Kulturë
Vladimir Muça: Lirizmi shumëdimensional
E merkure, 04.09.2013, 06:51 PM
Lirizmi shumëdimensional në rrugëtimin poetik të Kalosh Çelikut
( Refleksione mbi mbledhëtarin antologjik “Grua vere “, botim i SH. B ” Asdreni “ , Shkup )
Nga Vladimir Muça
1.Perceptime në kuvend me lexuesin.
Jo për
koiçidencë, por për bashkëjetësi, mbas leximit të librit të Bedri Tahirit “
Flakadanët e lirisë” , fillova të lexoj me dëshirë librin poetik “ Grua vere”
me nëntitull metaforik: ( Libër me dhjetë plagë) të Kalosh Çelikut.
Shpata,
pushka dhe pena kanë qenë ndër shekuj pjesë e qenësishme e lirisë shoqërore e
kombit shqiptar. Ato i kanë shërbyer njera tjetrës në mbajtjen zgjuar të ndërgjegjës kombëtare.
Vrulli I
heroizmit, ndjenja e lirisë, vetmohimi; që përshkojnë paragrafët e monografisë
të Bedri Tahirit po me atë force, po me atë jetësi , këmbëngulje, vetmohim,
ndjehet dhe në ‘kullat ‘ poetike të vargjeve , strofave të librit poetik të
Kalosh Çelikut .Në to pena ushton me gjëmërimën e topave dhe thumbon me bodecin
e xha Dërrallës , për lirinë e të mirën
e kombit; për një jetë e harmoni sociale
aq shumë të dëshirueshme.
Azem
Shkreli në formë vjershërimi na ka lënë një postulat: “ Mësojeni kohën të mos
hajë të vetët /Ç’u shemb shëmtie, do ta ngrenë poetët.”
Në këtë
kontekst , letrarizuar aq bukur në faqet e librit “ Grua vere” : ndjejmë të na
shungullojnë perifrazimet e Ervin Hatibit : “ Se urdhërorja e fjalës Lexo! duke
qenë një urdhër i kahershëm hyjnor për
të lexuar, ka ardhë dhe si shkëndija e parë katalizatore, për të vënë në
lëvizje një popull, një qytetërim të tërë.”
Perceptime
të tilla, përfton çdo lexues, kur lexon poezitë barot, të mprehta si shpata e
Millosh Kopiliqit të Drenicës heroike, apo gjëmërimën e topave prej druri qershie të Karadakut,
stisur me aq mund e djersë, si amanete nga Kalosh Çeliku.
Metafora
nëntitullore e trifjalëshit : “ Libër me
dhjetë plagë”, është kuptimorja e gjithçkaje që rrjedh nga shpirti i poetit në
luftë pa kompromis si me vetveten e një personaliteti të dyfishtë, të fshehur
në qënien e tij , por edhe më gjindjen që e rrethon.
Partiturat
poetike , në formatura bedenash , vijnë si një burim bjeshkor, si bedena
kullash, si kreshta e maleve kapuçbardhë. Vijnë mbarsur me një sinqeritet aq të
pastërt , sa që detajet jetësore, ndodhitë, vijnë aq të trioruara në shoshën e
jetës, sa që shkëlqejnë me atë virgjërinë e zanafillës, të mbështjellë me
purpuranten e një dashurie, të një tejdukshmërie për cilindo lexues.
Tragjikja
e kohës dhe fluiditeti i të përjetuarit janë bashkëudhëtare në këtë vjeshërim
plot revolta e sarkazma therëse.
Nxjerrja
në pah e nënkuptimeve që vijnë të strukur mes vargjeve ,është dhe karizma e
fiksionit poetik, e cila me fuqinë e një metafore apo simboli, shpalos shpirtin
e poetit si në ekran kinematik. Poetizimi i thellë, me qëllim dhe ide,
Jeta
jashtë trungut amë të kombëtarisë , e dramat, absurdi që e ndoqi këmba këmbës ,
e bëri Kalosh Çelikun , që nga subkoshienca , në mënyrë të vetdijëshme ( por
edhe të pavetdijëshme ) , mes shtambave me verë, t’i rridhte një lum poetik ,
ku raportet turbullirë – kthjelltësi , të kish hera herës një gjysëm turbullire
, ku hija e kalvarit t’a ndiqte si ato
tufat e sorrave por pa mundur t’i
helmonin,besimin e rrënjosur tek njerëzorja , tek e mira, tek dashuria për
kombësinë e vet.
Ndaj në
këtë kaleidoskop , poezitë vinë si në jerm, vinë dhe si mikrodrama që hera
herës shpërthejnë në këtë lirizëm, të kokolepsur me një impresionizëm sa i
racional aq dhe racional.
Ndaj autori sikur kuvendon me lexuesin , rrëfen duke poetizuar, ku me duf e ku me dhëmbje brisk, duke proklamuar me bindje prej Platoni se dhëmbjet , vuajtjet, shqetësimet, janë rrugëtare të jetës, janë të pandarë nga liria dhe dashuria universale.
2. Origjinaliteti në strukturën poetike
Në
konceptin stilistiko – estetik, Kalosh Çeliku, në këtë mbledhëtar, na paraqitet
disi i veçantë, ç’ka shkruhet në Kosovë, Mal të Zi, por dhe në trojet shqiptare
të Fyrom –it. Ai vjen më origjinal në strukturimin poetik ; forca e shprehisë
poetike nuk bazohet në manierat kozmofonike por tek thjeshtësia e ndodhive dhe
detajeve. Figuracioni, metafora, simboli, similituda, fillojnë nga zanafillat e
mikrokozmosit artistik, duke krijuar një klimë të përshtatshme për një modernitet të natyralizuar , duke
marrë shkëlqim nëpër kapriatat vargëzuese poetike, në formate të veçanta me atë
madhështinë e piramidave acteke.
Në
mënyrën se si e zgjedh dhe e vendos
fjalën , si e artikulon, si e përzgjedh figurën, si proçedon me gjuhën dhe me
fonemat e traditës, tregon për një korsi dalluese në autostardën poetike. Një
korsi emergjence , do të thoja në zhvillimet e reja poetike në tërë trojet
kombëtare.
Siç duket
, Kalosh Çeliku arrin në limitet e ekstarkteve, punon shumë me fjalën, e limon
atë, i jep potencë figurës , gjer në format e dëshiruara.
Poeti
arrin në ato nivele , ku siç thotë Janis Ricos : “ Të mbarte një fuqi të
jashtëzakonshme, të krijojë e të maturojë njeriun, të krijojë heroin, e të
nxisë evokime të fuqishme.”
Nga
mënyra se si autori e sjell modernitetin europian në poezitë etij , tregon për teknika të reja shprehëse. Siç duke ai ka
marrë shumë nga stilistika e Sharl Bodlerit, Borgesit, Zhak Preverit dhe
Xhuzepe Ungaretit, në përqasjet sociale dhe të natyralitetit poetik.
Parimet
simboliste dhe impresioniste janë moto në krijimet poetike Çelikiane. Duke e
bërë pronë në bahçen e tij krijuese parimin : Nxjerrjen e deduksioneve të
filozofisë së jetës, efektet që lindin prej objektit, i cili merret si
katalizator ndjenjësor.
Kjo i jep
poezisë zërin e fuqishëm të misionit që ajo ka në lëmin shoqëror , vargut i jep
dlirësinë, por dhe fuqinë meditive dhe filozofike.
Në dukje
, poezia vjen e thjeshtë , por në brendësi alternohet me asonanca dhe
aliteracione. Një poezi e tillë, ku toponimiteti dhe onomastika janë cilësi
mbisunduese , vjen si burimore e vetë popullit , ndaj ajo do të asimilohet nga shtresa të gjëra
sociale; se ajo vjen thjeshtë si e vërteta ku: “ Por qenë të varfër / për një
natë pa gjumë nën urë/ për një serenadë , për një aventurë” ; se :” Dashurinë e mbajmë gjallë në varr/
mes plumbash e prangash në vite.”
Nga kjo
burimore popullore vjen dhe veçoria
komplementare e poezisë të Kalosh Çelikut ; ndjekja e temave përditore ,
situatave, aktualititeve.
Në
poezinë e sotme , si në trojet jashtë kufijve shtetërorë, por dhe në tokën amë
( Shqipëri ), vihen re prirje për t’ju shmangur përditshmërisë e tendencave
sociale. Rendet në më të shumti, poezi për poezi pa qëllim , ide dhe mision.
Kaloshi i
mbarështron lirizmat si në një shtrat të përbashkët , duke i dhënë sensin
intrigues, me një thellësi mendimi, qëllimi e katarsisi shoqëror shumëplanësh.
Kësisoj ai ironizon vetëlavdinë, egon, inflacionin në vlerësimin e figurave e
të personaliteteve në suazat e një bajraktarizmi primitiv.
Në këtë
luftë poezia , por dhe autori edhe plagosen
për këtë prosperitet shoqëror. Lorka thoshte se : “ Poezia është një dre i
plagosur.”
Duke e
pasur sentenceë në plazmën krijuese,
Kaloshi , poezitë i vesh me një përfytërim lirik aliazh ndaj dhe kjo “ kafshë
magjike “ e quajtur poezi, na paraqitet e çiltër herë- herë dhe dehëse, por
gjithnjë e ëmbël e plot ndjenjë ,siç mund të parafytërohet një dre dhe
drenushë.
Ndonëse i
veshur me një vrazhdësi nga ambjenti që e lindi , lirizmi të mallëngjen me
njomështinë dhe erosin vetanak, apo shpalljet gjer në sublimitet, si një
dashuri ankuese , në një infinit pangopësie, por që herë herë , kur futen temat
social –politike bëhen vibrante , duke shungulluar si zulmet e Abaz Aliut në
Baba Tomorr.
Ky
lirizëm atdhetar në sinoptikën e Çelikut vjen si një lidhje organike e cila burimin e ka në Bit- Pazar , në
kryeqendrën e parë të çliruar të truallit amtar.
Ndërthurja
e lirizmave brenda një poezie evidenton ngjeshjen e trilleve poetike rreth një
strumbullari ideor dhe qëllimor. Një amalgamë e tillë lirike realizohet vetëm
në saj të një bohemizmi.
Bohemizmi
lirik dhe personaliteti vinë si dy siamezë në kërkim të përbashkësive të reja,
në konsolidimin e një antologjie gjithëpërfshirëse sepse për poetin Çeliku “ Disku i Xhimi
Handrix” është i ngushtë me u “ shtri”.
Ekspansioni kulturor është zero – hiç nga ato azgane gra në Gërmi ( ajo kulturë
popullore, ndjenjësi.V.M. ) që të ipnin natë e ditë gji me pi.
Në
zamallahinë e përndjekjeve morale- shpirtërore , tek lexon poezitë e këtij
mbledhëtari shoh një përbashkësi
shpirtërore me poetin erotiko – bohem, të ndjerin Pano Taçi, me drerin poezi të
plagosur, njëlloj i përndjekur nga Hadumet e Doktor Zijtë, njëlloj si në
atdheun amë , Pano , në të gjitha rendet shoqërore. Stilistika dhe sarkazma , thumbimi i këtyre
kavieve sociale , natyrisht është edhe e ndryshme , por qëllimi dhe idea që
përcjellin , thirrmat shpirtërore janë gati të njëllojta. Ndaj dhe erotiku
arapçi Pano Taçi ish aq shumë i mirëpritur në Hijen e Rrapit , mes kotruveve me
verë , të cilat ia vinte si jastëk poeti ekzistencial, po aq arapçi Kalosh
Çeliku, bash binjaku lirik i tij.
Në
kaleidoskopin lirik , ky binjak, ka
një prizëm më të avancuar në nxjerrjen
në ylberiadën poetike, lirizmin patriotik e atdhetar. Ai lufton në një vend ku
trojet janë nën thundrën sllavo- maqedonase. Nga kjo lindi dhe poezia , si shërbesë e luftës për liri e drejtësi
shoqërore siç shprehet autori në “ Krisëm. Kushtrim në poezi për liri, sepse
poeti shprehet qartazi : “Vetë jam zjarr ! Heu ! si do ta ndez flakën natën”.
Në at’ natë robërie nën thundrën sllave.
3. Jo!!! “ Shushuritje e vetmisë”
Në post –
scriptumin e shkruar nga Hilda Halimi
evidentohet si frymë e dytë poetike “Shushuritje e vetmisë” . Në këtë rast
për të argumentuar , merren si shembuj ciklet “ Prapa kësaj ikjeje” dhe
“ Përcolla Natën” .
Unë kam
një mendim krejt të kundërt nga Hilda Halimi. Në asnjë trill poetik, në asnjë
detaj, rrëfimtari, poeti Kalosh Çeliku
nuk jeton në “Shushuritje vetmie” por ai është i ngërthyer herë me gruan, herë
me Miken, herë me Ebu Xhehlin , Cucën Boheme, Ulkonjën, trusakatët, me Destan
Balliun që i preu goricën e Dashur, më Shën Mërinë e me të Eshkundurën.
Kjo
metamorfozë lirike kalon nga poezia në poezi nën tingujt e fonema të ndryshme,
ashtu siç i vinë nga thellësia e
shpirtit. Gjithçka që e rrethon , qoftë edhe në atë dhomë të akullt, me të
është Mikja që e kolovit në ndjesira , apo në butet e verës.
Edhe
atëhere : “ … Të nesërmen pasi përcolla
natën / E takova tjetrën nën Rrap.”
Kërkund ,
në asnjë poezi nuk e kam hasur të vetmuar, por me një sfurk poseidonik , si
gjuajtës të mistikes dashuri. Qoftë edhe në një strofë katër – pesë vargëshe ,
me mjeshtri , ai fut mbi dy lloje lirikash.
Nganjëherë
me finesë importon në lirikë një lloj nocioni balaidik natyral, të përjetuar
sikundër tek poezitë : “ Ditën e tretë Luaneshën e hëngri Ujku” , “Qiri i Shën
Mërisë ‘ , “Lotin tend nën rrap e pi”, “Ditën e pestë me djetë plagë u ngrita
nga varri”,” E nesërmja vazhdon luftën”, “ Letër nënës në varr”, ku nocinet
balaidike janë suportet artistike në krijimin e një aliazhi lirik.
Në
krijimin poetik autori na servir veshulët e një vreshtarie lirike me shumë varietete. Me lloje rrushi lirik për raki
ball kazani , për verë por dhe për uthull që t’u thartojë turirin gjithë atyre
që akoma pas “Doktor Ziut “ këndojnë këngën e “babaqemos”.
Në asnjë
kohë poeti tek Rrapi nuk është vetak; ai gjen Miken të kryqëzuar nen rrezet e
yllit të mëngjezit; kur kori i sorrave njofton për shi, e retë e zeza grisen në
copa të ngrëna nga mola e kohës pansllaviste. Nga kjo grisje vjen një vezullim
i çuditshëm Diellor. Atëhere nën këtë vezullim autori shigjeton me sy “ Pazarin
e Grave” , largon një degë Rrapi dhe
sheh Tavernën, sheh Miken me dy shtama verë.
Eshtë një
botë e tërë që të gicëlon çdo qelizë , shqisë dhe atë më të veçantën , shqisën
e shpirtit. Që aty zen fill mishërimi i dashurisë , mbështetja , zgjidhja e
halleve, respekti, domosdoshmëria e tjetërsimit , një katarsis të moralit
shoqëror. Ndaj autori , me miq e shokë , nga ky vend sublim , i quajtur “ Nën
hijen e Rrapit” bëhet “kaçak “ e në vend
të pushkës merr penën e në vend të gjerdanit me fishekë, ngjesh në brez vargjet
me poezi.
Në
sinoptikën e sotme në Shqipëri nga Koçi Petriti , Nikolla Spathari , Bardhyl
Agasi , Agim Mato, Bardhyl Maliqi aplikohet një vështrim lirik i cili jep e
merr edhe me heroin lirik, mishëron portrete e kapjen fortas pas atdhetares.
Siç
evidentohet dhe nga shembujt e mësipërm edhe Kalosh Çeliku , në trojet amtare
në Fyrom, e ka bërë të vetën këtë estetikë në stilet e të bërit poezi. Nocionet
balaidike e buronjat epike hera – herës vine si letër – lakmues që tregojnë se
kemi të bëjmë me një lirizëm të veçantë , aliazhonant, i cili me aq shumë
përkushtim, po kultivohet në letërsinë shqiptare
të përtej kufijve shtëtërorë.
4. Njeriu – zot dhe metafizika shoqërore e kohës.
Duke
futur në poezi botën e gjërë shoqërore, me të gjithë handikapet e saj;
digresionet që e ndjekin njeriun, kontradiktat e thella morale dhe politike.
Vendosjen e njeriut – zot në strumbullarin e këtij cirkuiti në metafizikën
shoqërore të kohës , Kalosh Çeliku i bën epikrizën kësaj shoqërie , duke
rekomanduar dhe psiko- terapinë e saj.
Si
udhëzues estetiko – stilistik në këtë rrugëtim poetik ai ka gjithmonë nocionet
e Uendi Veb – it i cili proklamon; “ Bota e poezisë nuk është festë…, e shtruar
dhe e thjeshtë , është një botë e karakterizuar nga prezenca e strukturave të
forta dhe të larta. Nuk është një botë e shkërmoqur dhe e zvogëluar , që ka
zhgënjime dhe konflikte. Eshtë një botë plot kontraste , kënaqësi dhe rreziqe ,
dashuri dhe urrejtje, fitore dhe humbje të mpleksura me njëra tjetrën.”
Kjo e bën
poezinë tepër të çuditshme. Kjo çuditshmëri e bën dhe jetën e poetit po aq të
çuditshme sa që thirrjojnë nga brendësia e kësaj bote atë çfarë ne quajmë
poezi. Në statusin e një lexuesi të kualifikuar, tek lexoj këto poezi , më godet në mëndje si trakullore
mendimi popullor “ zoti njeri” ose “ njeriu zot”.
Në
konceptin metafizik ngre krye parimi niçenian njeriu është mbi gjithçka, është
zoti vetë. Që këtu zë fill koncepti i “mbinjeriut “ nëpër bedenat poetikë të
këtij mbledhëtari.
Bindem
dhe nga konceptet e Kalosh Çelikut në vendosmërinë për të nxjerrë dritën nga
errësira që ai përjeton, si edhe këmbëngulja për të fundosur errësirën në një
koshiencë poetike. Në to unë gjej reminishenca filozofike , gjej një gjuhë nga
shkrimet e Niçes në këto poezi.
Mbinjeriu
i përshkrimit nga Niçja tek tregu i mbushur me qënie njerëzore , ku papritur
një “mbinjeri”, lakuriq, vrapon duke bërtitur : “ Zoti ka vdekur, Zoti ka
vdekur”.
Në këtë
katrahurë zoti s’ka më fuqi po poeti po; “ Nuk e kthej kokën. Eci për në Baba
Tomorr/ Turma për mua le të lehi sa të dojë. Shaj. /Unë jam profet. Librave
vjell zjarr / Edjeg armikun . Diell kam në ballë.”
Për
Kaloshin sikundër për Niçen , poezia është një vullkan në errupsion , i cili
shkon përtej vargut , strukturës e brishtësisë së saj. Ajo nuk duhet që të
shfajësojë qënien njeri në intelekt, në rrebelim.
Autori
gati në çdo poezi , e nxjerr njeriun të lakuriqtë në handikapin shoqëror; I ve
në ballë shumë pikëpyetje , duke u nisur nga një racionalitet i përjetuar ,
drejt një iracionaliteti të ëndërruar.
Gjithçka
vjen , hera herës si lëndë e lojës imagjinative ,e herë deri në disa ndarje të copëzave të ndjenjave
, emocioneve. Në konceptin dialektik, të ligjit të mohimit – mohimit, duke vënë
në pikëpyetje rregullin ( çrregullin) ai nxjerr lakuriq regjimin autokratik të
shoqërisë , ku qëniet njerëzore mbeten
pambarimisht të mashtruara.
Populli
im ! Kujdes!... Vigjëloni! – thirrmon
autori.
Kur
kokrra e grurit mohon bimën ( kallzën ) që e ka lindur , kujdes me këto Du Dumë
e trutharë, - bën thirrje nëpër bedenat
e strofave poeti. Me pasthirrmën që i
Kjo është
aftësia poetike e Kalosh Çelikut , që nëpërmjet trilleve poetike ( provokuese )
të një mendimi e gjykimi kryengritës , të kalojë marzhet e konflikteve reth të
mirës e së keqes, të na japë nëpërmjet poezive, nënkuptimoret e perspektivave
të jetës.
Dyrrah
gusht – shtator 2013.
Vladimir
Muça
Shkrimtar
, studiues
Nën kryetar i KSHA Durrës