Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Pak shenja nga “opozita 1”!
E merkure, 11.09.2013, 06:00 PM
Pak
shenja nga “opozita
Nga Elvi Sidheri
9 shtator
sot, ditë e hënë siç normalisht ndodh kur një legjislaturë normale hyn në
funksionin e saj kushtetues.
Do
mblidhet parlamenti për pak orë, do verifikohen nja 140 mandate, 16 prej tyre
do bien direkt të nesërmen për shkak se deputetët “me udhëzim nga lart dhe
propozim nga poshtë” do heqin dorë “vullnetarisht” nga qënia edhe deputetë-edhe
ministra, për t’u bërë kështu 100% ministra, përveç të parit të vendit, i cili
me zgjedhje autonome, deputet-kryeministër edhe do të mbetet ndërkohë!
Z.Dokle, njeri
me eksperiencë të gjatë brenda valles së politikës shqiptare, si ish
kryeparlamentar, do ketë “nderin” e veçantë të hapjes së punimeve të këtij
kuvendi, pasi tashmë plotësisht ish kryeministri Berisha, refuzoi t’a bënte një
gjë të tillë, i shtyrë nga arsyet e tij të mirëkuptueshme.
Në pak
ditë do të kemi një qeveri të re të cilën e njohim prej muajsh fije e për pe, sepse
tashmë na e kishin prezantuar kokë më kokë dhe po ashtu do kemi edhe një
kryetar parlamenti, zëvendës-ministra (ku ndoshta do gjejnë vend aleatët e
vegjël të PS-së), drejtorë e shefa kabinetesh, pa harruar ushtrinë e
këshilltarëve të të pushtetshmëve të rinj, për të cilët po flitet që tani.
Fenomene
normale këto, që shoqërojnë çdo ndërrim qeverie në një vend normal, por që në
Shqipëri sikur i kishim harruar për shkak se nën shembullin e miqve tanë
amerikanë, pushtetin po e lëvizim, rrotacionojmë “vetëm” njëherë në 8 vjet (8
PS + 8 PD)!
Unë i
përmbahem në frymë dhe gërmë tezës së 100 ditëshit, për të cilën tanimë edhe
kam folur, prandaj njëherë për njëherë më tepër për qeverinë e re, nuk flas.
Atëherë
politikisht çfarë mbetet për të diskutuar?
Ah po!
Kemi
deklaratën e parë si opozitar “prej vërteti” të kryetarit të ri të Partisë
Demokratike, zotit Basha.
Ja një
spunto e mirë që shpie në thellime të mundshme.
Përse do
thoni ju të nderuar lexues?
Pati disa
arsye që më sollën në mend këto gjëra që tani do shkruaj dhe që lindën të tëra
gjatë deklaratës me dyer të hapura për mediat shqiptare të etura për lajm, të
z.Basha nga salla e selisë së re të PD-së.
Atëherë
nga t’ia filloj për të dalë fiks në temë?
Ka një
simbolikë këtu (sipas meje), për ata që nuk e kishin ose kanë vënë ende re.
Për të
gjithë ata (të majtë)...që i preu malli për fatet e PD-së dhe së djathtës në
Shqipëri dhe që kërkojnë ose kërkonin “at-vrasje” nga shefi i ri i PD-së
(domethënë çrrënjosje nga nata në ditë, të trashëgimisë Berishiste dhe një
uzurpim-instalim të menjëhershëm të frymës dhe diktatit Bashist)...ja ku janë
sido që të jetë shenjat e një lëvizje të qartë nga kryetari i ri!
Fjala e
tij e parë edhe si opozitar...edhe si kryetar i vërtetë i PD-së...edhe si
njeriu më i rëndësishëm i opozitës së re shqiptare (kryetar i partisë kryesore
të djathtë dhe kryebashkiak i kryeqytetit të vendit)...na erdhi jo më nga selia
e vjetër e PD-së diku mes pedonales, kështjellës së Tiranës dhe Partizanit të
Panjohur, por nga një seli e re, që e fillon jetën e saj si godinë ku gjallon
jeta e Partisë Demokratike, njëkohësisht dhe bashkë me drejtimin e kësaj partie
nga zoti Basha.
Veprim të
tillë rinovues, as z.Rama nuk ka bërë me PS-në, as kur e mori nga z.Nano pas
humbjes së 2005-ës e as më vonë.
Në PS u
ndryshuan gjeneratat e funksionarëve, të deputetëve e tashmë edhe të ministrave,
por godina e PS-së prej 20 vjetësh ajo e njëjta është!
Që nga
koha e opozitës së tyre ndaj PD-së së parë me Berishën president e Meksin
kryeministër, qysh kur mbildheshin militantët e tyre në oborrin e brendshëm të
asaj selie në protestë pas zgjedhjeve jo edhe aq të rregullta të 96-ës e deri
tek “Hap kutitë ose largohu” të pas humbjes së majtë të 2009-ës!
Selia e
PS-së ka ndërruar kryetar, ka ndërruar edhe ngjyrë, nga rozë në të purpurt (se
“mavia” që në turqisht domethënë “blu”, ishte një stisje e sforcuar elektorale
që PD-së që i priu asaj teze, nuk i solli asnjë fitim), por si seli që nga koha
e firmës së shokut Ramiz, e njëjta që e njëjta është dhe mbart me vete
simbolikat e tërë historisë Socialiste (1991 e këtej) të ish-Partisë së Punës
dhe asaj Komuniste të para 70 e ca vjetëve.
Kurse me
PD-në e Bashës, punët janë ndryshe që në fillim, pa u bërë as dy muaj nga
ardhja e tij në timonin e anijes blu pas 22 korrikut dhe 79% votave demokrate
që e fronëzuan në krye të partisë më të madhe të djathtë.
Me
ndryshimin e selisë së PD-së, figurativisht dhe jo vetëm, ka mundësi që për
këtë parti, të ketë nisur vërtetë një rrugë e re, e ndryshme nga ajo e
mëparëshmja, rrugë e palindur me emrin dhe personalitetin imponues të
z.Berishës, por e lidhur pazgjidhshmërisht me atë personazh, për njëmijë arsye,
deri më datë 23 qershor të këtij viti, kur një lloj i veçantë kataklizme
elektorale, e preu ndoshta përfundimisht kordonin ombelikal mes PD-së dhe
drejtuesit të saj 22 vjeçar!
Historia
e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, fillon pra, si i zgjedhur në
këtë post në zyrat e vjetra të kësaj partie, aty ku PD-ja kaloi pas selisë së
parë tek Rruga e Kavajës, në një godinë të bukur pranë ish ndërmarrjes Mihal
Duri.
Aty ku
kjo parti festoi zgjedhjet e 96-ës dhe pësoi sulmin e 97-ës, ku nisi të
vajtohej themeluesi dhe njeriu i saj më i rëndësishëm dhe më i dashur i
periudhës 90-98...Azem Hajdari dhe ku u ndje 14 shtatori 98, opozita e vështirë
gjer më 2001-shin si dhe ringritja deri tek shpërthimi i fitores së 2005-ës.
8 vjet
ajo godinë partiake fjeti një gjumë letargjik qeverisje, ndërsa okupantët e
kolltuqeve të saj vajtën për të zënë ofiqe të larta ministrore apo poste të
tjera shtetërore, falë pushtetit dy-mandatësh të PD-së.
Me
godinën e vjetër, mbyllet edhe një fazë 22 vjeçare e kësaj partie, me të mirat
(e shumta), gabimet dhe pikat e saj të errëta.
Kryetari
i ri vjen me “look” të ri, filozofi të re, të treguar që në fushatën e 8 majit
2011-ë, fizionomi të re, politikë vijimësie (si i djathtë)...aq sa edhe
modernizimi, por edhe me një seli tjetër, që urohet të jetë dëshmitare e një
PD-je që jeton, ecën dhe përshtatet me vitet ku jetojmë, që kujton të kaluarën
e shtypjes dhe terrorit komunist, por edhe shikon përpara dhe sillet e vepron
si një forcë moderne e qendrës së djathtë europiane, me kokën dhe vështrimin
nga e ardhmja, pa harruar kurrësesi rrënjët dhe historinë e saj 23 vjeçare.
Godina e
re, ajo që akoma guxojnë t’i thonë SHQUP (iniciale komike, ku ende përmendet
termi “Popullore” për ushtrinë tonë anëtare të NATO-s, sikur të qemë akoma në
kohën e “gjithë popullit ushtar”!)...pra shënon dhe shenjon një epokë të re për
PD-në dhe të djathtën shqiptare në përgjithësi, kalimin e stafetës nga era
Berishiane...tek ajo e një as 40 vjeçari të shkolluar dhe formuar mes rrugicave
tironse dhe universiteteve hollandeze, pra Perëndimit, era e zotit Basha.
Çfarë
vura re tjetër si simbolikë gjatë fjalës së parë vërtetë opozitare dhe
“kryetarërore” të z.Basha?
