja  përtej  kontinenteve edhe pse  asnjëherë nuk i kishte parë.

- Mirëmbrëma, flisni gjermanisht zotëri- u dëgjua zëri i njeriut kujdestar rendi,  i cili më ktheu mendjen. Akoma pa nxjerrë fjalën , ai nxori nga xhepi letër autorizimin ku dallohej një fotografi e tij e errësuar qe s’mund ta dalloje ishte apo nuk ishte ai vet. Pas tij përcjellësi, me duar në ije priste dhe dëgjonte, këllëfi i revolverit i varej nën xhaketën e zezë

- Po, flasim - ia ktheva.

-Dokumentet e udhëtimit, ju lutem!- vazhdoi ai me një shikim  të rënduar që nuk lente përshtypje aspak miqësor. Nxora pasaportën nga xhepi.

-Urdhëroni,  pasaportën, - i them duke e zgjatur dorën. Me cepin e bërrylit preka “Qerbelanë”, që  u përplas në dyshemenë e metaltë të trenit, pa ndonjë  përshtypje, edhe pse fletët e tij u shprishën duke zbuluar gjysmën e pamjes së autorit Charmelot.

--Prej nga udhëtoni dhe ku shkoni? -pyeti derisa shikonte me vëmendja afër syve pasaportën.

-Nga Graci për në Shtutgard,- u përgjigja.

-Ku shkoni kështu?- vazhdoi përsëri pyetjen e radhës.

-Ju treguam, për në Shtutgard, të tjerat janë çështje private, doni të dini rreth tyre apo keni kërkesa tjera prej nesh?

-Jo, zotëri, ju faleminderit!  Rruga e mbare! U larguan zyrtari dhe përcjellësi, duke shikuar  majtas e djathtas udhëtarët e shkujdesur në përkundjen e lehtë të vagonit të gjatë ku mezi i shihej skaji.

Derisa ekrani navigator ndërronte informatat të shoqëruara me reklamimi firmash, ne nxorëm bukë e djathë dhe disa  kokrra ulliri ulqinak që i kishim blerë verën e kaluar dhe filluam të hanim me shijen e udhëtarit. Ngadalë muzgu filloi të mbulonte çdo gjë i shoqëruar  me pikat e shiu që dendësoheshin në rrjedhat zigzage mbi xhamat duke krijuar vijëzime  të çuditshme uji të cilat mbaronin e formoheshin pa mbarim.

E nisem udhëtimin në shoqërinë e  Danubit plak në drejtime të kundërta atje mes kodrave te Winawaldit, ku jo larg brigjeve të tij nga lindja qëndron hijerëndë kështjellën ilire e dalluar për mjeshtërinë e murimit të gurtë. Ajo kishte qëndruar në shekuj pa çarë kokë për ndërrimin e atyre që uleshin e binin nga Altari Mbretëror. Gurët kishin ruajtur me xhelozi mjeshtrin  nga dora ilire, kurse të gjitha misteret tjera i mbanin të shkruara brenda tyre. Askush nuk e  kuptoj fjalën e tyre, as  ne që mbahemi trashëgimtarë brezash.

Çuditërisht edhe hieroglifët, sipas disave që i lexuan ato, ishin të shkruara nga para stërgjyshit  dikur në humbëtirën e lashtësisë në viset e Atllasit në Bririn Perëndimor të kontinentit fqinj. Që andej kishin bartur gurët nën dritën e kandilin përmes shkretëtirës së Arabistanit dhe prej aty në Gadishullin Pellazg. I fundit që kishte kuptuar gjuhën e vjetër të tyre ishte quajtur në gjuhën e vjetër Homer me kuptimin  O-mirë, në të sotmen. Ai kishte marr nga mijëra fjalë guri dhe kishte thurë këngë të cilat i kishte kënduar  pallateve e shesheve derisa kalimtarët i mësonin përmendësh. në gjuhën e tyre pellazge.

Derisa lexoja teza e hipoteza nga regjistrimet e kores trunore, treni kishte arritur në Ulm, aty u takuam prapë me Danubin e turbullt e dinak qe ishte në gjendje të kapërdinte trenin po të mos ishin këmbët e çelikta të urës madhështore. Dritat e kaltra në radhë të  ndërtesës shumëkatëshe thyheshin në shkëlqimet e hapësirës së vagonit ku pasagjeret përkundeshin në djepin e përbashkët.

Xhelozia danubiane më solli në valët e Drinit tonë  me rrjedhën e tij drejt thellësive të Adriatikut.  Por, Drini ynë ishte ndryshe, i bardhë e i zi, i copëtuar në copa, ashtu siç ishte vetë jeta jonë. Andej e këndej. Megjithatë, Drini i qëndroi besnik rrjedhës  tij në bashkim dhe freskinë e luginave shekullore.

Treni IC vazhdon vrapin. Tani ishim në orën e tretë të udhëtimit. Udhëtarët e rinj rregullonin bagazhet e tyre. Në monitor shfaqeshin pamje nga rregullat e udhëtimit. “Ndalohet pirja e duhanit në gjithë hapësirat e trenit, ndalohet përdorimi i zëshëm i celularit, bisedave, shtrirja e trupit duke penguar të tjerët”. Hapja e horizontit tregonte se kishim arritur në rrafshinat e Bavarisë.

Ndriçimi i ekranit të celularit tregon për arritje mesazhi “Ju njoftoj se në stacionin kryesor të Shtutgardit ka shumë policë për shkak të protestës së qytetarëve për mos lejimin e prerjes së drunjve shekullor në parkun, i cili do merret për zgjerimin e stacionit. Mos u merakosni, ju pres unë në peronin e dhjetë”- Qamilja.

“Hajde bacë, hajde, protestë në ruajtjen e drunjtëve  shekullor, kurse tek ne  aq shumë dëmtohen pyjet gjithandej sa nuk ka mbet as lepuri ku të fshihet.

-Mirë, vajza do na pret, nuk do të humbim në detin e njerëzve dhe hapësirave të betonit pa kufi”- fola më veti gati në pëshpëritje duke lëshuar kokën e rënduar mbi nënkresën e trashë letre.  Derisa përkundeshim në djepin e metaltë, çepallat lodhshëm kërkojnë prehje, të paktën për një ëndërr të re.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora