E marte, 06.05.2025, 10:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Robert Martiko: Tribuja e Judës

E premte, 11.01.2013, 06:53 PM


Robert Martiko

TRIBUJA E JUDËS

Fragment nga libri

Aty rreth viteve pesëdhjetë, kur banonim në Odesë, unë nuk i tregoja askujt për tregimet e bukura të Testamenteve, që fshehurazi gjyshi im Pjotër Iliç Poliakovi, më tregonte pothuajse çdo ditë, porsa përfundoja mësimet   e shkollës. Kushedi sa herë më kishte porositur  për ta  mbajtur të vulosur me shtatë vula një sekret të tillë, të madh....porsa hapte një libër me ngjyrë plumbi të errët,   ku para syve të mi shpalosej një botë e tërë, së cilës, sipas gjyshit tim, në se doja të bëhesha njeri i ndershëm në jetë, më duhej patjetër t’i frikësohesha. Në figurat bardh e zi  të librit mua më bënin veçanrisht përshtypje disa fytyra të mëdha me mjekër të zezë, me sy të mëdhenj plot shprehje…Madje,  mjaft më tepër se sa humnerat e  thepisura me njerëz   të shumtë, të grumbulluar në buzë të tyre…apo dallgët  e mëdha të egërsuara, që, duke u ngritur deri në retë e zeza  të qiellit të errët, e ndanin detin më dysh.

Një ditë, kur ktheheshim nga shkolla fillore, Miriami, shoqja ime e ngushtë, në prani të Katjushës, gjente mjaft kënaqësi për të më ngacmuar. Filloi duke më quajtur Don Kishot, ngaqë kohët e fundit shoqërohesha më shumë me Volodja Petrushenkon, një djalë i shkurtër  i  porsa ardhur  nga Erevani, të cilin ajo nuk ngurronte ta quante Sanço Pança...Më pas më krahasoi me një tjetër personazh,  marrë sipas saj nga një përrallë ukrainase…një njeri i pa- hair, që gjithë ditën zhgryhej në hirin e furrës apo oxhakut, ngaqë i pëlqente të ngrohej…e gjatë çdo ngacmimi të Mirjamit unë vetëm qeshja i skuqur deri në veshë me një fytyrë tejet të ngërdheshur. Nuk mund ta duroja më atë gjendje...Kështu atë ditë, duke harruar porositë e shumta të gjyshit tim në lidhje me Testamentet, nuk durova pa i thënë shoqes sime se ajo rridhte drejtpërdrejt nga tribuja e Judës…Ishte diçka  për  të cilën unë u pendova menjëherë…Por ishte tepër vonë.

Duke mos e zgjatur më me mua, Mirjami që donte me çdo kusht të më mundonte, vendosi menjëherë të vraponte me një frymë tek gjyshi im. T’i tregonte atij  patjetër për sharjen time...Ngaqë, si tip komunikues, Pjotër Iliçi familjarizohej lehtë me shokët dhe shoqet e mia. Ndërkohë, mua më bëhej zemra mal për këtë. Kjo aftësi e tij ishte me të vërtetë diçka që mua më pëlqente tej mase, veçanrisht kur ai i drejtohej Katjushës…Zemra ime në atë rast qeshte në fshehtësi…gufonte e ngazëllyer nga kënaqësia…Ç’është e vërteta, atë ditë vetë prania e Katjes më bëri tepër të ngathët për ta penguar Miriamin në kohë të rendte tek gjyshi im. Sipas meje, po të përpiqesha ta bëja  një gjë të tillë, patjetër Katjusha do ta gjykonte thjesht  si  një paburrëri nga ana ime...Ndërkohë unë e ndieja  për bukuri se fjalët  më fal,  prej disa çastesh, më kishin ngecur në grykë. Patjetër!...Nuk duhej të prisja asgjë të mirë prej këtij denoncimi të  saj...Po!...Unë e dija atë qysh më parë!... Edhe pse në atë rast përpiqesha të hiqesha trim e moskokëçarës.

Kur u gjenda para gjyshit tim, në praninë e dy çupave që,  të shpejta si veriu, kishin pararendur hapat  e  mia të ngathta - në atë rast Katjusha, me sa dukej, bëhej thjesht kurioze për fatin tim dhe asgjë më tepër - ai më kumtoi menjëherë ndëshkimin: të mos dilja jashtë për të luajtur... Gjithashtu, të mos shkoja për dy-tre të shtuna  rresht në kinemanë që ndodhej në fund të blokut të apartamenteve të meremetuara me rastin e dyzetëvjetorit   të Revolucionit   të Tetorit. Pikërisht diku aty mbi sallën e kinemasë, në një apartament prej disa dhomash të mëdha, banonte Katjusha.

Më pas, kur të dy shoqet e mia të shkollës  u larguan nga dhoma jonë e vogël, gjyshi im, duke dashur të më sqaronte më mirë, më tha se ky ishte gabimi im më i madh deri në atë moshë dhjetëvjeçare.

Por, sipas meje, unë dënimin e kisha pësuar ngaqë thjesht nuk u sqarova menjëherë me gjyshin. Mbasi  unë  nuk kisha dashur aspak të tregohesha racist ndaj Mirjamit, por thjesht përshkrues…Unë në atë rast nuk kisha patur aspak ndërmend atë, Judën e pabesë, që tradhtoi Krishtin, por atë më të hershmin, kryetarin e tribusë, i cili nuk ishte aspak njeri i keq…Ishte pikërisht ky ai që i këshilloi vëllezërit e tij në lidhje me Josifin, në mënyrë që ata të mos e vrisnin vëllanë e tyre, por t’ ua shisnin tregtarëve  arabë…Mirjami mund të mburrej me të!...Pra, ajo nuk  kishte asnjë arësye përse të zemërohej me mua!…Por,  me  sa dukej, ajo njihte vetëm të dytin, pikërisht atë që e njihnin të gjithë: Judë Iskariotin. Unë nuk kisha asnjë faj, nëse, kur  përmëndej emri i Judës, mendja e njerëzve shkonte menjëherë tek i dyti.

