Kulturë
Baki Ymeri: Vargje mërgimtare vlerash të veçanta
E marte, 08.01.2013, 08:04 PM
Vargje
mërgimtare vlerash të veçanta letrare
(Musa Osmani, Buka e mërgimit, Tringa Design, Tetovë 2012)
Vargjet duken të thjeshta, por në brendi të tyre autori fsheh mendimin për të sqaruar disa gjëra që ndërlidhen me njeriun dhe ekzistencën e tij. Njeriu është një qenie e përbërë nga tre pjesë: trupi, mëndja dhe shpirti. Sipas Biblës, fjala është për Treshin e Shenjtë. Njeriu pa mëkate është i barbartë me Zotin, siç janë martirët, engjëjt, dhe pse jo, edhe poetët.
Nga Baki Ymeri
Autori i
këtij vëllimi poetik është i preokupuar më shumë me aspektin faktik, në nivel
individual apo kolektiv, duke qenë i kujdesshëm ndaj çështjeve sociale të
shqiptarit që e ka braktisur përkohësisht vendlindjen, për të siguruar
ekzistencën në botë. Frymëzimet e tij notojnë ndërmjet iluzionit dhe
realitetit: “Ki mëshirë për mua, të lutem shpirti im/ Të kam ngarkuar kaq shumë
me ofshama e dhimbje/ Të vë në tavolinë vetëm një laps e letër të bardhë/ E
vetë mbytem në një Det të thellë mëshire.” Që nga starti, përmes vargjeve të këtilla,
Musa Osmani krijon miq dhe admirim: “Oooo, ki mëshirë, të lutem, se veç ti ma
di hallin/ Mos lejo që brenga të më vrasë hapin e ditëve/ Për ty do ngrej këtu
në kurbet Shatërvanin e Mallit/ Ku të vë kokën e ballin e lodhur nga vitet.”
Kjo është e vërteta, sepse “Europa vrapon si e çmendur drejt pasurisë/ Të bëjë
çdo gjë luksoze në jetë/ Po ka humbur Çelësat e Lumturisë/ E shpirti i është
vyshkur fletë më fletë:” Kështu thekson autori që i jep prioritet ndjenjës dhe
komunikimit, dhe ka të drejtë, sepse në Europë, “Në ashensor kurrkush një fjalë
s’ta flet/ Mos u çuditni kur të shikoni bashkë/ Një nënë e një vajzë shkojnë së
nashku në bordell.”
Dikush
mund të krijojë përshtypjen se çdo kend e lavdërojmë me sintagma, si “Poeti
magjik i dritës shqiptare”, apo “Vargje mërgimtare vlerash të veçanta letrare”,
kur vjen fjala për disa krijues në diasporë, por çdokush që i referohet
artistikisht vendlindjes, atdheut, shpirtit, imagjinatës, e meriton nga një
konsideratë të këtillë. I këtillë na duket edhe autori i librit “Buka e
mërgimit”, kushtuar vëllezërve të mërgimit kudo në botë: “Bukë e mërgimit, bukë
me shtatë palë kore/ Më sjell mall për bukën, gatuar në troje/ Ç’më kujton
Përshefcën me vatrat bujare/ Bukë, kripë e zemër, në pragjet shqiptare.” Për
Musain tonë, buka e nënave tona është “e ëmbla bogaçe”, kur të duket se gjithë
botën e kishim në magje, kur nuk të shqitet kurrë nënë fjalëngrohta “Me një
përkëdhelje na e vinte te dora/ Dorë e gjyshes sime, tundëte rrathë djepi/ Me
një mijë urime, nxirrte bukë çerepi.” Kujtimet e fëmijërisë bëjnë të veten:
“Merrnin vrap lëndine, mbanim fort bogaçen/ Pinim ujë krojesh, mblidhnim
manushaqe.” Dhe vjen rinia, e pas rinisë fluturimi për në Perëndim, për të
siguruar një jetë më të mirë, por: “Veç
bukë e mërgimit është me shtatë pale kore/ Helm duket në gojë, kur në sofra
shtrohet/ Buka e mërgimit, bukë që s’të ngop kurrë”.
Kosova e
shtrirë në veri dhe në jug të Sharrit, deri tejmatanë Preshevcës së tij, ka
nevojë jo vetëm për emancipim social, por edhe për tejkalimin e krizës së
moralitetit politik dhe integrimit të saj në Europë, sepse: “Me bukë në trastë
shtatë ferre kaluam/ Më thoni një vuajtje që nuk e provuam/ Mes dritash Evrope,
vezullojnë vitrinat/ Fluturojnë avionët, dete bëjnë makinat.” Dhe shton më tej:
“Buka e mërgimit, oh, bukë pa kripë e shije/ Ti e fut në gojë gjithë trupi të
dridhet/ Mos ma zër në gojë, vëlla, mërgimin e zi/ Se më rrjedhin lotë sikur
bie shi.” Vargjet duken të thjeshta, por në brendi të tyre autori fsheh
mendimin për të sqaruar disa gjëra që ndërlidhen me njeriun dhe ekzistencën e
tij. Njeriu është një qenie e përbërë nga tre pjesë: trupi, mëndja dhe shpirti.
Sipas Biblës, fjala është për Treshin e Shenjtë. Njeriu pa mëkate është i
barbartë me Zotin, siç janë martirët, engjëjt, dhe pse jo, edhe poetët. Njeriu
vepron si një Tresh në Unin e tij: Babai, Djali dhe Fryma e Shenjtë. Koha
poashtu është një Tresh i Shenjtë: e shkuara, e tanishmja dhe ardhmëria.
Autorit i kujtohet Dasma e Jetmirit, me pikën e lotit në qerpikët e burrit.
“Kurbeti/ Na e ka dhënë një Bistricë lotësh brenda gjoksit të rreshkët/ Shkoj
mbi varre/ E më duket se në dritaret e Mëhallës prek palët e flamurit.”
Vendlindja
i jep gëzimin e djalit të babait të vet, që e rrok me krahë njëherësh, kur “Po
vijmë nga larg/ Ku dritat mundin natën e thinjat bardhoshe t’i jepka udha.”
Këto aspekte janë faktikisht tre energji: mendimi, fjala dhe akcioni. Të
tubuara në një vend, ato ato lindin një rezultat, që sipas kuptimit tonë don të
thotë, fluturim, ndjenjë apo përvojë: “Qiejve/ Bredhërojmë si dallandyshe që Vatrën
s’e harrojnë kurrë”. Pason shpirti i njeriut që përfaqëson shumën totale të çdo
sentimenti që e ka krijuar gjatë kohës, kur gëzimi shpërthen në odë burrash,
kur pasojnë urimet dhe vallet e hedhura me miq e mikesha sup më sup, kur “Nga
varret po rizgjojmë ëndrrat e gjyshërve që mes dheut treten”. Mendimi i çiltërt
është një jehonë që e ndërlidh jetën me vdekjen, për të qenë bashkë, “Edhe kur
vijmë të lodhur larg, nga stacionet e detet”, për të qenë bashkë, “Edhe kur
hapim valixhet me mall të zjarrmuar.” Në këtë konteskt, nuk kemi të bëjmë me
vlera të larta që të dekorojnë me Çmimin e Nobelit për letërsi, por me një
filozofi të theshtë të jetës shqiptare që të fton: “Gëzohu, bir/ Mate shendin e
zemrës në majën e Sharrit”, apo diku në Korab, prehu me lulet e livadhit, sepse
i këtillë është malli dhe monologue i mërgimtarit, që çdo ditë thinjet si
dëbora, në Alpet e larta. Kaq sa për sot, për këtë poet të ri që e presim me
një libër të ri, për të na dëshmuar se din ta ndërlidhë iluzionin me
realitetin, imagjinatën me të vërtetën, duke e pasuruar lirikën e mërgimit me
vlera të veçanta, letrare, metaforike dhe mendimtare.