Kulturë
Sejdi Berisha: Shpella e Mbretëreshës
E premte, 23.08.2013, 09:35 PM
R e f l e
k s i v e
SHPELLA E MBRETËRESHËS...!
Nga Sejdi BERISHA
Sërish
m’u kujtua etja për historinë, për dritën, etja për zbardhjen e rrugëtimit të
njeriut...
...Dhe,
pas çdo pastrimi të plagëve në lumin poshtë rruge, kanë pushuar edhe në këtë
shpellë. Aty i zinte gjumi me shkrumbin e etjen për liri, me ëndrrat e me
këngët për tokën e skuqur dhe kurrë të flladitur. Këtu, thonë, kanë fjetur, por
këtu edhe janë ngritur e përjetësuar kufijtë e atdheut...!
Për këtë,
ndoshta duhet besuar, se edhe për atë e kanë quajtur, Shpella e
Mbretëreshës,... sepse, mbretëreshë është toka,... si nëna!
Shih. Në
fund, si m’u kujtua krejt pa lidhje, Rruga e Kombit, thyerja e autobusëve,
maskat,... vrasjet,... krismat e armëve pa pikë nevoje! Ndërsa, dikush, si pas
shpine, ma rrahur krahun dhe mendjen: Çamëria, ende është plagë që kullon gjak
nga shtati i kombit?!!...
_______________
1.
Njëri më
kishte thënë se ka qenë dhe ka ngelur i etur për historinë, për të mësuar e
ditur për çdo gjë që lidhet me fatin e njeriut! Kjo, në atë kohë, nuk më kishte
lënë edhe aq përshtypje, por më vonë, gjithnjë e më shumë më provokonte ky
mendim, i cili, ndoshta në fillim dukej dhe duket naiv. Tamam është ashtu, siç
kishte thënë ky njeri, sepse, drita e historisë i mungon botës, e lëre më këtij
vendi të shkelur e të stërshtypur, të ndrydhur e të shtrydhur, siç thonë, si
limoni. Kur është kështu, atëherë edhe trillimet, legjendat, mitet, trimëritë
dhe tradhtitë zënë vend, dhe sikur çimentohen aq fortë, sa që çdo gjë të duket
e çuditshme dhe e vështirë për t’u lëvizur nga vendi, apo për t’u hedhur dritë
greminave të krijuara. Dhe, ç’histori e ç’filozofi është kjo, kur shpeshherë
debatohet, mbase edhe shkruhet, si për t’i hyrë nga e para jetës. Ndoshta, edhe
kështu duhet dhe ka nevojë, por a ka mjaft kohë për këtë. Pastaj, a do bëjmë
mirë a keq për t’u përplasur e pedatur me çështje të tilla. Por, fjalën e
mikut, që ma kishte thënë se gjithnjë ka qenë dhe ka ngelur i etur për dritën e
historisë, kësaj radhe po e kapi në cep të cepit të kohës dhe të intrigimit
vetëm sa për të thënë diçka, gjë e cila, më vonë, ndoshta si në loto, pahir i
sjellë dhëmbëzoret në vendin e vetë. Ata dhëmbëzoret, të cilët edhe kur i kemi
afruar për t’i puthitur me njëri-tjetrin, sërish na i kanë larguar, kurse ne
edhe më shumë sikur ua kemi dallashuar drejtimin.
Duke
zbritur rrugës përmjedis Kanjonit të Bjeshkëve të Nemuna, me një mik i cili
tani jeton me peshën e mallit në kurbet, i komentojmë bukuritë jo vetëm të
kësaj ane, të cilat edhe kanë histori me dëshmi shekujsh, por ndoshta, siç
thotë njeriu të cilin e përmenda në fillim, edhe histori me hije, me njolla,
periudha të pasqaruara e të pa ndritura. Dhe kjo, në vend se mikun nga kurbeti
ta bëjë të përmallohet, mua sikur ma zë frymën dhe më mbushen sytë me lot. Edhe
miku im, nuk e kishte lehtë këtë koment, por disi si pa kontroll, më tha:
-Interesant,
tash më vjen për ta dënuar vetveten, sepse, kur nuk kam mall, nuk mund as t’i
mashtrojë lotët dhe as dhembjen...!
Dhe,
çfarë nxjerrë njeriu nga kjo, në këtë zapulli kohe e vere. Gjithçka dhe çdo
gjë, ta imponon pyetjen e pikëpyetjen, të cilave, ec e ua gjej përgjigjen.
Kështu që, për këtë, njeriu nganjëherë bëhet nervoz, e nganjëherë thotë se më
mirë ndoshta është që gjërat kur nuk i di, t’i lë zvarrë, mu ashtu si mishin në
ndonjë degë lisi në pishë të diellit, për ta përlarë botën kundërmimi, i cili,
ndoshta atëherë ta imponon detyrimin për ta larë e shpërlarë çdo pëllëmbë toke,
çdo gur në lumë e çdo shkëmb e thep bjeshke...
Nuk di
pse thash kështu. Por, ndoshta si pa dashtë më rrëshqet mendja tek etja për
histori, tek hija dhe errësira, të cilat, jo se fshehin periudha kohe, por edhe
ua vënë sipër iletin e harresës, dhe kështu dilema shumohet si farë hithi apo
hashashi i cili të vë në gjumë!...
Dhe, po pra. Duke zbritur rrugës gjarpërore, në shkëmbinjtë madhështorë, por nganjëherë me gojë të mbyllur për të thënë gjë, sikur radhiten si me vizore të çara gurësh, ku i kanë zënë rrënjët e qëndresës pishat trupshkurtra, e të cilat dot nuk i arrin njeri për t’i prekur apo për t’i dëmtuar ato. Por, janë radhitur edhe shumë shpella që provokojnë mendjen për ta komentuar historinë e tyre, apo, për t’i shtresuar edhe më shumë rrenat nëpër vite e mote!
2.
Ndalemi
për një çast dhe në anën e kundërt të rrugës e shikojmë shpellën, që qëndron
pothuaj se mu në zemër të shkëmbit të sert me lartësi mbi dhjetë kat shtëpie.
Ka pamje edhe madhështore edhe tmerruese! Për të depërtuar deri tek hyrja e
saj, nuk është edhe aq lehtë. Bile, kurrë dhe asnjëherë nuk ka qenë lehtë.
Në hyrje
ka një mur dhe një derë që nuk mund të mbyllet asnjëherë. Sepse, kanë ndërtim
karakteristik ndoshta nga njeriu i kësaj ane, e të brejtur nga koha,... edhe
nga heshtja e historisë. E quajnë, Shpella e Mbretëreshës...! Emër edhe me
simbolikë edhe me metaforë... Po, kush do ta kuptojë kështu?!
-Pse e
quajnë, Shpella e Mbretëreshës? -më pyet bashkudhëtari kureshtar, i cili thua
se priste një përgjigje plotësisht të saktë nga unë!
-Po, për
arsye se këtu ka banuar një mbretëreshë... -i thash në fillim, vetëm eh, sa për
ta hapur llafin, që më vonë ndoshta do të jetë interesant.
-E, si
mund ta shpjegoni këtë...?! -më pyeti. Kurse mua, sërish m’u kujtua etja për
historinë, për dritën, etja për zbardhjen e rrugëtimit të njeriut, dhe ia
fillova bisedës si në shaka.
-Kjo
shpellë ka një histori aq të lashtë, sa që veprat dhe as librat për te, gjer në
biblioteka nuk do të mund t’i bartnin një karvan kuajsh të kësaj ane të cilët
ngjitën bjeshkëve të larta, dhe as ata që zhdjergin bulmetin nga stanishtat e
këtyre bukurive të natyrës...
U ndala
për disa minuta duke menduar, dhe sikur ia futa kot:
-Në këtë shpellë, janë strehuar ushtritë e krajlive dhe të mbretërve, atyre kohërave kur i kanë pushtuar këto anë, sepse, janë frikuar nga flladi dhe drita e kësaj toke. Ushtritë e tyre, këtu kanë pushuar me drithërima në zemër e në trup, sepse, toka e huaj u digjte nën këmbë, dhe këtu pos planeve të shumta, kanë thurë edhe ato për t’i vrarë edhe zogjtë e malit. Prej këtu, sërish ishin nisur të lodhur e këmbëkëputur, duke menduar se do të hasin në vasha të bukura, të cilat do t’ua largonin frikën dhe do t’ua kthenin trimërinë që nuk e kanë pasur ndonjëherë, të cilave vasha do t’u printe zana e këtyre maleve. Për këtë arsye, ata këtë shpellë e kishin quajtur, Shpella e Mbretëreshës...!
3.
Thonë.
Flasin e tregojnë gojëdhëna, se në këtë shpellë, nga rruga e gjatë me kope
delesh, barinjtë, për t’i siguruar bardhoket dhe sykat e tyre, edhe deshtë dhe
ogiçët, i kanë strehuar këtu, në këtë shpellë. Por, rrastë kanë pushuar edhe
vetë me teshë e koteshë, me koritat e qumështit e me tinarë e kusia. Gjatë
pushimit, këtu bashkërisht kishin bërë festë nga gëzimi për sigurinë e tyre por
edhe të deleve nga gjeja e egër...!
Këtu i
kishin mjelë delet, edhe kishin ngrënë përshesh me qumësht. Vetëm një dele
sykë, me “vetulla” të hedhura si drapër, nuk e kishin mjelë, dhe atë e kishin
quajtur, Mbretëreshë e Kopesë. Për këtë arsye, barinjtë këtë shpellë e kanë
konsideruar si, Shpella e Mbretëreshës...!
Nëpër të
gjitha rrëfimet e sakta e të rreme, thonë se për këtë shpellë ka kallëzime të
cilat dot nuk shpjegohen, nuk tregohen, ndërsa, të shkruhet diçka për te, të
kapërhturet çdo gjë e gjithçka. Se, për çfarë është kështu, më së miri është
për ta pyetur vetë shpellën, brendinë, muret dhe derën e saj, që sot e kësaj
dite e kanë pamjen e historisë së fshehur, të rrëfimeve të tkurrura, por si të
tilla, nëse i shikoni më mirë, duken se reflektojnë madhështinë e cila vetëm
ajo e ka dhe e ka ruajtur!
Por,
thuhet se në këtë rrugë janë puqur të gjitha drejtimet dhe rrugët tjera. Andaj,
edhe kurbetqarët mirë e njohin këtë “tunel” historie... Ata, të asaj kohe, që
tash nuk janë për të rrëfyer për të vërtetat, por edhe për shpifjet...! Edhe
për këtë arsye e kanë quajtur, Shpella e Mbretëreshës, e një mbretëreshe, të
cilën kurrë nuk e kishte parë as ditur kush, e që përherë kishin qenë të flaktë
për ta takuar atë dhe për t’ia shijuar bukurinë dhe për t’u kënaqur me
hijeshinë e trupit të saj si shtatselvi. E tillë, e përfolur në mënyra të ndryshme
kishte dhe ka ngelur sot e kësaj dite kjo hyjneshë...!
4.
Nëpër
këto male kanë kaluar djemtë të kësaj toke. Ushtima dhe krismat e armëve të
tyre i tmerronin edhe rrënjët e pishave, edhe barin e peshën e shkëmbinjve.
Interesant, të gjithë këndonin duke kërkuar lirinë! Dhe, pas çdo pastrimi të
plagëve në lumin poshtë rruge, kanë pushuar edhe në këtë shpellë. Aty i zinte
gjumi me shkrumbin e etjen për liri, me ëndrrat e me këngët për tokën e skuqur
dhe kurrë të flladitur. Këtu, thonë, kanë fjetur, por këtu edhe janë ngritur e
përjetësuar kufijtë e atdheut...!
Dhe,
ndoshta duhet besuar, se edhe për atë e kanë quajtur, Shpella e
Mbretëreshës,... sepse, mbretëreshë është toka,... si nëna!
...Ata që
bukën e kanë pasur kyt, shpeshherë kanë kthyer në këtë “birucë”, sepse, nuk
kanë pasur kah t’ia mbajnë. Dhe, janë bërë banorë të shpellës. Nuk kanë qenë
njerëz të egër. Ata, aty e kanë kaluar natën më të rehatshme, dhe kanë të
drejtë pra, ta quajnë, Shpella e Mbretëreshës. Në ag përqafoheshin me te, dhe
pastaj ia mësynin halleve të ditës, kurse ajo, sërish ua premtonte konakun aty,
në flladin e freskinë e saj...
...Dashnorët,
të cilët i kanë fshehur tregimet dhe rrëfimet e tyre, mu si kjo shpellë, që nuk
flet vetë, përherë, kjo ndoshta ka ndodhur dikur, ata kanë kthyer në
Shpellën e Mbretëreshës, dhe deri sa
kanë arritur deri tek dera e saj, desh janë këputur këmbësh. Por, pastaj, aty
janë “akomoduar” për një natë të paharruar, e cila u është dukur hiq më e gjatë
se një minutë, kuptohet duke e ndarë historinë e vogël dhe kënaqësinë e
shkurtër edhe me lakuriqët, të cilët aq shumë e adhurojnë dhe e duan shpellën.
Dhe, hajt e mohoje mendimin se Shpella e Mbretëreshës nuk e ka dhe nuk e meriton këtë epitet...!
5.
Duke i
bashkuar të gjitha këto rrëfime, dikush do të thoshte se ngjarjet dhe rrëfimet
i ngjajnë si gjeometrisë deskriptive, dhe m’u për këtë m’u kujtua se për
luftëra është nevojitur vetëm një “xixë” dhe një interes i vogël. Andaj, këto
rrjedhime nuk ngatërrohen vetë, por vetëm njeriu i ka ngatërruar dhe do t’i
ngatërronte apo edhe do t’i ngatërrojë, kështu që, shpellës do t’i përdhosej
nami. Mu për këtë arsye, si për inat, nuk zvetënohet gojëdhëna, se kjo shpellë
nuk quhet, por është vetë Shpella e Mbretëreshës!
Kështu
edhe është dhe duhet të jetë, sepse, edhe Ju duhet ta dini, luftërat janë
vërtetë “përralla” të cilave kurrë nuk mund t’iu shmangemi, por edhe kurrë nuk
tregohet e vërteta e plotë e tyre. Këtë, as ushtarët, as heronjtë, as varret e
të vrarëve, as humbësit, as fituesit, por as gjeneralët, atëherë asnjëherë nuk
mund të rrëfenin saktësisht për llahtarinë dhe për të vërtetën e marrisë së
tyre!
Edhe
Shpella e Mbretëreshës, është një përrallë, që as nuk mund të tregohet
plotësisht e saktësisht dhe as të kuptohet ndonjëherë deri në fund...!
Shih. Në
fund, si m’u kujtua krejt pa lidhje, Rruga e Kombit, thyerja e autobusëve,
maskat,... vrasjet,... krismat e armëve pa pikë nevoje! Ndërsa, dikush, si pas
shpine, ma rrahë krahun dhe mendjen: Çamëria, ende është plagë që kullon gjak
nga shtati i kombit?!! Po, ç’është kjo?! Sërish të kthehem tek etja për
historinë dhe për dritën e saj... rrugë dhe rrëfim i pafund, që ndoshta nuk
përputhet me Shpellën e Mbretëreshës...!
Dhe, duke
ecur nëpër këtë rrëfim bizar, bashkudhëtarin tim e kishte zënë gjumi buzë
rruge. Nuk e zgjova derisa vetë u zgjua, duke murmuritur:
-Shpella
e Mbretëreshës,... e pastaj...?!
U nisëm
për në qytet, kurse unë matesha për t’ia kthyer përgjigjen kështu:
-Në
shpellë janë të gjithë dokumentet e jetës, të historisë,... edhe të
Mbretëreshës...
E ju,
hyni brenda në shpellë,... shprusheni krenarinë dhe fshehtësinë e saj, do ta
shihni se çfarë do gjeni. Por, mos i ngatërroni gjërat edhe ashtu të
ngatërruara.
Bashkudhëtari
im në fund murmuroi:
-Jemi
mbushur me përralla...!
Athua, çfarë deshi të thotë, me këtë formulë matematike kaq të vogël. Prapë, ndoshta do të vazhdojmë bisedën për përralla të tilla.