Kulturë
Besim Perjuci: Sejdi Berisha - “Teatri i Pejës”
E merkure, 21.08.2013, 07:48 PM
Monografia “Teatri i Pejës”, vepër e ardhur me vibracione shpirti e me karakter kronologjiko-historik dhe reflektime sakaq shkencore autentike, e botuar kohë më parë nga “Club Kultura”, në Edicion të Shtëpisë botuese “Dukagjini” në Pejë, nga autori pejan Sejdi Berisha
“Duke lexuar autorët që shkruajnë mirë, mësohësh të flasës mirë” Volter
Nga Besim Perjuci
Mbetem i vendosur të ndërtoj mendimin tim e për ta
rritë kontributin lidhur me identitetin e monografisë “Teatri i Pejës” të Sejdi
Berishës edhe pse, mbase, me pak vonesë por shumë të arsyeshëm. Sepse të kalosh
nëpër shtegun e mbijetimit të këtij Monumenti artistik kulturor duhet të jeshë
i prirur për ta rikujtuar e përballuar kërdinë fashizoide përmes egzodit të
madh të fateve tona, e cila ravijëzoi vertikalen dhe horizontalen e popullit
tonë në vitet më të brishta të një epoke historike, ashtu siç do të
nëntheksonte autori i veprës.
Përndryshe, këtë shkrim shpirti ma detyron për dy
arsye:
E para, autorin e veprës Berisha e pata njohur qysh
në bankat e shkollës së mesme, kur po e përfundonim klasën e
katërt/v.shk.1966/67/, si një i ri që premtonte shumë, ngaqë në vete shihej të
mbarte diçka të madhe, diçka si peshë që ia rëndonte shpirtin, jetën, diçka të
fuqishme, diçka të pashpjegueshme, diçka të ndrydhur, diçka që përjetohej
çdoditshëm, kurse varfërinë e kishim njëjtë të varur qafe si shtojcë mbijetese.
Atëbotë e kishim të pakët çdo gjë, madje edhe fjalën, edhe ecjen, edhe bukën,
edhe shumëçka tjetër.
E dyta, vërehej se kishte një shpirt aktori që do
të vijë në shprehje më vonë, kur do të shkelë e s’do të largohet kurrë nga
dërrasat e teatrit. Edhe dërrasat, edhe kulisat, edhe skena, edhe fjala
kumbuese, edhe reflektorët, edhe nata, edhe dita do ta kapërthejnë përgjithmonë
mikun tim, z.Sejdiun. Megjithatë, veprimtaria e tij nuk përfundon me kaq, ai do
t’i rreket me shumë entuziazëm e frymëzim penës dhe fjalës poetike, asaj
artistikjes që ia shemblleu ditën në ecje. Pra, më shumë se kaq ai bëri emër në
letrat shqipe të zhanreve të ndryshëm me afro 30 vepra të botuara. Prandaj, me
plotë gojë mund të themi se tek ai mëshifej një gurrë e madhe për popullin
tonë, për kombin tonë. Dhe, askush e askurrë s’mund ta mohojë argumentin me
faturë të madhe jetësore siç eshte ky i z.Sejdiut. Ai, tashmë, po hyn krenar në
antologjinë e letrave shqipe.
Rrjedhimisht nëpërmjet kësaj vepre
shumëdimensionale, me vlera, jo vetëm të një vepre me qasje kronologjike të
thjeshtë, por edhe arkivore historike e me argumentacion e metodologji
shkencore, për diçka që ka frymuar vite e dekada me rradhë, shfaqet një
përpjekje që imponon specifikat e qytetërimit të këtij nënqielli me
konsideratën e rezervuar për fjalën e hyjnore të artistit në skenë. Thjeshtë,
autori dëshiron të japë një fakt konkret në rrafshin kulturor, duke
identifikuar Pejën dukagjinase, Pejën e freskive të mëdha, aty ku teatri
nusëron bri Lumbardhit dhe shëtirorës së madhe të të rinjve, me shumë teatro të
tjerë të spikatura të kohës.
Bëri një provë të dinjitetshme që përmes një brumi
të përgatitur mirë dhe një investimi të qartësuar në fushën e trajtuar, të
ndërtojë një imazh me vlera të dobishme për ta arkivuar dhe sirtarizuar si
kontribut i së nesërmës, i një brezi të ardhshëm. Në këtë rrafsh autori ndjehet
gjithsesi i kushtuar ndaj këtij misioni me veçanti.
Ankorimi i të menduarit cilësor rrëket t’i kapërthejë sfidat nëpër të cilat kaloi teatri pejan dhe trupa e saj, edhe përtej mënxyrave historike me të cilat u përballë. Prandaj, fitohet përshtypja se, nëpër tërë brumin e kësaj Monografie enden kohë dhe periudha, herë të prekura nga dhëmbi që kafshoi egërsisht dëshirat dhe vullnetin e njeriut të skenës, herë të gdhendura me mjeshtri të rrallë me fjalën e artit skenik, me të gjitha ngritjet dhe tatëpjetat e veta, por të thëlluara e të mbetura për histori të brezave me tërë atë battalion personazhesh artistik të rekrutuar brendapërbenda.
Cili ishte dhe mbeti “meraku dhe synimi” i autorit?
Etja e madhe e qytetarëve
pejan për teatrin dhe fjala e bukur artistike e artistit, ka qenë aleanca më e
fuqishme që ka mbajtur gjallë e në rrymë të frymës kombëtare me nuanca
gjithmonë sociale, shoqërore, psikologjike dhe etnopsikologjike etj.
Vepër me peshë të madhe
historiografike me melmesa të rëndësishme kulturore, shoqërore e historike, me
invencion të lartë në zbatimin e stilistikës shkencore, duke e bërë kështu,
mbase, edhe të parën vepër voluminoze, ku, radhitja përveç tekstit të qëlluar,
të ilustrohet edhe me pamje të shumta fotografish të gjalla nëpër kohë e vite,
që, pa dyshim e përplotësojnë brumin e ardhur mirë.
Autori detyrohet të rikthej
vështirësitë, si një mënyrë e të ecurit drejt një gjykimi të shpalosur si
momentum i pakapërcyeshëm e me rëndësi, që, pa dyshim nxjerrin sheshit kuptimet
afirmative me dobi të mëdha, për bindjen se mjeshtërisht i ka paraqitur e
seleksionuar ngjarjet e kohës dhe rolin e artistit nëpërmjet angazhimit
shpirtëror e fizik që, në instancën e fundit do të risjellin skica jete të
reales, të ndodhurës si monumentin më faktik origjinal të kohës.
Autori, jo vetëm që i shkroi
këto fakte, por edhe i shijojë me fizikun e vet, qoftë skenik, qoftë si
regjisor e autor dramash e monodramash, skeqesh e pjesë të tjera me mendim të
thellë skenik, që, pa dyshim përbëjnë një trinom veprimi. Përndryshe, thënë me
gjuhën e popullit, vepra në fjalë është pjesë e përvojës së autorit i cili e
kaloi gati tërë jetën mbi dërrasat e teatrit.
Gjykojmë se asnjëherë e
askund, për ato që sjell si dëshmi për teatrin e Pejës dhe lojtarët e vet, në
këtë vepër autori e ngrit veten si autor apo skenarist-shkrimtar/tekstesh/ të
shumë veprave dramatike, narrative e poetike, publicistike, gazetareske etj.,
që fare s’dëshiron të jetë i theksuar nga modestia qytetareske. Pra, ai flet
për veten me shumë thjeshtësi, pa lavde e epitete. Megjithatë, për të tjerët
kryesisht për liderët e artit skenik e filmor flet me admirim të madh, për
aktorë të talentuar e entuziastë të mirëfilltë që s’iu ndanë skenës deri në vdekje,
si: Krist Berisha, Malo Gami, Istref e Faruk Begolli, Ahmet Jakupi, Atdhe
Gashi, Igballe Gjurkaj- Qena, Afrim Kasapolli, Ekrem e Selami Taraku, Ragip,
Ramiz e Nuredin Loxha, Fetah Çavdarbasha, Emine Shabi, Atifete Kryeziu, Agime
Begolli, Iliaz Nushi, Viktor Gashi, Avdullah Shala, Nexhmije Thaqi, Shahindere
Bërlajolli, Sofije Gashi, Shaip Grabovci, Nuradin Sadiku, Ruzhdi Spahija, Sejdi
Berisha, Halil Gashi, etj.etj.,kryesisht një plejadë e tërë aktorësh,
regjisorësh, artistësh e dramaturgësh të mirëfilltë e me cen, bëhen produkt dhe
sinonim i rëndësishëm i kulturës dhe zhvillimit intelektual në këtë fushë, jo
vetëm brendpërbrenda qytetit të Pejës e Kosovës, por edhe përtej...
Ai, këtë e bën kështu sepse ka
guximin njerëzor dhe është në kohezion të drejtpërdrejtë si pjesëtar i
ngjarjeve të kohës.
Gjithmonë duhet llogaritur në mendimin që kërcënon harresa dhe zbehja e pjesëve më të rëndësishme të kulturës dhe të angazhimit shpirtëror të gjeneratave, thotë autori. Dhe, shih për këtë, ai është këmbëngulës e i përkushtuar e më shumë “kokëfortë” që ta shoshitë kryqetërthur brumin e ikonës së madhe të qytetit, si monumentin shpirtëror e institucional e historik me vlera të pamatshme kombëtare e gjithënjerëzore – Teatrin.Pra, “ky ishte dhe mbetet meraku, synimi im”-thotë autori.
Të peshuara e me dinjitet i barti shënimet me vete moteve të brishta
Teatri pejan, sigurisht ka
kaluar nëpër gjithë ferrindhe pamundësinë objektive të zhvillimit të vet.
Teatri i mirëfilltë shqiptar
pejan përjeton katrahurat më të rënda të jetës. Autori, jo vetëm që mbajti
kujdes, por ato i barti kohëve më të liga me rrëbeshe e tmerre të rremetshme,
duke i shpëtuar ato pak shënime nga “ligatina e kohës” siç shprehet
autori. Kjo shembje duhej të flakej tejpërtej harresës dhe pikërisht këtë e bën
autori Berisha, pa marrë parasysh haraçin që do ta paguante po t’i ziheshin
dorëshkrimet.
Kjo ka ngjallë një interes.
Kthimi në origjinalitet të asaj që ka ngjarë.
Tempulli i artit të
qytetërimit, lufta kundër braktisjes së skenës në periudha të ndryshme për
shkaqe tejet të njohura, shtypëse e gjenocidale etj.etj., e deri në zbehjen apo
edhe asimilimin e gjithçkaje të vlefshme për një popull, si ky yni, që do të
mbijetojë ferrin e tmerrin.
Kjo është formula e autorit;
ta ruaj “të bardhën të bardhë”me tërë frymën dhe rrjedhën e vet.
Me mjeshtri të rrallë autori i
kontrollon gjërat më të imta, ato më të harruarat, më të skajuarat, që,
thjeshtë nuk mund të duken dhe gati-gati të pashpalosura i mbesin kohës.
Autori e ndjen thellë të
pajetësuarën, të përplastën, por me optimizëm të pakusryer shprehet në momente
të caktuara si:...ato shëtitje dhëmjesh, tani sikur më përqafojnë duke më
ngushëlluar, duke më përgëzuar:”ja, na bëre përjetësi”! E, për më tepër
shton”Kjo, është pjesë e rrëfimit, nëse do të thotë diçka, për ruajtjen e
vlerave shpirtërore dhe kulturore, për përjetësimin e thesarit historik që
është krijuar me përkushtim e sakrificë...Kjo, është kështu! Dhe e tëra, tani
është vulosur në libër, në dokument i cili do ta forcojë kujtimin dhe dëshminë,
do ta lindë edhe një dashuri për flijimin dhe djersën e njeriut, i cili
denjësisht ka luftuar dhe lufton për t’i dhënë dritë gjërave dhe jetës, për ta
madhështuar veprën dhe rrugëtimin nëpër periudha...”
Teatri pejan me ide e koncepte moderne
Temat në fillim kanë qenë
stereotipe, si instrument i kohës, sepse n’atë kohë, fillimisht janë imituar
teatrot e atëhershme jugosllave.
Mirëpo, viteve 70-ta shfaqen
koncepte të reja, me interferime të reja, me artistë të shkolluar e të ngritur
profesionalisht. Ia vlen të përmendën, sa për ilustrim pjesët
teatrale si: “Njerëzit me
shpresa të thyera” dhe “Memoarët” e Shaip Grabovcit, “Ngjarja në Vishi”
e Molierit, “Valësi i kuq”i Sejdi Berishës e shumë e shumë të tjera me
tematikë moderne, që i dhanë frymë të re Teatrit të Pejës dhe artit skenik në
përgjithësi.
Teatri ka komunikuar me jetën
e përditshme me të gjitha teket e veta. Gjatë viteve teatri goditet shumë herë,
qoftë nga mungesa e artistëve/që tërhiqen drejt Teatrit Krahinor/, qoftë nga
hegjemonizmi i skajshëm i regjimit satrap serb gjatë viteve 90-ta. Kjo është
faza e mbijetesës.
Pjesëmarrja aktive e shkollave fillore dhe të mesme të qytetit dhe të fshatrave, fabrikave e uzinave industriale, si dhe kontributi i madh i femrës shqiptare/ e cila më vonë sikur e harron, për pak kohë, teatrin dhe artin skenik/, Berisha e paraqet si reale të rritës dhe të zhvillimit të kulturës dhe artit skenik, gjithnjë në kohën kur po lulëzonte dhe po senzibilizohej arti i fjalës, ai skenik, ai pamor e muzikor në përgjithësi në qytetin e Pejës. Dhe, të korrurat ishin të begatshme, me bollëk flitej për artdashësit pejan, pse jo edhe për njerëzit e saj që pushtuan skenat më të mëdha të kohës.
Gjithmonë në dobi të lexuesit artdashës
Autori, sikur nuk dëshiron t’i
largohet skenës, artit skenik dhe rolit brenda dhe jashtë teatrit, në rrugë, në
kafene, në shoqëri, në shtëpi e në familje. Ai këtë e ndjen dhe e bën në dobi
të lexuesit. Asgjë e huaj nuk është për te. I tëri mbushet nga gurra e çiltër e
burimit të racës dhe e favorizon përmes një angazhimi krijues, i pajisur me
mjete të paracaktuara që, çdo gjë t’i shpëtojë harresës.
Monografia e Sejdi Berishës
sikur pajiset me të gjitha shqisat; në të parit, të prekurit, të dëgjuarit, të
nuhaturit, të shijuarit. I gjithë materiali merr jetë, gjëllon dhe bëhet i
përdorshëm me lehtësi shpirtërore-emocionale si shtesë jete për mbamendje në
rrjedhë historike. Vepër shumëdimensionale që prek edhe fushën e artit skenik,
artit pamor, muzikor, poetik etj. Trupëzohet e heshtur e gjithëkohëshme, del
kornizës së vet, merr me vete fizionominë dhe pushton lexuesin e pasionshëm.
Orvatjet e autorit për ta
parathënë të rëndësishmën dhe gjithsesi të rëndësishmën përbëjnë esencën
mbresëlënëse që sjell kënaqësi për një produkt të sapothënë.
Produktet, t’i quajmë kështu
titujt e dramave, komedive, tragjedive, personazhet e tyre, fotot, lojën
skenike, lëvizjet, gjuhën dhe sintaksën e interpretimit etj.etj., janë të
vendosura gjthandej skenës dhe hapësirave të kësaj embleme pejane.
Pra, vepra flet për vlerat e
mirëfillta të një qytetërimi që prek kuptimin e trashëgimisë, kulturën e tashme
dhe me guxim thotë se këto mbesin të mbërthyera kah ardhmëria. E vërteta e
saktë.
Në planin makroskenik teatri
ynë nuk e përkufizon veprimtarinë e vet vetëm brenda kornizës së zhvillimit
afatshkurtër, por nga ky këndvështrim del me kërkesa e nevoja shumë më të
mëdha, duke synuar zhvillime të reja e cilësore në radhë të parë, por
edhe për konfigurimin e kësaj
shtëpie në diçka moderne, tërheqëse e mbi të gjitha me koncepte e interes
shkencor, kombëtar, moral e psikologjik gjithëshoqëror.
Autorit Berisha nuk i mungon,
për asnjë çast, sinqeriteti, kur shprehet:” Unë i konsultova njerëzit e
ditur të penës e të mendjes, ata të artit skenik dhe të kulturës, jeta e të
cilëve shkëndijonte gjithandej dërrasave të teatrit”, pjesë e të cilit
ishte dhe mbetet dhe vetë autori. Të gjitha këto dëshmi i materializoi sipas
një akti kronologjik të ndodhive dhe ngjarjeve, duke i sinkronizuar e
përforcuar nëpër tërë lëndën e shfaqur, si vlerë e pakontestueshme
institucionale.
Autori Berisha, me shijën e
mendjes, të shpirtit e të zemrës e përjetësoi aq sa mundi, siç na thotë me
vokacion të theksuar:”...Unë, kaq thash...”, këtë thesar të çmueshëm me
vlerë të madhe për artin, për dritën dhe jetën, që hapi rrugë të reja për të
rrugëtuar në thellësi të kulturës shpirtërore të qytetit të Pejës dhe më
larg...
Me vulën e dashurisë dhe të
shpirtmendjes, autori vë në spikamë atë të pathënën e kahmotshme, të ruajtur
diku thellë në sirtarin e arkivuar të kujtesës, si dëshmi të pashlyer të kohës.
Ata, që do ta kenë nëdorë këtë Monografi, do ta kenë më të lehtë vjeljen e
gjithë asaj begatie me gjithë atë begramë vlerash e që, na shpalosën çdoditshëm
në skenat tona të jetës. Dhe, sigurisht shumëçka ngjan me përditësinë tonë,
duke përjetuar në thellësi e gjërësi bashkudhëtimin me veprën dhe autorin në
fjalë, sepse vetë autori i bashkëvuajti dhe i bashkëgëzojë ngritjet dhe
tatëpjetat e teatrit dhe artit skenik në këtë nënqiell.
Dhe, krejt në fund ashtu siç i pashë, i ndjeva dhe i shijova vlerat artistike të kësaj monografie, pa shtesë subjektiviteti, edhe e bëra këtë rrëfim, sakaq shpirtëror.