Vura re
për shembull se z.Basha ( i them “zotëri”, përveç respektit, sepse nuk e kam
kushuri ose farefis dhe ndryshe nga shumëkush, të paktën kur shkruaj në publik,
etiketa formale e edukatës, më duket si e nevojshme)...të parin prononcim të
vërtetë prej Kryetari të partisë...me gojë dhe jo “Facebook-im”, e bëri ditën
që z.Berisha reshti së qëni më lart hierarkikisht se ai vetë, si personazh.
Pra ditën
që z.Berisha, përveçse si kryetar partie...dha edhe dorëheqjen nga posti i
kryeministrit (e kërkonin afatet kushtetuese) dhe vajti tek presidenti Nishani
t’a formalizonte këtë akt, atëherë dhe vetëm atëherë, z.Basha foli, bëri dhe u
soll si Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë!
Që nga
sot 9 shtator efektivisht dhe jo siç zyrtarisht, nga 23 korriku i kaluar, Lulzim
Basha është me të vërtetë Kryetari i plotëfuqishëm i PD-së.
Z.Berisha
megjithë heqjen dorë vullnetarisht, pas të ashtëquajturit “verdikt të popullit”
më 23 qershor...nga kreu partiak, sidoqoftë për shkak të kohës “intermexo” që
lejon kushtetuta jonë midis ikjes së një qeverie pas zgjedhjeve dhe ardhjes së
tjetrës, ishte akoma personazhi numër 1 në mos në vend, së paku brenda PD-së
(për shkak të postit kryeministror që i skadoi sot me 9 shtator).
Kjo do të
thotë se fjalët apo batutat e tij si “live” në mbledhjet e qeverisë kushtetuese
“në detyrë” ose statuset e tij në Facebook, ende lexoheshin, kërshëroheshin dhe
konsideroheshin si më të rëndësishme sesa ato të kryetarit efektiv të PD-së që
nga 23 korriku dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë,
zotit Basha.
Sot ky
“dualizëm” brenda PD-së mbaroi dhe të kenë apo jo dyshim të shumtët nga e majta,
tashmë PD-ja e ka plotësisht kryetarin e ri, me fakte, rregulla dhe duke u
mbështetur në pushtetin real që ai ushtron në këtë parti, por edhe për shkak të
postit të tij bashkiak dhe mungesës së “zyrtarizmit” tani e tutje rreth figurës
së z.Berisha.
Tanimë
ish kryeministri dhe ish kryetari jetëgjatë i partisë (ish president po
ashtu)...do të jetë një deputet jo edhe aq i thjeshtë i PD-së në parlament.
Pesha e
tij në një parti pjesërisht mjaft “berishiste” siç është PD-ja, do të mbetet e
fortë padyshim, por kohës do t’ia lemë të shohim sesa dhe si, z.Basha do të
vijojë siç ka filluar (që sot) të formësojë sipas vizionit dhe ideve të tij, fizionominë
e PD-së së pas 23 qershorit, 22 korrikut dhe 9 shtatorit të këtij viti!
Dhe e
treta për nga aspektet tej fjalës së z.Basha sot në prezantimin e tij të
vërtetë si opozitar dhe kryetar i partisë më të madhe të djathtë, ishte kjo, pra
që simbolika e selisë së re, tregon dhe ngërthen në vetvete edhe atë që PD-ja, megjithë
dritë-hijet e saj të shumta është!
Një parti
e rënë sërish pas 16 vjetësh (pa dhunë kësaj rradhe)...në 30% elektorat, por
një forcë politike që pret së paku, që të paraqesë një alternativë opozitare
dhe nesër qeverisëse me nivel dhe përgatitje e synime të qarta dhe të
shumëanëshme.
Një parti
që domosdoshmërisht është mjaft më e madhe se 46 deputetët që do të mbrojnë
kauzën e saj dhe të votuesve të djathtë në parlamentin shqiptar tashmë të
ngjyruar si shumë në të purpurt dhe të kuqe (ngjyrat e PS-së dhe LSI-së), një
parti që kur nuk zihet kokëfortësisht me miqtë tanë amerikanë dhe ndërkombëtarë,
kur nuk i zë sytë fryrja dhe majmja nga pushteti, qëndron përherë rrotull 40
përqindshit të votave të qytetarëve të këtij vendi, një parti që historinë e
rradhës si opozitare e nis nga një seli e denjë, pasi pikërisht në këtë godinë,
ka nxjerrë në analet e historisë së errët, memorien e fundit të sistemit monist,
SHQUP-in dallkauk!