E diele, 28.04.2024, 05:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Një poezi ndryshe…

E shtune, 24.08.2013, 06:02 PM


Një poezi ndryshe…

Shënim për krijimtarinë poetike të Përparim Hysit

Nga Vangjush Saro

Në një sërë revista e portale, lexuesit kanë kohë që ndeshin emrin e Përparim Hysit. Ai është autor i disa librave, shkruan në prozë dhe në poezi, dallohet për frymën dokumentare të krijimeve të tij, që megjithatë i përcjellin mesazhet e tyre në një qartësi dhe sinqeritet artistik të rrallë. Lejtmotivi i krijimtarisë së tij lexohet kthjellët në shumë poezi. Ja se si përkufizohet në njërën prej tyre: “Po thanë për mua:/ -Si mësues? Ç'ka?!...mesatar/ E ç'ka vallë për t'u zëmëruar?! Po thanë:/ -Si poet? Shkruan shumë e për "lumë"/ E, përse, me të vërtetë do të mërzitem unë?! Por, po thane se zhgënjeva dikë si njeri/ Atëherë, kush më do,/ Le të më qajë me oiiii...” (Po thanë...) Në zgjedhjet e tij, poeti nuk shkon duke u lëkundur, në hamendje e hezitim, por duke ndjekur yllin e tij të jetës: Respektimin e parimeve njerëzore. Ndaj ai është i ndjeshëm në këtë term si të gjithë poetët; dhe është i drejtpërdrejtë në reagimet e tij, si janë përgjithësisht njerëzit e mirë. E lotin nuk e ka figurë, por pjesë të ndijesive më reale: “Me njerëzit që kanë halle/ dhe unë me ta vuaj/ Dhe jam krenar se për ta/ di edhe të qaj.” (Jam krenar)

Është në natyrën e tij të ndjekë ngjarjet kryesore dhe piketat e rëndësishme në jetën a veprimtarinë e kolegëve dhe njerëzve të njohur, përmes vargjeve; një gjë e rrallë kjo në kohën e sotme. E tillë është vjersha aq e ndjerë për poetin Viktor Qurku, apo ajo me titull “Lamtumirë”, kushtuar veprimtarit Agim Gashi; në këtë vjershë autori shfaq simpatinë për mikun e tij, por edhe shpirtin e vet kurajoz, duke i dhënë kështu një kuptim konkret dashurisë për Kosovën dhe për njerëzit e saj më të mirë. Ngritja e një kënge a balade, ku protagonist është një njeri i dashur që nuk e kemi më, është jo thjesht një zgjidhje poetike, ngase autori e gjen më mirë veten asisoj, por edhe një zhanër i vjetër, sot i tejhedhur, elegjia; që rrallëherë i del kush për zot. (Këto ditë, poeti Koço Sterjo ka publikuar një të tillë për Jorgo Telon dhe vjersha është vlerësuar mjaft.)

Mandej, ka vjersha ku Përparim Hysi, në mënyrë të natyrshme, “iu hedh dorezën” edhe poetëve më të mirë. Me pak vargje, ai shkon te lexuesi gjithë në stilin e tij të zgjedhjeve pa bujë dhe duke i renditur fjalët si ndonjë mjeshtër që jo thjesht punon, por edhe e sodit veprën e tij: “Koha ka veshur pantofla./ Dhe reshperon pa u ndjerë./ Po mua pse më "bloi" në mokrra?/ Ç'është, vallë, ky mister?!...” (Koha) Apo: “Po s'e kisha aty fjalën./ Fjala ime trapit larg,/ Do t'jua them dhe juve hallin,/ hallet mua më ndjekin varg.” (Indianka) Mund të shikojmë këtu se si përsëritja e fjalëve fjalë dhe hall - një zgjidhje në kufijtë e aliteracionit - nuk ta vrasin veshin, përkundrazi e bëjnë vargun më të pëlqyeshëm, duke shtuar dozat e humorit dhe sinqeritetit. Ja një tjetër përdorim i ngjashëm me këtë, por tani mbështetur tërësisht në homonimi. (Te e njëjta vjershë): “Më pastaj, po mbetëm vuvë./As flisnim as kuvendonim./ Mbetëm ne atje, në rrugë/ Dhe as iknim as nuk shkonim.” (Vini re homonimet e ofruara me aq shumë finesë: flisnim/ kuvendonim dhe iknim/ shkonim.)

Poezia e Hysit përgjithësisht është poezia e shfaqjes - si në një ekran të madh filmi - e përvojës së jetës; gjithaq e nënvizimit të karakterit, ndjeshmërisë dhe ndershmërisë. Me këto parime njerëzore, ai nuk luan dhe natyrisht, nuk lejon edhe të tjerët të harbohen. Humbja e një miku, për çfarëdolloj arsyeje, është e dhimbshme; por kur ai të ndërsehet me urë zjarri në dorë, dhimbja është pa hapësirë. Le të vështrojmë se si e shpreh ai këtë dhembje për tjetërsimin e të tjerëve. “Unë brez prej brezi jam fshatar./ Ka ndodhur, në fshat një qen më ka kafshuar./ Kafshimi i qenit më dhëmbi një çikë./ Por, mënd u tërbova, kur më "kafshoi" një mik...” (Kafshimi) Në shumë raste, poezia e tij  vjen në formatet e një aforizmi, mençuria zë dhe e rëndon vargun, e bën atë të ngjashëm me ndonjë përbetim: “Po harrova të ligën,/ le të më nxjerrin një sy./ Po harrova të mirën,/ le të m'i nxjerrin që të dy...” Ose: “Një njeri që s'di të qajë,/ kurrë nuk e bëj mik./ Le të bëjë dhe "vezë të kuqe",/ për mua, është i lig.”

Një pjesë e konsiderueshme e krijimtarisë poetike të Përparim Hysit kalon ose i përket pothuaj tërësisht llojit të poezisë erotike, lloj në të cilin autori vjen si një vizatues i hollë i ndjenjave më të brishta. Le të kujtojmë sërish vjershën interesante “Indianka”: “Ta hajë dreqi! (thashë me vete)/ Çfarë dreqin kërkoj unë?/ Dhe e puth buzën që qeshte…” Etj. Poezitë e tij më intime - “Një mikeje”, “Mu si lot”, “Ti”, “Më zjen gjaku”, “Si duron?” etj. - janë balada dashurie plot ndjenjë e vërtetësi; plot jetë. Ato dhe të tjera vjersha në këtë frymë, të kujtojnë menjëherë poetin e njohur lirik Ali Asllani. Në disa lektisje të ëmbla, edhe Lasgush Poradecin. Ky lloj (poezie) në dukje është i lehtë, por nëse mungon gjendja poetike, atje shket e bën figurë komike, njësoj si mund të shkasësh në ledhet që poetizon. Edhe Thani Naqo ka në këtë zhanër (dhe jo vetëm) vjersha shumë të sinqerta dhe që lexohen më një frymë. “Episodet” poetike të Hysit janë pronë një kohe kur druajtja pak e më pak shfaqet; megjithatë, në vjershat e tij, ndryshimet shpirtërore kanë “hierarki”. Vështrime. Dialog. Përkëdhelje. Dashuri. Ai dhe heroi i tij lirik janë aq klasikë...

Në disa krijime, ai nuk rri dot pa e shpallur që më parë kërshërinë: “Nën tylin e zi, që të rri pas trupit,/ vajtën sytë e mi dhe nuk pyes prej turpit.” Ka momente kur poeti “dehet” dashurie,  “e tepron” me episodet e dashurisë, reale apo të përfytyruara qofshin; në këto raste veç, edhe më i sinqertë është ai, sepse tek e fundit qenia njerëzore jeton e mbijeton përmes dashurisë dhe kënaqësive të bekuara që shpesh poetët e “turpshëm” i fshehin, duke u hedhur përsipër shkurret e metaforave. Në disa raste këso, Hysi është i gjithi në shoqërinë  e poetëve që bëjnë art me llojin më të veçantë të poezisë; (kjo më kujton edhe poezitë erotike dhe çiltërsinë e mikut tim të “kohës së orizoreve”, poetin Klito Fundo). Ja se si i këndon asaj që e do Përparimi: “Si të puth, pa dua të tjera,/ ndyshe mendjen dot s'e mbledh./ Se ta dish, ja që pranvera/ seç më kthen në djalë levend”  Apo edhe më me ngrohtësi: “Trallisur nga jermi,/ penjuarin ta flak./ Tash dhe ti nga jermi,/ mbi mua more hak.” Epo, zhanret dhe llojet e “rralla” nuk janë thjesht kategori për t’u mësuar nëpër shkolla, por krijesa të gatshme për përditësime, me fjalë të tjera, për të marrë jetë në lëndën a tekstin e krijuesve të “pagëzuar” për to. Një prej tyre është edhe Përparim Hysi.

Edhe një cilësi tjetër, që paçka se po renditet këtu, nuk është ndër të parëndësishmet, përkundrazi. Përparim Hysi është një krijues që pa doreza mund të cilësohet edhe shkrimtar popullor. Në krijimet e tij nuk ka lojëra figurash stilistike të sajuara me mundim: “Pleqëria ka vënë llullën/ dhe tymos mbi jetën time./ Do mbi "shkresa" të vejë vulën/ nëpër vargje edhe shkrime.” Thurrja e vjershës në “besë” të tetërrokëshit klasik, në rimë dhe në asonancë të njelmët (llullën/ vulën), lehtësia e përcjelljes së informacionit, përplasja e hallit me një frymë, të gjitha këto i japin vjershës së tij njëlloj plastike të veçantë. Nganjëherë vargjet e tij, me shumë ndikim nga krijimtaria gojore, me një fjalor të përzgjedhur me kujdes në pasurinë  e gurës popullore, të bëjnë të mendosh se dikur poeti mund të humbasë “të drejtën e autorit”, në kuptimin e të lexuarit a të kënduarit e vjershave të tij gojë më gojë, derisa shumëkush mund t’iu vendosë poshtë fjalën kuptimplotë Populli. Në këto radhë, sado rendi njëlloj humori; por ajo firma që sapo e përmendëm, thotë: “Shakaja është gjysma e së vërtetës”.

Kështu, duke kuvenduar për një poet e mik të mirë, duket se do të vij njëfarësoj edhe te ndonjë vërejtje, që më së pari ka të bëjë me rimat foljore, sipas meje të padobishme dhe që provojnë prirjen për t’i mbyllur “hesapet” shpejt e shpejt me krijimin; mandej vij te gramatika dhe shenjat e pikësimit, për të cilat shpesh debatoj me poetët; ndonjëherë ata nuk më kuptojnë, por ne gjithçkaje ia gjejmë vegën. Kështu, ka një shprehje që ligjëron këso: “Aty daltë e keqja!”; që do të thotë se në udhën e tij ka më shumë lule e bar dhe vetëm tek-tuk ndonjë gurishte a gropëzë. Kush po pyet...



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora