Kulturë
Flutura Dervishi: Domosdoshmëria e pikësimit
E hene, 07.01.2013, 11:10 PM
Domosdoshmëria
e pikësimit në një vepër të shkruar
Nga Flutura Dervishi
Është më
se e vërtetë. Gjithkush është ndier i lumtur, teksa në duar ka marrë një libër
të bukur, i ri apo i vjetër qoftë ai. Ndodh që të tërhiqesh nga emri i autorit,
titulli apo dhe kopertina e librit, por më pas vëren se brendia lë për të
dëshiruar.
Libri
është i veçantë, është i bukur, të ngelet në kujtesë, kur të gjithë komponentët
janë në kompleksitet, duke mos harruar edhe shenjat e pikësimit, të vogla në
dukje, por të mëdha për nga rëndësia.
Të rastis
shpesh kohët e fundit të lexosh libra, kryesisht me poezi, ku forca e fjalës
shprehëse – emocionale e autorëvë depërton brenda teje e ti si lexues, dehshëm,
tërhiqesh nga tematika e zgjedhur, trajtimi me profesionalizëm i temës nga
autori, nga magjia e figuracionit artistik, por në kontradiktë me to qëndron
fakti se pothuajse pikësimi në këto poezi mungon.
Natyrshëm
lindin pyetjet:
- A thua
të jetë në “modën” e kohërave “moderne” edhe kjo gjë, ku dhe shenjat e
pikësimit t’i lëmë për në askund, se njeriu i sotëm, njeriu i internetit s’ka
nevojë më për to?
-
Librat
shkruhen për t’u lexuar nga të gjithë. Kush është i stërvitur, falë profesionit
më në kontakt me librat apo dhe pasionit për librat, arrin të kuptojë atë ç’ka
autorët përcjellin përmes vargjeve, por jo t’i përjetojë ato emocionalisht,
pasi e vëren që s’janë aty, ato, të domosdoshmet, shenjat e pikësimit, të cilat
tregojnë shumë.
Po masa
tjetër e lexuesve, që për arsye të ndryshme të mosmarrrjes shume me lexime, e
ka të vështirë t’i lexojë këto poezi për t’i kuptuar, për t’i shijuar, si t’ia
bëjë? Nga se të orientohet?
Përse të
ketë mungesë të shenjave të pikësimit apo keqpërdorim të tyre në disa prej
librave artistikë, të cilët mbajnë vulën e autorëve, redaktorëve e të
korrektorëve letrarë? Ku është profesionalizmi i këtyre të fundit?
A nuk
është për të ardhur keq që të zbehet talenti, puna gjithë pasion e autorëve të
ndryshëm prej neglizhencës së punës që bëhet në drejtim të përdorimit të
shenjave të pikësimit?
Gjithsecili,
kur merr përsipër të shkruajë diçka, të mos harrojë shenjat e pikësimit,
rëndësia e të cilave është e padiskutueshme në paraqitjen dinjitoze të asaj që
lexuesi merr në duar të lexojë.
Ato
s’duhen nënvlerësuar, edhe për faktin se libri dhe interneti duket sikur
konkurojnë me njëri – tjetrin, për vetë zhvillimin e vrullshëm të teknologjive
në ditët e sotme dhe, kur të rinjtë rendin më shumë pas tyre.