Kulturë
Elida Buçpapaj: Për Nënë Terezën duart në zjarr
E hene, 09.09.2013, 06:58 PM
ELIDA
BUÇPAPAJ - VETËM PËR NËNË TEREZËN DO TË VIJA DUART NË ZJARR -
“Klasa politike meriton ndëshkim, se e ktheu në shërbëtor sovranin”
INTERVISTOI RAIMONDA MOISIU - TIRANA OBSERVER
Në prag
të rrëzimit të diktaturës, korrespondentja e parë grua nga Tirana që do të
informonte nëpërmjet Radios “Zëri i Amerikës”, do të ishte poetja, publicistja,
analistja dhe përkthyesja Elida Buçpapaj -bija e vetme e poetit e publicistit
të persekutuar nga regjimi –të shquarit e të paharruarit Vehbi Skënderi. Elida
Buçpapaj është diplomuar në universitetin e Tiranës për Gjuhë–Letërsi, shkrimet
e para filloi t’i botojë në shtypin e postdiktaturës, si te gazetat Atdheu,
Kosova, Rilindja Demokratike dhe Tribuna Demokratike. Gazetare profesioniste me
aktivitet për më se dy dekada në Diasporë dhe 22 vjeçar në shtypin shqiptar e
atë shqiptaro-amerikan. Korrespondente, redaktore, editore, freelancer, autore,
kolumniste – tek Zëri i Amerikës, tek Rilindja Demokratike, Zëri i Rinisë,
Republika, Revista RTSH, dhjetë vjet editorialiste tek Bota Sot. Prej 5 vitesh
së bashku me bashkëshortin e saj publicistin dhe shkrimtarin, Skënder Buçpapaj,
janë editorë të portalit Voice of Albania.
Përshëndetje znj. Elida! Faleminderit për kohën e vyer në përkushtim të kësaj interviste. Kam shfletuar dhe lexuar me interes të veçantë vëllimet tuaja të fundit me poezi “Rapsodi e Golgotës të Tranzicionit” dhe “Unë jam e përjetshme”. Sinqerisht, ngazëllehesh nga mjeshtëria e kulturës profesionale dhe thelbi artistik e filozofik i penës tuaj poetike. Si lindi poezia tek ju. Cila ka qenë eksperienca juaj e parë në gjininë e poezisë?
Të falenderoj Raimonda për interesin që pate. Jam vajzë poeti, poezia është element i jetës time – si ajri, uji dhe zjarri.
Çfarë mendoni, kush ju ka bërë poete?
Natyrisht një bir a bijë mjeku apo avokati mund të ndjekë lehtë gjurmët e të jatit, ndërsa poetët lindin. Për ta vendos forca maxhore. Si individ, unë jam lindur e rritur me poezinë, por prapë kjo s’mjafton të bëhesh poeteshë. Im atë kishte një respekt shumë të madh për jetën – dhe të tërën e inkuadronte në poezi. Një pikë shi, një pikë trishtim. Ishte poet i lindur. Sa kam filluar të mbaj mend, e kujtoj veten mbi gjunjët e tim eti, ndërsa ai shtypte poezitë e tij në makinën e shkrimit. Aty ai filloi të më mësojë edhe gërmat e alfabetit. Duke jetuar mes poezisë, mes deklamimeve të tim eti, vargjeve dhe rimave, natyrisht që kjo ka ndikuar tek unë që ta dua poezinë. Kur isha fëmijë thosha se do të bëhesha poete, po kjo gjë s’kishte lidhje me realitetin. Poezia ime e parë ishte përpjekje për të rimuar, padyshim që ishte imitim. Talentin tim e konstatuan të parat mësueset e letërsisë që në shkollën fillore e deri në gjimnaz. Shkruaja hartime dhe i bëja shoqet e shokët e klasës të qanin.
Kur i botuat poezitë e para?
Poezitë e para i dërgova në gazetën “Drita”, me mbiemrin e nënës time, si Elida Shyti. Më kujtohet si sot, isha në vitin e parë gjimnaz dhe ia dorëzova Diana Çulit. Ishin fillimet e para, por duket cikli kishte bërë përshtypje dhe redaksia dërgoi të pyesin për mua në gjimnazin Sami Frashëri se cila isha. Aty u doli se Elida Shyti – në fakt ishte Elida Skënderi, e bija e Vehbi Skënderit dhe cikli nuk u botua. Nuk kisha për ta mësuar kurrë këtë fakt, por sekretari i partisë i gjimnazit, mësues Llambi, që tani nuk jeton më, duket e njihte tim atë dhe nga keqardhja erdhi në shtëpi e na e tregoi. E kujtoj si sot, ishte mbrëmje, kur unë hapa derën e u habita, ai nuk hyri brenda, por bisedoi disa çaste me babin.
Librin e
parë e kam dërguar për botim posa mbarova gjimnazin. Dëshiroja të studioja për
letërsi. I jam mirënjohëse Dritero Agollit, edhe për një rast tjetër, sepse kur
im atë shkoi dhe i kërkoi që të jepte një rekomandim për ta paraqitur në
dokumentat e mia, ai pranoi.
Me Petron po ecja shumë mirë, kisha nisur të notoja në ujërat e poezive të Rimbaud-së, Verlain-it, Mallarme-së. Petroja më vinte detyrë t’i mësoja përmendsh, sepse kështu më thoshte përfiton edhe gjuhën, edhe kulturën. Pas pak kohësh, nisi të më jepte poezi për të përkthyer dhe, kur kënaqej me përkthimet e mia, më lavdëronte përpara prindërve të mi, pas orëve të studimit, kur mamaja ime me këtë rast do të na kishte përgatitur patjetër ndonjë ëmbëlsirë. Kalonim kështu gjithë mbrëmjen. Na vinte edhe një kushëri i mamasë që e adhuronte gjenialitetin e Petro Zhejit. Dhe ishin mbrëmje të paharruara, sepse Petroja fillonte e na tregonte historitë e tij të pafundme, patjetër të ngatërruar edhe me mediokritetin e pseudoelitës komuniste. Në ato mbrëmje ku flitej pa doreza dhe pa maska mësuam edhe për studimin e tij për gjuhën, ku shqipen e shihte si mëmën e të gjitha gjuhëve të botës. Tani këtë vepër e ka botuar. Petro Zheji është një njeri gjigand dhe me një zemër të jashtëzakonshme, është tmerrësisht humanist. I prirur për të bërë vetëm mirë, për të ndihmuar çdokënd. Asnjëherë nuk mungoi në ditën kur ishin caktuar orët e mësimit, ishte dimër, verë, borë e shi dhe ai nuk pranoi kurrë ndonjë shpërblim sado modest, veç mirënjohjes. Por ishte shumë bukur për të qenë e vërtetë. Sepse një ditë prej ditësh Komiteti Ekzekutiv i Tiranës më dërgoi një letër kur më kërkonte të paraqitesha në Kombinatin “Josif Pashko” për të filluar punën si punëtore në Fabrikën e Pllakave, në një pseudo stazh. Ishte një ferr i vërtetë. Fabrikë me mjete të shekullit XIX, ku regjimi sillte aty për riedukim njerëz që i konsideronte armiq të klasës. Aty fillova punë edhe unë. Petroja i tha tim eti të mos pranonte të më dërgonte, por në kushtet ku ndodheshim çdo refuzim pune nga ana jonë shihej politikisht. Ne kishim ndërruar banesën, por për të na bërë presion psikologjik, apo kushedi se çfarë planesh që kishin, ata nuk na regjistruan për disa vjet rresht si banorë të Lagjes 1. Ndofta prisnin momentin të na internonin, ashtu si e kishin planifikuar, në një fshat të izoluar të Tiranës, ku po të shkoje humbisje krejt. Im atë asaj kohe punonte në repartin e mbeturinave në Shtypshkronjën e re, si punëtor i pakualifikuar.
Në këto kushte a ju shkonte mendja të shkruanit poezi?
Vështirë.
Në dukje e pamundur, kur shihje se babain e hiqnin nga puna, ia mohonin të
drejtën e shkrimit, ia ndalonin librat, dhe kur kishe frikë se nga çasti në
çast do të vinte makina për të të degdisur diku në një humbëtirë, kur ty vetë
të largoheshin shoqet e detyroheshe të shkoje e të vije vetëm. Në këto kushte
kaq të trishta dhe të frikshme, prindërit e mi bënin gjithçka për të më krijuar
në shtëpi një tjetër botë, 180 gradë ndryshe nga bota përbindëshe që
përballesha kur isha jashtë.
Si ndodhi?
Siç e thashë që në krye, bijtë e poetëve dhe shkrimtarëve më së shumti nuk e trashëgojnë talentin dhe genin e të shkruarit. Edhe im atë ishte shumë i kujdesshëm në këtë drejtim, që të mos më krijonte mua iluzione. Ai si prioritet shihte shkollimin tim, të kulturohesha, të mësoja gjuhë të huaja dhe pastaj, nëse isha e talentuar, përse jo. Pastaj atij ia shembën shpejt të gjitha ëndrrat që, si çdo prind, bën për fëmijët e tij. Unë isha në kopësht kur atë e përfshinë në një grup antiparti me akademikë nga Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, si Prof.Selman Riza, Prof.Zija Shkodra, Dhimitër Pilika, etj. kur ia hoqën të drejtën e botimit dhe e dërguan për riedukim në Vaun e Dejës dhe pas një pseudorehabilitimi njëvjeçar e fundosën prapë përfundimisht, kur vendosën të na internonin në rrëzë të Dajtit. Asaj kohe unë isha ende në tetëvjeçare. Pra talenti im nuk i hynte askujt në punë. Regjimi ushqente shoqërinë me luftën brenda llojit. Mjafton që të vendoste partia që shoqëria të thoshte amin. Kishte burgje realë, si Spaçi, por mund të jetoje burgun edhe duke qenë jashtë hekurave të tij. Kështu ishin vitet e gjimnazit për mua, vuaja tmerrësisht për tim atë të cilin e torturonin me mënyrat më perfide që kishte sistemi, deri sa u sëmur. Nuk deshën që ta pranonin as në spital. Tani e kam parasysh tim atë se ishte vetëm dyzetë e ca vjeç dhe ishte plakur për vetëm disa ditë 30 vite njëherësh. Askush nuk donte t’ia dinte për të. Sikur të ishte njeri me lebrozë. Pikërisht në këtë kohë të errët për mua u shfaq Ferial Vasili. Ferialin e pata mësuese të letërsisë në gjimnaz gjatë vitit të tretë dhe vitin e maturës. Më kujtohet si sot, autoriteti që kishte tek nxënësit, sepse ajo nuk pyeste për miq dhe jepte atë notë që meritonin. Erdhi hartimi i parë. Tema ishte për dëshmorët. Pas tre-katër javësh klasa kishte dy orë korigjim hartimi. Mësuese Feriali komentonte hartimet e klasës. Hartimit tim nuk po i vinte rradha. Kur pasi i kishte kaluar të gjitha, në fund më afrohet mua, më jep fletoren e më thotë: Elida lexoje! Edhe tani që po i shkruaj këto rradhë, sytë më lotojnë. Ajo bëri diçka shumë të rrallë. E sfidoi hipokrizinë e trupit pedagogjik që konformohej me verdiktin e partisë, që duke mos u ngopur me të jatin, i sulej edhe një adoleshenteje të brishtë. Ajo ishte jashtë kësaj klisheje. Pikërisht Ferial Vasili më bëri të besoj se jam e talentuar. A do të më hynte në punë ky talent po të vazhdonte diktatura? Nuk do të më hynte kurrë në punë, por ajo e bëri punën e saj. Atë hartim pastaj, që ia kushtoja Qemal Stafës, unë e transformova në poemth, dhe me përpjekjet e pafundme të tim eti, u botua më vonë tek revista Nëntori.
Ishte e pamundur të çaja. Nuk çaja dot askund, megjithëse babai im nuk linte derë pa trokitur tek miqtë e tij, që i kishte patur dikur kolegë. Kishte ditë që vinte i dërmuar sepse ia përplasnin dyert në fytyrë. Por prapë diku dilte dikush që të zgjaste gishtin apo dorën. Kështu kemi mbijetuar si qenie njerëzore. Ndërsa me talentet e reja merrej direkt Komitetit Qendror i Partisë të Punës dhe vendoste ky institucion se kush do të bëhej poet, se kush do të bëhej gazetar, se kush do të përfshihej në ingranazhet e superstrukturës, ku përgjithësisht mblidheshin më të patalentuarit e dheut por veglat më të pështira dhe më të bindura të regjimit.
Kur filloi të ndryshojë jeta juaj Elida?
Të thashë
se jeta ime jetohej paralelisht në dy realitete, me realitetin e jashtëm që
ishte brutal dhe me realitetin brenda familjes time si dhuratë e Zotit. Në
shtëpi isha e rrethuar nga bota e librit. Unë i adhuroja prindërit e mi dhe
përpiqesha që t’ua zbusja mërzitë e jetës. Im Atë përpiqej që të keqen ta
kthente në të mirë. Dhe thoshte shpesh me të qeshur: “Nuk vinë të gjitha të
këqijat për keq“. Më kujtohet kur punonte në repartin e plehrave të
Shtypshkronjës së Re, prej andej më sillte në shtëpi fashikujt e librave të
rinj që nuk i plotësonin standardet. Unë lumturohesha sepse isha nga të parat
lexuese. Më kujtohet kur më solli, novelën e Kadaresë “Nata me Hënë“ apo
“Koncert në fund të Dimrit“. Tek “Nata me Hënë” gjeta veten time, ndërsa
“Koncerti…” m’u duk libri më i mirë që kisha lexuar deri atëherë. Dhe këtë
mbresë e kam edhe sot. “Kronikë nën gurë” e kisha librin e nënkresës, ashtu si
“Princin e Vogël”, ndërsa “Koncerti…” është një libër që nuk mund ta shkruajë
dot dora e njeriut. Nga ana e tij, Petro Zheji me anë të mikeshave të tij më
krijoi mundësi që të lexoja edhe në sallën e katit të dytë të Bibliotekës
Kombëtare. Aty shfletoja edhe albumet nga Muzeumet e Louvre-it, Prado-s,
Hermitage-it, Centre Pompidou etj. Pastaj po përmes miqve të tim eti dhe
mësueses time të letërsisë Ferial Vasilit, u largova nga varrezat e Sharrës ku
punoja. Pas Fabrikës së Pllakave, nuk isha më shumë se 20 vjeç, kur fillova
punën si punëtore mirëmbajtjeje në varrezat e “Sharrës“. Deri atë kohë
prindërit nuk më kishin sjellë asnjëherë në varreza, edhe kur kishin vdekur
gjyshet e mia, tani më duhej të kujdesesha për mirëmbajtjen e varreve. Për herë
të parë u përballa me vdekjen. Qaja pa fund duke lexuar epitafet dhe duke parë
moshën se kur kishin ikur nga kjo botë banorët tashmë të botës së përtejme. Më
kujtohet epitafi i shkrimtarit Jakov Xoxa. “Ah sikur jeta të vinte e të
shkonte, të shkonte e të vinte“ – Atëherë nuk e kuptoja këtë sentencë, tani e
kuptoj shumë mirë. Aty më treguan se ku kishte qenë varri i Mehmet Shehut dhe
se si e kishin zhvarrosur. Në krye të varrezave, nga parcelat e para ishin edhe
varret e njerëzve të afërt të nomenklaturës më të lartë të vendit, si varri i
nënës së Nexhmije Hoxhës. Një ditë prej ditësh erdhi vetë Nexhmija për të
sjellë lule. Brigadierit që i vinte keq për mua, më tha, shko Elida, thuaji për
shkollë se ndofta të ndihmon. Nuk shkova.
Je duke folur për fillimet e lëvizje demokratike.
Pikërisht,
por megjithatë Akademia e Shkencave e Luan Omarit ma refuzoi të drejtën e punës
për një vend që unë e meritoja.
