Kulturë
Halil Haxhosaj: Poezi me zë malli
E merkure, 28.08.2013, 08:13 PM
POEZI ME ZË MALLI E DHIMBJEJE NJERËZORE
Xhenc Bezhi: “Krushku mërgimtar”, poezi, botoi Shtëpia botuese “Blini BK”, Gjakovë, 2013.
Nga Halil Haxhosaj
Krijuesi Xhenc Bezhi u
bë emër i njohur tashmë, sepse ka botuar disa vepra qoftë me poezi, apo edhe në
gjini të tjera letrare.
Përmbledhja poetike me
titull paksa simbolik e metaforik “Krushku mërgimtar”, është një
shtrirje njëlineare që fillon dhe mbaron njëtrajtshëm pa u ndarë në njësi
qerthullore, apo cikle. Në të janë të përfshira më se 63 poezi, të cilat
shtrihen njëra pas tjetrës në bazë të tematikës dhe motiveve që trajtojnë.
Andaj kështu, në këtë mënyrë formësohet edhe struktura dhe përmbajtja e kësaj
vepre, që paraqet një gërshetim dhe bashkëdyzim frymëzimesh, figurash dhe
shprehjesh artistike.
Kryetema e përmbledhjes poetike “Krushku mërgimtar” të Xhenc Bezhit është mërgimi si determinantë kulmuese dhe binarështruese. Duke e shtrirë pendën e tij dhe frymëzimin nëpër këtë udhë, autori krijon verbin poetik, i cili në poezinë “Poemë mërgimi” shkruan:
ia kem kthye kurrizin shtëpisë/ ...
për të vazhduar se ëndrrat janë të tilla, ato nuk njohin kufij, ngase:
Mbrapa shpine i lamë
prindët,
Që n’kujtesë na mbetën
prore
n’minutë t’fundit s’u
qemë pranë,
i lamë pleq e i gjetëm vorre.
Kështu pothuajse në të
gjitha poezitë e kësaj përmbledhje, apo më mirë me thanë në pjesën dominuese të
tyre, përmbushet synimi i autorit i cili është “krushku mërgimtar”, duke
krijuar kështu këtë formë poetike.
Poezia e Xhenc Bezhit
në këtë përmbledhjen vjen si një zë dhe si një dashuri njerëzore për gjithçka
të mirë në këtë jetë. Kjo poezi me të gjitha nuancat e veta në poret e jetës kumbon si
një mall i fuqishëm, si një dëshirë e papërballueshme për të jetuar mirë e me
ndershmëri, andaj autori i saj mëton që atë ta shndërrojë në një pasion për të
kënduar me muzën, ndjenjën dhe mençurinë e saj karakteristike.
Ka shumë dashuri për atdheun dhe vendlindjen në poezinë e poetit Xhenc Bezhi, sepse ai e di mirë se njerëzimi në këtë botë ka lindur, por edhe do të lindë prej dashurisë, e sidomos do të gjallojë më tutje prej dashurisë ndaj atdheut. Andaj ka shumë mall në këtë poezi, sepse autori i saj e ka jetën të ndarë më dysh: midis vendlindjes dhe një tjetër vendi, të. huaj, që në fëmijëri nuk e kishte parë as në ëndërr apo, mbase, vetëm kishte dëgjuar për të ndonjë përrallë a legjendë. Andaj ai thotë më tutje:
Ka pasë thanë nji plak
n’kuvend,
një fjalë t’urtë që
mbahet mend:
“Dheun e huej, bir ta
tregofshin,
po në të kurrë mos të qofshin!”.
Kështu më tutje
vërehet se ka edhe mençuri në këto vargje poetike, sepse autori i saj vjen nga
një ngrehinë jetësore të dhunshme e me trauma, me ikje e bredhje për të gjetur
atë strehimoren që takon me të vetmin qëllim: për të ruajtur shpirtin e vet
gjallë. Prandaj ai e di se kjo botë ecën gjithsesi drejt përsosmërisë së saj,
por ai dhe kombi i tij nuk e di ku janë, besa as ku do të jenë. Fantazia e poetit
shkon larg dhe sheh ato që nuk i shikon syri i zakonshëm, dëgjon atë që ka
veshë për ta dëgjuar, përjeton atë që rrallëkush ka provuar ta përjetojë.
Poezia e këtij autori
është e kapshme për lexuesin dhe pa qëllime të ndonjë modernizmi të ngulfatur
më qëllim të caktuar. Ajo që e bën poezi të lexueshme dhe që i jep modernitet
është maturia e mendimit, gjeturia mjeshtërore e formës dhe strukturimi i
vargu. Gërshetimi i këtyre elementeve në formë dhe përmbajtje e shtrinë kuadrin
poetik edhe në gjuhën poetike dhe në dendësinë e kapshme të figuracionit. Këtë
qëllim e pse jo edhe synim të vetin, autori Xhenc Bezhi e bën mirë me gjuhën
poetike, por në tërësi e laton dhe e kultivon të folmen dialektore gegërishte,
e pse jo edhe në nëndialektet e saj apo në lokalizma, që një njëfarë mënyrë
duket se e tkurrë disi shtrirjen e saj në tërësinë e trojeve tona.
Edhe te ky libër ky autor vjen më i pjekur e më i kujdesshëm. Për këtë arsye, mesazhi artistik, poetik e filozofik tashmë vjen më i latuar, më poetik, më i përjetuar dhe më i ndjeshëm. Duke e ngjyrosur pendën e tij nëpër disa figura të historisë sonë, ai do të këndojë tash më i sigurt dhe më i çliruar nga patetizmi i tepruar. Vargëzimet e tilla nuk janë teprime, madje as qëllime poetike, por janë ëmbëlsi dhe ndjenja të kepërdira nëpër kohë e hapësirë, nëpër paralele e meridianë shqiptarë.
Rreth vendit
dhe Urës së Shejtë
fshihen e sillën
vërdallë
djajtë e Stenës
Turbullojnë rrjedhën
e Drinit të Bardhë
shkruan poeti në poezinë “Ura e Shejtë”. Që
nga kjo kohë e historisë së legjendave tona e deri vonë kombi ynë jetoi i ndarë
dhe i copëtuar me gurin e ndarjes në mes, i cili ishte bërë mollë e ndalueme
për nënën, motrën, bijën, birin, babain e të tjerët. Ky gur i trishtuar tashmë
i rrëzuar kurrë mos u ringjalltë, sepse tash Gjakovë e Malësi jetofshin të
bashkuar sikur Kosovë e Shqipëri në rrugën e integrimit.
Karakteristikë e
poetikës së kësaj vepre të Xhenc Bezhit është mbështetja në poezinë e traditës,
gjegjësisht në poezinë popullore shqiptare. Këtë, ky autor e bën mirë dhe me
sukses, sepse është njohës i mirë i saj, madje di ta shndërrojë atë edhe në
aforizma dhe urti poetike, si: “Ban Kryeplaku, e lanë katundi”, “Ka pasë thanë
një plak i vjetër”, “Dy hapa para, tre mbrapa”, “Për tokë e qiell”, “Zoti ynë
që je në qiell”, “As anmiku mos e pastë fatin tonë”, “Për një dërrasë mangut”,
“Ban hesapin pa hanxhinj”, e tjerë. Të
gjitha këto thënie popullore aforistike krijojnë edhe figuracion adekuat e
domethënës në vargje, që shtrihen nëpër poezi veç e veç, por edhe në tërësinë
poetike të kësaj përmbledhje. Duhet potencuar se kjo formë e aforistikës
popullore gërshetohet për bukuri edhe me metaforat, simbolet, krahasimet,
epitetin, ironinë, sarkazëm e figura të tjera.
Edhe diçka që dallohet
në këtë vepër të Xhenc Bezhit është një avancim që shtrihet në pjesën më të
madhe të poezive të saj e ajo është se ky autor nën to shënon datën, vitin dhe
vendin e shkrimit të tyre. Kjo formë e shton vlerën dhe rëndësinë e tematikës
dhe motiveve të poezive sepse përkon me ngjarjet e historisë personale të
autorit, gjegjësisht të “krushkut mërgimtar” në njërën anë, por edhe të
historisë sonë kombëtare, e cila e ka të theksuar këtë hallkë të saj që nga
lashtësia e deri në bashkëkohësi.
Vepra “Krushku mërgimtar” e Xhenc Bezhit është një pasuri e formës dhe mënyrës së vet jo vetëm për lexuesin, por edhe për bibliotekat tona kombëtare në të gjitha trojet shqiptare.