Kulturë
Mircea Petean: Zilet e Ringjalljes
E premte, 11.01.2013, 07:38 PM
Mircea Petean në gjuhën shqipe
(Poezi nga vëllimi Zilet e Ringjalljes, Rozafa, Prishtinë 2012)
VETMI
fjalë të leshta fytyrën ma mbështjellin bletë të azdisura sytë m’i shpojnë ciflat e gjërave ma farkojnë gojën nga e majta vjen vuajtja mbi një tavë të plastiktë nga e djathta degdiset lumturia në zgërbonjat e derdhura gishtërinjtë e mi e rrahin zhaurrimën në qafën e atij që ka humbur përgjithmonë
KJO
ditë për ditë as për tepër vonë as për tepër herët kjo ngjitet në vetvete as ngadalë as me të përngutur shpupuriset mbi muzikën paraklasike përballë pasqyrave rekapitllon ditën e ardhshme nga lidhëset e pantallonave dhe buzëqeshjen e kombinuar me një kapelë pra ditë për ditë që të shikosh se si parmbrëmë e nesër hapej si një derë e shkulur nga pragu një maskë groteske mbi një trekëndësh eshtrash në dridhërimën e përjetshme me zërin e dikujt duke i dhënë tringëllimën e „parashikimit që lind çmendurinë” „flej i qetë”
TJETRI
rrudha fillon nga këndi i syrit
traverson kanalin e gojës
degdiset në mjekër
porsi një zhapin
syri është një top
thuajse i kuq
të cilin e lëviz pa u lodhur
maja e bishtit
e pret mbrëmjen
ta krasisë bishtin e mbrehtë
- përmes anës sate të djathtë
do të flatrojë një kometë
VARGJE PRITJESH TË VOGLA
nëpër thimthin e veshit të tij të mëngjër
shikoj në drurin e kopshtit
se si e dhuron nga një harabel
-heshtjen e gjetheve që tunden
tufë zogjsh
të shtrirë mbi degë si një përhirtësi
„çka sheh nëpër to”
„një rrumbullakësi boshe me penda”
NJË USHTARAK I VERBËT
e zunë një ushtarak të verbët ia dhanë një shtëpi majë shpatit të mbrojtur ia dhanë një femër ia mbëltuan një bre për të cilin e lidhën një lopë gruaja i bëri më shumë fëmijë lopa ia dha një viç fëmijët i prunë fëmijë tjerë viçi i dha voglushë tjerë ushtaraku i verbët takon një zotëri të ri ditën e dytë kthehet në shtëpi të katërtën ditë zotëriu i ri ia përplas në fytyrë ditën e pestë ushtaraku i verbët kthehet në shtëpi por shtëpia nuk ishte nuk u ngjit në shpat ngase shpati ishte topitur ditën e gjashtë e zunë në ditën e fundit ushtaraku i verbët nuk është as i kënaqur e as i pakënaqur as i vetmuar dhe tashmë s’është as ai që ishte ushtarak i verbët
BLLOK
kati përdhes është shurrdh-memec
kati i parë shushurit
gromësin i vetëkënaqur
kati i dytë është i indinjuar
interpreton këngë të zemëruara operash
kati i tretë llomotit
ka një dhëmb kundër fëmijëve
kati i katërt qesh me qesëndi
apelon edhe në mjedise elektronike
kati i pestë ësht’ i banuar me engjëj
lodrat dhe trompetat e tyre paralajmërojnë
degdisjen e botës
kati i gjashtë shkruan poema ironiko/sarkastike
duke përfytyruar se bën zhurrmën më të madhe
PORTA
çfarë marrëzie çfarë cirku çfarë skandali rruga lakohej ftohtë me kundërmim qeni të vlagtë – ishte një zë që paralajmëron se ujqërit po zbresin kishim në çdo çast nga një cigare ndezur në disponim – pranë portës mbi një kodrinë një portë dhe ajo atje nga dërrasat e breut jo aq të larta ashklat e drurit delnin – blana të panumërta të zeza të rradhitura gërmadhë - i mashtronin me trashësi njerëzit kalonin shikoheshin harronin nëse shihni diç dhe vetëm aq ishin ata dy shtylla ndërmjet të cilave porta sado që do të donte donte sado që do të priste të ndjekë ndoj tjetër gjë një gardh një shtëpi një kotec qenjsh një derë një deriçkë së paku nuk e shihja më shikonte në anën e kundërt të saj gërmadhohej hiçi porta që e mbyll asgjësinë marrëzi cirk skandal
SHTËPI
një gardh me thupra të pjekura të stërlashta një shtëpi prej druri rrënqethen shtyllat e rërës mbi ujë nga ftohti oborri – një brumë i ngjeshur gjatë nga thundrrat – e baglaxhiut që ka erëtimë deleje tmerrësisht e hallakatur prroskë e blertë fsheh një plakë trupin e saj të shtrembët duke mbuluar kuadrin e derës zgavrat e hundës së saj të thara shpërndajnë erëtimë hapash shikimi më shtrohet shtigjeve thuajse po dëgjoj „andejpari ka ikur koha kalon urën ngjitesh shpatit shtron rrugës së hekurt e di është një rrugë pa kthim”
SENTIMENTI I PUSHTETIT
pa e parë detin e parandjen
si një vërshimë rërash e guacash anijesh
të degdisura dhe algjesh e kullosash bërthama të harruara dhe kuaj
e yje deti po aq
të padobishme shtupa shishesh
„vret rrokullisja e plisace
në formën e një barazhi të plasur në njëmijë pika”
KAPAKU SHTERP
thuhet se nuk e kanë parë veçse ata sy – dhe jo vetëm një herë – që në miellin e natës fermentohen
nuk u njihen rrënjët
ndoshta as që i kanë
por degët e tij janë stërzgjatur në formë kthetrash
(zogj të plagosur përplasen – larva gjaku mbi shkëlqimin e gjetheve)
një farë peshkatari e ka parë kështusoj felinarin
përmes të cilit bregu shkëlqente
QIRINJ
Dëgjoj flakën e qetë se si ngjitet duke u zvogluar përpëlitja e trëndafiltë ka mezin e zi në mjedisin e kupës së bardhë me brigjet informe flaka ngjitet duke u zvogëluar në ajrin e dendur të shtëpive të heshtura të katedraleve të larta e të shkreta në brigjet mes ujërave në proçesione të mëdha mbarojnë në një gërmadhë të ndotur ndërmjet plehërave hyjnitë mbledhin flakën si një lule që ka faqet dhe duart e nditura me tym
LULE
lule nga shitorja e luleve të dala
në humusin pas shpinës së orës
lule të përhirta lule vjollcash lule
të mishta lule
nëpër avullimën e levarashtë të ditës
vërej se si degdiset frakcioni
i fundit i trupit të dikujt
QIEJ TË JARGAVANTË
mbretëri të ndritura mbi palcën e të cilave shkelin të zbathur - thembrat e kërthizës së gishtërinjve thembrat e krahëve të butë përrreth trupave të lartë – një burrë që s’është i tëri një grua që s’është e tëra në një tërësi do të ishte koha të tuboheni të davaritur siç janë në të gjitha anët në të gjitha meridianet apologjetët t’i çukisni në majë deri sa do të gjejnë vazhdimësi në këtë – „det të vertikaltë të qiejve të jargavantë”
PROJEKSION
kjo rrugë të shpie diku
ja se si mbi të po ik
si një macë hija e zezë
natë e tejdukshme hëna
trup me kundërmim kullose
një fjalë e askundshme fjala
gjinkalla në shpuzën e ngrohtë
të plisit rrëshqet duke u stërzgjatur
si një qenje që prehet në mirësi
-në brigjet e dhëndërrit të nuses
“sa valë thehen me lavdi në breg
dhe sa lugina ujërash i mbyll si në ëndërr
mëngjezeve të përngutura”
TAKIMI
takimi i paparashikuar me siguri pat ngjarënë një lulishte të shpartalluar nga një buldozer i trishtshëm
morën pjesë pos meje dhe dy miqve të mi edhe dy
shkallë tejet të reja mbi të cilat dielli rritej si një
dredhëz ekstatike
MBRËMJE DIMRI
fiksoj orën e zgjimit lë librat në paqë dhe
çrregullimin e lë për nesër leximin e letrave
të mikut i fryj qiriut ndëmjet shtratit
me indeferencë kundroj përjashta (jashtë është
muri i katërt i dhomës)
njëmijë gjeste krenare ma inkuadrojnë fytyrën
në shëmbëlltyrë brishtësishë të ngërthyera
njëmijë fjalë të mbështjella më mbushin si një
rrugë me vegjetacion të pashkelur
BOX
Mircea Petean u lind (më 2 shkurt 1952) në fshatin Jucu de Mijloc, rrethi i Kluzhit në Transilvani. Ka kryer degën e rumanishtes dhe frëngjishtes (më 1976) në Facultatea de Litere, në Kluzh-Napoka. Ka ushtruar profesionin e profesorit në një shkollë të Maramureshit, ka qenë inspector shkollar për një kohë të shkurtë, menjëherë pas Revolucionit Antikomunist të Dhjetorit (1989), duke u bërë në ndërkohë redaktor dhe shef dege në Editurën Dacia, pastaj Sekretar i përgjithshëm në Editurën Cartimpex. Aktualisht është drejtor i Editurës Limes, që e ka themeluar më 1998. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë dhe anëtar themelues i ASPRO. Ka botuar më 1974 në revistën Exhinox dhe ka botuar gjatë viteve në revistat më të rëndësishme të vendit. Vepra letrare: POEZI: Një mal, një ditë; Libri i Jucu Fisnikut I; U prodhuan modifikime; Shtegtar profesionist; Ditë pas dite; Lerma, Zot, zbavitjen; Tejmatanë bregut të bregut; Shi, dëborë, të ndryshme; Libri i Jucu Fisnikut I, II, III; Goditje prej rëre; Poemat e Anës; Fushë e minuar; Qetësi e reduktuar në heshtje; Katedrala prej dëgjimit, etj. Ka botuar disa romane dhe përmbledhje me ese. Është i përkthyer në disa gjuhë, ka shkruar parathëni dhe kronika librash, duke qenë laureate i një numri të rëndësishëm shpërblimesh për vlerat dhe aktivititetin e tij letrar. (Shqipëroi: B. Y.)