E marte, 06.05.2025, 10:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Revista Kosova në Bukuresht

E diele, 13.01.2013, 11:49 AM


REVISTA KOSOVA DHE AFIRMIMI I SAJ NË BUKURESHT

Në kuadrin e artikullit “Invazioni sllav në Ballkan sipas një autori rumun”, kuptojmë se kur vdes një rumun në Luginë të Timokut (që shtrihet tejmatanë Kosovës dhe Toplicës e Nishit), që të mbrohet nga serbët edhe në botën tjetër, pranë kufomës, plakat e fshatit i venë në arkivol edhe një shkop druri. Ja kombi i shqipeve ku defilon Fryma e Shenjtë e udhëhequr nga Fjala e Perëndisë, dhe e ngushëlluar nga e Vërteta Hyjnore që erdhi të mbjellë në zemrat e shqipeve farën e mirësisë!

Nga Baki Ymeri

Në fillim të vitit, njerëzit duan të dinë çka i presin në 52 javët e ardhshme, deri në vigjilje të Festave të dimrit (2013). Lexuesit tanë i intereson se ç’kemi bërë gjatë vitit që shkoi, sidomos kur vjen fjala për botime ku defilojnë kultura, historia dhe mirësia. Vlen të ripërkujtojmë faktin se këtë farë të mirësisë e mbollën për herë të parë në Bukuresht dhe Konstancë bijtë e pavdekshëm të Rilindjes sonë. Vepra e tyre, kushtrimi për atdhetari dhe qytetërim, si dhe zëri i viktimave të Dardanisë, na ftojnë ta shpiem më tej dritën e shenjtë të atdhedashurisë shqiptare. Kështu, falë përkrahjes së Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës, gjatë vitit të shkuar e panë dritën e botimit tre numra të revistës Kosova me nga 50 faqe në kolor, si dhe suplimenti Kosova letrare. Faktikisht, për herë të parë kjo revistë filloi të dalë më 25 maj 1932, në Konstancë të Rumanisë. Ishte revista e parë e diasporës shqiptare kushtuar Kosovës, historisë, kulturës dhe afirmimit të saj në botë. Themelus dhe drejtor i saj ishte patrioti korçar, Gjergj Bubani. Cila është përmbajtja e numrave të fundit?

       Në faqen e parë (Kosova nr.6-8/2012), botohen fotografitë e Nikolla Naços, Asdrenit, Viktor Eftimiut, Xhelku Maksutit dhe një tjetër me shqiptarët e Rumanisë në marshin e solidaritetit me NATO-n dhe Kosovën (31 mars 1999). Pason artikulli “Masakra serbe kundër Kosovës shqiptare”, kushtuar Sadik Ramës nga Gjurgjeviku i cili qysh para 80 vitesh militonte për pavarësi dhe bashkim kombëtar: “Nuk e shes atdheun me pare. Sikur me ma mbushë kët kullë plot me flori nuk bahem serb; por ikni e shkoni kah jeni ardhë, se Kosova asht nji tokë arbnore dhe ka me fitue independnecën".  Pas faksimilit të artikullit “Albanezii sunt mandria Balcanilor” (Shqiptarët janë krenaria e Ballkanit), polemikë e autorit të këtij shkrimi me Veljko Kovaçeviqin, korrespondent i ambasadës jugosllave në Bukuresht (1992), botohen disa reçensione nga krijuesit rumunë kushtuar poetëve tanë nga Kosova, një fotografi me Zonjat Clinton dhe Jahjaga, një faksimil i artikullit “Kosova, kontinuitet i territorit etnik shqiptar”, botuar në gjuhën rumune në gazetën “Interesul Public” (17 mars 2008), studimin e Brahim Avdylit “Serbët, Serbia dhe Kombi Shqiptar”.

         Pason një rubrikë me polemika, si dhe disa foto të motshme e të reja (Manastiri i deçanit me popullsi shqiptare, Këshilli Kishtar i Patrikanës së Pejës me shqiptarët ordodoksë, ballina e revistës Kosova kushtuar Dr. Xhelku Maksutit, një ballinë tjetër e Kosovës me ishpresidentin e Amerikës Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, Godina ku ka funksionuar shtypshkronja e parë shqiptare në Bukuresht (1886), Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Rumanisë në Snagov (1933), Kujtime nga Ambasada e Shqipërisë në Bukuresht para disa vitesh, me ambasadorin Fran Zef Çukaj në mes, Kosova dhe Shqipëria në Brailë (2010), faksimile të artikujve në gjuhën rumune “Kosova është vatra antike e kombit shqiptar” (1999), “Çka dinë rumunët për shqiptarët e Kosovës”, “Një rumune në Parlament mashtron etninë shqiptare”, “Komuniteti shqiptar mbron prestigjin dhe të drejtat kushtetuese”, “Minoriteti shqiptar i fyer dhe i shpronësuar në dhomën e Deputetëve”  (2001), ballina e revistës arumune “Albania” etj.

         Numri i dytë jep rumanisht dhe shqip artikullin e Dr. Xhelku Maksutit (Situata aktuale e shqiptarëve të Rumanisë). Po japim vetëm paragrafin e parë: “Shqiptarët e Rumanisë gëzojnë një atestim dokumentar prej mbi 400 vjet komuniteti të veçantë në trojet rumune, që nga koha e vojvodës së famshëm, Mihai Viteazul (Mihai Trimi), i cili në vitin 1595 i ka mundësuar një numri të madh shqiptarësh të kalojnë Danubin për t’u stabilizuar në Vllahi. 400 vjet më vonë, në vitin 1995, nën përkujdesjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë (BKSHR), e themeluar më 24 maj 1990, në sallat mikpritëse të Muzeut Nacional të Historisë së Rumanisë, u mbajt në Bukuresht një simpozion ndërkombëtar me karakter historik dhe letrar, me pjesëmarrjen e një numri të konsideruar hulumtuesish nga Rumania, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Kosova, Beogradi dhe Republika e Moldovës, të cilët sollën kontribute të rëndësishme për njohjen më të mirë të historisë sonë.” Pason një shkrim tjetër i tij në gjuhën rumune  (Kosova – nyja gordiane e Ballkanit). Në emër të redaksisë botohet portreti “Shqiptari që din ta mbajë gjallë shpirtin shqiptar në diasporë”, kushtuar të njëjtit autor që para dy vitesh i mbushi 80 pranvera të jetës së tij, i ftuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë të shkojë në Vlorë e Tiranë, së bashku me kryeredaktorin e “Shqiptarit” dhe një nip tjetër të rilindësve tanë (Vlad Zografi), por shëndeti nuk ia mundësoi këtë gjë.  Në shenjë respekti ndaj këtij veterani vlerash të veçanta kulturore dhe atdhetare, botohet artikulli “400 vjet histori e shqiptarëve në veri të Danubit”. Në kauadrin e rubrikës së kulturës botohen disa poezi të Milazim Krasniqit, një reçension i Florentin Popescut kushtuar manifestimeve letrare shqiptare në Bukuresht, fragmente nga libri i Monika Mureshanit “Zëra nga lulishtja e Kosovës letrare”, një portret me titullin “Serbia duhet të përballet me realitetin e shtetit të Kosovës” dhe me nëntitullin “Nuk do të bisedohet asnjëherë për ndarje territori”, një fotografi me nënshkrimin “Aspekt nga tryeza e miqësisë ndërmejt Kosovës dhe Bukureshtit”.

Rumunët e Timoku dhe administrata shoviniste e Beogradit

              Në kuadrin e rubrikës Histori, del artikulli “Invazioni sllav në Ballkan sipas një autori rumun”, me motonë: “Kur vdes një rumun në Luginë të Timokut (që shtrihet tejmatanë Kosovës dhe Toplicës e Nishit), që të mbrohet nga serbët edhe në botën tjetër, në arkivol, pranë kufomës i venë një shkop druri.” Në këtë kontekst jepet edhe një fragment studimi me titull “Dakishtja dhe trako-ilirishtja janë gjuha dhe gjaku ynë”, pas të cilit botohet artikulli “Rumania e blokon Serbinë për integrim në BE”, edhepse, praktikisht, pas blokimit të parvjetshëm, qeveria rumune çaloi para një viti, duke ia dhënë këtë shans një vendi që i diskriminon sistematikisht rumunët e Timokut. Dr. Nicolae Lupu thekson në një libër të tij, botuar në vitet 1940, se para 100 vitesh “gjysma e Bosnjes fliste vllahisht, se “gjysma e oficerëve dhe trupës së divizionit serb në Odesë, ishin rumunë.” Dhe më tej: Më shumë se një e treta e banorëve të Serbisë janë rumunë edhe sot e kësaj dite, thekson ish ministri rumun, Lupu, i cili përmend fjalët e Patriarkut Miron, sipas të cilit një episkop serb e ka parë një fëmijë të porta e shtëpisë, që i kundronte fëmijët e tjerë që loznin e flisnin serbisht, por ky nuk fliste fare. Përse ti nuk flet me kolegët tu, e kishte pyetur episkopi, kurse ky ia kishte kthyer: “Nuk më lë mamaja!” Gratë dhe nënat rumune e kanë kultivuar gjatë shekujve gjuhën rumune. Po qe se flet serbisht në shtëpi, atë vit pemët nuk bëjnë fryte dhe lopët e humbin plleshmërinë e tyre. Ky është besimi popullor në Timok, në shenjët të ruajtjes së gjuhës, por kjo nuk don të thotë se si pasojë e administrates shovine të Beogradit, pjesa dërmuese e rumunëve të këtij vendi nuk janë sllavizuar. Vlen të theksohet se në kuadrin e këtij subjekti, në kuadrin e rubrikës Polemika, Kosova e Bukureshtit boton edhe artikullin “Fashizmi serb me konotacione antirumune dhe antishqiptare”, i dinamizuar me faksimile nga shtypi rumun, me nënshkrimin “Kyreministri i Kosovës në të përditshmen bukureshtare Adevarul (E Vëreta). Shefi i qeverisë kosovare mendon se Bukureshti do ta ndryshojë së shpejti qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës” (20 maj 2008). Pasojnë edhe fotografi tjera interesante dhe të rëndësishme.

         Në numrin e dhjetorit, Kosova boton në të dy gjuhët (shqip dhe rumanisht), artikullin e Adriatik Kelmendit „Pse Rumania duhet ta njohë Kosovën”, i dinamizuar me fotografi ku duket delegacioni i Kosovës në Bukuresht (dhjetor 2012), një vizitë historike që përfaqëson Kosovën për herë të parë me një numër kaq të madh intelektualësh, politikanësh dhe gazetarësh nga Kosova, me përfaqësues si Donika Kadaj Bujupi (deputete), Shyqri Nimani, Pleurat Sejdiu, Puhie Demaku, Dren Doli etj. Pason artikulli rumanisht i Sandu Cristea Timoc me titullin “Serbët dhe bullgarët ua kanë vjedhur rumunëve në jug të Danubit, autonominë dhe të drejtat e motshme vllahe, gjuhën amtare dhe kishat”, një ditar rumun “Me këpucë ushtarake” dhe leksione mbi patriotizmin, një reçension (Mjalta e fjalës shqipe në gjuhën suedeze”), e autores Inger Lalanden, kushtuar vëllimit “Bisedë me hijet” të poetit kosovar Nexhat Rexha, artikulli i Kadri Metajt “Artisti për artistët” kushtuar librit të Remzi Limanit “21 shprehje artistike”. Pason “Poeti magjik i dritës shqiptare”, një vështrim kritik i vëllimit “Balada e heshtjes” e Neki Lulajt, disa vargje të Kalosh Çelikut në gjuhën rumune, reçensioni i Luan Topçiut “Kur të tjerët flasin për poetin tonë Sali Bashota”, respketivisht “Shpirti fisnik i njël poeti të jashtëzakonshëm”, një reportazh mbi garat sportive në Kosovë (Fikret Demiri etj.), revista duke qenë e kompletuar me dhjetra fotografi të rralla historike dhe artistike. Me rëndësi është edhe suplimenti i kësaj reviste “Kosova letrare”, që poashtu doli në 50 faqe në kolor, me disa reçensione të Monika Mureshanit kushtuar krijuesve tanë nga Kosova (Lulzim Tafa, Mëhill Velaj, Veli Veliu, Skënder R. Hoxha, Nezir Prokshi, Fehmi Kelmendi,  Sadik Përvetica etj.). Çka don të thotë kjo? Kjo don të thotë se përveç halleve sociale, ekonomike, ekzistenciale që ka Kosova në këtë periudhë të vështirë të konsolidimit të pavarësisë, Kosova ka kuadro të shëndetshme në Ministrinë e Kulturës, apo në atë të Diasporës, që kanë kujdes edhe për afirmimin e kësaj zone në botën e jashtme, dhe kjo nuk don të thotë pak, pavarësisht nga fakti se mjetet që i ndajnë këto ministri për botimin e revistave Kosova dhe Shqiptari në Bukuresht, apo për furnizimin e shkollave shqiptare në diasporë, janë simbolike dhe të mirëseardhura, për të krijuar ura të shëndetshme ndërmjet shqiptarëve dhe për afirmimin e shqiptarëve, ngado që janë në botë.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx