E enjte, 25.04.2024, 09:17 PM (GMT+1)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Dom Nikollë Kaçorri pas 94 vitesh prehet në Atdhe

E marte, 08.02.2011, 11:00 PM


Veprimtari shkodran, Pjetër Logoreci dhe Don Pren Kola me eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit, Nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë pas eks-humimit (1.2.2011)
Veprimtari shkodran, Pjetër Logoreci dhe Don Pren Kola me eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit, Nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë pas eks-humimit (1.2.2011)

 

Dom Nikollë Kaçorri pas 94 vitesh  prehet në Atdhe

 Nënkryetari i Parë Qeverisë së Shqipërisë

 

Nga Hazir Mehmeti,  Vjenë

 

Pas përpjekjeve të gjata të familjes Kaçorri e cila jeton në Shqipëri e Kanada dhe të Misionit Katolik Shqiptar në Austri nën udhëheqjen e kryetarit të saj, z. Don Pren Kola,  u bë e mundur eks-humimi i eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorri. Në këtë aktivitet human e kombëtar u dallua aktivisti shkodran  Pjetër  Logoreci,  jurist i diplomuar dhe aktivist nga Shkodra i cili tash jeton dhe vepron ne Vjenë. Pjetëri një trashëgimtar i familjes Logoreci e njohur në historinë kombëtare ishte iniciuesi dhe realizuesi aktiv. Aksionin e përkrahen Ambasada e R. Shqipërisë në Austri, Ambasada e Kosovës. Në veçanti e ndihmoi Qeveria Austriake përmes Kooperimit Austriak Shkencor, Ministrisë së Arsimit Artit e Kulturës,  e cila mori përsipër të gjitha shpenzimet për kthimin e eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit për në Atdhe. Nxjerrja e eshtrave  u ndërmarr ditën e parë të shkurtit kurse nisja për Shqipëri do bëhet e organizuar të mërkurën  me 9 shkurt. Misioni Katolik Shqiptar organizoi Meshë përkujtimore ndaj këtij njeriu të madh të kombit e  udhëhequr nga  Don Pren Kola, kryetar. Në Meshë moren pjesë figura politike, shkenca e arti,  veprimtar, miq  të dy besimeve,  mysliman e katolik. Në mesin e tyre edhe Ambasadori i R. Shqipërisë  Dr. Vili Minarolli; Mr. Anton Marku,  këshilltar në Ambasadën e Republikës  së Kosovës. Z. Don Pren Kola i përshëndeti të pranishmit ai parashtroi qëllimin e kësaj meshe përkujtuese e respekti ndaj një figure madhore kombëtare siç ishte Dom Nikollë Kaçorri. Ai dha një pasqyrë të rrethanave të kombit, rreziqet që i kanoseshin atij pas rënies së perandorisë osmane. Po ashta ai e ngriti lart figurën e tij në luftën për liri,  në gjuhë e politikë si  arkitekti i shpalljes  së pavarësisë në Vlorë.

 

Kush është Imzot Nikollë Kaçorri ?

 

U lind në fshatin Kre të Bajrakut të Lurës në vitin 1862. Rridhte nga prindërit e dy besimeve, nëna ishte islame kurse babai ishte katolik. Ky është një shembull i vlerës kombëtare shqiptare të tolerancës fetare e cila çmohet në tërë botën. Ai nga prindërit u rrit e edukua me virtyte të larta shqiptare ku veçanërisht çmohen në vendlindjen e tij fisnikëria, bujaria e besa. Këto e përgatiten në rrugën e tij atdhetare. Nikolla kreu shkollën katolike në Shkodër kurse studimet filozofi-teologji për meshtar i mbaroi në Itali në vitin 1884 kur edhe u shugurua në Shkodër. Shërbeu në Delbnisht e pastaj si famullitar në Durrës për njëzet vite. "Të predikojmë në gjuhën shqipe,  se Zoti na ndigjon edhe shqip!"-kështu do porosiste prifti patriot e zemërmadh. Papa në atë kohë e nderoi me dy dekorata, Kryqin e Artë” dhe ”Për Kishë dhe Papë” kur edhe emërohet Ipeshkv. Këto dhurata nuk e vetëkënaqën,  përkundrazi,  ai e shtoi luftën e tij për çlirim. Në vitet 1905-07  ai i priu kryengritjes së armatosur në rrethin e Kurbinit kundër pushtuesve turq. Bashkëpunoi me Shtjefë Gjeçovin në mbledhjen e 49 këngëve kreshnike të cilat i botoi në , , Këngë popullore Shqiptare”. Kishte kontakte e letërkëmbim me Ismail Qemalin,  Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Aqif Pashë Elbasanin,  Sali Nivicën, Themistokli Germenjin, Shtjefën Gjeçovin,  Haxhi Vebi Dibren,  Mustafa Krujën e shumë figura tjera të njohura kombëtare. Krah për krah me Gjergj Fishten,  Luigj Kurakuqin,  Ndre Mjeden, mori pjesë në Kongresin e Alfabetit në Manastirit me 1908, ku dha kontribut të çmueshëm për alfabetin me shkronja latine të cilin e kemi edhe sot. Ishte pjesëmarrës i Kongresit të Elbasanit më 1909 dhe iniciator i krijimit të klubit patriotik , , Bashkimi” të Durrësit. Bashkëpunoi me lëvizjen kryengritëse në Kosovë, Malësi të Mbishkodrës dhe Mirditë. Për këtë veprimtari patriotike u arrestua dhe burgoset. Nuk kishte forcë burgu i pushtuesit ta mbante gjatë një njeri tribun siç ishte ai të cilin e kërkonte lufta për liri. Ai si vizionar që ishte, e pa rrezikun e madh në të cilin ishte atdheu nga shovinistet fqinjë turk, grek,  serb, malazez. Nisur nga kjo,  ai që para shpalljes së pavarësisë i dërgon një memorandum Mbretit të Perandorisë Austro-Hungarisë,  Franz Josefit ku kërkonte  ndihmën e tij në shpëtimin e tokave shqiptare nga copëtimi.

