Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Kur do kthehet Doruntina?
E diele, 13.01.2013, 07:00 PM
Kur do kthehet Doruntina?
Lexuesi i Doruntinës e pret kthimin e saj, amaneti i Konstandinit mbeti var në ndërgjegjen e kohës. Ku do shkruhet fjala e jonë për vendlindjen, për lirinë, për diellin e ajrin, për dëshmorin, për dashurinë ndaj....
Nga Hazir MEHMETI, Vjenë
Në jetën
e shumëvuajtur e të përmallur na duhej fjala, fjala e shkruar, fjala e thënë
për jetën tonë këtu në mërgim dhe vendlindjen. Çdo rropatje në jetën tonë të mërgimtarit ishte dhe është e lidhur me
jetën e vendlindjes, frymëmarrjen e saj për të dalë nga gjendja e rëndë që
ishte. Dhe kjo, nuk është e lehtë, as dje e as sot.
Mërgimtarët
patriot vepruan në të gjitha format në ndihmë vendlindjes. Edhe me fjalën e
shkruar, informuese, krijuese e kritike, dashuri mbjellëse, gjithmonë në
shërbim të njeriut tonë të thjeshtë e punëtor nga i cili buruan të gjitha
arritjet në vorbullën e tragjikes sonë që lamë pas. Njëra nga lulet që shkëlqeu rreze shqiptare
pa dyshim ishte revista për fëmijët në diasporë me emrin aq simbolit
“Doruntina”. Ajo ishte pjesë e nxënësit, jetës së tij në ambientin ku asimilimi
troket çdo minutë. Ishte pjesë e jetës së muratorit, kuzhinierit dhe gjithë
familjes shqiptare. Doruntina ishte një dokument i veprimtarive kulturore në
shkollat ku mësohet shqip. Dhe, më shumë se dokument, ishte porosi për dashurinë
ndaj atdheut, kombit e jetës. Ishte porosi ndaj njerëzores dhe përballimin e
atyre që sfidojnë atë. Ishte pjesë edukative e orës mësimore, ishte abetare e
të gjitha klasave. Ishte transmetuese e
fjalës së Rilindësve të ndritur, e shkencës, e dashurisë e respektit ndaj botës
për rreth. Aty gjeje fjalët e Naimit, Veqilharxhit, Kristoforidhit, Jeronim De
Radës, Elena Gjikës e patriotëve tjerë ,
të atyre që gjakun e dhuruan për bojë shkrimi të shkronjave shqipe. Andaj ato
janë të shenjta për çdo shqiptar. Edhe Doruntina me mesazhet e saj madhore
përmes pendëve të ndritura të kombit dje e sot. Aty zunë fill krijimet e para
të filizave të rinj që tani janë penda të njohura edhe jashtë rrethit kombëtar.
Ajo ishte dritarja e parë e hapur drejt universit njerëzor, kuptimit të jetës
ashtu siç është e bukur dhe tekanjoze që vazhdimisht mbëltohet.
Doruntina
lindi si një dritë e nevojshme që theu errësirën në hapësirat e jetës së
mundimshme të mërgimtarit halleshumë. Aty ku asimilimi është përditshmëri që
prekë veçan të rinjtë tanë, të cilët ushqehen nga duart e plasaritura e të
njomura nga djersa e punës së mundimshme vetëm e vetëm që fëmija të ketë jetë
me dinjitet të cilën nuk pati mundësi ta
krijoj në vendin e lindjes.
Shpresa
shekullore për liri u bë realitet me luftën heroike të vajzave e djemve tanë
syshqiponjë. Ata kthyen dinjitetin dhe i dhanë kuptim jetës sonë. Doruntina
ishte gjithmonë me shkrimin e saj në ballë të porosive madhore, Dashuria për
Atdheun, mbi të gjitha, kryefjala e fjalëve.
Doruntinës i duhej dora e vëllait që amanetin ta bëj realitet në
rrugëtimin pas shtatë bjeshkës ku njeriu ynë u gjend. Ajo mbeti e izoluar si pasojë e huqeve tona naive e fanatike. Jo,
thanë disa zyrtarë të Kohës së Vonuar, ne na duhet një revistë për diasporën,
pa e përfillur rrugën e gjatë e të vështirë që kishte bërë Doruntina. Vitet
rrodhën qe nga Berni i dymijë e tretës, kur u kërkua revistë për fëmijët jashtë
atdheut. Por, nuk doli gjë, Doruntina e vazhdoi me sukses rrugëtimin nga
amaneti për vatrën e pragun e saj të shenjtë.
Pushtetarët e rinj nuk u treguan krejt të sinqertë me Doruntinën e as me
lexuesit e saj, mërgimtarët e vegjël. Të ushqyer nga Gota e Kuqe e dëshirojnë
verdiktin edhe mbi Doruntinën, ta sjellin atë në pragun e vatrës, por jo për
çmallje por për orën e diktimit nga tregimi i vjetër. Ata, harruan se tregimi i
vjetër nuk diktohet në kohën e re, kohë të cilën ata nuk kanë hap ta prekin.
Botuesi i
Doruntinës, veprimtari e shkrimtari i mirënjohur Ragip Rama nuk u dorëzua. Edhe
s’ka përse, derisa e kultivoi Doruntinë me krenarin e vëllait për fjalën amanet
edhe atëherë kur ishte shumë vështirë. Kur fëmijët lexonin në ankthin e kthimit
apo jo të babait në shtëpi. Atëherë kur Doruntina ishte abetare e vetme në
diasporën e shumëvuajtur. Ministria e Diasporës nuk e pa rrugën e saj, ajo do
një Doruntinë tjetër, në dorën e saj, ani pse pas shtatë bjeshkëve larg nga
frymëmarrja e mërgimtarit. S’ka rëndësi kjo, ne do i shkruajmë tregimet nga
zyra e re dhe karrigia e nxehtë e ministrisë për nxënësin e diasporës, për
babin e nënën duar çarë e shpirt thyer. Ne e paguajmë dhe ne do e shkruajmë,
thanë zyrtarët e rinj dhe vrapuan redaktor e kronist pas shtatë bjeshkës larg
Doruntinës, larg lexuesit mall shumë.
Ja, këta janë shpresa e progresit tonë për nesër, shpresa e atyre që
dhanë çdo gjë për lirinë e shumëpritur. Shpresa e mbytjes së natës së kuqe që
la gjurmë e vrragë gjithkund, mjerisht edhe në mentalitetin dhe qëndrimin e
Patriotëve të Bardhë.
Lexuesi i Doruntinës e pret kthimin e saj, amaneti i Konstandinit mbeti var në ndërgjegjen e kohës. Ku do shkruhet fjala e jonë për vendlindjen, për lirinë, për diellin e ajrin, për dëshmorin, për dashurinë. Kujt do i themi urime 100 vjetori i Flamurit Kuqezi... Edhe ne dimë të shkruajmë zotërinj e ri të shpresave të lënduara. Edhe ne jemi pjesë qiellit shqiptar, edhe pse ju nuk e kuptoni këtë. Rruga e jonë këndej pas shtatë bjeshkëve ishte e vështirë, e vështirë edhe rruga e kthimit, zotërinj. Mos hidhni ferra rrugës së kthimit të Doruntinës. Ju nuk mund ta kuptoni, zotërinj Patriot të Vonuar, shqetësimin tonë. Ju duhet ta kuptoni, se shpresa e lexuesit nuk vdes derisa ekziston emri Doruntinë. Doruntina nuk shkruhet larg halleve të mërgimtarit pas shtatë bjeshkëve. Ato prekën aty ku frymon mërgimtari, në rrethin e botës së tij. Krijuesit të rinj mërgimtar i duhet dera e hapur e shprehjes, e hartimit të jetës drejt së ardhmes ashtu siç ai e ndien, pa imponim. U gëzuam qe do kemi ministrinë e diasporës, dhe vërtetë të diasporës, për ta ndihmuar kthimin e Doruntinës, plotësimin e fjalës e besës së dhënë. Lexuesi mërgimtar e meriton kthimin e Doruntinës, jo dëshpërimin.