Kushedi, ndoshta, në thellësi ky mund të ishte nga ana ime një lloj laku akademik…i ngritur nga unë vetë, për të kapur të tjerët. Por, më besoni, në të tilla raste unë nuk  tregohesha aspak i mençur, përderisa ky lak kapte  mua:  të zotin e tij.

Sidoqoftë, unë gjyshit tim duhej t’i kisha sqaruar   në kohë edhe diçka tjetër... Se, përveç një bezdie të lehtë,   ngaqë Mirjami më ngacmonte gjithmonë në sytë e Katjushës, unë nuk kisha ndier asnjë lloj ligësie  në çastin kur grindesha me të. Natyrisht, sa për Katjushën...për ndjenjat e fshehta që ushqeja për të apo për gjëra të tjera  të kësaj natyre, këto unë nuk mund të guxoja t’ia tregoja  askujt.

Pothuajse të gjithë djemtë e klasës ishim të dashuruar pas Katjes....në mënyrë të heshtur. Edhe pse ajo nuk ishte mjaft e bukur...Atëhere më dukej e tillë...Ndoshta, ngaqë kishte  të atin me pozitë...Mësueset tregonin interes për të...Vishej pastër dhe, kur i gjendeshe pranë, përhapej prej saj  një aromë e lehtë, e mrekullueshme. E kisha  nuhatur atë  kushedi sa herë, edhe prej banesës së saj,  sa herë qëndroja para një dere gjysmë të hapur, kur shkoja për të marrë ndonjë detyrë të cilën qëllimisht e lija pa shënuar    fletore. Ç’është e vërteta, në banesën e saj ajo nuk më fuste kurrë. Gjithmonë më mbante më këmbë te dera, ndoshta  ngaqë në shkollën tonë fillore të gjithë e dinin që unë  e kisha babanë të burgosur në një nga gulagët e shumtë të Siberisë...ndoshta në Urale, Krasnojarsk, Arhangelsk apo  Kamçatka. Kohët e fundit për të nuk dinim asgjë, ngaqë nuk na kishte arritur ndonjë letër prej tij. Unë e ndieja aq  shumë  mungesën e tij. Dhe ai më donte aq shumë...

I ati i Katjes ishte sekretar partie në policinë sekrete...Kishte jetuar disa vite në Francë. Ndoshta kështu shpegohej edhe ajo aroma e mrekullueshme që prej shoqes sime të klasës apo banesës së saj nuk shteronte kurrë… Kishte lindur në Paris...të cilin e imagjinoja si një vënd fantastik... një herë kisha pyetur gjyshin.  Kur  qëndroja  para derës gjysmë të hapur, shpesh më rastiste të shikoja edhe prindët e saj…Mua atëhere më dukej se nëna e Katjushës më shikonte me një vështrim të çuditshëm, gjithmonë me një farë butësie të ëmbël në sy. Ndërsa krejt ndryshe paraqitej i ati: i rreptë dhe i prerë…Në të vërtetë, kategoria e tyre gjithmonë i porosiste fëmijët t’u tregonin gjithshka të dyshimtë që rastiste të dëgjonin përreth.

Dy - tri javë përpara ndodhisë së mësipërme, unë kisha kryer edhe një gabim tjetër...Një ditë, porsa Nadja,  një shoqe e klasës, përfundoi së recituari një varg të Majakovskit, ku thuhej se partia e bolshevikëve nuk lindi salloneve mondane por në gjirin e kasolleve të varfëra të punëtorëve dhe fshatarëve, mua  m’u kujtua  Bethlehemi  dhe Kasollja ku kishte lindur Krishti. Ndërkohë, në vijim, u shpreha për tjetër gjë...Thashë krejt pa u menduar se nga balta lindi njeriu....

Ditën kur bëra gabimin e dytë...atë që kishte lidhje me Miriamin dhe Judën e tribusë së lashtë, gjyshi im nuk  më shfaqi aspak frikën e madhe që ndiente...Për të mos më shqetësuar. Në të vërtetë, hamendja e tij nuk shkoi dëm. Mbas disa ditësh atë e thirrën në polici. I  kërkuan të dorëzonte gjithë librat e tij në gjuhë të huaja. Porsa doli nga policia, në rrugë pësoi paralizë...në fillim faciale. Rrëshqiti mbi akullin e ngrirë. Më pas goditja cerebrale i mori dorën  e thyer dhe këmbën e majtë. Pas disa javësh atë e arrestuan. Nga shtëpia e nxorën të paralizuar. Nuk arriti të dalë në  gjyq, ngaqë vdiq në hetuesi. Sa për  mua, për momentin u  mjaftuan të më hapnin dosje sekrete. Për ca kohë jetova me gjyshen, ngaqë nëna ime mua dhe babanë tim na kishte braktisur prej vitesh…Porsa ky  kishte rënë në burg.   Gjyshja vdiq disa muaj më vonë, iku nga vdekja e të shoqit.  Mua përkohësisht më futën në një jetimore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx