Kulturë
Lulzim Logu: Intervistë ekskluzive me këngëtarin e njohur Agim Motina
E marte, 27.08.2013, 09:48 PM
- Intervistë me këngëtarin e njohur AGIM MOTINA –
Ekskluzive nga Lulzim Logu
Sapo
është kthyer në Shqipëri nga Brukseli ku ka shumë vite që jeton së bashku me
familjen e tij, vjen çdo vit në verë, ngjitet në vendlindjen e tij, në Dragobi,
shijon natyrën e mrekullueshme të Alpeve, ç’mallet me prindërit dhe në
nostalgjinë e kujtimeve të shumta, të lumtura, por edhe të dhimbshme, lindin
këngët e tij të reja, që më pas do të jehojnë kudo në festa dhe gëzime të
shqiptarëve në diasporë, por dhe në krejt trevat shqiptare.
Një
djalosh i pashëm, një yll i këngëve folklorike, një interpretues i shkëlqyer i
çiftelisë, sharkisë, por edhe i veglave të tjera popullore, papritur pësoi një
aksident tronditës automobilistik në Luginën e Valbonës dhe mbeti i paralizuar,
pikerisht atëherë kur jeta po i falte krejt lumturinë e endërruar. Një ngjarje
tronditëse për Agimin, për familjen e tij, por edhe për krejt komunitetin e
Tropojës…
Do të
vijonte beteja për jetën, pastaj me realitetin e trishtë të njeriut që shpesh e
klasifikojmë si paraplegjik, të mënjanuar në skenën e jetës, ndoshta të harruar
në fatin e vet. Por Agim Motina nuk mund ti nënshtrohej kaq thjeshtë fatit të
vet, ai besonte se gjithmonë “njeriu zgjedh të humbë, apo të fitojë” dhe ai
padyshim zgjodhi të fitojë mbi fatkeqësinë, të ngrihet mbi dhimbjen monotone të
karriges me rrota dhe të etiketimit të vrazhdë të ndonjërit…
Zoti i
kishte falur zërin e mrekullueshëm, shpirtin artistik dhe dashurinë e
pandalshme për këngën. Pikërisht mbi zërin e tij të patjetërsueshëm, ai
mbështeti sfidën e vet, shpresën e tij të jetës në vazhdim.
Dhe fitoi
motivin e vazhdimit, kënaqësinë e realizimit të projekteve, qënien aktiv dhe
gati të barabartë me njerëzit e tjerë, triumfin e artit , fjalës dhe tingullit
mbi goditjen e rëndë që mori pameritueshëm në kulmin e rinisë dhe të karrierës.
Kisha
kohë që dëshiroja ta intervistoja, të bisedoja me këtë djalosh krenar. Më pret
tek shtëpia e vjehrrit të tij, Haki Zllamit, që e konsideron shok dhe mik, për
të shmangur ngerçin e fillimit të bisedës, fton të shoqen Vjollcën t’ja sjellin
çiftelinë dhe befas në dhomë ja brofin zogjtë e malit, fryn molika e Bjeshkëve
të Namuna dhe ndihet freskia e borës së Motinës.Pastaj fjalët vijnë vetë, si
pëllumba që çukisin në barin e ditës së re…
L. Logu: Çfarë përfaqëson kënga për Agim Motinën, si do ta përshkruanit raportin tuaj me të?
Përgjigje: Kënga për mua është mbijetesa, ajo është shoqëruesi im i pandarë i jetës. Më i shtrenjti për mua natyrisht, do ta krahasoja me njërën gjymtyrë timen, pa të cilën gati do ta kisha të pamundur. Dita ime s’do të kishte asnjë kuptim pa këngën.
L.Logu: Në një moment të trishtë njerëzor menduat se jeta juaj mori teposhtëzën, në fakt, kush ju ndihmoi ti mbijetoni aksidentit dhe pasojave të tij?
Përgjigje:Besimi
i patundur tek Zoti dhe padyshim familja ime, sinqerisht të them, pa familjen
time dhe mbështetjen e saj të pandryshueshme, pa dashurinë e saj fisnike, unë
tashmë do të isha i harruar, ndoshta thjesht një kujtim episodik…
L.Logu: Gati në çdo fjalë ju përmendni familjen tuaj dhe mbretin e Belgjikës, për të cilin vazhdimisht theksoni se do të donit të ngriheni në këmbë, po të mundeshit, në shënjë respekti. Në çfarë kuptimi vjen kjo përmendje e shpeshtë?
Përgjigje:Atje ku jetoj tash 18 vjet, përveç familjes time, jetën time ja dedikoj edhe shtetit belg dhe politikave të ndihmës ndaj personave të kategorisë time, ato më kanë mundësuar siperfaqen e bollshme dhe funsksionale për jetesën dhe lëvizjen time normale, më ka vënë në dispozicion mjete efikase për daljen time jashtë dhe për t’u ndjerë si çdo qytetar tjetër, me të drejta për realizimin e projekteve të mia modeste të mbushjes së çdo dite të jetës time njerëzore.
L.Logu:Dragobia,
kjo perlë e natyrës dhe burim i pashtershëm i talenteve tropojane, simbolizohet
tashmë kudo me emrin e Fatime Sokolit, me kcimin e sokolit, por edhe me zërin
tuaj. Si ndiheni kur ju’a thonë këtë vazhdimisht, sa ju mungon ajo në Bruksel?
Përgjigje:
Gjithmonë jam ndjerë krenar për prejardhjen time, kryesisht për vendlindjen
time Dragobinë, krahas të tjerave, kryesisht për trashëgiminë në drejtim të
këngës, e cila buron natyrshëm si pjesë e pejsazhit të mrekullueshëm natyror
dhe e komunikimit shumëllojesh njerëzor të malësorëve në Alpe, që nga këngët
kreshnike, e-hotë e thirrjes në bjeshkë, imitimet e zogjve, jehonat e ujrave të
kristalta, uturima e ortiqeve në dimër dhe simfonia e veriut në kurorat e larta
të halorëve qindravjeçarë.
Zëri i Fatime
Sokolit ishte me të vertetë simbioza më perfekte e këtyre elementeve, e cila
prodhoi dhe vazhdojë të prodhojë në këto vise zëra dhe muzikë të veçantë të
traditës, por edhe të rrymave moderne.Në krejt familjen time kanë kënduar të
gjithë, më i spikaturi ka qënë gjyshi, pastaj babai…
Vij çdo
verë në Dragobi, në shtëpinë time, tani pjesë e një lagjeje të bukur turistike
me rrugë dhe shtëpi të bukura, dielli më lind mbi krye nga majat e larta të
Bjeshkëve të Namuna,flladi fryn me tisin e borës që shkrin ngadalë dhe të
luleve që çelin vonë, në fundverë,takoj bashkëfshatarët e mi, shkoj dasmave të
stinës, stërvitem në gjirin e natyrës dhe pastaj e mbart me vehte krejt këtë
realitet të Dragobisë në një vend tjetër të jetës, në Bruksel, ku motivet
brofin pafund dhe rilindin këngë dhe melodi të reja për zërin tim.
L.Logu: Cila është dita e zakonshme e Agim Motinës, si shperndahen orët në drejtim të komunikimit njerëzor, këngës dhe miqve?
Përgjigje:Dita
ime, natyrisht përshtatur me gjendjen time shendetësore, është rigorizisht e
planifikuar nga unë dhe bashkëshortia ime. Kryesoria, paradite, mbetet
stërvitja ime fizike, gjimnastika dhe puna me veglat e forcës, rreth dy orë, të
cilat përcaktojnë kondicionin tim të qëndrueshëm fizik.
Pastaj vjen komunikimi im online me shokët, miqtë dhe familjen në Shqipëri, më vonë dal në disa rrugë kryesore dhe periferike të Brukselit. Natyrisht se nuk mund të harroj pjesmarrjen time të vazhdueshme në takimet e ndryshme me bashkëatdhetarët e mi që jetojnë në Belgjikë dhe pjesmarrja në dasma si këngëtar dhe në aktivitete kulturore, artistike dhe të kalendarit historik kombëtar.
L.Logu:
Cilat janë motivet më të preferuara të këngëve tuaja, a mund ta përshkruani
dialogun me publikun që gjithmonë ju ndjek me dashuri dhe adhurim?
Përgjigje:Dëgjoj
dhe këndoj çdo lloj muzike, por ajo popullore dhe tradicionale e trevave të
veriut dhe kosovës, mbeten më të lakmuarat për mua.E kam dashur shumë Qamilin e
Vogël dhe jam frymëzuar shumë nga mënyra sesi ai këndonte dhe komunikonte me
dëgjuesit e vet. Motivi më i preferuar në këngët e mia është dashuria në
kuptimin kompleks të saj, lirikat popullore të vjetra dhe të reja mbushin
repertorin tim, pa harruar motivet patriotike, që për mua, kurrë se humbin
ndjeshmërinë dhe vendin e vet në raport me zhvillimet historike të çdo kohe.
Publiku më ka respektuar zërin dhe dashurinë time ndaj këngës, kësisoj ka mbajtur gjallë motivimin tim kryesor të jetës dhe unë i gjendur përherë në borxh ndaj tij, përpiqem me tërë mundësitë e mia të dialogoj siç duhet dhe të jem pranë tij me tingujt dhe fjalët e çdo kënge.
L.Logu: Dashuria si kryefjala e këngës dhe zërit tuaj ku e ka burimin?
Përgjigje:
Natyrisht se e ka fillesën thellë në fëmininë dhe rininë time, e cila u godit
gati për vdekje kur pësova aksidentin fatal, pastaj në mirënjohjen e
pashlyeshme ndaj njerëzve që e jetuan me mua fatkeqësinë, mu bënë krah dhe i
dhanë kuptim një tjetër dashurie për jetën, më të fortë, më të qëndrueshme, më
sublime ku padyshim optimizmi im kishte tjetër formë, falë përkrahjes njerëzore
të njerëzve pranë dhe larg meje, margaritari i të cilës ishte dhe mbeti
përkushtimi dhe mbështetja gjithmonë dinjitoze e Vjollcës, time shoqe, që kurrë
s’u tjetërsua për asnjë moment.
L.Logu: Në vigjilje të albumit tuaj të parë muzikor, shoh këndellje, optimizëm dhe shpresë, ashtu siç i shoh këto të tria edhe tek këngëtari i njohur Kosovar, adashi juaj Agim Gashi, i cili çdo dhimbje e përballon me forcën e këngës.Ku mbetet aktualisht ëndrra dhe dëshira jote e së ardhmes?
Përgjigje:
Në ditën e parë pas aksidentit, kur dukej se jeta e kishte humbur krejt
kuptimin e vet dhe kur dëshiroja ti bërtisja me të madhe zotit dhe fatit tim të
trishtë, në një moment të dhimbjes së madhe bëra një premtim përpara qënies
time thellësisht të tronditur:
” Agim,
do të shoh vetëm përpara nëse besoj se ja vlen ta jetosh jetën në çdo mënyrë të
mundshme!”
Gjithëçka në fillim mbështetej në një nuancë
minore drite, që zoti u jep krijesave të veta në çdo rrethanë, sado e rëndë,
pastaj në shpresën e trupit dhe mendjes time për ti rezistuar idesë së vdekjes
së parakohshme, e cila sigurisht për një njeri i aksidentuar si unë,pa të dy
këmbët, vjen jo thjesht nga pushimi i zemrës, por nga lëngimi fizik dhe
shpirtëror, nga vajtimi në shtrat, nga pajtimi me fatin e trishtë, nga mungesa
e alternativës për një mundësi tjetër.
Ju
drejtova këngës si alternative, zërit tim! Pas aksidentit, punë ditësh, e kam
thirrë Vjollcën, e kam porositur të më mbyllë dyert e dhomës, të më lërë të
vetëm dhe përmes lotësh, që më rridhnin pakuptuar, kam provuar në e kam humbur
apo jo zërin tim, kam provuar të këndoj një strofë të një kënge. S’di përse më
ishte ngulitur në mëndje, se bashkë me këmbët, në aksident kisha humbur
gjithçka, pra edhe zërin tim…
Kur tisku i zërit im, bashkë me forcën e trishtimit dhe të revoltës time njerëzore, gati ka shpërthyer muret e apartamentit tim, ka brofuar lumturia në qënien time, kisha humbur këmbët, por kisha një gjymtyrë tjetër për t’u mbështetur në jetë…
L. Logu:Me buzëqeshje dhe pasion të pandalshëm vazhdoni jetën tuaj, duke pasur pranë familjen, miqtë dhe këngën. Ti vazhdimisht pohon se miqtë janë dhurata jote më e madhe e jetës!
Përgjigje:Edhe
djalin po nuk e pate shok dhe mik, nuk e ke asgjë, thoshin të vjetrit! Të qënit
mik kurrë nuk e paralelizoj me atë që në një moment të rrugës së vështirë më
shtyn karrocën, me atë që në një çast të dhembjes emocionale pohon :” I shkreti
djalë, çfarë fati!...”me atë që për mëshirë më kujton kohën e rinisë kur vrapoja
me këmbët e mia…
Miku i
mirë di të gjejë tek tjetri pikërisht forcën e pasionit për jetë, e motivon dhe
e mbështet atë të ndizet më fort, të gjendet natyrshëm në dallgën e jetës, duke
lehtësuar sadopak forcën e saj goditëse, duke e ndarë atë me ty në çdo çast.Unë
e kam mik Haki Zllamin,kam për grua vajzën e tij, por mbi të gjitha e kam mik
sepse beson në mua dhe në perpjekjen time për të qënë sit ë gjithë, më ndihmon
kah normaliteti i marëdhënieve njerëzore.
E merr
malli dhe gjendet i barabartë sa mundet në përjetimet tona të
përbashkëta.Kështu ndodh edhe me shokët e mi, kudo që janë nëpër botë, gjendemi
shpesh së bashku, gezojmë dhe kendojmë pa asnjë limit, karroca për mua dhe për
ata gati është një konvencion, shpesh ata edhe unë e harrojmë se e kam dhe
ndonjëherë plandosem diku…
Pastaj
qeshim pa skaj, ndërkohë që unë e ndjej se e kam mundur fatin e trishtë,
fatkeqësinë dhe jam si të tjerët.Edhe kjo intervistë besoj se është shprehje e
ketij koncepti, e këtij komunikimi, për të cilin gjthmonë ka nevojë njeriu,
sido që të jetë ai, i ri, i moshuar, i sëmurë apo i shëndoshë.
Dashuria
mbetet ilaçi universal që mposht çdo dhembje, ndaj kur e ushqejmë dhe nuk e
shuajmë atë, ndihemi si pjesë normale dhe bukur e kësaj bote!
Ju faleminderit!