E diele, 28.04.2024, 07:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Fabula nga Vangjush Saro

E shtune, 17.08.2013, 04:41 PM


Vangjush Saro

Fabula

 

 

Ngut

 

U mat njeriu disa herë

të kapërcente një llogaçe;

së fundi hopa(!) tha i mjeri

edhe u hodh sakaq.

Por nuk ia doli gjithsesi,

në baltë u përlye,

prandaj edhe u mat të shante

kanalin e urryer

q’e lagu thuaj gjer në thonj.

Por befas mëndjen e ndërroi.

I foli vetes:

-Kokëtul,

nuk ta kanë fajin balta e gropa;

pa marrë ende mirë vrull,

si mund të thuash: “Hopa!”

 

 

Yjet

 

U mblodhën njëherë në kongres,

yje nga i gjithë rruzullimi:

shkrimtarë, shkencëtarë

dhe njerëz me biznes,

yje të pasarelës e të filmit;

madje s’mungonin as ata

që qiellin ndrijnë natën...

Papritur

te porta na u shfaqën

ca yje të vegjël,

dixhitalë,

që ishin zënë dore për dore...

-Po ju? - sekush pyeti në foltore.

-Ne jemi...ne punojmë në portale;

ne bëjmë natë e ditë vlerësime

për prozën dhe për poezinë,

ne mbajmë gjallë gërrmërr-in

se vëmë notë.

Dikush tha pa e ngritur zërin:

-Çorap u bë kjo botë...

 

 

Trumcaku dhe Ferra

 

-Më mërzitën këto fluturime,

i thotë një ditë Ferra Trumcakut,

seç bën ca figura krejt pa sqimë;

m’u hiq për Zotin, njëherë së paku.

Si s’pashë rrotull një bilbil

ose skifter

a fundja një pallua;

veç ti, o cofëtirë, hyn e del;

ç’dreqin ke që më je qepur mua?

 

Ia kthen Trumcaku drejt e drejt:

-Ti mirë e ke, o mike e shtrenjtë,

nuk shtyhet gjithë jeta në një ferrë;

por ç’mund të bëjmë ne hallmëdhenjtë,

kur për njëri-tjetrin jemi prerë...

Ti kot mërzitesh kësisoj.

-E di, - qesh Ferra - qenka e thënë;

tani që ca më thellë po e mendoj,

më duket

pikës i ke rënë...



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora