Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Mësuesit e diasporës i pret Korça
E diele, 29.07.2012, 07:08 PM
Mësuesit e diasporës i pret Korça
Nga Hazir Mehmeti
Seminari i radhës
Kumtesë nga përvoja në perëndim, Sejdi Gashi, nga Gjermania
Vendi i mësonjëtores
së parë të shqipes do pres në gjirin e saj mësues nga diaspora nga data 30
korrik deri më 2 gusht. Është ky seminari i tetë i mësuesve nga diaspora në vendlindje.
Seminari,
tani tradicional i mësuesve/eve nga diaspora këtë verë do mbahet në qytetin e
Korçës, aty ku para një shekulli u hap dritarja e parë dritëdhënëse mbi
alfabetin e shqipes. Edhe pse rrezet e para ishin tekanjoze dhe depërtonin
ngadalë në pluhurin e hijes së rëndë të robërisë së gjatë, ato u shtuan e shkëlqyen
në kohë të mbrojtura nga djersa e gjaku i veprimtarëve e heronjve të kombit. Dhe
tani, koha e dy shteteve shqiptare dhe shumë universiteteve shkencore. Një buçetë
lule më shumë mbi përmendoret e atyre që atdheun e deshën më shumë se jetën e
tyre.
Mësuesit
e diasporës me shpirt plot mall do kthehen në Korçën e Petro Nini Luarasit, për
tu ushqyer me frymëzimin e pranverës së parë kur lulëkuqet shqiptare fillojnë bulëzimin
e mbushur nektar jete e shprese për sot e nesër. Edhe ata vet janë rilindësit e
ditëve tona, me punën e tyre në përhapjen e fjalës, shkronjës, dashurisë e
dijes ndaj gjuhës shqipe, gjuhës së zemrës së çdo shqiptari. Dhe fati e deshi
gjenerata e këtyre mësuesve të jenë gjeneratë e fatit. Ata pjesuan në veprimtarinë
e tyre kur trevat shqiptare ishin pa liri dhe tani kur liria është pjesë e rrugës
sonë. Nuk ishte e lehtë. Nuk është e lehtë as tani. Diaspora pjesë e dhembshme
kombëtare. Jo pak, edhe një Shqipëri jashtë trevave etnike. Një gjeneratë e re,
vitale të cilës i duhet dora e shtetit. Tani e dy shteteve dhe tri ministrive të
lidhura drejtpërdrejt me jetën, arsimimin, edukimin e gjeneratës e cila gjuhë të
parë e ka një gjuhë tjetër. Gjuhën e vendit nikoqir. Dhe, jo pak, në tërë kontinentin
dhe jashtë tij në Amerikë, Turqi, Australi.
Mërgimi
ishte dje dhe sot një plagë që dhemb. Plagë e trashëguar nga Atdheu i plagosur
nga armiqtë e shumtë dhe gabimet tona shpeshherë fatale. Edhe sot. Mjerisht. Seminari
një pikë e ndihmëse në detin e nevojave për mësuesit dhe mërgimtarët gjithandej
botës që merren me gjuhën shqipe.
Ministria e Arsimit dhe Teknologjisë së Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, tani e disa vite organizojnë seminarin e përbashkët për mësuesit e diasporës. Seminaret nisen në Bern të Zvicrës në vitin 2003 i organizuar nga mësuesit dhe veprimtarët e shkëlqyer në Zvicër, kurse në vendlindje i pari u mbajt dy vite më vonë, në vitin 2005 në Prishtinë. Ish mësuesi në diasporë, tani zyrtar në MASHT të Kosovës, përgjegjës për Mësimin Plotësues në Diasporë z.Nuhi Gashi, i koordinoj dhe udhëhoqi me kompetencë seminaret në vazhdimësi. Qe nga ajo kohë çdo vit seminari u bë pjesë e trajnimit të mësuesve/eve nga diaspora. Pjesë e tij ishin profesor me emër nga gjuha e metodologjia bashkëkohore, nga trevat shqiptare dhe mysafir nga vende të ndryshme.
Mysafirët e seminarit
Mysafirët,
veçan i dhanë kuptim seminarit, ata u bënë urë miqësie me vendet nikoqire. Në mesin
e tyre kishte albanolog, studiues, zyrtarë e njerëz arti që ngelën pjesë e
historisë së seminareve dhe kontributeve në mësimin e gjuhës amtare në diasporë.
Në mesin e tyre duhet veçuar mikun e madh nga Zvicra z.D.Dr.Basil Schader, i
cili u bë pjesë e aktiviteteve tona që nga fillimi. ,,Miku i mirë në ditë të vështira”
thotë populli. Kjo vlen për D.Dr.Basilin. Ai është ideatori, koordinatori dhe
donatori i projektit më madhor në sigurimin e teksteve aq të nevojshme për nxënësit
në diasporë. Ky projekt filloi para dy vitesh me hartimin dhe botimin e 19
teksteve për të gjitha klasat e nxënësve të ndarë në tri nivele.
Për nivelin e parë (klasa 1-3), nivelin e dytë(klasat 4-6) tani janë botuar 13 tekste në formë të Fletoreve Tematike dhe janë të gatshme për nxënësit e diasporës. Tekstet për nivelin e tretë(klasat 7-9) janë hartuar dhe gjenden në shtyp, pritet të dalin në fillim vitin e ri shkollor (6 tekste). Hartimi është bërë në koordinim të ekspertëve vendor dhe mësuesve nga diaspora. Ky projekt u fillua në seminarin e vitit 2009 në Mitrovicë, Korça do jetë vendi i promovimit përfundimtar i këtij suksesi madhor. Tani furnizimi me tekste mësimore do jetë i krahasueshëm me kombet tjera me traditë në këtë lemë. Hartimi i tyre është bërë, për herë të parë, sipas kurrikulës për mësimin në diasporë i hartuar nga MASHT- së Kosovës. Tani kemi gati edhe kurrikulën për diasporë të hartuar nga MASH. Një diasporë me dy kurrikula . E veçantë në botë, apo...
Mësuesit krijues, Werkshop-et
Seminareve
u dha jetë puna krijuese e mësuesve të vyer në diasporë. Kjo traditë e pasur do
pasoj edhe në Korçë, ku pritet që fjalën kryesore ta kenë kumtesat nga përvoja
profesionale e mësuesve. Ata bartin metodologjinë dhe udhëzimet në teknikën
moderne të mësimdhënies nga shumë vende të zhvilluara të Europës. Kjo përvojë do
duhej më shumë të merret edhe nga shkolla shqipe vendore e cila e synon
reformimin e domosdoshëm. Të gjitha vendet që ishin pjesë e tranzicionit e
shfrytëzojnë përvojën e mësuesve të tyre nga vendet e zhvilluara. Ministritë tona
përkatëse nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur kësaj hallke me rëndësi për
shkollën shqiptare.
Nga secili vend ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe, mësuesit krijues në çdo seminar i prezantojnë krijimet e tyre nga lëmi i artit, metodologjisë mësimore. Edhe në Korçë priten promovime të tilla. Do duhej që seminari të parasheh ,,Werkshop” ,,kënde krijimesh”. Ato, veçan janë afirmative të materialeve didaktike e mësimore të mësuesve krijues me përvojën e tyre të larmishme nga vendet nikoqire. Zaten ,,Werkshop” –et janë pjesë e seminareve në vendet perëndimore ku ofrohen materiale mësimore të hartuara nga vet mësuesit, shpesh nga të cilat dalin botime me vlerë. Kjo e ngritë shkallën e shkëmbimit të përvojave mes mësuesve, e stimulon krijimtarinë nga puna e përditshme, nxjerr ide rreth projekteve, realizimit të projekteve lidhur me tekstet, mjetet, metodologjinë e mësimdhënëse. Kjo është parësore në praktikën e seminareve nga të gjitha vendet dhe gjuhët, shkëmbimi i përvojave mes të barabartëve.
Vendet nikoqire, jo gjithmonë miqësore
Mësimi i
gjuhës amtare për emigrantë është temë e cila trajtohet varësisht nga vendi. Austria,
Suedia, Finlanda e kanë brenda sistemit publik mësimin e gjuhës amtare e
financojnë plotësisht. Zvicra, Gjermania, Belgjika etj nuk e financojnë por e përkrahin
në forma tjera duke e lejuar lokalin shkollor dhe nuk e pengojnë mbajtjen e mësimit
i cili financohet nga prindërit. Disa shtete tjera nuk çajnë kokën fare për mësimi
amtarë edhe pse me konventat ndërkombëtar janë të detyruara ta mundësojnë mësimin
amtar në shkrim e lexim fillestar. Këtu hyjnë Turqia, Greqia, si vende ku ka
shumë shqiptarë. Këto vende kanë qëndrim armiqësor ndaj shkollës shqipe dhe
kombit shqiptar. Nga Turqia nuk kemi asnjë mësues shqiptar, kurse llogaritet që
atje jetojnë miliona mërgimtarë. Në Greqi nuk lejohet mësimi shqip në shkollat
publike. Ata që tentojnë ndiqen edhe penalisht. Zhvillohet pjesërisht mësim
shqip dhe kjo kryesisht falë aktivitet të veprimtarëve patriot. Ata themeluan
shkolla pranë klubeve dhe shoqatave, paguajnë mësues dhe tekste mësimore. Rasti
më tipi është ajo e veprimtarit Lorenc Koka në Athinë.
Nga gjithë
ky det problemesh në organizimin e Mësimit Plotësues shqip, Ministria e Diasporës
tenton të institucionalizon Shkollën Shqipe në Mërgatë. Është kjo një ide e
bukur por vetëm si e tillë, tani për tani.