Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vezir Ukaj: Prekja e artit ndryshe

| E merkure, 21.08.2013, 08:16 PM |


PREKJA E ARTIT NDRYSHE

(Sofije Zguri, "Ku më vanë Hirushet e mia" (poezi), Botimet Dudaj, Tiranë, 2005)

Nga VEZIR UKAJ, Prishtinë

Hirushja në poezinë e Sofije Zgurit nuk vjen nga përralla jonë, e vuajtur e e keqtrajtuar nga njerka... Hirushja vjen nga jeta, nga një faqe jete e veçantë, e dhimbshme, po me frymëzime thuaja hyjnore për një optimizëm ku s'e pret...

Poetja e talentuar e dhembjes së ngjyrimeve të bukura të jetës - korçarja Sofije Zguri, me një gjuhë të veçantë, vjen e arrirë me librin poetik "Ku më vanë Hirushet e mia", e cila duke aluduar për këmbët e veta, në mënyrën sa të shkëqyer aq edhe të dhembshme, me figura të reja shprehjeje poetike, përshkruan dhe përfytyron ecjet e saja që tashmë kishin humbur lëvizjet, për të mos u kthye kurrë. Kjo përmbledhje poezish është një vepër, që trajton gjendjen shpirtërore të saj nëpër labirintet e jetës. Me metafora ndryshe, "nën dhembjen që dënes" - "... Dy rrokje dy tinguj magjie / ç'më ngjallin drithërima nostalgjie..." (Po aty, fq. 22), sjellin emocione përfytyrimi nga një lexim i lehtë por i mundimshëm i një "surprize Perëndie / le të çelë t'më gëzojë!" ... // Mbase edhe për mua / mund të bëhet më mirë!... (Me Korçën time, fq. 12).

Aftësitë fizike të kufizuara, me shumë dhembje të emocioneve të fuqishme, egërsisht të vrazhda, për ta pranuar jetën ashtu siç është, vjen poetja me shpresa të humbura e të thyera në brendi që mundësitë e zgjidhjes për një ecje përpara drejt ndryshimit të gjendjes së vetmisë ngulfatëse, fuqishëm thotë:    "... Po shëtis sërish po eci... / Edhe pse tokën nuk e prek / S'dua as pyetje as shoqëri tjetër / Të çmallemi o det si miq të vjetër..." (Takimi, fq. 60). Këto episode jetësore, janë mendime të një ëndërrimi tronditës që bartin dhembjet përballë sfidave nëpër kohë, duke i mbledhur e thirrur me mall gjymtyrët e humbura që bartin ngarkesa shpirtërore...

"Ku më vanë Hirushet e mia / Mbeta me këpucë nën jastëk / U grisa në udhë e pa udhë / Kërkova e s'lashë asnjë vend..." (Ku më vanë Hirushet e mia, fq. 33). Përshkrimi i këtyre gatimeve të pësimit me simbole e metafora të një dëshpërimi të thellë, janë gjetje e zgjedhur me pasionin e një artisteje e cila, duke krijuar hapësirë aq të qëlluar negative të jetës - na bën të njohim tragjikën e saj dhe vetë esencën kuptimore të kësaj krijuese të re në krijimtarinë letrare ndryshe...

Kjo pëmbledhje e qëndisur me poezi të veçanta, që trajtojnë dhe shpërfaqin me invencion e pasion padrejtësitë e një shpërfilljeje të skajshme, kulmojnë me përjetimin intensiv dhe shumë interesant për të poetizuar disfatën e rëndë - tregimin me elemente autobiografike që s'do të kishte dëshiruar kush ta jetonte në fizikun e vet... "Me fizikun u pajtova / E pranova me kohë / Si diçka pa rëndësi... / Por shpirti... Ah shpirti... / Sa më dhemb / kur rënkon ai..." (Rënkim, fq. 65). Vlerat artistike - letrare të këtij rrëfimi, me një stil e një gjuhë tjetërfare, dëshmojnë e flasin për dëshirën për t'u rikthyer në jetë me gazin në buzët e në sytë, qoftë edhe e ngujuar në karrocën e invalidit..., sepse situatat e ideve të realitetit aktual, realizohen përmes një përjetimi të thellë që ruan baraspeshën në gjuhen e veçantë poetike.

Zonjusha e mirëfilltë Zguri, përpos krijimtarisë poetike, është e njohur edhe si stiliste qëndistare me duar të arta - që nga mosha e saj relativisht e re. Kjo shpreh edhe më qartë unin e saj duke u marrë me punime me shtiza e grep, traditë kjo e njohur për vashat korçare.

Prandaj, poetja Sofije Zguri, motivet që përbëjnë tipare të veçanta të shprehjeve a ideve të tjera që artikulojnë këto pikëpamje, veçohen në tërë poezitë e këtij libri për të cilin po shkruajmë, qëndisur me simbole e metafora dëshpërimi të thellë që "përgëzon çdo këngë zemre" me shpresën premtuese të ndonjë korrigjimi për ecjen e vonuar" për ta "prekur" tokën, ndoshta edhe "për një çast të vetëm", duke përafruar mendimet për jetën në "përpjekjet e mëdha për korrigjimin e gabimit mjekësor që solli gjendjen...", me të cilën bashkëjeton kjo krijuese, ani pse: " Në dukje e lirë / Brenda "lirisë" / mberthyer mbeta / Të çlirohem nga ky kurth / S'mjafton / e gjithë jeta!" (Paradoks, fq. 55).

Përmbledhja "Ku më vanë Hirushet e mia", është një libër me veçanti krijuese që gjithçka lëviz drejt një fundi të pafund, që mbledh e mbyll në vete këngëvajin e një brenge të ndrydhur si në pasqyrë - malli, urrejtja, dhembja - atje ku lëshon shtat revolta me elemente të një drame vetiake të ëndrrës a të ëndërrimit për një nesër tjetër...

Ky libër (i ndarë në tri cikle me 75 vjersha), ndonëse dendur përshkohet nga një frymë pafajësisht pesimiste, që ruan komunikimin e veçantë pëmes një stili krejt tjetërfare, do të mbetet një zë poetik në botën tonë letrare...