Kulturë
Vangjush Ziko: Shtrati i muzës
E marte, 20.12.2011, 08:21 PM
Vangjush Ziko
SHTRATI I MUZËS
SHTRATI I MUZËS
Muza ime nuk ka shtrat.
S' e pëlqen as kashtën
as mëndafshnë.
Sa dremit pak,
në udhë prapë.
S' kërkon as han të vjetër,
hotel me pesë yje,
Por veç një qoshe letre
ku shpirt' i saj të shfryjë.
T' i kapërcejë pragjet,
Këngë të re të nisë
Dhe botën,që po plaket,
për nuse ta stolisë.
DALTA
Çak e çuk çekani,
Dalta gurin gdhend.
Guri as nuk qan.
Guri as nuk flet.
Dalta dhëmbëhekur
Gurin e përtyp.
Bie cifl' e vdekur,
Përdhe e pështyn.
Dalta s' ka mëshirë.
Guri gëlltit lotët.
Ëndrr' e tij e ngrirë
Pret t' i shfaqet botës.
Vargu im,kjo daltë
Kalitur në prush
Ma gdhend dit' e natë
Shpirtin tim për ju.
Cifla jete,ditët,
Cifla aq sfilitëse.
Veç vargjesh të ndritin
Ëndrra shkrepëtitëse.
THONË...
Thonë,
plaken malet
dhe roniten gurët.
Thonë,
plaken hallet
dhe nuk shuhen kurrë.
Thonë,
dashuria
vyshket dhe venitet.
Thonë,
xhelozia
porsi hithrat rritet.
Thonë,
në një kind
palos nata ditën.
Thonë,
drita lind
prej t' errësirës mitër.
Thonë,
pas rrëmetit
rilind bukuria.
Thonë,
vdes Poeti.
Nuk vdes Poezia.