E enjte, 28.03.2024, 12:08 PM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Mbrëmje e parë informative me biznesmenë shqiptarë

E diele, 26.06.2011, 02:58 PM


Alma shehu, Helmut Mondschein, Zana Rugova, Aki Nuredini, Susanna Wendler, Dr. Georg Beer, Mag. Edwin Schäffer, Mag.Arbër Marku
Alma shehu, Helmut Mondschein, Zana Rugova, Aki Nuredini, Susanna Wendler, Dr. Georg Beer, Mag. Edwin Schäffer, Mag.Arbër Marku

 

Mbrëmje e parë informative me biznesmenë shqiptarë

 

Një konsolidim organizativ i firmave me pronar shqiptar

 

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë

 

Se njeriu ynë i angazhuar në aktivitete është me rëndësi u jetësua edhe me emrin e magjistrit të shkencave ekonomike,z.Arbër Marku. Me punësimin e tij në WKO- Oda Ekonomike e Austrisë, për një kohë të shkurtër ia arrin të organizoj tubimin këshillues informativ me pronarët shqiptar të firmave që veprojnë në Vjenë dhe Austri. Ishte ky këshillimi i parë me shqipfolës në historikun e WKO- të Austrisë, stafi e  drejtuesit e saj u befasuan me pjesëmarrjen e interesimin e tyre. Sipas disa shënimeve vetëm në Vjenë kryejnë veprimtari ekonomike e biznesi diku rreth katërqind firma me  pronar  shqiptar nga të gjitha trevat etnike.  Në mbrëmje ishin mysafir edhe Znj. Alma Shehu, nga Ambasada e Shqipërisë në Austri; Znj. Zana Rugova,sekretare e parë në Ambasadën e Kosovës në Austri; përgjegjësi për referim nga llojshmëria e ndërmarrjeve, Mag. Edwin Schäffer. Në ligjëratën e tij Z. Helmut  Mondschein,  bëri të ditur mundësitë dhe format që mund t’i ofroj WKÖ për firmat e mëdha e të vogla. ,,Në veçanti me rëndësi janë këshillimet para themelimit të ndërmarrjes. Oferta e jonë në ndihmë informative profesionale është vullnetare dhe pa pagesë, jo detyruese por me vlerë për veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjes. Çdo sukses ekonomik i ndërmarrjeve ka rëndësi për shoqërinë. Ne ofrojmë ndihma të gjithanshme informative lidhur me burimet materiale, legjislacionin, rregullat kontraktuese, mbi kontratat e kredive,llojet e kredive. Ndihma e jonë ndërmjetësuese mes bankave dhe kredi marrësit ka rëndësi në fuqizimin e financimeve shtesë, në perfeksionimin dhe zgjerimin e veprimtarisë ekonomike”.  Dr. Georg Beer dhe Susanna Wendler, nga shërbimi informativ pranë odës ekonomike informuan lidhur me përparësitë e bashkëpunimit të ndërmarrësve me Odën Ekonomike Austriake . WKO –Oda Ekonomike Austriake ndihmon në rrjedhat e suksesshme të ndërmarrjeve e në veçanti atyre me pronar emigrantet që jetojnë në Austri. Me ndihmën e WKO në vitin 2010 u themeluan ndërmarrje të reja nga 92 shtete. Kjo duhet theksuar pasi vetëm në Vjenë nga 1,8 milion banorë 550 mijë, rreth një e treta, kanë prejardhje emigrantesh nga shtete të ndryshme të botës. Ndihma në integrimin e ndërmarrjes në rrjedhat ekonomike është i gjithanshëm dhe përfshinë emigrantet nga shumë vende. Këshillimet e ligjëratat mbahen në disa gjuhë,sigurohen informata me ndërmarrësit me origjinë jashtë Austrisë. Tani edhe në gjuhën shqipe. Zotri Mag.Arben Marku do jetë në shërbim të këmbimit të informatave dhe këshillave profesionale në lëmin e të drejtave dhe veprimtarive ekonomike. Në këtë shërbim është thirrur edhe takimi ynë i sonte.

 

Arbër Marku
Arbër Marku
Kapitull i ri i shqiptarëve

 

Shqiptarët në Austri janë një komunitet relativisht i madh  por organizimi i tyre në rrjedhat shoqërore vendore është jo adekuat dhe i mangët. Shumica absolute e tyre janë të punësuar në ndërmarrjet ndërtuese, shumë pak në administratë. Gjuha shqipe trajtohet si gjuha e tretë e emigrantëve në vend pasi zë vendin e tretë pas kroatishtes dhe gjuhës turke.  Në rrjedhat politike shqiptarët nuk janë faktor si do duhej të ishin. Asnjë përfaqësues në parlamentet e komunave. Vetëm disa intelektual janë të kyçur në veprimtaritë partiake. Në zgjedhjet Komunale të vitit të kaluar për herë të  parë kishim dy kandidat për vendin e deputetit në Vjenë, nga  Partia Popullore Austriake dhe Partia Socialdemokrate por nuk mjaftuan votat që morën, kryesisht nga mërgimtarët tanë.  Në planin organizativ shqiptarët aderojnë në disa shoqata shqiptare ku nuk ka ndonjë veprimtari efikase me karakter të përgjithshëm kombëtar. Disa parti politike të mbetura nga hijet e tyre të dikurshme gati mezi shihen gjëkundi. Ato veprojnë në emër të shoqatës, pasi ligjërisht nuk mund të regjistrohen dhe kryejnë veprimtari politike në shërbim të një vendi tjetër jashtë Austrisë.

Tani ndërmarrësit e biznesmenët shqiptar janë në rrugën e konsolidimit të tyre, zaten ata vazhdimisht i financuan aktivitetet me rëndës kombëtare qe nga koha e luftës, edhe  tani. Rrethanat e reja në trevat etnike krijuan kushte për veprimtari të gjithanshme. Tani ka ardhur  koha e zgjerimit  të veprimtarisë,kapitalit, aktiviteteve kulturore  në Austri dhe vendlindje. Për organizim më efikas dhe në përshtatje me mundësitë e reja komunikuese, në këtë frymë është i domosdoshëm dhe e mirëpritur nisja  e formimit të Lobit Shqiptar në Austri apo Kuvendit të Shqiptarëve në Austri. Ky do ishte një  hap pozitiv e patriotik në kohën tonë me kaq paqartësi e divergjenca në veprime e qëndrime, ndaj mërgatës në veçanti. Organizimi më i mirë dhe efikas  do ndihmonte mërgimtarin tonë. Ai e meriton këtë. Ai ndau nga djersa e kafshata e tij për të gjitha aktivitet me rëndës kombëtare, dje e sot.

 

Mag. Arbër Marku, u lind në Dibër(Maqedoni) ku kreu shkollimin fillestar dhe gjimnazin. Në  vitin 1999 në UN  e Vjenës  i regjistron studimet për ekonomi të cilat i përfundon me sukses dhe merr titullin Magjistër i Shkencave Ekonomike duke e vazhduar edhe doktoratën. Ishte për disa vite asistent në drejtimin e Qendrës-Europahaus.  Në Gjermani i publikohet tema e tij e magjistraturës si literaturë më vlerë  ,,Zhvillimi ekonomik dhe investimet e  jashtme në perspektivën  e Maqedonisë”. Tani punon si këshilltar pranë Odës Ekonomike Austriake me seli në Vjenë. Është aktiv në politikë nga radhët e  Partisë Popullore (ÖVP), ku ishte kandidati i parë shqiptarë për ulësen në Parlamentin e Vjenës.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora