Kulturë
Qazim Shehu: Po shkruaja poezi për dashurinë
E marte, 08.01.2013, 08:29 PM
PO SHKRUAJA POEZI PËR DASHURINË
Nga Qazim D. Shehu
Po shkruaja poezi për dashurinë,
Kur në rrugë ndodhi një vrasje,
Plumbat vargun ma grinë,
Gjaku e spërkati.
Hidhur ndjeva veten atëbotë,
Dhe kaq të mjerë,
Vargu u këput si krande e djegur,
Në zjarrin e ferrit të zjerë
Sikur të mundja atë çast,
Vrasjen ta kisha ndaluar,
Do qe poezia më e bukur,
Që do kisha shkruar…
KJO FURKË E LISIT MBLEDH SHTËLLUNGA MUZGU
Me shtëllungu muzgu të butë,
U mbush furkë e lisit,
Si mjekra mitike të të parëve të mi,
Të fisit.
Këta njerëz që s`deshën të iknin,
Në lis mjekrat lanë,
Fryma e tyre muzgjeve
trishtueshëm s`bëzan.
Kur ndizen yjtë e mbrëmjes
Sytë e tyre hapen,
Diku sytë e nënës,
Diku të babës.
Diku të gjysh stërgjyshit
Gjer tek njeriu i parë,
Dhe furka tjer shtëllungat,
Në fije si litar.
Me to unë të thur,
Një ëndërr të pambaruar,
Gjersa mëngjesi të shkrijë,
Një vegim të trishtuar…
NË KËTË NATË TË CIFLOSUR
E vetme në këtë natë të ciflosur,
Në këtë natë e thyer,
Ku nuk gjendet asnjë ndjenjë,
Brengën për të ngjyer.
Kur hëna rri si thikë në ajër,
Të ngulet në gjoks të dikujt,
Që është fshehur tek e keqja e madhe,
Dhe s`duket asgjëkundi.
Në mill të reve thikë e hënës,
Futet me dëshpërim,
Siç duket fat i verbër,
S`paska ndëshkim…
NË KËTË BOTË GJITHNJË TË STISUR
Në këtë botë gjithnjë të stisur,
Në ngjyra të shpëlara,
Ç`është nisur është gremisur
Gjurmëve të saja.
Në këtë botë rrokullepsur,
Brengash e trishtimesh,
Nuk mund ta dishë ku është mbledhur
Një këshill intrigash.
Që njerëzit ia thurin njëri tjetrit,
Pa asnjë kuptim,
Sikur kjo botë të ish e vogël,
Sa hija për njerinë…
Sikur kjo botë të ish sa mali,
Që gjithnjë na rri përballë,
Ndaj e stisim me dështime
Duke e kthyer në një andrrallë.
Që pakuptueshëm e mbartim,
Si ankth e bezdi,
Këtë botë të ashpër,
Jashtë çfarë ajo është…kush e di…
GJURMËT
Era zvarrit gjethet mbi gjurmët tona
Sikur do ti mbulojë,
T`i ruaj nga ngricat e tetorit,
Gjurmët e pagoja.
Një qen që lehu iku tutje,
Si pulle e zezë e brengës,
Stuhia e fortë shkoi të ndjekë
Inatin e tjetrës.
Pastaj era me vërtik.
Gjurmët i zbuloi,
Mardhin tani ,kanë ftohtë,
Në dimrin që afron…
RRETHI
Çdo mbrëmje ndodh të mbledh,
Njerëz në vijën e një rrethi,
Brenda tij asgjë mos hedh,
Qoftë nje hije gjethi.
Ata të gjithë rrijnë pak,
të kapur dorëpërdore,
pastaj rrethi si një lak,
u hidhet në grykore.
O VEND I NGRICAVE TË MËDHA
O vend i ngricave të mëdha,
Me ngrohje globale,
Gjithnjë ngrihesh e rrëzohesh,
Fitoreve finale.
Ç`ndodh me ty, askush e di,
As guxon të kuptojë,
Kristale ngricash si stoli,
Nxirojnë nëpër lojë.
Sepse kjo ngricë s`mund të shkrijë,
As me ngrohje globale,
Gjersa të ngrihet me tepri,
Kanosja fatale;
E shfarosjes së njeriut,
Të malit ,pyllit, dashurisë,
Gjithnjë ngricat e uritura,
Nuk do duan të shkrijnë…
KJO BORË QË RA
Kjo borë që ra nëpër male,
I ngjan qeleshes së malësorit,
I ikur në metropole,
Duke lënë hijen e ikësit, dhe ujqërit që hedhin valle.
Kjo borë që ra s`guxon të avitet, pak më poshtë në fushë,
Qeleshen e saj e ruajnë vetëm mitet,
Dhe s`guxon ta verë në kokë asnjë burrë…
NË HALË TË PISHËS
Në halë të pishës pëlcet,
Tullumbac i heshtjes së përsosur,
Ky pyll e ruan qetësinë e vet, në krahë të ngrefosur.
Mes tij si në zemër të bujarisë, kap,
Një enigmë të heshtjes që nuk sos,
Gjithë ai gjelbërim i dhënë për natyrën,
Trishtimeve më fundos.
Pse s`mund ta marrrim sa duhet,
Të mbjellim shkretëtirën e fjalës,
Heshtja nga supet shkund hijen,
E bezdisur për këtë të paktën…
VIZATIM
Sot vizatova një ëndërr dhe ia dhashë,
Një vogëlushi në dorë,
Sepse nuk mundet kush ëndrrën ta kapë,
Dhe pastërtinë t`ia tregojë.
Merre i thashë dhe çoje atje ku do,
Me ëndrrën tënde shoqëruese,
Si dy krahë të një zogu të mirë,
Hapësirave të murrme..
Pastaj e hodha në letër, në germa si miza të tokës,
Për ti siguruar përjetësinë e vlefshme,
Si krijimin e botës.
Veçse këto miza do ishin të tilla, që të bëheshin bletë,
Që ëndrra të merrte jetë..
DASHURIA
Ti këndosh dashurisë sot,
Është si ti këndosh humbjes së saj,
Gjysmën e gotës e mbush me lot,
Gjysmën me reflekse pa faj.
Ajo s`gjendet sikur të ishte,
Dinosaur i zhdukur,
Si gjethe fiku është shkërmoqur ,
Në pikën e turpit.
Megjithatë një shpresë na mban,
Përderisa emrin s`e ka të zhdukur,
Si qytetërimet e vjetra ,
Në pluhur tempujsh të humbur.
Si lumë në burim
Burim në rrënjë malesh,
Ti këndosh dashurisë sot,
Më tepër me emrin e saj,
Duhet të çmallesh…
GËNJESHTRA
Në Shqipëri të gjithë gënjejnë,
E kjo më lumturon,
Se fundja mbaj një shpresë,
Për ditën që agon.
Gënjeshtra më e madhe është,
Se jemi vend i lulëzuar,
Aq sa xhepi im mjeran ,
S`më duket më i shpuar.
Në fund pse mos gënjejmë,
Mbase ia hedhim botës,
Kur veten tonë të rrëfejmë,
Do i biem me grushta kokës…
KLONIM
Sot mund të klonosh një njeri, vështirë të klonosh një poet,
Po kinse poetin lehtë mund ta klonosh,
Duke nxjerr një xhuxh gjithë lezet.Mund të klonosh një gazetar, një politikan , ambasador,
Ti japësh trajtë, me pamje njeriu, sa vështirë është,
Njeriun lehtë mund ta klonosh, po sa e pamundur mbetet poeti tek njeriu të shkojë…
KRAHËT E RRUGËVE
Krahët e rrugëve zënë për fyti,
Qytete të shtrira nën beton,
Si ëndrra shpresash të mbytura,
Të njeriut që nxiton.
Ti gjejë këto ëndrra në qytete,
Ku njerëzit përqeshin njëri tjetrin,
Si rrënjë mitesh të mbetura,
Në dordolecë të ngeshëm
Rrugët si krahët e ëndrrave, shtërngojnë qytetin nga pak,
Të tregojë poshtërsitë e veta,
Dhe rrugët i bëhen lak..
SHTEGTIM
Të gjithë shtegtarë jemi në këtë botë,
Bujtim nga pak nëpër të, sado enigma ajo të ketë,
Ëndrrën më të madhe para na vë: ti zbulojmë bukuritë e ndrojtua që ajo fsheh në vete, çastet e dremitura të lodhjes,
Duke na duruar ne si hije të panevojshme…
BRAKTISJA
Ikën të gjithë, lëkura e malit u rrudh,
Pyjeve ujku qesh hidhur,
Dhe të mendosh se në këtë ikje s`ka asnjë pikëllim,
Ç`ikje është kjo, drejt kujt shkohet kështu?
Zajet e bardhë lodrojnë nën diell me shkumën e tyre,
Sikur prej saj të lindin një Afërditë të re.
Ikën të gjithë dhe s`mbeti anjë fishkëllimë në muzgun e vonë,
Asnjë zë në rrugë, asnjë kanatë e hapur,
Rrugët u mbuluan nga ferrat dhe hijet e shekujve,
Që e bënë këtë vend kaq të bukur, duke mbjellë lule në gur,
Dhe gur në zemër sot mbjellin njerëzit e ikur.
PËR DASHURINË TËNDE
Për dashurinë tënde,
Rri dhe vras mendjen,
Duke shkoqitur me dhembje,
Fjalën dhe brengën.
Hepohesh, lartësohesh, sikur,
Paraja gjithçka të jep,
Ndoshta edhe madhështinë
E Murit Kinez.
Ç`është kjo etje e pashur
Ndaj pisparasë së gjorë,
Që trupin ta ka dërmuar,
Dhe shpirtin copë copë?
Dhe dashurinë ta ka hedhur,
Greminave të ëmbla,
Te ti pa mbetur,as gjurma,
Jo më ëndrra.
Më bëhet të vë ulërimën,
Po s`ndjen asgjë,
Në udhë të secilit,
Sikush ec në të.
Në udhë të secilit,
Në secilën udhë,
Po nuk u bëka vetëm,
Ndaj të flas butë…
ROMANCË
Nganjëherë më bëhet se romancat e dashurisë,
Kanë lindur në Korçë,
Dhe dashuria s`mund të digjet me muzgjet,
Më mirë se këtu.
Të rinjtë e sotëm në romanca,
Nuk ngjethen shumë në to,
Të djegur në flirte kalimtare,
Moderniteti veten u tepro.
Unë paskam mbetur romantik i vonuar,
Digjem për një sy e një zë,
Nën blirin e aromuar,
Me zefirin e mbrëmjes në të.
Për pak me një vajzë rashë në dashuri,
Po floku im i thinjur më shkeli syrin,
Plot ironi.
NJERËZ TË TRISHTUAR NËPËR MUZGJE
Njerëz të trishtuar nëpër muzgje,
Që rendni s`di se ku,
Për të kërkuar një fill muze.
Që detonon detin blu.
Për të kërkuar veten tuaj
Kur muzgu jep lehtësim.
Kur vetja bëhet me e huaj,
Si çdo e huaj në fajësim.
Veç muzgu si gjithnjë,
U gënjen me butësi,
O ç`e madhe është kjo gjëmë,
E muzgut, me tepri.
HERONJTË
Gjithnjë dua tu këndoj heronjve,
Pena ndalon një çast,
Mos vallë mendja i krijoi,
Në një aureolë pa takt?
Kjo brengë më sëmbon,
Një angështi e bezdi,
Se futem atje ku s`duron,
Anatemë ose alibi.
Megjithatë vazhdoj të prek,
Këtë tabu delikate,
Heronjtë njerëz ishin vërtet
Të rritur me ne bashkë.
A s`ishin ata që deshën jetën,
Dhe jeta u dha hov,
Në zjarr u hodhën vetëm,
Dalluar ndër shokë?
E pas kësaj ne i ngritëm,
Në këngë e në buste,
Sikur pas tyre do të vinte
Një tjetër provë lufte.
Po duke u marrë shumë me ta,
Harruam të zakonshmen jetë,
E cila pa stolinë e tyre,
Do qe vërtet e shkretë….
ÇFARË JE
Je ferr dhe je parajsë,
Kur vjeshta pyllit i jep flakë,
Kur ditet ecin një nga një,
Dhe ti prish diçka në to,
Unë diçka mundem të ndreq,
Nga ti diçka të heq,
Diçka të plotësoj, të shtoj,
Në këngën si i bletës hoj.
Të futem brenda teje megjithësej,
Aty të djersij të dëfrej.
Aty të bëhem një me ty,
Dy duar, një gjoks, dy sy,
Kaq e pamundur kjo qenka,
Sa hidhem shpejt e shkoj tek vetja.
Më mirë po rrimë tok përball,
Ti gjysma ime,unë hija jote e çalë,
Po prapë s,më lë ide e parë,
Tek ti të vij si shegë e çarë.
Të thithësh tek unë ëmbëlsinë,
Të shkrirë së bashku të rrimë.
Të dy shtyhu dhe tërhiqu,
Ngjitu shqitu gjithashtu,
Si në humnerë me grimca dielli,
Gjithnjë feksin sytë e tu.
NATA NJË MBALLOMË TRISHTIMI
Me që netët na mbulojnë ,
Me një shtresë të vlefshme pikëllimi.
Ne thirrim yjet që të shpojnë ,
Shtresën e saj prej pelini,
Si qirinj të fikur imagjinate,
I ndezim me frymën tonë,
Duke u mjaftuar me pak fat,
Që në fantazi gjëmon.
Dhe duke u shkrirë tok me to,
I bëjmë dritë vetes, sonë,
Në ritualin e përhershëm ,
Të dritës që afron…
HISTORIA JONË
Historia jonë është e pafajshme,
Në lotë e helm krijuar,
Nga egërsia e të tjerëve
për të na gllabëruar.
Të na zhbënin megjithësej deshën,
serbë e grekë,
hordhi me rrebeshe,
derdhur me rrëshekë.
Veç ne qëndruam,
Duke vënë piketa,
Dhe veten ngujuam,
Në llogore të nxehta.
Në çdo prag e hon,
Trokitëm e ramë,
herë ngritëm e hodhëm
prijësit tanë.
Kur zbardhi pavarësia,
Aq qemë tëhutuar,
Sa shteti i ri,
Na mbeti në duar…
FOTOGRAFIA
Sot fotografova një ndjenjë të re,
Në gjirin e një reje në qiell.
Qenia ime e grimcuar,
Nga smogu i kryeqytetit,
Deshi ta përthithë.
Në një qethull lëvizjesh,të tymta me vërtik,
Kur ngrita vështrimin sërish ta shihja,
Era ish bërë sa një pikë.
Në krahë të shpresës,
Ajo ndjenjë rri,
Si pikë e vesës,
Në një shkreti….