Kulturë
Xhemail Peci: Zemra Shqiptare
E premte, 11.01.2013, 09:11 PM
ZEMRA SHQIPTARE
Kushtuar Redaksisë dhe Lexuesve tek: ‘Zemra Shqiptare’
NGA XHEMAIL PECI
Në rrugëtimin e gjatë sa malli e në dhembjen e madhe sa bjeshka nëpër legjenda,
me ritmin e kohës e në vallen e shekujve rilindur, zjarri u ndez e flakë përbrenda,
erdhi si eshkë dhe unor që i lidhë brezat dorë më dorë e ndër kohëra ndezi zjarre,
tej nëntë maleve u nis, e tej nëntë bjeshkëve rrugëtoi, e na takoi zemra shqiptare!
Në mijëra fjalë e lutje e lule e këngë që derdhen si kroje të kulluara nëpër sa rima,
në pikat e shiut që aq përmallshëm bien largësive të atdheut nëpër sa psherrëtima,
në gjurmët e trokëllimave të kuajve që Konstantinin e bartën kur na hodhën zare,
rendur me mallin e atdheut në sytë e pikat e shiut në duar ç’rrah zemra shqiptare!
Etjen e krojeve e shuajmë në magjinë e fjalëve dhe në mallin nëpër përshëndetje,
se s’shuhet fjala shqipe, ajo kaplon kodra, male e fusha edhe oqeanet me sa dete,
në vargun e gjakut që gjithmonë ndezur e ka prej gurëzharkut, ballit i vë veç lare,
prushin e promemories e mba në gji, e barotin ndër kullat e ruan zemra shqiptare!
E largët stina, e moti peshon me shekuj në vetullat e mallit që mbi qepallat rrijnë,
sa fjalë shkruhen sonte e sa të tjera nesër si trëndafilat mbi bokërrimat do mbijnë,
krua kujtimesh është fjala se e thurur kur i shtrydhë ndjenjat ajo nuk ka mort fare,
si zjarr bubulak niset e pastaj si një diell që përvëlon na bashkon zemra shqiptare!
Si logu i zanave e si logu i bejshkëve është edhe logu i fjalëve që dalin thellësive,
ca psherrëtima lulevirgjëra, ca klithje, ca ëndrra dhe kujtime dalur thellë ndjesive,
Hyjnive Ilire u falen siç faleshin dhe gjysh-stërgjyshërit tanë betuar mbi ato varre,
tumullat ilire përkulin këngët e lahutave, e lotët e ujëvarave nga zemra shqiptare!
Në sofrën dardane shtrohet buka e kripa e në bujarinë e bardhësinë bashkon besa,
me kokën tek pragu ranë gjyshi, e babai, e biri e nipi e nusja e lokja, edhe mbesa,
lubi dhe lukuni u sulën në kohët e egra bishat gjakatare e hijenat sojet lapërdhare,
gjiri i prerë me thika qumështin s’e mohoi kurrë kur ua tha: jam zemra shqiptare!
Në kapërcyell të shekujve na prenë udhën lubi e gjarpërinj e tok edhe hije të zeza,
na ranë edhe mbi djepa, e edhe mbi bebëza, e lafsha e krekosur u ngjit sikur keza,
po kurrë nuk panë nëna shamizeza, se përmbi kohët e liga e mbi zezonat tinëzare,
më e shenjtë qe kënga se kuja e fjala më e fortë se morti, s’u dha zemra shqiptare!
Ca fjalë, ca rrokje, ca shenja të shenjta e ca tingëllima që ngjiten si himnet qiellit,
në ritmin e lodrës e në ritmin e valles, tufët e kuqe të opingave sinjale veç Diellit,
i falin e dalin sërish siç dalin edhe bubullimat me rrufetë nëpër këngët përmetare:
në te rron e me te zgjohesh, Ti o Shqipëria ime, tik - takut që ka zemra shqiptare!