Kulturë
Skënder Buçpapaj: Një libër i ri për një lexim të ri
E marte, 08.01.2013, 08:22 PM
SHTËPIA
BOTUESE OMSCA-1 NXORI NË QARKULLIM LIBRIN ME POEZI
'UNË JAM
TIRANË, 7 JANAR - Shtëpia Botuese OMSCA-1 bën të ditur se këto ditë ka nxjerrë në qarkullim librin me poezi të autores Elida Buçpapaj.
Redaktor
i librit është Skënder Buçpapaj.
Libri
përmban 136 faqe dhe kushton 500 lekë.
Këtu po sjellim edhe parathënien e librit:
NJË LIBËR
I RI QË FTON PËR NJË LEXIM TË RI
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
Libri i
ri "Unë jam e përjetshme" është rindërtim novator i librit të
mëhershëm të poetes Elida Buçpapaj "Unë nuk jam e përjetshme". Lënia
jashtë e një pjesëze mohuese, ngërthen në vetvete jo thjesht një përfundim
kundërvënës. Shumë më tepër se kaq - ai ngërthen në vetvete një pohim mohues,
një konkluzion të ri sa etik aq dhe estetik, një propozim të ri ndaj lexuesit,
pas një rishikimi të thellë të përvojës jetësore dhe poetike nga ana e autores.
Nëse
librit të mëhershëm "Unë nuk jam e përjetshme" i printe thënia e
poetit Robert Graves "Poetët janë njerëz", pra, janë tokësorë, librit
të ri do t'i shkonte për shtat thënia e shkrimtarit dhe krikut të artit John
Ruskin se "poetë janë njerëz, profetë dhe besimtarë (religjiozë)
njëkohësisht", pra janë njëherësh tokësorë dhe qiellorë, janë njëherësh të
njerëzishëm dhe të perëndishëm.
Laboratori
poetik ndërmjet dy titujve të sapopërmendur, ka punuar në katër reparte: në
ripunimin e versioneve më të hershme dhe risimin e figuracionit ose të detajeve
figurative, në versione të reja të plota, në versione të reja të pjesëshme, por
që i përkasin së njëjtës frymë. Kjo përkon me ribotimet e disahershme të
poezive në gazeta dhe revista në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Perëndim, si
dhe në mediat online, deri në periudhën digitale dhe atë të rrjeteve sociale,
siç është facebook, pra në epokën kur poezitë shkruhen dhe të faqosen në
fashikuj jo dosido, po drejtpërdrejt në eterin e Universit pasi kanë përshkruar
rrugën e periudhave epokale të njerëzimit prej fazës së shkrimit në gur apo
dru, pastaj në pergamena, në papirusa dhe në shtypshkrim e deri në këtë
mbërritje.
Në gjithë
këtë përballje e këtë ndeshje me kohën, me lexuesin, përkundër raporteve të
reja të krijuara mes autores, krijimit, proceseve të shkrimit dhe të leximit,
asnjëherë nuk janë harruar, gjithnjë janë mbartur me vete imazhet, mjeti më
karakteristik i poezisë së Elidës. Ashtu si reja e ngarkuar me stuhi, e cila
mbart me vete si vetëtimat, ashtu dhe bubullimat, poezia e saj është gjithmonë
një mori imazhesh, asnjëherë të heshtura, përherë gjëmuese. Nga ky aspekt, do
thënë se kjo teknikë e komunikimit poetik i ngjason jo pak teknikës
kinematografike, sidomos asaj pas "Portokallit mekanik" të Stanley
Kubrikut, ku teknologjitë e reja të përcjelljes së mesazhit artistik bëhen
gjithashtu pjesë e komunikimit me publikun, në këtë rast me publikun e poezisë,
të cilit jo vetëm i lejohet, por edhe i detyrohet perceptimi i poezisë si me
fjalën, ashtu edhe me imazhin e mbartur prej saj, ashtu edhe me akustikën që e
përbën dhe e shoqëron këtë imazh.
Me librin
e ri "Unë jam e përjetshme", autorja fton për një lexim të ri,
nëpërmjet të cilit lexuesi e kupton edhe hopin që ajo ka shënuar nga libri
"Unë nuk jam e përjetshme" deri tek "Rapsodi e Golgotës së
tranzicionit", deri tek krijimet e saj më të reja dhe ciklet e saj më të
reja, por e kupton edhe logjikën që i lidh të gjithë librat e autores, të
gjithë poezinë e saj, edhe logjikën e shkëputjes nga disa prej etikave dhe
estetikave të mëhershme të shkrimit, derisa të dalë në verdiktin se vetë poetja
është gati krejt vetvetja, njëherësh gati krejt dikush tjetër, nga një e
papërjetshme tashmë ajo është shndërruar në një të përjetshme. A nuk kishte,
pra, të drejtë Paul Valery kur thoshte se nuk ka poezi të përfunduara, ka vetëm
poezi të braktisura?
Ngjan e
pamundur, pra, të flasësh për këtë poezi dhe të shmangësh shtjellimet teorike
për poezinë dhe përtej saj. Nga pozita e redaktorit të këtij libri, je i ftuar
të kuptosh më drejt raportin krijues me poezinë, të pranosh se lexuesi dhe
redaktori i parë i poezisë është vetë krijuesi. Ndërsa redaktori është thjesht
ndërmjetësuesi i parë me publikun. Në këtë cilësi, mund të them se kjo poezi e
ka të vetin gjithëpushtetin ndaj rimës dhe mosrimës, ndaj mbingarkesës
figurative dhe komunikimit troç, gati publicistik, ndaj vrullnajës së ndjenjave
dhe ndaj akullnisë së përsiatjeve tejet racionale. Në këtë dyskajore, në këtë
segment do kërkuar edhe tallazitja e kësaj poezie, e cila shkon nga
përshkallëzimet ngjitëse rënëse, deri kulmore, tek ato zbritëse, deri
fashitëse, nga kalamburet marramendëse, deri tek fjalëlojat gati fëminore, nga
përgjëratat ledhatuese deri tek kumbimet vringëlluese.
E pra, në
këtë dyskajore përfshihet gruaja dhe vajzëria e saj, nëna dhe fëmijëria e saj,
bija e atdheut dhe mërgimtarja e përmalluar për atdheun, përfshihet tranzicioni
postmonist i vendit të saj dhe mërgimi plot sfida në botën e huaj, përfshihet
kthimi i përhershëm me mendje dhe zemër në atdhe dhe amnezia gjithnjë e më e
rëndë e atdheut ndaj bijve e bijave të saj të larguar. "Unë nuk jam e
përjetshme" do të ishte libri i parandjenjave; "Rapsodi e Golgotës së
Tranzicionit" do të jetë libri i sendërtimit të makthshëm të këtyre
parandjenjave, ndërsa „Unë jam e përjetshme“ libri i verifikimit të koshiencës
dhe subkoshiencë, që në gjuhën jo poetike përkthehet me togfjalëshin e thjeshtë
„a nuk të thashë!“. Dhe pa këtë vizion pararendës poetët nuk do të ishin poetë
dhe në fund të fundit, prandaj poetët dallohen nga njerëzit e zakonshëm.
Metafora
për poezinë e Elidës pjesë e kartës të identitetit të saj poetik, ajo luan me
metafora, të cilat i vendos në funksion të një sensibiliteti të tillë poetik sa
i prek thellë telat e shpirtit njerëzor.
Poezia
"Shkela një lodër fëmije" është një metaforë e jetës me afatet e saj,
ku fatalizmi ekzistencial është i pashmangshëm, ku ekzistenca nuk ka dilema.
Tek kjo poezi autorja është edhe „fajtorja“ që e shkeli kukullën, edhe vetë
kukulla.: "Shkela një lodër fëmije/ një kukull të drunjtë/ si një
„matrioshkë“/ me flokë dhe faqe të kuqe,/ një kukull që vetëm qeshte/ që ishte
e lumtur…/ ajo as nuk hante/ as nuk pinte…/ ajo nuk kërkonte as të flinte/ që
të shihte ëndërra/ ajo duket se shihte ëndërra me sy hapur,/ pa ironi,/ ajo nuk
kërkonte as të udhëtonte/ me jaht,/ të paktën sa të shihte detin,/ ose të dilte
të paktën natën/ në ballkon/ sa për të parë hënën/ kur të bëhej presje…/ ajo
s’i pa asnjëherë yjet,/ as plepin…/ dhe prapë ishte e lumtur/ ajo rrinte tërë
ditën në shtëpi/ pa lëvizur/ majë televizorit,/ apo mbi tavolinë/ kur e ftonin/
për të ngrënë me ta/ fëmijët/ kur ishin të vegjël/ ajo kukuriste fare,/ kur
qendronte mbi tavolinë/ me fëmijët/ dhe dukej se më të lumtur se ajo/ vërtetë
nuk kishte në botë njeri…" Kukulla, pra, ishte njeriu apo vetë koha e
seicilit prej nesh.
Për të
shpjeguar parimin krijues që ka prirë në ndërtimin e këtij libri të ri, unë po
pranëvë dy versionet e poezisë "Pikë e lotit", e cila është poezia më
me pak vargje e përmbledhur këtu: Versioni I: "Pikë, pikë e lotit/ më e
vogël se një pikë shi/ në cep të syrit/rri…/ pikë, pikë e shiut/ më e vogël se
një pikë/ rërë/ që të mos më shihen lotët/ fytyrën lagma të tërën."
Versioni II: "Pikë, pikë e lotit/ më e vogël se një pikë/ mbi „i“/ në cep
të syrit/ rri…/ pikë, pikë e qiellit/ më e vogël se një pikë/ mbi « i »/ rigon
si lot/ duke bërë/ pirueta/ mbi asfaltin gri.../ pikë, pikë e lotit/ më e vogël
se një pikë/ mbi „i“/ në cep të syrit/ rri…" Nëse në versionin e parë
poezia ka nëntë vargje, ka dy rima, ka pesë detaje-imazhe, në versionin e dytë
ajo ka shtatëmbëdhjetë vargje, ka tetë detaje-imazhe, ka vetëm një rimë, e cila
bie gjithnjë mbi i, ka disa asonanca. Kështu grafikisht shënohet më mirë shiu
që bie pambarimisht dhe pandërprerë nga lart poshtë, shmanget detaji i shiut, i
cili është i pranishëm, por është i nënkuptuar, metaforik, është "pikë e
qiellit", është gjithashtu i kuptuar në foljen "rigon",
përjashtohet detaji i fytyrës së lagur dhe rima "rërë/tërë",
zgjerohet hapësira nëpërmjet ardhjes së përfytyrimeve të qiellit dhe asfaltit,
madje edhe të tingullit "i", përshpejtohen ritmet e përfytyrimeve
nëpërmjet "piruetave" të lotit.
Forma e
jashtme grafike e poezisë, në rastin konkret, bëhet më e hajthme, porosia e saj
më e trishtë, më filozofike, poezia është tashmë metaforë e kulluar. Ashtu si
Robert Frost e përkufizonte atë në mënyrën më koncize: "Poezia është
metaforë", larg përkufizimeve të gjata e të rënduara të teoricienëve,
ndonëse, për hir të së vërtetës, ato të gjitha fillojnë me "Poezia është
gjuhë...". Për më tepër, poezia e sotme është një metaforë që montohet dhe
çmontohet, e anasjelltas, një metaforë që fillin e ka në fund dhe lidhjen nyjë
e ka në zanafillë, e anasjelltas. "Shkela një kukull/ një kukull të
drunjtë, të lumtur…/ ajo u plasarit copka-copka/ se ishte e vogël/ sa një
grusht fëmije,/ ajo u thye copka-copka, një copkë sy bashkë me pak flokë të
kuqe,/ një copkë hundë me gjithë gojkën e vockël,/ një copkë bark me pak fustan
të kaltër/ me pikla të kuqe." Në këto vargje, gjithnjë të poezisë
"Shkela një lodër fëmije", kemi një metaforë në kuadër të një poezie
metaforë, ku janë bashkë poetja me veten e saj, me fëmijërinë e saj, me amësinë
e saj dhe me fëmijën e saj. Vetëm ky kontekst kaq i brishtë dhe kaq i ndjeshëm
e shpjegon makthin gati të tragjik që përmban veprimi i pakujdesshëm ndaj një
lodre fëmije, në fakt, pra lodra e fëmijës së saj.
Poetja,
kështu, e merr në gji sërish, e mëkon sërish poezinë e saj me më shumë
filozofi, me më shumë përkryerje stilistike, me më shumë flatra e fluturime, e
kalon atë nëpër metamorfoza të reja, e pikënis vrullshëm e sigurt për shekuj të
rinj dhe epoka të reja.
"Të
botosh një vëllim poetik është si të hedhësh një petal trëndafilli në Kanionin
e Madh dhe të presësh jehonën," thotë poeti dhe artisti i madh
shumëplanësh amerikan Marquis. Nuk mund ta shprehë askush, ndoshta më mirë,
emocionin e pritjes që e pason një ngjarje të tillë. Dhe nuk mund t'i shkojë
për shtat asgjë më mirë se kjo metaforë vëllimit të ri poetik të Elida
Buçpapajt, bindjes së re poetike të Elida Buçpapajt, "Unë jam e
përjetshme".
Për të marrë përsipër këtë parathënie, përtej faktit se jam redaktor, më ka shtyrë para së gjithash privilegji sa dhe përgjegjësia se vetë unë, me emrin e përveçëm Skënder Buçpapaj, jam pjesë e frymëzimeve të kësaj poezie, posaçërisht e një prej cikleve më të bukura, "Ti nuk më beson, nuk më beson...", pjesë e shqetësimeve dhe përjetimeve të jetës dhe të poezisë, pothuaj në çdo fjalë dhe rrokje, pothuaj në çdo ahmë dhe frymim të çdo hapi jetësor e poetik, jam, nëse jo lexuesi i parë, dëshmitari i parë i kësaj poezie, le të besoj ashtu se edhe fatsjellësi i parë.