Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: ''Djalëria'' e Vjenës, një shkëndijë e pashuar në kulturën tonë
E diele, 19.12.2010, 08:59 PM
Kryesia e shoqërisë studentore ,,Societes Albania“ (2009 v.); Borana Sokoli, Dukagjin Daci, Armida Laçkaj, Gjon Kabashi dhe Alban Bilalli
Përvjetor: Më rastin e 90-vjetorit të daljes së numrit të parë të revistës “Djalëria”
Një delegacion i ,,Societes Albania“ I kryesuar nga Dukagjin Daci,kry. në takim me Ambasadorin e R.Kosovës në Austri ,Dr.Sabri Kiqmari(v.2009)
''Djalëria'' e Vjenës, një shkëndijë e pashuar në kulturën tonë
Nga Hazir Mehmeti, Vjenë
Vjena, kryeqyteti i Austrisë, luajti një rol me rëndësi në kulturën e shumë popujve që ishin në përbërjen e monarkisë Austriake, por edhe të popujve të tjerë të kontinentit. Shqiptarët, si popull i vogël, por me kulturë të lashtë, ishin gjithherë pikë interesimi e shumë shkencëtarëve evropianë ku dallohen në veçanti ata nga hapësira gjermano- folëse. Këtu duhet përmendur dokumentin e vjetër me fjalë të shkruara nga shqipja, fjalori i gjermanit, Arnold Von Harfit, para pesë shekujsh, i cili merret si njëri nga burimet e vjetra të gjuhës shqipe.
Duke qenë Vjena si qendër e kulturës dhe politikës evropiane, edhe shqiptarët ishin të interesuar për shkollim në universitetet austriake e veçanërisht në UN-Vjenës, si njëri nga më të njohurit jo vetëm në Europë. Ndjenja e miqësisë e shprehur nga vendoret ndaj kulturës e historisë shqiptare bëri që Vjena të jetë një qendër me peshë në historinë tonë dikur dhe në historinë tonë më të re. Këtu gjetën mundësinë e shkollimit dhe veprimit shumë nga intelektualët më zë e peshë në rrjedhat e progresit tonë shoqëror. Kjo lidhet detyrimisht me miqtë vendor që dhanë një ndihmesë të madhe në shumë fusha hulumtuese rreth gjuhës, kulturës dhe etnisë shqiptare.
Njëri nga këta, pa dyshim, është Norbert Jockli, albanolog ebre dhe Franz Nopca, ndër të parët themeltarë të albanologjisë si shkencë, të cilën e vazhduan pastaj nxënësit e Jocklit siç ishin Eqrem Çabej, Aleks Buda etj. Njëri nga veprimtarët pararendës të kësaj pa dyshim ishte Dr. Gjergj Pekmezi, me iniciativën e tij në Institutin e Orientalistikës së Vjenës u hap katedra e gjuhës shqipe (viti 1903) njëra nga të parat në Europë dhe në botë, ku do studiohej gjuha shqipe. Ai ishte edhe nga të parët ligjërues i gjuhës shqipe në UN-e Vjenës deri në vitin 1938.
Në dhjetëvjetëshit e parë të shekullit të kaluar në Vjenë studionin e vepronin shumë intelektualë shqiptarë ndër ta figura të njohura të kulturës e shkencës
shqiptare si: Eçrem Çabej, Hil Mosi, Lasgush Poradeci, Aleks Buda, Aleksander Moisiu, Nush Bushati, Fuad Asllani, Jani Basho, Raku Buda, Remzi Baçe, Safet Butka, Gjovalin Gjadri, Kristë Maloki e shumë të tjerë. Ata ishin të organizuar kryesisht në shoqërinë ,,Albania”. Pa e harruar këtu veprimtarinë e Jani Bashos, i cili ishte veprimtar aktiv dhe kryetar i shoqërisë ,,Albania” dhe kryeredaktor i ,,Djalërisë”në vitet 1921-24. Më vonë Basho pas kthimit në atdhe ishte themeluesi i obstetrikë-gjinekologjisë shqiptare.
,,Djaleria“ e parë, vitit 1920
,,Albania” e Vjenës krahas shoqërive simotra nga Bukureshti, Stambolli, Bostoni, Kajro etj. do të ketë një rol historik në formësimin e kombit shqiptar dhe aspiratave kombëtare. Kjo shoqëri studentore mblidhte rreth veti studentët shqiptarë ( rreth tridhjetë), por edhe atdhetarët e miqtë tjerë në aktivitetet me rëndësi kombëtare. Këta intelektualë mendjendritur e kishin kuptuar se e ardhmja e Shqipërisë varej më së shumti prej kulturës dhe arsimit të njeriut tonë, i privuar me shekuj nga robëria e gjatë.
Dy vjet pas formimit të shoqërisë studentore ,,Albania” , në mars të vitit 1920, kjo merr vendim për nxjerrjen e revistës së saj ,,Djalëria”,numri i parë e së cilës e sheh dritën në prill po të atij viti, tani e nëntëdhjetë vjet më parë. Adresa, Albania,Univerziät,l ,Wien. Redaktor përgjegjës i së cilës u caktua Nush Bushati, i cili ishe edhe njëri nga themeltarët e shoqërisë studentore.
,,Djalëria”, revistë kulturore, letrare e shoqërore e ilustruar, vijoi me ndërprerje në 32 numra, deri në vitin 1929, duke përhapë dije, informata nga kultura, nga jeta e studentëve në Vjenë, pjesë letrare, ide të zhvillimit ekonomik sipas modelit të zhvilluar të shteteve evropiane
Pa dyshim revista ,,Djalëria” u bë tribunë e botimeve të studiuesve shqiptarë, por edhe e të tjerëve. Pas nëntëdhjetë vjetesh, po shkëpusim disa copëza nga numri i parë i shkruar nga grupi i studiuesve themelues të saj, me titull :,,Me rastin e lindjes së ,,Djalërisë”
,,...Dëshira më e madhe e çdo shqiptari të vërtetë duhet të jetë lumturia e Shqipërisë. Gjithë ajo lumturi është edhe e studentëve shqiptaër. Djalëria shqiptare e
sotshme nuk është në gjendjen e këndshme të asaj te kombeve të tjerë dhe nuk e ka trashëguar prej të parëve të saj bashkimin e plotë të kombit të vet ,as lirinë e tërë tokave shqiptare. ... Zgjedha e rëndë dhe robëria e gjatë na bënë të mbetemi aq prapa, sa në ditë kritike kur ndahesh fati i kombit tonë nuk u dëftuam të zotet e kohës. Popujt e tjerë fqinjë në kondita të ngjashme, po edhe më të dobët se ne, por të ndihmuar prej fatit, na shkelën e këputën prej trupit të gjallë të kombit tonë pjesë, të cilat edhe sot i mbajnë ndër thonjtë e rëndë”. ...Gjuha shqipe është gjaku i trupit shqiptar; sa më e begatshme, sa më e përparuar ajo, aq më i fortë e më i gjallë trupi shqiptar”.
,, Djaleria „ e vitit 2009
Artikulli tjetër është i shkruar nga Fuad Asllani, diplomat e politikan, i cili në qeverinë e udhëhequr nga Mithat Frashëri ishte Ministër i Punëve të Jashtme, kurse i dënuar nga diktatura komuniste. Shkrimi mban titullin ,,Fuqia e Vullnetit”. Autori i bën një analizë forcës së vullnetit në praktikën politike dhe individëve si subjekte pjesëmarrës. Këtë vështirim filozofik me shprehje në forcën e politikës e dokumenton me shumë shembuj në politikën ndërkombëtare ku Otto Bismarck, politikani gjerman merret si njeri i vullnetit të madh në bashkimin e Gjermanisë. Këtu shihet një analizë e thellë e një politikani të aftë. Do theksonim shkrim i përkthyer nga Raku Buda. ,,Bubuqet e trëndafilit”, novelë nga N.Helenau;,,Skënder Beu” nga Xhevat Korça; ,,Populli ner teorina e trajta shtetnor”, shkrim nga Nush Bushati.
Numri i parë i ,,Djalërisë” mbyllet me fjalimin nga Jani Basho, të mbajtur në mbledhjen e përgjithshme të shoqërisë studentore,,Albania”. Ja një fragment:,,Pse është karakteristike për ne, si shqiptarë, dita e themelimit të shoqërisë, se në atë duket një pjesë e psikologjisë së shqiptarit, i cili është gati kurdoherë për punë që kanë për qëllim të mirën e përgjithshme...”
Padyshim ,,Djalëria” mbetet një shkëndijë në historinë e kulturës sonë. Shumë nga bashkëpunëtorët e saj aty e provuan artin e të shkruarit dhe komunikimit me mërgimtarët po edhe me atdheun, i cili vuante pasojat e një robërie të gjatë gati pesëshekullore. Ky grup i studentëve shqiptarë të përvuajtur nga gjendja e rëndë e atdheut dhe gjendja ekonomike e tyre, pjesërisht u përkrah nga qeveria shqiptare e drejtuar nga Ahmet Zogu, po edhe nga tribunët kombëtar : Hasan Prishtina e Bajram Curri.
Më 1919 Hasan Prishtina në Vjenë kishte gjetur në studime një grup shqiptarësh të rinj, të cilët kishin mbetur keq në pamundësi për t`i mbuluar shpenzimet e shkollimit. Atyre ua heq shpenzimet dhe ishte i interesuar për t`ua zgjedhur problemin e shkollimit në tërësi. Më 11 janar 1919 do t’i shkruaj mikut të tij, rilindësit Sotir Kolonja në Zvicër ,,Këtu në Vjenë ne jemi vërtetë si në një burg , apo aty afër”, duke e parë gjendjen financiar të rëndë të studentëve shqiptarë.
Revista, “Djalëria” edhe pse me ndërprerje, shpeshherë edhe disa vjeçare, u ruajt deri në ditët e sotme edhe pse me shumëçka për nga niveli dhe forma e botimit është për t’u dëshiruar. Njëri nga numrat e fundit është numri i qershorit 2009, i botuar pas angazhimeve të shumta të kryetarit të shoqërisë studentore,,Societas Albania”, z.Dukagjin Daci dhe stafit redaktues të revistës. Derisa në kohën e lindjes së revistës së ,,Djalërisë” studionin në Vjenë disa dhjetëra student shqiptarë, tani numri i tyre është diku rreth 700 student në të gjitha drejtimet. Shumica e tyre me shumë probleme të ish kolegëve nga gjeneratat e kaluara, në radhë të parë financiare. Është koha e reflektimit më adekuat të shoqërisë sonë. ,,Djalëria” ishte burim frymëzimi në breza dhe është një pasuri kombëtare me të cilën krenohemi. Urimi më i mirë në 90- vjetorin e saj do ishte: Të na rrosh shumë vite dhe me ideale të realizuara në rrugën e bashkimit dhe prosperitetit kombëtar!
Disa nga themeluesit dhe bashkëpunëtorët e parë të ,,Djalërisë”: