Kulturë
Veton Surroi: Në dy të mëngjesit
E enjte, 22.08.2013, 06:17 PM
Në dy të mëngjesit
Nga Veton Surroi
Në dy të
mëngjesit, Arbën Xhaferi shikonte filma. Dikur shikonte filma më herët. Kur
punonte në Televizionin e Prishtinës, shikonte filma gjatë ditës, me detyrë
zyrtare dhe qejf personal. Ndonjëherë shkonte edhe në kinema, por nuk kishte
kinema që të jepte filma në dy të mëngjesit.
Në dy të
mëngjesit shikonte filma Arbën Xhaferi, kryetari i Partisë Demokratike
Shqiptare. Gjatë tërë ditës ishte kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare. Priste
mysafirë që i vinin në zyrë.
Aso që
jepnin ide se si të bëhet më mirë Partia, Kombi, Shteti.
Aso që
kërkonin. Aso që kërkonin ide se si të bëhet më mirë Partia, Kombi, Shteti.
Aso që
ofronin përkrahje politike, dhe të ndonjë natyre tjetër, nëse ai do të merrte
këtë apo atë qëndrim ndaj kësaj apo asaj ngjarjeje.
Aso që
kërkonin. Që kërkonin favore në emër të familjes, kombit, shtetit. Që kërkonin
vend pune për familjarë, deklarim personal të tij për kombin, kalimin e ndonjë
ligji të nevojshëm për shtetin.
Gjatë
tërë ditës, kryetarit i ndalohej të shikonte filma. Nuk kishte kush t’ia
ndalonte, sepse ai vetë ishte kryetar- Kryetari ia ndalonte Arbën Xhaferit të
shikonte filma.
Dhe atëherë
mbërrinte ora dy e mëngjesit, kur mulliri kishte bluar të gjitha idetë e
ofruara e të marra, të gjitha favoret e ofruara dhe të premtuara, të gjitha
fytyrat që hynin e dilnin – një botë krejtësisht e prekshme, krejtësisht reale.
Aq reale sa në dy të mëngjesit të duket e pavërtetë.
Aq reale
sa që në dy të mëngjesit sytë e Arbën Xhaferit ta zgjojnë gëzimin në të parë se
në televizion po jepet një film artistik që nuk e ka parë.
2.
Kur nuk
shikonte filma, Arbën Xhaferi lexonte Brzezinskin.
E bëri
mik Brzezinskin. Bashkëbisedonin. Brzezinski fliste për një botë ku aksi
historik botëror është në EuroAzi, se të gjitha konfliktet në histori janë bërë
për të kontrolluar këtë bosht, pastaj fliste për një botë ku historia po
zhvendoset në lindje të këtij boshti, në Azi. Arbni fliste për nevojën që
shqiptarët të mos jenë pjesë e zhvendosjes për në Lindje, për nevojën që të
mbesim aty dikund, në të majtë, në Perëndim të pastër, në Perëndim të pastër të
Boshtit kudo që të shkojë ai.
Në dy të
mëngjesit, Arbën Xhaferi dhe Zbignieë Brzezinski, analizonin veç e veç dhe në
përbashkësi hartën e Hemisferës Veriore të kësaj bote dhe vendin e Tetovës,
shqiptarëve të Maqedonisë, Kosovës, mbarë shqiptarisë, në të.
Në fund
të terminit të quajtur “ora dy e mëngjesit” Arbni do të palojë me pedanteri
librin, kroatisht, “Loja e madhe e shahut, supremacia amerikane dhe përparësitë
e veta gjeostrategjike” të profesorit Zbignieë Brzezinski.
Në të
zgjuar, pas orës nëntë, do t’i hedh edhe një sy kopertinës, me tabelën e
shahut, para se të shkojë për takim me të gjitha emrat e rëndësishëm për
kryetarin e PDSH-së, zotin Arbën Xhaferi.
3.
Në dy të
mëngjesit, kur nuk shikonte filma dhe kur nuk e lexonte Brzezinskin, Arbën
Xhaferi e thërriste Vulen. Vule e kishte emrin Vullnet, kishte shtëpinë më të
bukur të Tetovës kur që të dy ishin fëmijë. Shtëpia ishte mes Teqes Arabati dhe
Xhamisë së larme, e Xhamia e larme ishte e gëzuar dhe me pikturim gondolash
veneciane para se në Tetovë të vinin fundamentalistët, ta zinin Teqenë dhe të
konsideronin se gondolat veneciane në Xhami tregojnë për një mungesë të
përhershme disipline të kësaj popullate. Të cilën do disiplinuar, salafisht.
Vule
ndërtonte autostrada kur Arbni ishte në pushtet.
Vule
lozte shah me Arbnin edhe kur ishte, edhe kur nuk ishte në pushtet.
Vule
ankohej se si popullata po disiplinohej, salafisht.
Kryetari i PDSH-së kishte bërë disa shkrime dhe prononcime. Kryetari i PDSH-së mendonte se Islami politik po e dëmton rëndë kauzën kombëtare shqiptare në Maqedoni, dhe se është një rrezik latent, si një ideologji antikombëtare, kudo që gjenden shqiptarët.
Vule i
thoshte se nëpër xhami, hoxhallarët e rinj kanë filluar ta shajnë Arbnin.
Arbni i
thoshte Vules se e ka radhën të lozë, se e ka në rrezik topin, ndoshta kalin,
ndoshta mbretëreshën, ndoshta të gjitha së bashku. Sepse në atë vend, çdo gjë
ishte në rrezik të humbet, përherë, sikur gondolat, sikur Teqeja.
4.
Në dy të
mëngjesit Arbën Xhaferi bënte edhe gjëra të tjera, siç do të bënte çdo njeri
tjetër që do të kërkonte, në atë orë, azilin, atë të vetmisë për vete.
Ka mbetur
pa i thënë. Njerëzit që kërkojnë azil, ata që gjejnë vetëm orën dy të mëngjesit
të jenë me veten, e kanë vështirë të rrëfejnë; mbajnë ende në vete rrëfimet e
të tjerëve, të mbledhura gjatë tërë ditës.
Azilin e përkohshëm, të orës dy të mëngjesit e ka zëvendësuar, ka një vit, me atë të përhershëm. Prej atij, prej azilit të përhershëm, tash na i dërgon, me buzëqeshje të lehtësisë këto rrëfenjëza të vogla