Ese për poezinë e Elida
Buçpapajt
FJALA,
TOKA DHE GJUHA
Nga
Rrustem Geci - Dortmund
Jeta
është lum i pavarur për të gjithë lumejtë, për të gjithë detërat, për gjithë
tokën ku mbjellim e jetojmë. Kot më del përpara me hijen tënde, jam
vetja, vetvetja, fjala e parë e fjalës, fjala e bukur e jetës. Këtë ese më
nxiti të shkruaj poema e botuar dje, në „Zërin e shqiptarëve“ me titull, „Ne e
lamë fjalën të humbë“. Nuk është e ndaluar të mos ëndrrojmë, të mos ndryshojmë,
apo të mos dëshirojmë. „Mikja ime, Hije; ji e lirë me veten tënde. O e uruar,
mos më dil përpara, shkruan Elida Buçpapaj, se fjalën e kam brenda, ajo është e
zemëruar dhe mund të godas. Poezia e Elida Buçpapajt është poezi e pasionit,
poezi e dalë nga shpirti, poezi e shkrimit të mirëfilltë shqip. Ujqit e fjalës,
armiqtë e fjalës, horrat e së keqes, kudo janë shumëzuar, të bëjnë zap fjalën,
të shkërmoqin fjalën ma të bukur, fjalën
e shkruar. Po, po, ata duan fjalës t´ia marrin
frymën dhe ta lënë pa afshin e frymëmarrjes. Krijimtaria e shkrimtares,
publicistes dhe kolumnistes, Elida Buçpapaj, është e gjerë dhe e thellë.
Shkrimet e para Elida i bëri para 30 vjetësh. Ajo deri më tash ka botuar këto
libra; 1. Vij , 2. Unë nuk jam e përjetshme 3. Hiperbola dhe paralelizmi në
Ciklin e Kaçakëve 4. Tirania e tranzicioni 5. 6 .Traumat e tranzicionit, si dhe
analiza e polemika. Njëherit, Elida Buçpapaj bën punë heroinash, duke përkthyer
shkrimtarët më të vlerësuar të Elitës Botërore. Elida, bijë e shkrimtarit të
njohur, Vebi Skënderit, njëherit edhe bashkëshorte e shkrimtarit të njohur,
Skënder Buçpapjt, përbëjnë një treshe shkrimtarësh të mirfilltë në letërsinë
shqipe. Shkrimtarja, Elida Buçpapaj, nuk vjen në Letërsinë tonë të bukur,
përmes librave të lexuar, por, përmes talentit dhe leximit të jetës.
Shpërthimet e saj në poezi, publicistikë, në polemika dhe analiza, janë mënyra
e shkrimtares Buçpapaj, për të bërë letërsi, O vetja ime e trazuar; Shqipëria
është diell / është ëndërr / zgjandërr / është shi, breshër e borë / është
furtunë e stuhi / është stuhi në gotë... Këto dhe qindra vargje të tjera,
tregojnë për shtrirjen e saj në letërsi, dhe të bukurën e saj në poezi. Motivet
me Kosovës janë të pranishme tek kjo treshe shkrimtarësh. Fjala, toka dhe gjuha
amë, lulëzojnë në qënien e vargjeve të shkrimtares. Në poezinë e Elida
Buçpapajt, por edhe në poezinë e babait të saj , si dhe të bashkëshortit, Skënderit, janë së brendshmi tharmi i të
bërit letërsi. Kosovë, shkruan shkrimtarja; Unë vij në Prekaz / mbi kalin e
pikëllimit / prej plagosjes së natës /..këtu fjalët i ka zënë gjumi i madh / i
tokës së skuqur / si flamuri nga gjaku/ ... Unë vij në Prekaz / dhe ngrij
palëvizur / si mermeri i varreve / nën harkune violinave të vajit / e të fijeve
të barit që qajnë...Harta poetike e Elida Buçpapajt është plotë maja poezish.
Ngjyrat në krijimtarinë e Elidës janë nga ma të bukurat. Temat e saj shprehin
çastin dhe kohën; Mirëmëngjez Paris / sot jemi gëdhirë në një shtrat / të dy të
përgjumur nga mosfjetja /..Në një kafene
buzë Senës / porosis një kafe me qumësht/..dhe filloj me llogaritë / Paris, unë banorja jote efemer / ndërsa
ti dhe Sena eternel... Shkrimtarja Elida Buçpapaj, e lindur dhe e rritur në
Tiranë, bashkë me prindërit, përjetoi gjenocidin e diktaturës Hoxha, kundër
zërit të shkrimtarëve dhe
inteleltualve. Idetë në letërsi shprehej Vebi
Skënderi, ( në një bisedë që pata me të dhe Agim Gjakovën, në vitin 1994 )
kontrolloheshin që në embrion të krijimit. Diktatura e Hoxhës e kishte bezdi
zërin e shkrimtarëve. Në tërë ato rrethana
ç´njerëzore, poezia e pati shumë të vështirë ta heq ujkun nga fjala. Cenzorët në Shqipëri aso
kohe shprehej poeti, Vebi Skënderi, ishin shndërruar në kafshë të këqija, dhe
masakronin vargjet tona. Por, bija e shkrimtarit, shkrimtarja, Elida Buçpapaj,
e di s´e është e ndaluar të mos krijosh; Jam shi në Tiranë / shi që bie rrëke /
nëpër rrugët mbi pluhurin e harresës / janë shkërmoqur grimca-grimca / si
fosile antike / ditët e mia…Mbi këtë peisazh jete, kujtoj se fshihet bardhësia
e ngjyrave të Tiranës, vetullat dhe balli saj, buzët pa të kuq të Onufrit. Jeta
e shkrimtarëve më thotë Elida Buçpapaj, është kjo që e bëjmë. Mirëpo, poeti e
ndien atë që s´shihet, dhe shkrimtari s´heq dorë nga asnjë ditë e kësaj jete.
Mbushjet e mëdha shpirtërore janë burimet të artit të pashterrshëm. Jam Zana /
Tanusha / jam dhi e egër / e pakapshme /shkreptimë…Nuk ka titull më të lartë në
jetën e një njeriu, shkruan Elida Buçpapaj, se sa të jesh, shkrimtare, nënë,
bashkëshorte dhe gazetare. Poezia është në qenien time, dhe rron në qenien
time!..Me këtë ese të shkurtër, i uroj shëndet dhe vepra të reja shkrimtares
dhe gazetares, Elida Buçpapajt!..