Edhe poezi shkruaja, por më rrëmbeu publicistika, më rrëmbeu koha që ishte aq e vrullshme, e cila brenda mbante përmbysjen e diktaturës. Ëndërronim për një Shqipëri të lirë. Në prag zgjedhjeve të marsit 1992 raportoja për “Zërin e Amerikës”. Që pati një ndikim të madh në formimin tim si gazetare. Prej andej kalova redaktore tek “Zëri i Rinisë”, në fillim kisha kryeredaktor Ilir Yzeirin, i cili më kërkonte të shkruaja kolumna me temë nga politika e jashtme për faqen e parë të gazetës. Kjo më ka ndihmuar shumë dhe i jam mirënjohës Ilirit. Tek Zëri i Rinisë kam botuar edhe përkthimet e mia, Eliotin, Nënë Terezën. Në gazetë kisha kolegë Agron Tufën, Mark Markun, Rudi Erebarën etj. Në të njëjtën kohë, Ylli Rakipi dhe Lutfi Dervishi më ftuan të bashkëpunoja si gazetare e lirë me Republikën, duke më lënë në dispozicion një hapësirë fikse në faqen e parë. U jam mirënjohëse. Natyrisht ata nuk ma bënin këtë nder kot, por megjithatë u shpreh mirënjohjen. Tek revista Shqipëria RTSH kam punuar me Fatos Kongolin. Revista ishte e përdyjavshme dhe e nxirrnim bashkë. Ndërkohë Skënderi vazhdonte punën si drejtor i Përgjithshëm i RTSH dhe kjo pozitë e tij kishte bërë të futeshim në qendër të furtunave. Këto furtuna kishin nisur që kur Skënderi punonte tek gazeta “Drita”, me shkrimet e tij të guximshme pro ndryshimeve demokratike në vend. Por në RTSH këto sulme u bëmë shumë më agresive. Më kujtohet një herë, kur vendosëm që ta sillnim Prizrenin dyvjeçar në studion e përrallave të Pavlina Manit. Ai e ndiqte teta Pavlinën nga shtëpia dhe ne menduam se mund të shkonte në studio si fëmijët e tjerë. Të nesërmen, gazetat e majta ishin plot. Për të evituar këtë luftë të paskrupullt unë hoqa dorë edhe nga emërimi si zëdhënëse e kryeministrit Meksi dhe preferova të vazhdoj si gazetare e thjeshtë, por ndërkohë isha shumë aktive me shkrimet e mia. Kam të paktën njëzet vjet që kërkoj hapjen e Dosjeve. Kur e emëruan Arben Puton në krye të Komitetit të Helsinkit, reagova menjëherë me shkrim. Si ishte e mundur që kunati i Manush Myftiut, të drejtonte një institucion të të drejtave të njeriut në shtetin e ri demokratik. Dhe isha shumë e re. Përpara 23 vitesh të dy me Skënderin ishim shumë të rinj. Në këtë kohë botova edhe librin poetik “Unë jam e përjetshme“.
Si u prit nga kritika?
Në Shqipëri as nuk kishte dhe as nuk ka kritikë, ose më mirë të them ekziston vetëm kritika e periudhës të realizmit socialist, bashkë me autorët e saj.
Në 15 mars të vitit 1996. Skënderi nisi punën si diplomat unë si sekretare teknike. Prizreni filloi në Bernë kopshtin. Endriti nuk kishte lindur ende. Pastaj ndodhën ngjarjet e 1997 ku në Shqipëri shpërtheu luftë civile dhe u rrafshua shteti demokratik. Ne kërkuam azil politik dhe filluam angazhimin tonë për dhjetë vjet rresht tek Bota Sot, prej marsit 1998, me masakrën e familjes të Adem Jasharit, Skënderi kryeredaktor, unë si redaktore kolumniste, në periudhën më dramatike por edhe më frutdhënëse për fatet e kombit. Gjatë kësaj periudhe Bota Sot arriti të botohej në 200 mijë kopje, një tirazh i tillë, i paparë dhe kurrë i arritur në 100 vjet histori të shtetit shqiptar, duke thyer tabu përmes një gazetarie moderne Perëndimore të shekullit XXI.
Ndërkohë ti ke botuar disa libra të tjerë me poezi dhe publicistikë, apo jo?
Po, kam
botuar “Rapsodi e Golgotës të Tranzicionit”, “Unë jam e Përjetshme”, kam në
proces botimi librin poetik Rebelim në Tranzicion. Në publicistikë kam botuar
“Tirania e Tranzicionit”, tani
Çfarë është poezia për ju?
Është mënyra më sublime për t’u shprehur. Është kuintesenciale. Shpreh thelbin e ndjenjës, është vetë emocioni – poezia është produkt i shpirtit.
Publicistika është komunikimi direkt me publikun, publicistika është pasojë, ndërsa poezia është shkak. E kam thënë edhe herë tjetër, poezia më ndihmon shumë edhe në publicistikë dhe prozë. Publicistika sot është shumë e rëndësishme, sepse është e lidhur me realitetin postdiktaturë, me qëllimin për të ndikuar në të mirë të shqiptarëve. Pasi gazetaria si pjesë e pushtetit të katërt ka funksion që të përçojë të vërtetën, të përcjellë zërin e opinionit publik dhe të ndikojnë në ndërtimin e shtetit ligjor. Mision i shenjtë por i keqpërdorur nga politika në të gjitha trojet shqiptare.
Çfarë pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj?
Punën time e dua shumë. E kam me pasion këtë profesion që nuk ma lejuan kurrë ta ushtroj gjatë diktaturës. Është profesion i bukur të mirinformosh publikun, të mos lejosh që politika t’ia shpëlajë trurin si vepron rëndom, të japësh kontributin në të mirë të shoqërisë. Pra motivimi është i madh. Por pa vokacionin natyrisht që nuk do t’i isha kushtuar gazetarisë. Sepse gazetaria, përveç integritetit, kulturës së gjerë kërkon që të kesh vokacion, të kesh prirje. Sepse duhet të shkruash në mënyrë të tillë që të shigjetosh atje ku duhet dhe në mënyrën më efikase të mundshme. Çfarë nuk pëlqej. Mënyrën kategorike të mospranimit për ato që shkruaj nga militantë apo simpatizantë fanatikë partish apo liderësh. Unë vetëm për Nënë Terezën do t’i vija duart në zjarr, e cila ka sakrifikuar jetën për të ndihmuar, ndërsa sa për klasën politike shqiptare, ajo meriton ndëshkim, sepse e ka kthyer në shërbëtor Sovranin. Gjithsesi kategorizmin dhe absolutizmin nuk e pranoj. Je dakord apo s’je me mendimet e dikujt është diçka e natyrshme, porse si thotë Volteri çdokush ka të drejtë ta shprehë mendimin e tij, natyrisht kur ky mendim është i mbështetur mbi themele të shëndosha, që nuk cënon të drejtat e njeriut. Askush nuk ka të drejtë ta shpërdorojë lirinë e fjalës.
Ju së bashku me bashkëshortin tuaj Shkrimtarin e Publicistin Skënder Buçppapaj, nxirrni gazetën online –Voice of Albanian –Zëri i Shqiptarëve në Zvicër – www.voal-online.ch, cili është qëllimi i këtij botimi?
Pas një kontributi prej një dekade tek Bota Sot, Skënderi dhe unë jemi editorë të Zërit të Shqiptarëve, një gazetë e përditshme në internet. Në fakt, largimi jonë nga gazeta Bota Sot ishte politik dhe obskurantist. Me largimin tonë, gazeta Bota Sot, ka përfunduar ashtu si shumë gazeta të tjera, të futura në qorrsokakun e politikës dhe pronarëve profiterë, të cilët nuk njohin as profesionin dhe as moralin, por që për para shesin nënë e babë. Censorët që na larguan nga gazeta, menduan se kështu do të na e mbyllnin gojën. Por dihet se profili i censorëve është shkurtpamësia. Zëri i Shqiptarëve është projekti ynë më i suksesshëm, ku ne botojmë veç analizave dhe komenteve tona, bashkëpunime të shumë kolegëve dhe profesionistëve të fushave. Synimi ynë është që të përcjellim modelin e një shtypi të angazhuar dhe Perëndimor. Nuk mjafton vetëm vërtetësia e lajmit, respekti për të vërtetën, por duhet edhe qëndrimi ndaj të mirës dhe të keqes. Gazeta jonë ka bashkëpunime shumë të frutshme edhe me gazetat dhe portalet e shqiptarëve në Perëndim si “Zemra Shqiptare”, “Tribuna Shqiptare”, “Diellin”, gazetën e Vatrës e themeluar nga Noli, ku drejtor i parë ishte Faik Konica, që vazhdon të botohet nga pasardhësit e Vatranëve. Zëri i Shqiptarëve aspiron që shndërrohet në tribunë të mendimit të lirë shqiptar larg modelit klientelist që ofron sot pushteti medial në shtetin amë dhe trojet shqiptare.