A duhet
të përzihen zhanret në film?
Nga Dr.
Ilir Muharremi
Fillimi i
kinematografisë mendohet të ketë filluar kah viti 1895, mu në këtë datë,
vëllezërit Lumier prezantuan projeksionin e parë në Grand Cafe konkretisht në
bulevardin Des Capucines në Paris. Qysh në atë kohë filmat ishin të
thjesht një novitet teknik, mënyrë e dëfrimit të qytetarëve që inspiroheshin
nga ngjarjet e zakonshme , të përditshme e që gjithnjë në vete bartnin
lëvizjen, por jo shpejtësinë futuriste. Përqendrimi artistik ishte tek lëvizja
dhe ky cilësohej si përparim dialektik, si një art që zbulon, dëfren, kënaq
momentalisht dhe zbulon të njohurat e mëparshme dhe ato momentale. Para se të futemi në kënaqësinë
lëvizëse, të aparatit marrës dhe
shpërndarës, duhet t’i kundërvihemi zhanrit tek te cili zbulojmë mënyrën
poetike-figurative të të kuptuarit si në aspekt narrativ poashtu edhe
stilistik. Lirisht mund të them se zhanri është sistem i rregullave ndjesore që
ka të bëjë me kategorizimin e filmave, ngaqë filmi është art i lëvizjes ,
vazhdimësisë organike, qoftë ajo e jashtme apo e brendshme. Zhanri është
rregull shprehës, filmi pa zhanër nuk konstrukton në asnjë kategorizim, por i
përket shpërndarjes lëvizëse, të pakuptimësisë që nuk posedon qëllim. Zhanri
është film dhe filmi është zhanër do të thoshte Thomas Schats. Filmi duhet t’i
ketë këto komponente: subjektin, karakteret, ambientin, temën, stilin.... Cilat janë zhanret e filmit? Nga disa burime,
kam ardh në përfundim se ekzistojnë këto zhanre: Biografike, komedi, vestern,
dashurie, mjuzikël, dramë, aventurier, triler, horror, dokumentar,
eksperimental, shkencor-fiktiv, fantazi, aksion etj. Të gjitha këto duhet të
trajtohen në mënyra të tipizuara, të përcaktohen konkretisht dhe mos të
përzihen. Zhanri trajtohet që nga fillimi e deri në përfundim të filmit, nuk
duhet të eksperimentohet në kuptim të gërshetimit me zhanret e tjera, sepse tek
spektatori do të krijohet një konfuzion i përcaktimit. Duhet përmendur rastin e
filmit “Ne dhe Lenini” të regjisorit Saimir Kombaro i cili para disa vjetësh e
kishte premierën në Prishtinë. Ky film ka një fillim dramatik dhe që në fillim
kjo është e dukshme. Në vazhdimësi , nga
loja e personazheve shpërfaqet komedia. Forma tjetër është tragjikomike.
Atëherë , çfarë do nxjerrim nga kjo? Sistemi narrativ na dërgon në një
përzierje ku nuk mund të dimë se a është dramë, a duhet të qeshim apo duhet të
qajmë nga e cila nxjerrim të qeshurën.
Duhet të jetë i saktë zhanri, sepse paraqet nënndarjen e gjinisë
artistike, që përfshin vepra me qëllim të dallohen nga disa veçori të caktuara
të brendësisë. Shumë regjisorë përpiqen ti gërshetojnë zhanret, ngase bazohen
në jetën e përditshme ,duke e cilësuar jetën me plot zhanre. Në film mund të
ketë shumë situata që i nënshtrohen vetëm një zhanri. Zhanri i një filmi
përcaktohet nga tematika që trajton, dhe nuk duhet të hasim në vështirësi të
përcaktimit të tij. Ndërkaq, filmi tjetër “Kukumi” i regjisorit Isa Qosja,
është një dramë i realizuar nga Kosovafilmi, i shpërblyer në disa festivale
nëpër botë. Edhe pse në momente të vockla na shfaqet groteskja e situatave dhe
ngjarjeve, e përqeshjes se njerëzve dhe karaktereve, por kahen gjithnjë
merr drama e zymtë. Ngjarja zhvillohet
në zonat e thella të Kosovës. Personazhi kryesor: Kukumi dhe dy të tjerë, Mara
dhe Hasani, arratisen nga spitali i të metave mendore pas çlirimit të vendit
nga forcat e Natos në vitin 1999. Tre ish pacientët enden rrugëve të Kosovës
duke u munduar që të zënë shokë, si dhe të jetojnë një jetë përtej rrethimit të
ndaluar. Ata nuk mirëpriten në tubime në festa dhe prapë kthehen në azilin e të
sëmurëve mendor. Prapë përfundohet me dramën e këtyre dy personazheve. Edhe
filmi “Shqiptari” është një dramë e emigracionit të thellë epik. Filmi paraqet Gjermaninë nga perspektiva
kthjelluese e një emigranti ilegal. Por, në të njëjtën kohë drejton vështrimin
në një vend të harruar në mes të Evropës dhe ndihmon për të kuptuar më mirë
njerëzit e atjeshëm dhe fatet e tyre. Qysh në fillim dhe deri në fund
rivalizohet drama si në subjekt, temë , poashtu edhe në fatin e personazheve.
“Anatema” një film tjetër i regjisorit Agim Sopi shfaqur kohë më parë në Prishtinë, trajton
jetën e një gazetare me emrin Ema Berisha, e cila , ka punuar me dy gazetarë
amerikanë gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Ajo u përdhunua nga ushtarë
serbë. Mbeti shtatzënë dhe lindi një vajzë. Kur mbaroi lufta, askush nuk e
ndihmoi Emën. Pas luftës ajo u shndërrua në një person të urrejtur, të
braktisur dhe të harruar nga të gjithë. Ky film është dramë dhe drama e
kryepersonazhit na përcjell edhe në fund, dhe përfundon me një fat të keq
dramatik. Filmi “A beautiful mind” është një film biografik i bazuar në jetën e
një matematikani Jon Forbes Nash dhe fitues i çmimit nobel. Filmi është
frymëzuar nga biografia e shkruar nga Sylvia Nasar një ekonomiste gjermane. Që
në fillim të këtij filmi situata nxjerr dramën dhe gradualisht fillon të na
tensionoj çmenduria e tij reale nga e cila nuk mund të shërohet. Asnjë
gërshetim zhanresh, madje bile në ndonjë skenë, por sa më shumë thellohet
drama, duke na ngjizur , bindur dhe krijuar një art të lëvizjes fotografike.
Por, çfarë ndodhi me filmat Western që portretizojnë pushtimin e së egrës. Në
përpikëri, mund t’i veçojmë elementet siç janë armët apo duelet me to,
plaçkitjet, njerëzit, kuajt etj. Edhe ambienti është i rëndësishëm për
plotësimin e zhanrit, këtu konkretisht skenat përbëhen me shtëpitë ferme, të
rrethuara, periferi të vogla... Edhe këtu, asnjëherë gërshetimi i zhanreve nuk
përbuzë qëllimin e Western, ngase nuk ndodh. Filmat me zhanër prezantojnë
ndjenjën dhe kuptimin e filmit, të cilat shumë filmave tjerë ju mungojnë ngaqë
përpiqen të flasin me gjuhën e përzierjes, gjuhën e gërshetimit, ku
kuptimi bëhet enigmë, i vakët, pa
emocion, madje edhe na shpie në gabime. Shumë kritikë filmi, zhanret i kanë
cilësuar si teori problematike duke adresuar në stil e jo zhanër duke ju
nënshtruar elementeve dhe disa metodave.
Njerëzit
çdo ditë, madje edhe në orët e vona të natës të ulur pranë karrigeve konsumojnë
filma me zhanre të ndryshme, zhanre të kombinuara. Filmi çdo ditë përpiqet të
jep një kthesë sa më të re qytetërimit. Përmes imazheve, njerëzit përjetojnë
ngjarjet, personazhet, gjendjen shpirtërore. Filmat me zhanre gjithmonë do të
shprehin histori të kuptueshme, sado të çuditshme të jenë, estetika do të na
godasë si shigjetë në kokën tonë lakuriqe, do t’i dorëzohemi disa pa kushte e
disa me kushte të pajisur me njohuri të zhanreve. Ashtu sikurse zhvillimi i
veshit në muzikë, për ta dëgjuar e më pastaj imituar tingullin, syri pranon çdo
imazh filmik. Të gjitha zhanret janë të definuara të punuara mrekullisht, dhe
nuk është e nevojshme të gërshetohen të bëhen mish MAShT, sepse orkestrimi i
tyre shfaq asimetrinë dhe humb baraspeshën e shikuesit.
![](images/article/2013_09/33259/u1_Kukumi.jpg)