Nikolla ishte delegat i Durrësit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës i cili  mori vendim për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe ishte njëra nga figurat më të rëndësishme të tij. Kuvend ky i shkëlqyer në historinë kombëtare ku me vota e zgjodhi Dom Nikollë Kaçorrin nënkryetar të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës e kryesuar nga Ismail Qemali.

Lufta e udhëhequr nga ai dhe veprimtaria e gjithanshme politike tregon se Imzot Nikollë Kaçorri ishte pa dyshim njëri nga arkitektet kryesor të bërjes së shtetit Shqiptar. I sëmurë rënd dhe i zhgënjyer me rrjedhat në atdhe vendoset në Vjenë të Austrisë në vitin 1914, ku  tri vite më pas vdes dhe varroset në varrezat qendrore të Vjenës.

Është e trishtueshme qëndrimi injorant i regjimit komunist por jo vetëm i tij ndaj një figure kaq madhështore siç ishte Nënkryetari i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Ndaj tij kemi detyrim kombëtar e moral që figurën e tij ta trajtojmë e vejmë në vendin që e meriton. Në figurat më të ndritura të kombit.

 Por. Njeriu i thjesht patriot e kombëtar  sheh e vlerëson. Ai nuk i harron bijtë e tij asnjëherë.

 Edhe në kohërat më të zeza që përjetonte kombi , në dasma e festa kombëtare këndohej  Kënga  për Pavarësinë të cilën nuk e shijuan më shumë se gjysma e kombit. Rapsodi legjendar nuk e harronte emrin e  Ismail Qemalit dhe  krahut të tij të djathtë,  Dom Nikoll Kaqorrit. Nuk mungonte as krisma. Kështu  jehona e bjeshkëve përhapej thep me thep, lis më lis e gur më gur. Dhe jo vetëm për një ditë por me shekuj. Në këto jehona rriteshin kreshnikët e rinj, sokolat e vatanit. Ata nuk prajnë kurrë së ekzistuari në tokën e Dom Nikollë Kaçorrit, Bajram Currit, Azem Galicës, Mihal Gramenos, Ded Gjon Lulit, Hasan Prishtinës, Çerqiz Topullit. Ata frymëzuan gjeneratat ndër vite e shekuj. Edhe kryetrimin e Komandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Adem Jasharin. Ai  u flijua me këngën e Çerqiz Topullit në gojë e shpirt,  për të qenë edhe vet frymëzues i brezave në shekuj.  Dhe ne,  që po e përcjellim sot Nënkryetarin e Parë të Shqipërisë së Pavarur,  do themi:

Faleminderit! Dom Nikollë Kaçrri për gjithë mundin tuaj që dhe për  Shqipërinë tonë  ashtu si e krijoj zoti. Prehu në dheun tënd për të cilin dhe aq shumë, për të cilin vuajte aq shumë. Shuaje mallin e atdheut që të mungoi para se të niseshe në përjetësi. Ti ke shpirt të madh dhe do i falësh ata bashkëkombës tuaj që të harruan e lënduan në shpirt. Ata janë të vegjël me shpirt e trup,  andaj, shpirtmadhi  e trimi fal. Edhe ti.  Ata ishin verbuar nga epidemia e kuqe, andaj të vranë për së gjalli dhe për së vdekuri. Të fshinë nga fotografia historike e Pavarësisë në krahun djathtë të të Madhit  Ismail Qemali, të fshinë nga piktura monumentale e aktit të Pavarësisë , por ti mos u merakos,  ti  u  portretove  thellë në shpirtin dhe ndjenjat e çdo shqiptari. Ti do jetosh përherë kurse pikturat dhe pikturuesit  shkurt-pamës  do kalben në skajet e hijeve të kohës. Rruga e mbarë për Atdhe pas gati një shekulli! I lehtë të qoftë dheu i tokës mëmë!

Delegatët e Kongresit të Alfabetit – Manastir 1908. Në rreshtin e dytë: nr.2-At Gjergj Fishta; nr.3-Dom Nikollë Kaçorri; nr.4-Dom Ndre Mjeda



(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora