E marte, 06.05.2025, 08:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Kapuçi i bardhë

E premte, 11.01.2013, 08:00 PM


KAPUÇI I BARDHË

Tregim nga Qazim Shehu

Është herë e parë që vij këtej. Kisha kuturisur të vija më herët po, siç i ndodh çdo njeriu, pa një shkas të fortë, ndoshta nuk mund të vija. Ja, ku gjendem në Gjakovë, në Mitingun e poezisë, në këtë qytet me një bukuri mahnitëse, e ndërsa kam ecur nëpër Çarshinë hutuese dhe kam darkuar në Çabrat, mendova se mirë do qe të shetisja deri vonë, e pastaj të merrja një sy gjumë në hotel Pashtrik. TË nesërmen do nisesha për në Malishevë, sepse aty kam një bashmik nga katundi Bellanicë. Kam dhjetë vjet pa e parë, dhe nuk e di pse mërzitem me veten time, duke ndjerë një ndjenjë pendese se duhej t`i kisha qenë më herët. Po më mirë vonë se kurrë. Tahir Bezhani, një poet i mirë nga Gjakova ndez makinën, ai do më ndihmojë sot për të shkuar në Malishevë. Ndërsa eci rrugës duke kthyer kokën majtas e djathtas për të ndjerë pamjet e gjëra që shpalos fusha e Dukagjinit, ndërsa shikoj fshatrat e sistemuara  që dremitin në diellin e majit, Kosova më duket si ai njeriu i shtëpisë që mbetet jashtë, sepse ty ta kanë marrë çelsin e shtëpisë.  E ajo ndenjti jashtë një shekull, po gjithnjë duke luftuar në stuhi me kulçedrën, gjersa një ditë ia preu kokën asaj. Dhjetë vjet më parë erdhi në Librazhd  Bajrush Hoxha nga Bellanica, erdhi me familje nga Bellanica, nëpër shiun e atij prilli të egër, e asaj pranvere lënguese, që lëshonte shi paprerë sikur të qante për fatin e dhjetra mijë kosovarëve që kishin lënë me pahir vatrat e tyre. Ai u stabilizua në një shtëpi pranë hyrjes sime në pallat, afër rrugës së Korçës. Më kujtohet si sot kur iu afrova i pari, e pyeta se ç`nevojë kishte,e ai më tha se s`kishte nevojë, po së pari të pinim diçka. Ngadalë i mësova konjakun këtij myslimani të mirë që gjithnjë heshtëte, e dëgjonte me këshëri. Në Kosovë kishte lënë shtëpi e gjë, në Kukës zetorin e vet, e kishte mësy nga sytë këmbët duke gjetë strehë në Librazhd. Gjithnjë udhëtimi i njerëzve drejt njëri tjetrit i ngjan udhëtimit të Odisesë për në Itakë, por njerëzit, sado që simbolet antike i pengojnë në rrugën e ecjes,asnjëherë nuk përtojnë ta kryejnë këtë udhëtim i cili është i përhershëm, cfilitës,po gjithësesi i bukur. Bajrushi në jetën e tij kishte udhëtuar për në Gjermani, Slloveni, po në Shqipëri nuk kishte mbërritur kurrë,rasti e solli të vinte në një ditë të keqe, në një ditë kur vihej në provë ora e kombit, nëse ajo do ta mbante Shqipërinë e Kosovën apo do ta lëshonte. E kujtoj sesi ndiqnim bashkë kronikat televizive, sesi dëgjonim prononcimet e Uesli Klarkut, Xhemi Shisë, e ai pikëlluar mërmëriste sikur t`i drejtohej një orakulli të lashtë i cili rrinte në ajër dhe unë s`e shihja, mërmëriste: do zoti dhe e bën mirë. Ishte shumë sedërli, donte të qeraste gjithnjë, donte të dëgjonte ndonjë të re, e ndonëse e kishte parë Europën,nuk kishte dëshirë të të fliste gjatë për çfarë kishte parë, sepse ai donte të fliste vetëm për Kosovën. Dikur i erdhi një nip dhe solli lajmin se nipi tjetër qe vrarë duke luftuar në radhët e UÇK-së,. Pashë se dy sytë e tij paqësorë, fytyra dashamirëse u rrudh nga një dhimbje e madhe, po loti nuk i doli. Siç duket lotët i qenë harxhuar për ngjarje të tjera më të rënda,siç duket kishte parë vdekjen me sy dhe qe mësuar me të. E këto tmerre s`donte t`i tregonte se nuk donte të shqetësonte të tjerët me to. Kujtoj sesi shkuam në një shtëpi tjetër ku u hap morti. Bajrush e pyeta, a duhet të hedh diçka në filxhan?-Jo, më tha,nuk e kemi adet. Njeriu duhet të pregatisë vetë edhe dasmën,  edhe vdekjen. Kuptohet, këto fjalë ia kisha thënë pa hyrë në odën e burrave.  Një grup kosovarësh të heshtur  tymosnin duhan e mërmërisnin ngadalë. Ata tregoni raste të panumërta dhune, vrasjesh, ofendimet në këto raste mund të quheshin  diçka e butë, tregonin sesi në një pllajë, i kishte mbledhur serbi dhe u kishte thënë se do vinte t`i vriste edhe në Shqipni, siç duket duke harruar Elez Isufin në Lumë. Pastaj këta burra ngrinin kokën lart dhe flisnin për luftën,për trimat që e deshën aq shumë Kosovën sa nuk harruan ta mbjellin lulen e moshës së tyre në zemrën e tokës së saj. Ditët rrokulliseshin njëra pas tjetrës dhe unë s`doja ta lija vetëm këtë njeri. Sidomos pas vrasjes së nipit ai sikur s`donte të fliste më,madje e shtoi cazë dozën e konjakut, edhe rakinë me famë të Librazhdit, veçse seç kishte një forcë për të mos iu dorëzuar errësirës së dhimbjes,ditët e mëpastajme e treguan këtë kur ai filloi të çelej, të bënte pak muhabet e të fliste për restaurimet e shtëpive të vjetra në Slloveni ku kishte punuar që kur. Përparimet e UÇK-së në Kosovë po ecnin ngadalë, por po ecnin . Kjo e kënaqte. Aq shumë e donte vendin e tij, sa mendonte për vaktin e kaluar të të mbjellave,për kodrat e Malishevës, ku ai dilte dhe shetiste mbrëmjeve,për të afërmit dhe miqtë e shpërndarë në vërshëllimin e plumbave. Duart i hanin për punë duke thënë gjithnjë se puna kishte qenë gjithnjë kuptimi i jetës së tij, pa harruar dëshirën e lirisë. Ç`bëni ju në Librazhd, më thoshte nganjëherë, duke pasë një kujdes që mos më ofendonte,ju vërtiteni rrugëve, hyni dhe dilni nëpër lokale, ndërsa ne na hoqi serbi nga punët, nga fabrikat, shkollat, dhe gjithnjë e pamë veten të zënë me punë. Nëse një ditë unë do shkoj në Bellanicë,dhe do të shkoj, këtu ai ngrinte tonin e zërit  këmbëngulshëm,duke shtuar se nuk kishte çarje tjetër edhe sikur qielli me tokën të puqeshin, ai gjithnjë do ta gjente një shteg se atje kishte varret e të parëve-atëhere tokat do t`i punoj më mirë . Kishte dashtë të rrinte atje, ndoshta edhe të vritej tek pragu i shtëpisë së vet,po e kishte bërë këtë ikje vetëm për hir të dy mbesave të vogla dhe nuseve të reja. Historitë e këtij burri të shetitur nuk kishin të mbaruar. Po ai nuk i tregonte të gjitha, sespse më shumë donte të heshtëtë. Në Librazhd e ndjente veten si në Malishevë apo Prizren. Kujtdo njeriu i jepte muhabet me dashuri dhe kur ndodhej vetëm, e gjeja të rrethuar me njerëz, aty fliste,tregonte, ndizej biseda, e rrihej fjala me bindje të ndërsjelltë duke shtruar urat e një komunikimi vëllazëror. Rrinim deri vonë bashkë dhe shtronim fjalë deri tek shtigjet e panjohura të së nesërmes. E nesërmja do të jetë shumë e bukur,thoshte, kam besim, do vijë një ditë e bardhë për këtë popull se s`bën. Perëndia ka menduar diçka, mërmëriste dhe rrudhte ballin, duke mbyllur sytë përgjysmë sikur brenda vetes së vet të shihte një betejë të mbyllur, të fortë  që s`kishte mbarim kurrë. Ishte gjithë ajo kujtesë vitesh që tallazitej brenda tij me të mirat e të këqiat, po më shumë me dhimbje, kurbet, shtypje të çizmës së okupatorit, mallit të zjarrtë për të parë Shqipërinë,brenga që ishte i lirë të shihte shumë vende, veçse tokën e vet jo, një brengë që i bënte shumë shqiptarë të ndjeheshin keq. As unë atëhere s`kisha ndonjë përfytyrim të saktë për Kosovën, siç e kam sot. Kisha lexuar nëpër libra,dhe mendimi më krijohej mbi një imagjinatë librash, leximesh të shumta. Ishte një imagjinatë trallisëse, ndërsa më kujtoheshin gjithnjë fjalët e babait kur më fliste për një qilim që e kishte sjellë gjyshi prej Gjakove. Ishte një qilim i kuq, i vjetër, që çuditërisht nuk qe shqepur aspak. Të parët tanë atëhere punonin në Prizren, Gjakovë, Dibër të Madhe, Gostivar e Shkup. Bajrushi i dëgjonte me vëmendje rrëfimet e mia dhe i përcillte me një heshtje të thellë duke tundur kokën lehtësisht, me një përvuajtje fisnike. Lufta po zgjaste. Në orën e caktuar ne mblidheshim dhe dëgjonim lajmet. Ishin çaste të një heshtje të thellë. Ai nuk reagonte, vetëm mblidhej e dëgjonte me kujdes, pastaj kur vinte ndonjë lajm i gëzuar mbi përparimin e forcave të UÇK-së e shihja sesi trupi i tij çlirohej nga një ngërç i kuptueshëm dhe dy sytë e vet bojëgështenjë sikur dilnin nga zgavrat. Nuk shante, po nganjëherë e lëshonte ndonjë fjalë deri në ndonjë dëgjim të pranueshëm. I kujtonte me radhë trimat e Kosovës, Isa Boletinin, Shaban Polluzhën, Bajram Currin, Azem Galicën, gjer tek Adem Jashari. E në këto minuta të tëra sikur futej edhe vetë në mit e s`donte të dilte më që andej. Pasi e lija të mbaronte atëhere edhe unë përndizesha nga një flakë patriotike dhe gjeja rastin të  shpalosja njohuritë e mia në këtë lëmë. E shihja sesi më dëgjonte me kujdes dhe më pyeste shpesh për ndonjë të dhënë që e dëgjonte për herë të parë. Atëherë e kapte një mall i rëndë i pakuptueshëm e kjo dukej nga rrudhat e tij që pasi thelloheshin rrinin ashtu të palëvizshme  për t`u bërë shtrat më mirë rrjedhave të mallit që kalonin në to. Një ditë më tha se donte të vinte në fshatin tim. Është larg, i thashë po do të shkojmë. Ani, tha, kur të bëhet për mbarë. Veçse kjo nuk u realizua, sepse rrjedha e ngjarjeve po i afrohej një triumfi te shumëpritur. Më kujtohet dita kur u çlirua Kosova. Ai nuk mbahej, gati hidhej përpjetë, sytë i qeshnin. Po nuk qe vetëm një gëzim për atë, qe një gëzim për të gjithë,po sytë e tij kishin një dalje më përpara. Nuk ishin më të thellë, të menduar,veç shkëlqenin nga lotët, balli i qe skuqur dhe duart e tij lëviznin vazhdimisht sikur me krahët e vet të voziste në një liqen gëzimi. E shihja se nuk e mbante vendi dhe sikur ecte në ajër. Rrudhat i qenë zhdukur, sytë e tij qeshnin dhe zemra i këndonte. Ai thoshte se nuk pyeste nëse ishte djegur shtëpia apo jo, e rëndësishme do qe të shkonte sa më parë në truallin e vet.  Atje do ngrinte një shtëpi më të bukur. U hap fjala se kosovarët s`duhet të nguteshin, ata do ti transportonte një organizatë ndërkombëtare. Ai nuk priti organizatën ndërkombëtare ta transportonte, s`kish nevojë. Natën e fundit pothuajse e gdhimë. Më vinte mirë që do ikte po ndjeja edhe një keqardhje, se aq shumë isha mësuar me të. Na ishin mbaruar fjalët ose kishim shumë fjalë për të thënë dhe gëzimi sikur na kishte mpirë damarët e arsyetimit,ishte ndoshta e pabesueshme një gjë e tillë megjithëse pritej nga dita në ditë. Tani nuk po flisnim më për luftën, as për gjëra të tjera që ishin diskutuar më parë, flisnim më rrallë dhe po diskutonim rrugën. . Në agim dolëm jashtë pallatit dhe e porosita që kur të shkonte në Kosovë të më niste një letër pas shoferit që ishte një librazhdas i mirë. U ndamë me ngashërim . Shoferi që më solli letrën tha se kishin arritur shëndoshë e mirë, shtëpitë nuk u qenë djegur, po dëme kishin njerëz të tjerë…. Dhe ja sot ndërsa pas dhjetë vitesh udhëtoj në fushën e Dukagjinit,reflekset e kujtimeve më hidhen me një fluks të paparë si një tufë xixëllonja në muzgun e kujtesës. Fushat e Kosovës janë të mëdha dhe intime, ato e shohin njëra tjetën në një kundrim të heshtur dhe të përmallshëm. Kur arritëm në Malishevë m`u desh të  pyes për fshatin, të cilin e gjetëm me një vështirësi të lehtë. Kur e takova Bajrushin m`u duk se nuk ishte plakur fare, ndonëse kishin kaluar dhjetë vjet. Ai më pyeti për çdo gjë. Ishte i gëzuar që vajta. Në Kosovë ka një përfillje të veçantë për ata që shkojnë nga Shqipnia. Me të folurit e tyre të ngadaltë dhe të butë kosovarët dinë të ngrenë një shenjë afrimi tërheqëse që manifeston traditën e vjetër të aristokracisë së tyre qytetëruese. I vëllai Selimi më tha se kishte qenë në Librazhd, më pati kërkuar,po s`më kishte gjetë. Vinin çdo vit në Durrës. Të dy vëllezërit mbanin kapuçë të bardhë. Dukeshin më të hijshëm dhe unë po i shihja me vëmendje duke pasur kujdes mos u shkaktoj bezdi. Ata, atëhere në Librazhd nuk mbanin kapuç po rrinin kryezbathur. Mos vallë me kalimin e viteve e kishin quajtur të arsyeshme të mbanin kapuç ashtu siç veprojnë pleqtë e vjetër?Kjo shenjë kurioziteti po më ngacmonte dhe po më ndillte drejt një pyetje që mund të duket pakëz naïve,po gjithësesi pyetjet midis miqsh sado naïve, ndreqen aty për aty, dhe nuk e lënë vragën e fyerjes,sepse kurrëfarë qëllimi të lig nuk e kanë. Veç Bajrushi m`u duk pakëz tjetërsoj. Më i ngrefosur, më i hijshëm. Kapuçi i bardhë mbi kokën e tij ishte ndalur si një re vere në qiellin e qëruar të pasdites. -Bajrush, thashë, ti në Librazhd s`ke mbajtur kapuç… -Ku ta gjeja, të linte serbi kapuç?Kapuçin e kam mbajtur gjithë jetën. Ndërsa kur erdha në Shqipni, serbi ma shkeli me këmbë.  E tani e mbaj në kokë me krenari, ashtu si baba em…Mua më erdh inat me veten time, s`duhej ta kisha pyetur për këtë, se kjo ishte e vetëkuptueshme, po përfitova një të drejtë duke u menduar se  vetëm ai që e pëson e di më mirë të vërtetën e vuajtjes.  Të tjerët sa e stilizojnë…



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx