Kulturë
Sejdo Haska: Magjia që i bën kafshët të flasin
E diele, 08.09.2013, 12:30 PM
MAGJIA,
QË I BËN KAFSHËT TË “FLASIN” ME GJUHËN E NJERËZVE
(Shënime për librin e ri, “Dëgjoni se ç’ thotë ky papagall !”, i shkrimtarit Viron Kona)
Nga: Sejdo HARKA
Animizimi është magjia, nëpërmjet së cilës
letërsia dhe arti, qënjet pa shpirt i bën me shpirt, ndërsa qënjet me shpirt i bën me ndërgjegje, pra sillen e
mendojnë, flasin e gjykojnë, ashtu
si dhe njerëzit. Kjo magji, qëndron në
themel të trillit krijues të të gjitha gjinive dhe llojeve të krijimtarisë
letrare, por veçanërisht në ato me brendi e naracion fabulik. Është e vërtet që
animizimi ka lindur nga naiviteti dhe padija e njeriut të lashtë, por në trillin krijues të shkrimtarit merr vlerat
e një magjie, që shpalos thelbin e së
vërtetës, për ta bërë atë pjesë të
shpirtit dhe mendjes së lexuesit.
Kur “maskat “ flasin me gjuhën fabulike të Ezopit, shfaqin lakuriqësinë e tyre
të vërtetë. Kjo lakuriqësi, në mendjen dhe shpirtin e lexuesit, bëhet frymë
për sfidën e së mirës ndaj së keqes dhe
të bukurës ndaj të shëmtuarës. Këtë gjuhë ka zgjedhur të përdorë, në librin e
tij të fundit, me titull ”Dëgjoni se ç’
thotë ky papagall!” edhe shkrimtari i mirënjohur Viron Kona. Në këtë botim, me narracion fabulik, kafshët dhe
shpendët “flasin” me gjuhën e njerëzve për t’u çjerrë atyre maskën; ndërsa
njerëzit flasin me gjuhën e “banorëve të pyllit”, për ta bërë më transparente
lakuriqësinë e tyre.
Edhe pse
libri është shkruar posaçërisht për fëmijë, lexohet me kënaqësi edhe nga të rriturit, si mësues e prindër etj..
Arsyeja është se, në themel të brendisë së tij ideo-artitike, qëndron një problematikë me vlera gjithëkohore e për çdo moshë.
Raporti ndërmjet të mirës dhe së keqes, midis të bukurës dhe të shëmtuarës, të
vërtetës dhe gënjeshtrës, lirisë dhe skllavërisë, barazisë dhe pabarazisë,
besës dhe pabesisë, i japin narracionit
fabulik të librit dinamikën e konflikteve dhe ngjarjeve të vrullshme. Ato
zgjojë te lexuesit kureshtjen dhe vigjilencën, si dhe ndjesinë e guximin
për ta vënë të keqen në “prangat” e së
mirës.
Autori,
në mënyrë që mesazhet t’i përçojë sa më
të ngrohta te lexuesit e vegjël, ngrehinën e narracionit të këtij libri e
ndërton në “ kullën e mbretërisë së
banorëve të pyllit”. Viron Kona, si njohës i mirë i botës, interesave dhe psikologjisë së fëmijëve, tashmë autor i
shumë librave të tillë, nëpërmjet trillit krijues fabulik, hyn e
Një nga
personazhet më interesantë të kësaj novele fabulike është papagalli Çate, një
figurë e zgjedjur dhe e dashur për këtë autor. Pas tij fshihen verbëria dhe
naiviteti i njerëzve, që duke u besuar
hileqarëve dhe mashtruesve, bëhen pre
ose vegla qorre të “ustallarëve”
të tyre. ”Çate-papagajtë” e sotshëm janë të shumtë. Ata shpesh bëhen ”urë e
vig”, mbi të cilët kalojnë i mirë e i
lig. Me verbërinë, përulësinë dhe naivitetin e tyre, ata përjetësojnë pushtetin
e “çakejve”, që me egërsi dhe pangopësi mbysin shpresën e lirinë dhe pjellin
shtypjen e varfërinë. Fatkeqësisht, “Çate-papagajtë” e sotshëm, duke u bërë
megafonë e vegla qorre të “ujqëve” e “derrave”, ”skifterëve” e “dhelprave”, kanë bërë që “drerët” dhe
“sorkadhet”, ”pëllumbat” dhe ”pulëbardhat”, ”lepujt”dhe “kunadhet,” të
gëlltiten nga “egërsirat” e moderuara.
Nëpërmjet
fabulës së tregimit anekdotik ”Vallja e ujqërve”, V. Kona stigmatizon thelbin
e ligjit të seleksionimit natyror, që e
ka orgjinën tek instiktet e banorëve të
“mbretërisë së pyllit”, por që në “mbretërinë “ e shoqërisë njerëzore,
bëhet më i egër. Nëpërmjet pyetjes
retorike: ”Pse ju, ujqit, kur ndonjëri prej jush rrëzohet nga lodhja në valle,
i suleni dhe e hani si të babëzitur?”(fq.33), që Gjysh Ariu iu drejton atyre,
autori ngacmon në vetdijen e lexuesit
ndjesinë e vigjilencës dhe të urrejtjes ndaj pabesisë dhe egërsisë. Ata bëhen të vetëdijshëm për
raportet ndërmjet të fortëve e të dobëve dhe të vegjëlve e të mëdhenjve.
Kuptojnë se, të fortët dhe të mëdhenjtë
e pakontrolluar, edhe kur hedhin valle, të shtypin me këmbë. Duket sikur kërcejnë
e këndojnë dhe të mbysin me “jargë e thonj”. Ritregimi, në mënyrë krijuese, i
historisë së lashtë të” Kalit të Trojës”, nëpërmjet gojës së ”Gjysh Ariut”, zgjon te lexuesi , jo vetëm
ndjenjën e vigjilencës, por edhe përbuzjen ndaj pabesisë. Kali i drunjtë, kjo
”dhuratë” e helmatisur e pabesisë, u solli trojanëve pushtimin, pas qëndresës
10 -vjeçare. Një dinakëri e tillë, tepër e sofistikuar, ia kalon edhe
dinakërisë dhelpërake. Është kjo arsyeja që
troku i këtij kali të mashtrimit,
të trokasë përherë në kujtesën e brezit të ri, si një kambanë, që ndjell kobin
e zi të pushtimit dhe të së keqes.
Narracioni
fabulik i ngjarjeve dhe kontrasti ndërmjet shfaqjes së karaktereve, të veshur me maskën e
“banorëve” të ”mbretërisë së pyllit”, u japin shumë tregimeve kolorin e një
humori të shëndetshëm. Lexuesi i vogël gajaset së qeshuri, duke kënduar e
kërcyer bashkë me banorët e pyllit, në koncertin festiv për nder të gjysh
Ariut. ”Gjeli“ e quan veten më të bukurin e botës, ndërsa “Bufi” vetëquhet
”Poet ëndërrimtar,/ që ndrin si yll polar”(fq.81). ”Kunadhja” e hedh vallen nën
ritmin melodik të vargjeve: ”Jam e artë dhe e verdhë, / si dielli në
pranverë”(fq.88). Ndërsa “Derri” e quan veten ”luftëtar me nam”. Për ta bërë
ironinë sa më therëse, autori i bën “breshkat” të kërcejnë nën ritmin e
vargjeve: ”Breshka pylli jemi ne, / më të shpejtat mbi këtë dhe”(fq.103).
V.Kona,
për të fshikulluar ashpër servilizmin
dhe dinakërinë, mashtrimin dhe pangopësinë e njerëzve, u vesh atyre gëzofin e dhelprave bishtëgjata, të cilat
janë bërë simbol i mashtrimit, babëzisë dhe dinakërisë. Kur ”banorët e
mbretërisë së pyllit”, përgatitjen e drekës ia besojnë ”Dhelprës”, ajo filloi
t’i fshihte ushqimet. Prej këtej, lexuesi
i vogël merr mesazhin, se t’i
besosh dhelprës përgatitjen e drekës,
është njëlloj sikur t’i besosh ruajtjen e tufës së qengjave një “çobani ujk”. Nëpërmjet gjuhës ezopike,
autori i këtij libri fshikullon edhe shumë dukuri të tjera negative të
shoqërisë njerëzore, si: egoizmi dhe mendjemadhësia, pangopësia dhe barbaria
etj.
Ky libër i ri i Viron Konës, jo vetëm përçon te lexuesit mesazhe të fuqishme shoqërore, por dhe mbart vlera gjithë - kohore dhe edukative. Gjuha e gjallë fabulike dhe densiteti i mendimit, bëjnë që libri të lexohet me kënaqësi. Prandaj, përmbeldhurazi, mund të themi se ai është i dobishmë për t’u lexuar jo vetëm nga fëmijët, por dhe nga prindërit e gjyshëtit, mësuesit dhe edukatorë të tjerë të brezit të ri.