E shtune, 27.04.2024, 05:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Këngët e vjedhura nga autorësia ime

E shtune, 17.08.2013, 04:17 PM


Keqpërdorimi i veprës së autorit :

KËNGËT MË TË VJEDHURA NGA AUTORËSIA IME

Shkruan: Demir KRASNIQI

Këtë shënim shqetësues, po e filloj me dy thënie të vjetra popullore, të cilat ndërlidhen plotësisht me aktualitetin për të cilin do të bëjmë fjalë në këtë temë :

1.   “Aty ku nuk ka Zot shtëpie, edhe lepujt i pshurrin në prag të shtëpisë !”

2.   “Në atë shtëpi,  ku nuk ka maçorr, edhe minjtë hedhin valle nëpër oborr !”

Aty, ku nuk ka shtet, rend as ligj, çdo ditë lulëzojnë veprat e këqija, krimi i organizuar, por mbi të gjitha, lëshon shtat hajnia dhe korrupsioni !

Ndër vjedhjet makabre , të cilat janë bërë në vendin tonë, sidomos pas përfundimit të Luftës së vitit 1999 e këndej, pa dyshim se duhet përmendur edhe vjedhjet të cilat u janë bërë veprave të autorëve tanë, me theks të veçantë atyre të krijimtarisë muzikore !

Ndonëse, në Kosovë ekziston në letër “LIGJI PËR TË DREJTAT E AUTORIT DHE TË DREJTAT E TJERA TË PËRAFËRTA”, bazuar në Kreun 5.1(e), 9.1.26 (a) të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë, (Rregullorja e UNMIK-ut  Nr. 2001/9 të datës 15 Maj 2001), në pajtim si dhe me qëllim të mbrojtjes dhe zhvillimit të pronës intelektuale në përgjithësi, dhe te  të drejtave të autorit në veçanti, ky Ligj, deri në ditët e sotme asnjëherë nuk u zbatua në praktikë !

Njëri ndër viktimat dhe autorët më të dëmtuar dhe të nëpërkëmbur të muzikës popullore në Kosovë, pa dyshim se jam vetë unë Demir Krasniqi !

Ndër qindra e mijëra këngë të krijuara, kompozuara dhe të publikuara nëpër disqe gramafoni, audio-kaseta, video – kaseta, kompakt –disqe, emisione  muzikore nëpër radio – televizione  të ndryshme, si dhe një numër të konsiderueshëm të librave të botuara, të paktë janë ata interpretues të këngës qytetare dhe të asaj folklorike, të cilët nuk e kanë vjedhë, apo keqpërdorë së pakut një këngë nga krijimtaria ime autoriale !

Ndonëse, çdo njërin prej vjedhësve dhe keqpërdoruesve të veprave të mia, i njoh fare mirë dhe i di me emër e mbiemër të saktë, unë për hir të autoritetit tim, edukatës  dhe moralit tim publik, nuk dua që t’ua publikoj emrat e tyre këtu në këtë shënim, por të bëmat, vjedhjet dhe keqpërdorimet e veprave të mia, le të mbesin përgjithmonë në fytyrat dhe ndërgjegjen  e tyre !

Po ashtu, unë, si autor i vjedhur, i keqpërdorur dhe i nëpërkëmbur ndër dekada, nuk kam qenë aq naiv, i verbër, i shurdhër dhe i pa arsimuar, që të shkoj nëpër gjykata dhe të kërkoj drejtësi e dëmshpërblime për vjedhjet e veprave të mia, por as këtë veprim nuk e kam ndërmarrë, pikërisht duke mos dashur që të hy në një thes dhe të ballafaqohem me hajna, me qëllim që të mos i diskreditoj publikisht dhe t’ua dëmtoj karrierën dhe imazhin e tyre publik !

Pa dyshim, se numri i këngëve të autorësisë sime, të cilat më janë vjedhur e keqpërdorur, është shumë i madh, ato nuk mund t’i përfshijë të gjitha në këtë shënim, por mbi të gjitha, është fakt i çuditshëm nga ana e keqpërdoruesve, vjedhësve dhe shfrytëzuesve të veprave të mia, se si asnjëri prej tyre kurrë nuk më ka pyetur, as marrë leje paraprake prej meje, asnjëri prej tyre, kurrë nuk ma ka shënuar emrin dhe mbiemrin e autorësisë së dyfishtë të veprave të mia dhe asnjëri prej tyre, kurrë nuk më ka kompensuar as një cent të vetëm dëmshpërblim për punën time, për çka i obligon edhe Ligji ?!

Po ashtu, aq sa janë shkelës të Ligjit të Autorësisë, interpretuesit e këngës sime, po aq shkelës të Ligjit, janë edhe producentët dhe produkcionet e botimeve të atyre veprave nëpër albumet e tyre për biznes muzikor !

I vetmi këngëtarë, i cili ka marrë më së shumti këngë prej meje dhe që nuk i ka keqpërdorë në asnjë mënyrë qoftë autorësitë, qoftë interpretime e tyre, është Salim Arifi,  nga fshati Opajë i rrethit të Kumanovës .

Sa për ilustrim, po i përmendi vetëm disa tituj këngësh të vjedhura nga autorësia ime, në mesin e dhjetëra të tjerave, të cilat me siguri se nuk janë të panjohura për publikun dhe artdashësit e këngës popullore shqiptare :

 

1.   Alo, alo, kush asht n’ telefon

2.   Rrang e dang sahan

3.   Iliriana

4.   Kush po rrinë nën atë plep

5.   Kur shkova në Manastir

6.   Fluturo moj flutur

7.   Po të lutëm shoku im, bjeri klarinetit

8.   Moj e mira e kësaj mahalle

9.  Pasaportë për vendin tim

10. Po e pyet gjyshin e bija

11.  Kënga e Nazif Rrahman Përlepnicës, etj. etj.

 

Më së shumti në jetë, më kanë vra mikpritja, bukëdhënia dhe bamirësia ime

 

Që nga fillimi i karrierës sime prej këngëtari e rapsodi popullor, shtëpia ime ka qenë gjithmonë derëhapur për mysafirë : këngëtarë, rapsodë, instrumentistë, humoristë dhe valltarë të ndryshëm nga të gjitha trevat dhe krahinat shqiptare .

Familja ime, në vazhdimësi, ka qenë kujdestare për mikpritjen, bukëdhënien dhe shërbimin maksimal ndaj tyre, në çdo kohë, në çdo stinë dhe në çdo çast !

Shtëpia ime, ka qenë gjithmonë çerdhe e kulturës, argëtimit dhe ushtrimeve muzikore, qoftë për dasma, ahengje, koncerte, festivale, emisione radiotelevizive deri tek incizimet e albumeve muzikore !

Shtëpia ime, në plotë kuptimin e fjalës, ka qenë një shkollë e muzikës në miniaturë, prej së cilës kanë dalë një numër i madh i talenteve të rinj, të cilët sot janë emra të njohur të estradës muzikore kosovare, qoftë si instrumentistë, qoftë si interpreto të këngës popullore e rapsodike !

Roli im ndaj këtyre talenteve, gjithmonë ka qenë i një mësuesi, pedagogu dhe udhërrëfyesi drejt karrierës së tyre prej këngëtarëve dhe instrumentistëve të muzikës popullore !

Mirësitë, mikpritjen, bamirësinë dhe bujarinë time e të familjes sime, jo të gjithë, nuk i kanë pritë mirë dhe ato i kanë keqpërdorë deri në pakuptimësi, sidomos kur shumica prej tyre m’i kanë vjedhë veprat e mia, mu në bukën dhe  shtëpinë time !

Nga shumë vjedhje e keqpërdorime të këtilla, po i shkëpus nga memoria ime, vetëm disa prej tyre, që janë më perfide dhe më eklatante :

1. Ishte një talent i shquar i këngës rapsodike, i cili edhe luante mjaftë bukur me instrumentet : sharki e çifteli, por nuk ishte i njohur fare për opinionin e gjerë si një talent i tillë !

Me dëshirë që t’i ndihmoj dhe ta afirmoj sa më shumë, e ftova në shtëpinë time që të ushtrojmë së bashku dhe ta përgatisim një album të ri për incizim dhe publikim, në të cilin i futa gjithsejtë 10 këngë më të reja folklorike nga krijimtaria ime më e re, të cilat ishin shumë aktuale me tematikë patriotike nga Lufta e vitit 1999.

Në atë grup folklorik, ishin në përbërje edhe disa anëtarë tjerë të grupit tim muzikor .

Pasi që i mbajtëm disa prova të rregullta dhe sapo i mësoi mirë meloditë e tyre, talenti në fjalë, një natë pasi që i mbaruam ushtrimet, më tha:

“Pashë Zotin, baca Demir, a ke besim në mua diçka ?”

Unë, i habitur nga kjo pyetje provokuese, i thash :

-Po, sikur të mos kisha besim në ty, unë as nuk do të merrja në ushtrime, as nuk do të fusja brenda shtëpisë sime !

Talenti më tha :

“Po më vjen marre prej teje, që ndoshta po vi në ushtrime i pa përgatitur mirë, nga se këngët po arrijë që t’ i mësoj vetëm gjatë ushtrimeve !Por, po pate besim në mua, atëherë m’i jep kopjet e teksteve në formë të shkruar, e unë do t’i ushtroj te shtëpia ime, në mënyrë që kur të vi në prova – t’i mësoj këngët përmendësh me tekste e melodi !”

Unë, i habitur nga këto fjalë, pa u hamendur fare, ia jap tekstet komplete të 10 këngëve dhe e përcjell nga shtëpia ime, për të vazhduar pas disa ditësh me provat tjera !

Talenti mashtrues, e kishte përgatitur kanalin e fshehtë për t’i incizuar diku tjetër dhe me dike tjetër, këngët e mia dhe po atë natë, nga dera e shtëpisë sime kishte shkuar në një studio private në Prishtinë dhe i kishte incizuar ato këngë komplet, pa më pyetur mua fare ?!

Gjatë ftesave të mia vijuese për të ardhur në ushtrime, Talenti gjente vazhdimisht disa arsye për të mos ardhur në ushtrime !

Nuk kaluan shumë ditë dhe albumin me këngët e mia – Talenti dhe Producenti e kishin plasua në treg ?!

2. Kolegut, me të cilin kisha ngrënë bukë bashkë me vite të tëra dhe me të cilin i kisha ndarë barazi,  të gjitha sukseset e mia, ndër të tjera, ia pata dhuruar njërin nga librat e mi më të ri, të botuar me këngë nga krijimtaria  ime muzikore, me qëllim që ta nderoj dhe t’ia jap për kujtim këtë vepër !

Vepra ime titullohej :”Këngë krismash lirie 2” dhe ishte botuar në Gjilan, më 2003. Në mesin e shumë këngëve të këtij libri, ishte edhe kënga kushtuar veprimtarit dhe atdhetarit Nazif Rrahman Përlepnica, i cili edhe ishte dhëndër i Mulla Idriz Gjilanit .

Pas disa kohësh, Kolegu im, kishte rënë në kontakt me djalin e Nazif Rrahman Përlepnicës, i cili ishte në mërgim në Londër dhe që kishte ardhur për pushime në vendlindje !

Me t’u njoftuar me te dhe me të kuptuar se djali i kujt ishte ai mërgimtarë, Kolegu im, i kishte thënë :

Po, unë, ka kohë që ia kam kushtuar një këngë babait tënd, por fatkeqësisht, nuk kam mundur që ta incizoj, nga se studioja po kushton shtrenjtë dhe unë nuk po kam para!”

Djali i atdhetarit – mërgimtari nga Londra, i habitur për këtë sihariq, e kishte pyetur Kolegun tim :

Po, sa mund të kushtojë ai incizim?”

Kolegu im, i kishte thënë :

Po, minimum ndër 500 Euro, nuk mund të incizohet !”

Mërgimtari i befasuar, pa u hamendur fare,  i nxjerr 500 Euro dhe ia jep Kolegut tim, për ta incizuar këngën, ku pas incizimit, ia dhuron mërgimtarit vetëm një kopje të CD-së dhe asgjë tjetër !

Në verën e vitit 2012, mërgimtari nga Londra, vjen mysafir në shtëpinë time dhe më tregon fill e për pe, lidhur me këtë mashtrim !

Dhe, ja se si të keqpërdorin kolegët mu në shtëpinë dhe bukën tënde !

Unë, i qorroj sytë, rri me netë të tëra pa gjumë, i skuqi sytë duke e luajtur rolin e lypsarit nëpër miq, shokë e firma të ndryshme, për të gjetur ndonjë donacion për botimin e librave të mi, ku pastaj që të gjitha ua shpërndaj gratis adhuruesve të këngës sime, kurse kolegët e mi i keqpërdorin nderimet dhe dhuratat e mia, duke bërë biznese me këngët  e mia ?!

3.Veterani, të cilin e kisha adhuruar, nderuar dhe respektuar aq shumë gjatë gjithë jetës sime, një natë kishte ardhur mysafir nga Prishtina në shtëpinë time, në Gjilan.

Ardhja e tij, mysafir në shtëpinë time, më gëzoi dhe më nderoi shumë !

Pas ndejës dhe bisedave të cilat i zhvilluam me te, unë nuk munda që ta përcjell nga shtëpia ime, pa ia dhënë një libër timin, si dhuratë në shenjë respekti e nderimi !

Libri që ia dhurova, titullohej “Gjakon Kosova”, i botuar në Gjilan, më 1998, mu në flakën e luftës !

Këngët e botuara në atë libër, përpos teksteve të tyre, janë edhe të deshifruara me nota sipas  melodive të e tyre autoriale !

Në mesin e atyre këngëve, gjendet e botuar me tekst dhe me nota muzikore, kënga me titull :”Pasaportë për vendin tim”, faqe 38.

Veterani, e merr atë libër – dhuratë dhe po sa shkon tek shtëpia e tij, e shfleton radhazi, ku pastaj e nxjerr tekstin e kësaj kënge dhe ia shet (me një çmim të panjohur për mua), një Veteranes shumë të njohur, duke i thënë :

“Ja, këtë këngë e kam thurë enkas për Ty dhe dua që ti ta këndosh për opinion!”

Fatkeqësisht, Veterani nuk kishte ditë që t’i lexojë notat e melodisë dhe Veteranja që e kishte marrë tekstin për incizim, ia kishte mbështetur me tahmin një melodi krejtësisht tjetër !

Për t’ia humbur gjurmët e vjedhjes së kësaj kënge nga autorësia ime, nuk e di a Vetarani, apo Veteranja, ia kishin ndërruar titullin  origjinal :”Pasaportë për vendin tim” dhe këtë këngë e kanë plasuar në treg me dy tituj tjerë, si: “Na bashkon një Shqipëri” dhe “Mall kam pas për Shqipëri”!?

Me këtë këngë të vjedhur dhe të keqpërdorur nga autorësia ime, është bërë një bum i madh në tregun muzikor, nga se asnjë album tjetër nuk është shitur më shumë se albumi i cili kryetitull e ka këtë këngë !

Derisa popujt tjerë të qytetëruar e të civilizuar, i ruajnë me mburrje dhe krenari veprat e të gjithë autorëve të vdekur dhe të gjallë, populli ynë bënë biznes me vepra të autorëve tjerë, duke mos ua shënuar kurrë autorësinë e tyre, qofshin ata të vdekur, apo të gjallë?!

Ndër shumë autorë të këtillë, që kanë rënë viktima të keqpërdorimeve institucionale, nuk duhet harruar Palok Kurtin, Isuf Myzyrin, Qamilin e  Vogël (të vdekur) dhe në mesin e të gjallëve – Demir Krasniqi !



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora