Kulturë
Ilir Muharremi: Aktrimi teatral edhe në film
E shtune, 31.08.2013, 07:00 PM
Aktrimi teatral edhe në film
Nga Dr. Ilir Muharremi
Shumë
aktorë nuk dinë të bëjnë dallimin e interpretimit teatral me atë filmik,
gjithnjë duke i përgjithësuar mundësit shprehëse të aparatit marrës, lëvrimit
të personazhit, i cili për nga mundësitë psikologjike është i njëjtë. Sforcimet teatrale shumë aktorë tonë i spikasin në film. Aktorët janë në dijeni se
ku dhe për kë luajnë, por nuk kanë aftësi t’i shprehin mimikat e fytyrës me të
cilat transmetohen përshtypjet e thella të brendshme me ndjenja irracionale, gjithnjë
nëse luajnë në film. Gjestet filmike, mimika, nuk shprehin konceptet, por unin
e njeriut i cili trupëzohet, bëhet njëmend i dukshëm, lexueshëm dhe i
pranueshëm nga spektatori. Përse sforcimet, vibrimet teatrale manifestohen edhe
në film? Ku qëndron enigma e defektit? A është ky defekt fizik apo psikik, apo
ndoshta mungesë e informacionit regjisorial mbi të cilin ngarkohet tëra barra
estetike e filmit. Aktorët gjithnjë duhet të jenë në dijeni se shprehja e
ndjenjave nëpërmjet fytyrës është shumë më e shpejt se e bisedës. Këto në si
shikues të pajisur me informata i vërejmë përmes planit të afërm dhe detal.
Aktori i filmit duhet të dijë se ky plan e pozicionon at në një distancë tejet
të afërt me spektatorin dhe çdo lëvizje e zgjatur, patetizuar, përpjekjet për
të sforcuar emocionin, krijuar me vështirësi bindjen, e shpie në një aktrim jo
natyral, jo real, por qesharak që nuk i ngjan as teatrit primitiv, e për fat të
keq në shumë filma kosovar aktorët paradiozohen me vetën e tyre, shndërrohen në
objekte talljeje duke mos u informuar mirë, apo keq informuar nga regjisorët.
Regjisorët duhet të dinë se përmes planit të afërt, filmi ka zbuluar qelizën e
jetës në të cilën bredhin dhe zihen shumë aktorë. Përse aktorët e serialeve dhe
filmave vendor janë në distancë shekullore me ato ndërkombëtare? Përse ata janë
më natyral se ne? Ndoshta janë më të pajisur me informatën e psikologjisë së
personazhit, me furnizimin e momenteve jetësore intime të tij, me frymëmarrjen,
lëvizjen e cila në asnjë mënyrë nuk kapërcen kufijtë e normales. Përse ata dinë
të dallojnë teatrin dhe filmin, përse nuk është e njëjta gjë. Ata janë në
dijeni me planet filmike. Planet e afërta të cilat demaskojnë origjinalitetin e
aktorit jo vetëm që e kanë zgjeruar, por edhe kanë thelluar shikimin tonë mbi
jetën. Vlerat e veçanta sipas Bela Balazs estetë i artit filmik janë: studimi i
mimikës, mikrofizionomisë, mikrodramaturgjisë dhe vizualitetit në përgjithësi,
kjo vërtet prek edhe shkencën e kinemasë. Nga kjo mund të nxjerrim se nëpërmjet
botës së mimikës , gjestit, shpirti trupëzohet drejtpërdrejtë, dhe pa fije hile
depërton në sipërfaqen e planit filmik. Kinemaja botërore nxjerr nga aktorët
mimikën, gjestet, lëvizjet. Ne jemi të vetëdijshëm se filmi nuk është i
barabartë me letërsinë, teatrin, muzikën, pikturën. Filmi zbulon diçka më shumë
se realiteti, një personazh real i cili i nënshtrohet ligjeve normale jetësore
të një kohë moderne. Nëse praktikisht ai është: udhëheqës, endacakë, muzikantë,
poetë, bixhozi..... duhet të transformohet-përjetohet pa ekzagjerim, por të
natyralizohet në një thellësi të paskajshme. Nëse me një dorë ndez cigaren,
kontrollimi i këtij imazhi duhet të jetë i vetëdijshëm, dhe veprimi duhet të
ndodh sikurse mu për këtë moment ndodh si diçka që e përdorë shpesh, pa fije
ekzagjerimi , ngaqë plani i afërm arrijë të regjistrojë çdo lëvizje, qoftë e
lehtë, qoftë e ekzagjeruar, derisa teatri me tredimensionalen nuk ka kapacitet
të përcjell shikim transmetal me lëvizje të njëjtë, andaj, gjestet duhet të
teprohen me qëllim të vijnë natyrshëm. Distanca në kohë dhe hapësirë riprodhon
një shikueshmëri të ndryshme. Në qendër të gjitha arteve është njeriu. Edhe pse
plani i afërt kinematografik mbulon sendet, duke e pasuruar, shoqëruar,
plotësuar shikimin tonë prapë se prapë në qendër është njeriu, dhe për mes
kësaj, ky njeri, ky aktor, apo nëse është protagonistë duhet pasqyroj shpirtin
dhe veprimin. Nëse prekim aktrimin teatral, lirisht mund të pohoj se qëndron më
mirë krahas me aktrimin filmik. Edhe pse shpesh aktorët tonë gjatë
interpretimit në teatër emocionet i s’postojnë vetëm në anën e jashtme duke
harruar apo mos kontrolluar mekanizmat e brendshëm, por sido që të jetë kjo
qëndron në shkallë më të mirë, gjithnjë duke ju falënderuar studimeve në
Fakultet të cilat shpenzojnë kohë dhe shpirt për përvetësimin e interpretimit
skenik. “Kur aktori mësohet me krijimin mekanik të rolit, ai përsërit atë që
bën pa shpenzuar fuqi shpirtërore dhe nervore. Shpenzimi i fuqive nervore dhe
fizike shihet jo vetëm si i panevojshëm, por bile edhe i dëmshëm gjatë krijimit
para publikut, pasi çdo emocion shkakton sundimin e aktorit dhe prish figurën
dhe formën që është përcaktuar një herë e përgjithmonë”. (Stanisllavski,
Sistemi, ”, Prishtinë, 1984, fq: 43).
Kjo shpesh keqkuptohet dhe ne formë mekanike aktorët ndërtojnë rolet.
Mekanizmi pushton vetëm anën e jashtme, sepse fokusimi në përsëritjen e
personazheve e bënë viktimë të artificialitetit. Nëse aktori në teatër
interpreton Jagon e Shekspirit, doemos dinakëria , krimi dhe njeriu i keq duhet
të manifestohen. Por, kopjimi i sjelljeve të jashtme nga një person real
shpërfaqet shumë shpesh. Aktori mendon se
kjo e bënë më të besueshëm rolin . Kjo kalon në imitim. Por, çfarë duhet
bërë që mos të kalon në imitim dhe personazhi vërtet të jetë teatral? Materialin
e ri të cilin e ka gjetur aktori, duhet ta fut përmes vetës së tij, t’i
gjallëron mendimet e përshtatshme që i nënshtrohen imagjinatës. Pasi krijohet
në mendime figura e rolit, atëherë çdo nuancë, çdo vijë nuk duhet ta plasojë në
kanavacë, por në vetvete. E folura e
cila shpreh mendimin, shpirtin, duhet të vij në formë normale të kontrolluar
nga hapësira e cila sundon aktorin e teatrit. Lëvizja duhet të shpreh iluzionin
kontrollues mbi mendjen dhe imagjinatën e aktorit, e cila i nënshtrohet
personazhit. Kjo lëvizje në dukje, vije nga një plan total tredimensional me
një distancë mjaftë të gjatë në mes publikut. Andaj, është e vërtetuar se nga
distanca lëvizjet duken si më të ngadalshme krahas atyre që janë më afër. Këto
lëvizje duhet të rritën, jo të ekzagjwrohen, për të arritur shprehjen normale të anës së jashtme të personazhit.
Sepse, teatri është në një plan total. Aktori i cili luan në film duhet t’i
afrohet thellësisë së personazhit të mbart me vete iluzionin pa ndonjë përzierje mendimesh, t’i kontrolloj
dhe t’i shpërfaq me një qëndrim të thjesht, natyral. Jo të mos bëjë
ndarjen e Teatrit dhe filmit,
masiviteti, temporitmi, ekzagjerimi, te identifikohen në formë të njëjtë .
Teatri është teatër gjithnjë do të mbetet teatër. Kultura filmike për fat të
keq ende mbetet si barrë e rëndë për aktorët tonë.