E marte, 18.02.2025, 08:33 AM (GMT)

Kulturë

Bedri Tahiri: Origjinaliteti i një poeti modern

E hene, 02.09.2013, 06:34 PM


Origjinaliteti i një poeti modern

Recension

Nga Bedri TAHIRI

Se muza Kaliopë  duhet të këtë qenë më e shkathëta dhe më e lirshmja, dëshmon edhe poezia e modernistit tonë, poetit që për më shumë së gjysmëshekulli nuk e lë t’i topitet maja e mprehtë e penës së tij, i palodhuri Adem Zaplluzha. Poezia e tij është specifike dhe shquhet për një origjinalitet të veçantë, që i shkon për shtati këtij individualiteti krijues me një botë emotive shpërthyese, përplot spontanitet e zjarr përvëlues vullkanik. Vargu i tij është i lire, i natyrshëm, i liruar nga të gjitha klishetë ngufatëse e ngurtësitë metrike. Mirëpo, në fakt, ai është i brumosur me ndjenjën e fuqishme të dashurisë për jetën, për njeriun, për atdheun.

Edhe njohja fizike (poezinë e tij e kisha lexuar dhe pëlqyer prej motësh) me poetin Adem Zaplluzha është disi e veçantë. U takuam në Durrës. Jo në plazh, duke u rrezitur, por në takim letrar, në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” të Dyrrahut plak. Ishte 18 maji 2013, në Festivalin “Pranvera poetike durrsake”. Unë referova për librin “Triumfi i kombit” të Skënder Kapitit, ndërkaq ai lexoi poezinë “Thyerja e hijeve” dhe fitoi një çmim të merituar.

Adem Zaplluzha është poet që ka zënë të botojë qysh në vitin 1957. Dhe, që atëherë më nuk ka pushuar për asnjë çast. Interesant, as diskursin e vet krijues nuk e ka ndërruar, i qëndroi besnik vokacionit poetik. Sot është në rrumbullakësimin e njëqind titujve të publikuar.

Një ditë kishte ndarë mendje që dorëshkrimin “Diku në fund të një fillimi” të ma besoj mua për redaktim e lekturim. E pranova me gjithë qejf dhe u ndjeva i nderuar.

Libri “Diku në fund të një fillimi” është shkruar me një frymë, madje vetëm brenda një jave (23 mars- 29 mars 2013). Ashtu e ka frymëzimi. I bekuari, të vjen kur ia do zemra e jo kur ti e thërret. Nisur nga kjo rilindasit tanë dhe në përgjithësi krijuesit madhorë, frymëzimin e konsideronin si akt hyjnor, si komunikim të drejtpërdrejt me Perëndinë.

Libri më i ri i këtij poeti është ndarë në tre cikle të titulluar:

I.         Jepu një shans duarve tuaja,

II.        E pamë një hartë të grisur dhe

III.      Diku në fund të fillimit

Duhet cekur se poezitë e kësaj përmbledhjeje, edhe pse në të parë duket të thjeshta, të lehta, me një rime të brendshme, në vete ngërthejnë porosi të qarta. Ato janë meditative e shumë të thella, me refleksione shumëdimensionale, me ngjyrime e kolorit autokton shqiptar. Heroi lirik është njeriu ynë, I djeshmi dhe i sotmi, që me stoicizmin e vet sfidoi padrejtësitë   e historisë njerkë.

Kështu, duke e skalitur portretin e babait tek poezia me titullin Babai im, pos tjerash ai shkruan:

Babai im

Si dasmat

I adhuronte luftërat

 

Ai burrë sy gështenjë dinte

Si askush tjetër ta përbuzte frikën

Dhe të tallej me vdekjen

deri në pafundësi

 

babai im

Ndjesë pastë

sa shumë e donte lirinë

 

Një tablo e bukur realiste, ku malësori, i lidhur si ashti me kockën për truallin e vet, i donte njësoj si dasmat si luftërat. Ai e përbuzte  frikën dhe tallej me vdekjen, ngase shumë e donte lirinë.

Poeti, pas njëqind vjetësh (sigurisht e mendon 100- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë) sheh një dritë, dhe, ashtu si Migjeni që dikur kërkonte një Mbinjeri, sikur parapëlqen një ndryshim, një risi, një metamorfozë, sepse në poezinë “Preke lotin deri në fund” thotë:

Po deshe

Preke shpirtin tënd deri në lot

Nga loti do mbijë molla

Kurse nga molla

Një njeri

Krejtësisht i ri

 

Siç e thashë edhe në fillim, vargjet e kësaj përmbledhjeje, si kur flasin për fëmijërinë e pa fëmijëri të poetit, si kur flasin për dashurinë, që rrënjët i ka më thellë se sa rrënjët e urrejtjes, madje edhe kur i kthehet ledhnajave të historisë e tregon për kalanë e vendlindjes që ishte edhe para Rozafës, janë stolisur me fjalë të zgjedhura poetike e përplot simbolikë e figurshmëri, duke ia siguruar vetes vendin në faqet e antologjive më të përzgjedhura.

Vargu i lirë i Adem Zaplluzhës nuk është vetëm formal e struktural. Jo, ai është edhe funksional dhe nënkupton edhe liri mendimi e liri veprimi. E kjo, sipas poetit, arrihet vetëm atëherë kur njeriu lirohet nga vetvetja:

 

Nëse nuk çlirohesh nga vetvetja
Ti kurrë nuk do të jesh i lirë
Miku im...

 

Këtë e thotë edhe në fillim, në poezinë “Jepu një shans durve tua”, duke porositur:

Të thash

Jepu një shans duarve tua

Të brishta

Dhe fluturo ku të duash

Nëpër botën e miniaturave...

 

Pa dashur të lëshohemi më thellë në hullinë e këtyre qilizmave të punuara me përkushtim, ku secila strofë e secila varg  përshkohen nga një polisemi nëntekstuale dhe japin porosi, marrë guximin të them se përmbledhja më e re e poetit Adem Zaplluzha “Diku në fund të një fillimi” parqet një nga perlat e poezisë së sotme shqiptare,  andaj edhe shpresoj shumë se do të pritet mirë nga lexuesit dhe do të këtë jetëgjatësi në bibliotekat tona.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora