Një i
libër publicistik për Tribunalin e Hagës...
Nga Tefik
Selimi
Libri
është pasqyra e historisë së njerëzimit. Ai duhet të lexohet e vlerësohet. Pa
libër, si pa gojë. Kur “flet” libri, heshtin gënjeshtrat. Ai ka fakte. Ai
dhe vetëm ai do të duhej ti “shënojë” e rrëfejë ngjarjet e përjetuara. Me librin, njerëzit e ndriçojnë
historinë dhe të vërtetën e jetës. Duke i pasqyruar ngjarjet e një kohe,
njerëzit e mësojnë të ardhmen e tyre. Pse jo? Libri është fusha e dijes. Edhe
libri i dytë i Bajrush Morinës “Tribunali i Hagës – qelia ime nr. 26”, i cili doli nga botimi para do
dite, është një ditar dhe “kronikë” e rrallë e dijes dokumentare të një kohe të
përjetuar nga vetë autori. Në librin në fjalë ka të dhëna, ka dhimbje, rrëfime
mallëngjyese, por ka edhe biseda e rrëfime tjera, të cilat e bëjnë një “histori” dokumentare të
qëndrueshme. E, Bajrush Morina, publicist, ndonëse ishte i akuzuar në
Tribunalin e Hagës, ai ka pasur shumë të argumente për hartimin e
librit të tij, i cili në vete ngërthen ngjarje aktuale të kësaj kohe aktuale. Pra, është libër për të
vërtetën e një kohe vendimtare shqiptare. Siç dihet, Bajrush Morina ka bërë
emër e përvojë në jetën publicistike. Ai, ditë më parë, botoi dy libra për një
kohë të shkurtër. Ai, edhe më herët, por edhe më vonë, lapsin e ka profesion të
jetëshkrimit të tij. Kjo është “arma” e tij e fortë, e cila ka reflektuar e po
reflekton edhe sot në këtë fushë të dijes për ta ndriçar të vërtetën. Ai me këtë libër
publicistiko-prozaik, është munduar ta thotë të vërtetën e jetës. Kështu e kanë
krijuesit e mëdhenj, të cilët, herët a vonë, ia fillojnë krijimtarisë së tyre
publicistike apo lloje tjera letrare. Me rëndësi është se, ky publicist yni
i kalon kufijtë e fushës së gazetarisë,
për faktin se, në shkrimet e tij vërehet forca e shkrimit, argumenti, dokumentarizimi
i ngjarjeve etj. Me librin “Tribunali i Hagës - qelia ime nr. 26”, Bajrush Morina i kalon kufijtë e
publicistit me përvojë, sepse, në
rrëfimet e librit ka përjetime, hetime, aktakuza, gjykime, por ka edhe
dënime e të tjera, të cilat “rrëfime” janë shprehura në formën prozaike e
publicistike. Pra, libri në fjalë ka ngjarje, dokumente, akuza, thënie,
vlerësime, rivlerësime, por ka edhe anë tjera të autorit: drojen, frikën,
dhembjen, nostaligjinë për familjen e tij, për vendin, ku në fund ai i lutet
për të mos ngjarë kurrë dënime të tilla, kur shton thotë: “vetëm Zoti e di” si
e kam përjetuar unë këto momente të ndarjes nga
familja”. Këto fjalë e fjali shprehin dhembshurinë e autorit ndaj
fëmijëve, sepse, aty preket “sedra” e tij e ndarjes së fundit nga familja
e vet. Duke shkruar kështu, ai thotë se
“disa herë jam matur si të filloj ta shkruaj librin e parë”. Ishin vite të
hershme të jetës së tij djaloshare. Por, dashuria për të shkruar librin e parë,
tek autori ishte e ngulitur thellë në shpirtin e tij. Ishte ideja e parë e
autorit që mori guxim dhe ato shënime i qiti në letër, libër. B. Morina, si
gazetar, pa hezitim i ka qitur në pah të këqinjat e shoqërisë, madje të
shoqërisë pushtetare. Mandej, ma vonë shton se, “ arsyeja për ta shkruar është
se, “E para, sepse e kam ndjerë nevojën e shfryerjes, e nxjerrjes jashtë të
gjithë atij stresi, të asaj të keqe shpirtërore, psiqike e fizike që kam
përjetuar prej fillimit e deri në fund të procesit tim në Tribunalin e Hagës”
(f.18). Por, autori, siç vërehet nga libri, edhe kur e ka nisur shkrimin, ai e
thotë se, “janë disa arsye të tjera që më kanë shtyrë të hedh në dritë
“tragjikomedinë” e përballjes time me
Tribunalin e Hagës, arsye këto që do t’i gjeni gjatë leximit të këtij
libri”. Autori, B. Morina, shton: “Ju lutem, lexojeni këtë libër, por mos
merrni asgjë prej këtij libri, mos mbani mend asgjë prej këtij libri, mos
përjetoni asgjë duke lexuar këtë libër... Unë nuk jam autor i këtij libri. Ky
libër nuk është imi. Unë jam njerk i këtij libri. Ky libër është jetim. Do të
doja që gjithmonë të mbetet jetim, libri jetim!”(f.20). Siç vërehet, autori, në
libër “trajton vetëm një segment të këtyre zhvillimeve të Tribunalit,
përkatësisht aspketet margjnale të tij, ndikimet anësore të të akuzuarve Haraqija
dhe Morina në procesin “Ramush Haradinaj dhe të tjerët”. Në anën tjetër, siç
shton Ramadan Musliu në parathënien e librit: “Bajrushi ditarin e vet të Hagës,
kujtimet e tij, në këtë libër i vë nëpër perspektivat e ndryshme të rrëfimit”.
Pra, “pjesa e fundit e librit më shumë i është politike, sepse autori merret me
akteret e prapavijës së këtij institucioni. Portretimi i prokurores së
Tribunalit të Hagës, asaj që ia kishte
nënëshkruar fletarrestimin, Karla Del
Ponte, por edhe vështrimin rreth librit të Florence Hartman “Paqja dhe dënimi”,
botim i vitit 2007.” (f. 10). Kjo pjesë është e fundit, por është pjesa
kryesore kushtuar këtij perzonazhi, i cili nuk kishte punuar dot për të mirën e shqiptarëve. Libri në fjalë ka skena
rrënqethëse. Ja si shtohet: “Mos keni frikë, asnjë pëllumb nuk mund të
flutorojë ga kafazi nëse ju nuk ia hapni derën” (f.40). Mandej, aty janë emra
të kriminelëve serbë, si: Stanishiq, Gjorgjeviq, Sheshel, Simatoviq, Çermak,
Markaç, Deliç, Lukiq e të tjerë. Për autorin e librit janë emra të njohur.
Autori, në një vend shton: “O Astrit, shih me kënd na pakan vendosur?! Shihe,
shihe me Sheshelin, me Stanishiqin...” (f.41). Pastaj, fillon “ngjarja” tjetër.
Në të njejtën sallë gjyqësore ku ishte gjykuar krimineli Millosheviq, është i
ulur autori i librit! Një “takim” i papritur i një kohe. Autori, Bajrush Morina
mban ditar prapa grilave. Ky ditar mbahet kur netët kalojnë pa gjumë. E, ai
duke i përkujtuar fëmijët: Erëzanën e Fatjonin, sikur mërzitej shumë për ta.
Pse jo? Kush nuk mërzitet për gjakun e vet?
“ Erëza dhe Fatjoni janë dy fëmijët e vegjël që unë i quaj “fëmijët e
lirisë” apo fëmijët e pasluftës. Sa moment prekës! Fëmija i arsyetohet me
fjalët: “Mësuese, babi im nuk ëshë në shtëpi, është në burg!” O Zot, shihe sa
tmerrshëm tingëllon fjala e fëmijës, e cila të qon peshë. Apo, Fatjoni e ka
porositë babin duke i thënë: “Babi, kur të kthehesh ma blej një aeroplan të
vogël!” Është moment mallëngjyes. Kjo ta përkujton refrenin e poezisë
migjeniane: “Një natë pa gjumë...”, e
autori, B. Morina e përsërit refrenin: “edhe një natë pa gjumë në qelinë
nr. 26”. (f.62). Këtu në libër përshkruhet përballja e
autorit me kriminelët më të mëdhenj të luftës në ish Jugosllavi. Publicisti B.
Morina takohet sy me sy me ta. Në rrëfimin me titull “Të barabartë” me
kriminelët e luftës”, autori i vëren kriminelët e luftës duke hyrë në sallë dhe
prezentohen: Vojisllav Shesheli, Jovica Stanishiq e Vllastimir Gjorgjeviq,
Frenki Simatoviq, të cilët, ishin të njohur për autorin e librit dhe s’kishte
nevojë të prezantoheshin, se i njihte “si paren e kuqe”. Sidomos kur flet për
Sheshelin, njërin nga kriminelët që jep deklarata shoviniste ndaj shqiptarëve,
kur thoshte: “...se të gjithë ata që nuk e pranojnë shtetin e Serbisë do të
dëbohen në Shqipëri, se të gjithë shqiptarët do t’ua presë dy gishtat e dorës (vitet e ’90, 98).
”Te Shesheli, B. Morina sheh si një
“personalitet” i akuzuar për krimet e bëra gjatë luftës. Autori i librit shton:
“Shesheli shfaqej më i “disponuar” për të
zhvilluar biseda. Përveç zërit të lartë, ai ndërhynte në çdo bisedë që
bëhej nga të tjerët, qoftë për histori, qoftë për politikë. E shante
Millosheviqin, por edhe gjeneralët e tjerë të Millosheviqit, të cilët ishin të
akuzuar nga Tribunali, por jo për
ideologji komuniste, por për shkak se e “... kishte shitur Kosovën te
amerikantët!” (f.69). Ai (Shesheli) e urrente Xhinxhiqin më shumë se Karla Del
Ponte. Mandej, në rrëfimin “Si e kishte përcjellë UDB-ja serbe presidentin
Ibrahim Rugova”, autori i librit thotë se, dua ta veçoj me këtë rast shefin e
UDB-së serbe Jovica Stanishiq, i cili, sipas tij, “është një “tregim” i tij se
si e kishte përcjellë UDB-ja serbe Ibrahim Rugova jo vetëm nga selia e Stacionit të Policisë përballë
“Shtëpisë së Pavarësisë” në Prishtinë, por dhe gjatë vizitave që presidenti
Ibrahim Rugova i kishte bërë nëpër Evropë dhe në SHBA. Autori edhe nga afër i
vëren kriminelët që kanë bërë krime në Prekaz, si Vllastimir Gjorgjeviq, i
cili, si i burgosur, 3 herë në javë e pastronte korridorin e pavijonit, por
edhe bërllogun e përbashkëtë të burgosurve”. Siç dihet, autori ishte i burgosur
56 ditë në burg. Udhëtim me të njëjtin procedurë, me tre gjeneralë serbë që
akuzoheshin për krime lufte në Kosovë, si: Nebojsha Pavkoviq, Vlladimir
Lazareviq dhe Zoran Lukiq. Të tretë shpallen fajtorë dhe dënohen nga shkalla e parë e Gjykatës prej 15 e deri
në 22 vjet burg. Autori, B. Morina, përjetimet e veta i evokon duke thënë se,
rrëfimet në burg “...nuk dua t’ia rrëfej as “natës së varrit”. Gjithë rrëfimin
për 92 ditët në burgun e Tribunalit të
Hagës, e kam shkruar në një ditar të shkruar me dorë dhe më pas të hedhur në
kompjuter. “Unë nuk dua më të jem “banor” i burgut të Tribunalit të Hagës. Nuk
dua të kaloj as edhe një minutë në atë hapësirë burgu, e lëre më të kaloj netë të vitit të Ri. I lutem Zotit
që ky vit i ndërrimit të motmoteve të jetë vit i fundit për tre shqiptarët që
do të kalojnë në burgun e Tribunalit, për Ramushin, për Lahun dhe për Idrizin”.
(f.120). Një kaptinë në vete e librit është kushtuar Karla Del Ponte, kryeprokurore
e T. Hagës. Për këtë personazh të këtij libri, autori flet hapur se si ajo nuk
ka qenë në anën e drejtësisë, por ka shpifur dhe, “nga përvoja ime e “hidhur
mund të them se tribunali, e në veçanti Prokurorja me hetuesit e vet në të gjitha territoret e luftës
së ish-Jugosllavisë është një lloj “kurthe” që përpiqet të fusë brenda grilave
sa më shumë të akuzuar, duke mos
përjashtuar këtu as gazetarët” (f.39). Autori thotë se, libri i “Zonja
prokurore” e autores Karla Del Ponte duhet të lexohet me kujdes, sidomos nga
prokurorëtë e Shqipërisë dhe Kosovës”. Kjo perzonazhe e këtij libri është
kaptinë në vete. Në rrëfimin me titull “Misteret e “shtëpisë së bardhë në kufi
me Shqipërinë!, ajo flet për Kosovën. Pra, “Karla Del Ponte ka ngritur një
akuzë të rëndë kundër populli shqiptar në përgjithësi, kundër shtetit shqiptar
dhe kundër luftëtarëve të UÇK-së” (f.130). Ajo nis “hetimet për gjoja një
“shtëpi” që gjendet në afërsi të kufirit Shqipëri Kosovë, ku sipas
informacioneve të saja të rrejshme, janë deportuar qindra serbë të rrëmbyer
gjatë luftës së UÇK-së dhe ku u janë bërë edhe operacione ekspoatimi të pjesëve
të brenshme të trupit të këtyre serbëve të rrëmbyer!” Del Ponte e qon ekipin e
saj gjer te kjo shtëpi. E shohi me sytë e tyre gjendjen e kësaj shtëpie, e cila
fare nuk ka pasur kushte minimale për banim, e lëre më për ndonjë “sallë
operacioni”(f.131).”Prandaj, gjithë misteri i kësaj shtëpie mbete vetëm një
shpifje, një paragjykim dhe një akuzë e rëndë e Karla Del Pontes për dy shtete,
Shqipërinë dhe Kosovën dhe për një popull: popullin shqiptar”(f.131).
