E premte, 19.04.2024, 09:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Një korespodencë e shkurtër elektronike me Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

E hene, 19.12.2011, 08:58 PM


NË VEND TË VËSHTRIMIT,

NJË KORESPODENCË E SHKURTËR ELEKTRONIKE

ME PROF. DR. SABILE KEÇMEZI – BASHA

 

Nga Ryzhdi Baloku

 

Qysh herët, para shumë vitesh më ranë në dorë disa libra të prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha. Ca prej tyre autorja i kishte botuar përmes seksionit për hulumtime shkencore që asokohe vepronte në kuadër të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta.

Që në shikim të parë, titujt e librave më lanë përshtypje duke më ngashënjyer që t’ia nisi menjëherë leximin e tyre.

Secilin libër që e merrja në dorë e lexoja me një frymë, ngase kishin të bëjnë për njerëzit tanë dhe atdheun tonë të shtrenjtë, por edhe vetë shtjellimi i përmbajtjes së tyre më tërhiqte për t’i lexuar pothuajse pa u ndalur.

Kështu, nga veprat që i lexova krijova një konsideratë të veçantë për autoren e shquar, të cilin mendim pas shumë vitesh e kam edhe sot.

Ndonëse isha pjesëmarrës pothuajse i të gjitha organizimeve dhe manifestimeve të Shoqatës së cekur, duke filluar që nga kuvendi themelues i saj në vitin 1990, megjithatë asnjëherë nuk më kishte rastisur që së paku të këmbeja ndonjë fjalë apo përshëndetje me profesoreshën Keçmezi – Basha.

Në vitin 2010, më rastisi ta kontaktoja autoren e nderuar të librave të cekura, me rastin e manifestimit të njëzetvjetorit të shoqatës. Në atë përvjetor ishte paraparë ndarja e mirënjohjeve për disa nga veprimtarët, e në mesin e tyre ishte ftuar edhe profesoresha, për t’iu  ndarë mirënjohja për kontributin e dhënë.

Për rrjedhën e këtij evenimenti çdo gjë ishte planifikuar nga organizatori, madje paraprakisht dihej se kush ku duhej të ulej në tryezat e restorantit të hotelit. Meqë, atë ditë organizatori më kishte caktuar që ta shoqëroja akademik Pajazit Nushin, në mbrëmje atë e përcolla deri te karrigia e tryezës në restorantit e hotelit ku duhej të mbahej manifestimi qendror i ceremonisë për ndarjen e mirënjohjeve. Me atë rast aty posa ishte ulur edhe prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha, prandaj siç e do rendi dhe mirësjellja e komunikimit, e përshëndeta të pranishmen - profesoreshën e nderuar me një “mirëmbrëma”, edhe pse asnjëherë më parë nuk kishim komunikuar mes veti.

Duke pasur njohuri të mjaftueshme për veprimtarinë shkencore të profesoreshës, e po ashtu edhe për historinë atdhetare të babait të saj, kisha dëshirë që në bibliotekën e prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha të radhiten edhe veprat e mia, ngase sipas informatave që i posedoja, rrënjët e familjes së saj i përkisnim të njëjtit brumë ideologjik kombëtar s’i të familjes time.

Me atë rast, pasi iu prezantova, ia shfaqa dëshirën që në shenjë respekti për të dhe familjen e saj t’ia dhuroja dy libra të cilat rastësisht i kisha në veturën time të parkuar jo larg hotelit. Kështu pa vonuar shumë ia solla librat e cekura, me ç’ rast profesoresha e nderuar m’u falënderua me një mirësjellje gjentile si një intelektuale e mirëfilltë dhe një zonjë me kulturë të gjerë. Pas kësaj bisede, kontakti me profesoreshën Sabile përfundoi me aq, ngase më duhej të largohesha menjëherë për ta përfunduar një punë që kishte të bëjë rreth organizimit të manifestimit në fjalë.

Ndoshta lexuesve nderuar do t’iu interesojë të dinë se çfarë librash ishin ato që ia dhurova profesoreshës së nderuar, e po ashtu, pos arsyes së cekur pse më duhej mua që pikërisht ajo t’i kishte në bibliotekën e saj ?!.

Pra, njëra nga ata libra kishte të bëjë rreth dramës së familjeve dhe popullatës shqiptare në përgjithësi pas luftës ruso-turke, në periudha të caktuara deri në vitin 1999, autor i të cilit libër isha unë, ndërsa në librin tjetër trajtohej veprimtaria e Organizatës për Bashkimin e Trojeve shqiptare me shkurtesën Organizata BTSH, të cilin e kisha shkruar në bashkautorësi me vëllanë tim më të madh Remziun, i cili në vitin 1959 e kishte themelua ilegalen e cekur me platformë kombëtare të ngjashme me atë të Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, veprimtarët e të cilës u burgosen me zbulimin e saj në vitin 1964.

Me përfundimin e luftës së fundit në Kosovë, përkatësisht në vitin 2003, patëm fatin që për këtë organizatë ilegale ta gjejmë dhe ta inkorporojmë në libër dokumentacionin e nevojshëm arkivor të sekretariatit për punë të brendshme, përkatësisht të UDB-së famëkeqe, pas largimit të forcave të armatosura serbe nga Kosova në vitin 1999.

Më herët, në librat e veta disa autorë i kishin ngatërruar ca të dhëna rreth kësaj ilegaleje, derisa në librin tonë të përmendur më lart i cili doli nga shtypi në vitin 2004, sqarohej çdo detal konform dokumentacionit të cekur arkivor-zyrtar. Pra qëllimi im parësor kishte të bëj që në kontekst të Organizatës BTSH, duke e cituar njëri-tjetrin mos të përsëriten të njëjtat gabime të mëhershme të atyre autorëve, e sidomos nga punëtorët shkencorë.

Gati pas një viti, përkatësisht me dt. 19.05.2011 duke i shfletuar gazetat ditore, u befasova këndshëm kur në të përditshmen “Epoka e re” e pash studimin e publikuar që fliste për veprimtarinë e ilegales: “Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare ”, ku në formë artikujsh kishte filluar të publikohej si fejton me nga një faqe të plotë të gazetës (në vazhdime për çdo ditë, që zgjati një javë), autore e këtij studimi ishte prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha prandaj me këtë rast pasi e gjeta e mail adresën e saj elektronike përmes internetit në një revistë, iu drejtova me një shkrim të shkurtër, si vijon:

E nderuara prof. dr. Sabile Keçmezi - Basha, të falënderohem dhe të përgëzoj nga zemra përkitazi me fejtonin me peshë studimi të cilin e keni publikuar (sot me  19.05.2011) në të përditshmen “Epoka e re“ lidhur me ilegalen “Organizata BTSH”.

Për një studim të tillë brilant, pos mundit dhe dijes nevojitet edhe vullnet e ndjenjë atdhetarie, të cilin virtyt e posedoni Ju profesoreshë e nderuar, sepse kjo shihet qartë edhe nga shkrimet tuaja të mëhershme.

Dua t’ju them edhe një gjë. Nga studiuesit tjerë është shkruar shumë pak për një kategori të burgosurish politik, edhe pse e meritojnë që të dihet për veprat e tyre.

Disa dinë të bëjnë marketing politik, ndërsa disa të tjerë vdesin nën hijen e heshtjes.

Për vëllain tim Remziun dhe axhën Osmonin nuk më përket mua që të flas për ta. Mirëpo, dua të të njoftoj se pakkush e di që veterani i çështjes kombëtare, i ndjeri - Sylë Shala ishte “Mandela i Kosovës “ i cili gjatë jetës së vet i ka vuajtur 25 vite burg të rëndë.

Me sinqeritetin më të madh po Ju them se me këtë publikim (fejton), e keni bërë edhe një vepër humane në mënyrë që mos të harrohen disa njerëz të sakrificës kombëtare.

Me shumë respekt nga Ryzhdi Baloku.

Të nesërmen me dt. 20.05.2011, autorja e publikimit të cekur ma ktheu përgjigjen:

I nderuari z. Ryzhdi,

Thëne sinqerisht, me erdhi mirë që e kishit lexuar dhe iu kishte pëlqyer pjesa e parë e fejtonit, që posa u publikua në gazetën “Epoka e re“.

Ju falënderohem për fjalët e mira qe m’i kishit drejtuar në shkresën tuaj.

Para publikimit të këtij punimi, kam tentuar t’ju kontaktoj me qëllim që t’ju informoj se studimin në fjalë do ta publikoj si fejton, por nuk e kisha adresën tënde.

Një gjë dua t’ju them : Vëllai yt dhe të gjithë të burgosurit politikë meritojnë më shumë,

Këtë që po e bëj unë përmes këtij studimi të publikuar në të përditshmen “Epoka e re“ është një punë e vogël krahasuar me meritat e tyre që ne po i gëzojmë sot.

Ju përshëndes juve dhe familjen e juaj të nderuar,

Sabile Basha

Në ndërkohë, me dt. 26.05.2011  përmes e mail adresës elektronike e mora një shkresë nga profesoresha Sabile,  e cila më shkruan:

I nderuari z. Ryzhdi,

Pas publikimit të fejtonit si tërësi, kam marrë shume mesazhe dhe fjale miradije për  studimin e cekur.

Më ka çuditur fakti se sa pak di opinioni i gjerë për një pjesë të atdhetarëve tanë të lavdishëm. Mirëpo, kjo nuk është arsyeja që t’u drejtova me këtë shkresë.

Arsyeja pse po iu shkruaj kësaj here është se ne mesin e shume personave që është  interesuar për atdhetarin e madh z. Remzi Baloku, po ashtu është një tjetër atdhetar i shquar që jeton e vepron ne Gjermani. Ky është z. Emin Fazliu i njohur me nofkën Emil Kastrioti. Në një mënyrë z. Emin më është lutur, respektivisht ka kërkuar nga unë qe t’ia krijoj mundësinë të takohet me z. Remzi Baloku.

Ju lutem me shkruani se ku jeton Remziu, në mënyrë që t'ia mundësojmë këtë takim.

Me shumë respekt Sabile Basha.

Pas kësaj shkrese, përkatsisht me dt. 31.05.2011 profesoreshës Sabile ia ktheva përgjigjen:

E nderuara prof. dr. Sabile Keçmezi - Basha, kërkoj ndjesë për përgjigjen e vonuar, nga shkaku se gjatë vikendit e deri me sot nuk kam pasur qasje në internet.

Po ju njoftoj se me kujdes të veçantë e kam përcjellë fejtonin i cili u publikua gjatë këtyre ditëve, pothuajse për një javë resht në të përditshmen “Epoka e re“.

Shfrytëzoj rastin që edhe njëherë t’ju falënderohem sinqerisht për mundin dhe punën përkitazi me studimin që e keni bërë për ilegalen “Organizata BTSH”.

Për veprimtarinë atdhetare (në mërgim) të Emil Kastriotit respektivisht të Emin Fazliut, jam në dijeni qysh shumë vite më herët. Nëse e posedoni adresën e tij, kisha për t’ia dërguar me postë një ekzemplar të librit: Si u themelua ilegalja “Organizata BTSH”.

Sa i përket vëllait tim Remzi Balokut, ju njoftoj se jeton në Pejë me tre bijtë e vet. Nga mosha dhe shëndeti nuk qëndron aq mirë. Para pak kohësh ka qenë i shtrirë rreth dy javë në spital të Pejës dhe rreth një muaj në spital të Prishtinës. Pos tjerash lëngon nga sëmundja e sheqerit, e cila sëmundje ia ka sulmuar edhe shikimin. Meqë nga shëndeti nuk është mirë, shëndeti ka ndikuar që kohëve të fundit t’ia pamundësojë edhe daljen dhe komunikimin me të tjerët.

Ju informoj se popullata e Pejës me rrethinë edhe më heret ka qenë në dijeni për veprimtarinë e Remzi Balokut. Pos kësaj para disa vitesh (pas lufte) në TV Dukagjini, gazetarja Silvana Bardhi (tash gazetare e TV ABC NEWS të Tiranes) e pat realizuar një dokumentar prej rreth 60 minutash mbi veprimtarinë e tij dhe ilegales “Organizata BTSH”. Po ashtu edhe në TV. Dukagjini i ka pasur disa biseda me gazetarët e këtij mediumi, me rastin e Festës së Flamurit si dhe në përvjetorët e çlirimit. Bisedën e fundit në TV Dukagjini, më shumë se gjysmë ore e ka bërë në shkurt të këtij viti.

Pas çlirimit të Kosovës deri në shkurt të këtij viti, Kryetari i Pejës z. Ali Berisha e ka nderuar Remzi Balokun vazhdimisht në mënyrë publike duke e caktuar atë që ta ngritë flamurin në sheshin e qytetit në çdo përvjetor të çlirimit dhe të Festës Kombëtare të Flamurit.

Me shumë respekt Ryzhdi Baloku

 

Pas një kohe, një ditë prej ditësh, pas kësaj korrespondence elektronike me prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha, si dhe pas interesimit dy palësh ndodhi që të takohem me atdhetarin e shquar Emin Fazliu i njohur në mërgim si Emil Kastrioti. Atë ditë, në një kafiteri në qytetin e Prishtinës bëmë një bisedë të gjatë e të këndshme me të prej rreth dy orësh.



(Vota: 34 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora