E hene, 14.10.2024, 04:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Dibrani: Kontrata e Ibrahim Rugovës ishte vetëm me Kosovën dhe lirinë e demokracinë e saj

E shtune, 17.12.2011, 09:02 PM


KONTRATA E IBRAHIM RUGOVËS ISHTE VETËM ME KOSOVËN DHE LIRINË E DEMOKRACINË E SAJ

 

Enver Bytyçi: "FILOZOFIA POLITIKE DHE NACIONALE E IBRAHIM RUGOVËS", publicistikë, botoi Shtëpia Botuese "FAIK KONICA", Prishtinë 2010 dhe Shtëpia Botuese "KOHA", Tiranë 2010. Libri ka 392 faqe. ISBN: 978-9951-06-333-3

 

Nga Shefqet Dibrani

 

Ibrahim Rugova nuk mund të jetë pronë vetëm e LDK-së, Ai do të mbetet për jetë krenaria e kësaj partie, por është dhe do të mbetet gjithashtu për jetë pronë e Kosovës, e qytetarëve të saj, e institucioneve të saj politike dhe shtetërore, e elitës intelektuale dhe nacionale. (Enver Bytyçi, libri në shqyrtim f. 269).

"Me humbjen e Ibrahim Rugovës, Kosova humbi të vetmin Njeri, i cili në kohërat kritike mundi të bashkonte dhe modelonte skenën e përçarë politike", janë rreshtat e parë të këtij libri që nisin shënimin: "NË VEND TË NJË PARATHËNIE", vlerësim ky i Carl Bildt – Ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë, ish – i ngarkuar i BE-së për Ballkanin, (faqe 9). Dhe tani, nëse gjërat shikohen në retrospektivë, aq sa ka pasur të drejt në këtë vlerësim Carl Bildt, po aq meritë ka Enver Bytyçi që i sjell qysh në fillimin e librit, sepse tani më shumë se kurrë po bindemi edhe ne që ishim "nga pak me hile" në rrugën e tij, po më shumë se ne, po binden edhe ata që nuk ishin as në rrugën e urtësisë dhe të demokracisë që e trasoi Ibrahim Rugova, por nuk ishin, madje as në tokën e Zotit, se në tokën e Kosovës jo se jo.

E për të qenë person që "bashkon e moderon skenën e përçarë politike" duhej "Rugova (të) ishte një karakter i vështirë, por impresionues", ashtu siç ka potencuar Carl Bildt, kurse Bytyçi na e sjell në kryekreje të trajtimit dhe studimit të "filozofisë politike dhe nacionale të Ibrahim Rugovës", e cila qoftë si qasje nxjerr në pah përpjekjen e autorit për të konkretizuar kornizën e angazhimit dhe studimit të tij profesional, i cili që prej kohësh, me përkushtim të rrallë është marrë me këtë figurë karizmatike.

Enver Bytyçi, duke e trajtuar në aspektin shumëdimensional figurën e Ibrahim Rugovës, kahet dhe zhvillimet e "Lëvizjes Paqësore" të udhëhequra nga Ai, në mënyrë profesionale ka bërë një shërbim të mirë, duke na sjell detaje të argumentuara, bindshëm shpjegon për rolin e pashmangshëm të Ibrahim Rugovës në proceset politike nëpër të cilat kaloi Kosova.

"Kur Serbisë i duhej të hiqte dorë nga Kosova, forcat që përbënin UÇK-në prisnin që të merrnin të gjithë pushtetin dhe vërtetë që s'donin të kishin të bënin fare me Rugovën. Por ata i bënë llogaritë gabim. Larg diskreditimit, ai u rikthye si njeriu më i respektuar nga popullsia dhe në mars të 2002 ai u zgjodh president i Kosovës pa ndonjë farë konkurrence", (faqe 10). Vet fakti se njerëzit për rreth tij e kanë admiruar me një dozë të theksuar, duke krijuar një vetëkënaqësi trishtuese, me që rast kanë përjashtuar elitën e dijes dhe atë militante, Rugova ishte po aq figurë që kritikohej "me e pa lidhje", prandaj studimet për te dhe filozofinë e tij, të kësaj natyre "e bëjnë të domosdoshëm debatin mbi rolin historik, kulturën filozofike dhe ndikimin, që në dy dekada qëndroi në qendër të një procesi historik të papërsëritshëm jo vetëm në hapësirën shqiptare, por edhe më gjerë", (faqe 16).

Te shënimet "ti quaj biografike" për Ibrahim Rugovën nuk gjejmë atë formën e thjesht të një shënimi biografik, ta zëmë: "u lind, u shkollua, kreu këtë e atë", por autori me mjaftë sukses, me njohjet prej një studiuesi e ndërthur filozofinë politike dhe nacionale me rrethanat kohore në të cilat jetoi Rugova, dhe të gjitha aspektet i zbërthen në prizmin e zhvillimeve politike të asaj kohe duke i ndërthurur me elementet më pozitive të traditës dhe emancipimit popullor në familjen shqiptare që haset kudo në Kosovë, e veçmas në Dukagjin, duke ia atribuuar sa e sa "merita e amanete" atij emancipimi, për të cilat edhe nëse nuk janë, edhe nëse nuk gjenden si amanete të lëna në ndonjë postulat, në nuanca mund të besohet se ajo edukatë ka ndikuar në kahet e zhvillimit politik dhe filozofik të Ibrahim Rugovës, sepse i ka ato atribute që i thekson autori.

Por jo gjithmonë duhet të mendojmë se ajo edukatë dhe ai arsimim e ka bërë Rugovën ashtu siç ishte, pasi dihet mirëfilli se në Familjen Rugova ka pasur edhe meshkuj të tjerë, dhe gjatë gjithë shkollimit të tij ka pas edhe nxënës dhe student të tjerë që kanë vijuar mësimet bashkë me te, por askush tjetër nuk është bërë si ai. Këtë krahasim e bëra për të mos mbetur ky konstatim si një mendim filozofik i thatë dhe abstrakt, (sepse me të gjitha pasojat që sistemi komunist i administruar nga serbet), ia ka sjellë atij dhe familjes Rugova, ai ka dal një personalitet i përsosur që me kalimin e kohës u vu në ballë të kombit.

Angazhimi i Rugovës në politikë, përveç nevojës së kohës ishte rezultat i vetëdijes së lart dhe i atij brumi që ishte përgatitur për t'iu gjetur Kosovës në momentet më të vështira. Nuanca të tilla ka pasur nëpër jetën dhe sakrificën e tij sa të duash, por siç shkruan edhe autori rrethanat dhe faktorët shoqëror e politik, ndikuan më shumë se çdo gjë tek Ai. Po ashtu ishte edhe shkollimi dhe emancipimi nëpër qendra dhe metropole Evropiane nga ku Ai ka ditur të thithi atdhedashurinë dhe patriotizmin më të emancipuar, të cilin si askush tjetër e vëri në shërbim të kombit, dhe veçmas në shërbim të çështjes së Kosovës.

Gjithsesi qasja dhe interpretimi i autorit edhe në këtë pasus është provokues, cytës dhe impresionues që hapë debat studimi e diskutimi duke të bindur se autori i njeh gjërat mirë, i di edhe më mirë zhvillimet e asaj kohe, dhe për rrjedhim ka dhënë shënime tejet të pëlqyeshme edhe për njohësit e afërt të Ibrahim Rugovës, dhe shumë më shërbyes do të jenë këto qasje për ata që do të hyjnë jo vetëm në këto lexime, por në studime specifike rreth filozofisë politike dhe nacionale të Ibrahim Rugovës. Zbërthimi i kësaj filozofie, që duhet të ndikojë pozitivisht në ndryshimin e "filozofisë hakmarrëse, përçarëse dhe të urrejtjes" që po dominon nder popujt e Ballkanit.

Në pjesën e parë, lexuesi do të gjej mendime e përkufizime për "jetën dhe veprimtarinë politike e shoqërore të Ibrahim Rugovës", për "fëmijërinë dhe edukimin", për "filozofinë e të sfiduarit", për "veprimtarinë intelektuale" dhe për "veprimtarinë politike" të trajtuara në kontekstin kohor, duke bërë krahasime me zhvillimet e brendshme politike e shoqërore në Kosovë, si dhe reflektimi i faktorëve të jashtëm dhe ndikimi i tyre në këto zhvillime.

Shumë tema  dhe trajtesa të autorit, në pamjen e parë, do të duken të njohura dhe të përsëritura, por asgjë tjetër, përveç datave të caktuara, nuk do t'i gjejmë të shtruara dhe konfrontuara me mendime aq subtile sikurse në këtë tekst që i bëhen fenomenit "Njeri", si dhe fenomeneve e zhvillimeve të tjera që kanë ndodhur në dhe përreth tij.

Gjatë tërë tekstit, autori sjell mendime, bënë krahasime e nxjerr përkufizime që ta ndalin frymën nga ai depërtim aq i thellë, dhe nga ajo njohje aq delikate e fenomeneve dhe momenteve të caktuara. Autori ty cytë dhe të shtynë për të menduar thellë, duke të vëmendësuar në shumë gjëra, ndërsa me përkufizimet që vijnë në fund të mendimit, sikurse lexuesi merr frymë më shlirshëm nga energjitë dhe impulset impresive për të ditur se si autori i ka trajtuar dhe shtjelluar ngjarjet edhe në kapitujt vijues.

Në pjesën e dytë, trajtohet "konteksti rajonal dhe roli i Ibrahim Rugovës",  të cilin "e kishte thirrur në skenë vet koha, në të cilën kalonte vendi, ...për të udhëhequr një betejë dhe një luftë të pabarabartë" (faqe 56 - 57).

Autori në mënyrë analitike ka trajtuar elitën e re politike edhe në Republikat e Federatës Jugosllave  dhe raportin e konflikteve nga njëra republikë tek tjetra, duke nxjerrë liderin e moderuar Ibrahim Rugova jo vetëm më sfidues por "si politikan i vizioneve të veçanta" (po aty, faqe 59), i cili solli një frymë të re politike në Ballkan e cila u admirua dhe u përqafua për shkak të thjeshtësisë dhe modestisë së tij. Por shkruan autori: "fakti se në botën perëndimore nuk mund të gjesh kundërshtarë të filozofisë së Rugovës, tregon se Ai i përkiste një vije politike të ndryshme nga të gjithë udhëheqësit ballkanikë", (f. 60). Autori edhe në këtë pjesë të librit u ka dhënë një dimension të ri qasjeve të tija në studimin mbi "filozofinë politike dhe nacionale të Ibrahim Rugovës", të cilën jo gjithkush e materializon me shembuj konkret, mjaftë të vyeshëm për studimet e kësaj filozofie.

Pjesa e tretë, merret kryesisht me specifikimin e nocioneve krahasuese në mes Ibrahim Rugovës dhe personaliteteve të shquara botërore të cilët me filozofinë politike të tyre kanë bërë lëvizje e kthesa të mëdha të koncepteve dhe qasjeve të luftërave për liri dhe pavarësi. Këtyre krahasimeve nuk iu ka shpëtuar as lideri i shqiptarëve të Kosovës.  Për të pagëzuar si duhet "Lëvizjen e tij pacifiste" e cila me çdo kusht synonte realizimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës me sa më pak viktima të mundshme. Si askush tjetër më parë, siç ka theksuar autori mjaftë dendur edhe në këtë libër, Ibrahim Rugova jo që iu shmang kopjimit të lëvizjeve të mëdha botërore por ai ndërtoi strategjinë e refuzimit, të durimit dhe qëndresës për t'u bërë shembull i vetëm jo vetëm në hapësirën shqiptare e ballkanike, por "Lëvizja e Tij" i kaloi edhe kufijtë e Evropës duke u bërë e njohur në të gjitha vendet e botës që kanë ndikim në rregullimin e rendit të ri botërore.

Por, më duhet të theksoj se analizat e Enver Bytyçit, sidomos ato që kanë të bëjnë me krahasime, do të mbeteshin të mangëta po sikur autori të mos shpjegonte se çfarë i lidhte dhe çfarë nuk i bashkonte idetë e Rugovës me ato lëvizje, sepse epitetet si "Mandela i Kosovës", "Gandi i Kosovës", ose krahasimet me "Lëvizjen e Martin Luther King-ut" a të "Havelit në Çekosllovaki",  do të dilnin si krahasime jo të qëndrueshme për natyrën e konceptit dhe të filozofisë politike e nacionale të Ibrahim Rugovës, po sikur autori të mos e bënte edhe zbërthimin e këtyre nocioneve me mjaftë maturi, duke i qartësuar ato fije që i bashkonin, dhe ato çështje që i ndanin këto pikëpamje, sepse Ghandi i Indisë kishte përballë një pushtues të emancipuar dhe me demokraci të konsiloduar siç ishte Britania e Madhe kurse Haveli përballej vetëm me problemin nacional të kalimit nga koncepti komunist në atë demokratik, ndërsa lideri i moderuar i shqiptarëve të Kosovës jo vetëm që përballej me një pushtues të egër dhe pa principe, por ai pushtues ishte dinak dhe kishte nënshkruar të gjitha konventat  botërore për respektimin e të drejtave të njeriut, duke participuar në të gjitha organizatat botërore, ku ushtronte me sukses ndikimin në dëm të popujve të vegjël, në këtë rast të shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë.

Në këtë rast, Rugova nuk e kishte problem vetëm kapërcimin nga koncepti komunist në atë demokratik si Haveli (f. 84-85), por e kishte problemin e mbijetesës dhe të ruajtjes së substancës njerëzore nga shfarosja fizike, pastaj kishte çlirimin e vendit dhe krijimin e shtetit, të cilat autori i librit me mjaftë suksese i ka zbërthyer duke mos lënduar as vullnetin e Ibrahim Rugovës i cili për të gjallë nuk i pëlqente këto krahasime të cilat i llogariste pa bazë dhe të paqëndrueshme. Me një fjalë tamam siç ka vepruar autori, jo vetëm në nuanca krahasimesh, por me sukses ka qitur në pah konceptin dhe filozofinë e re dhe të panjohur në hapësirat ballkanike që e pat sendërtuar me mjaftë sukses Ibrahim Rugova.

Në këtë pjesë mjaftë interesante janë trajtuar me sukses edhe filozofia e qëndresës "Ne jemi këtu..." që ka bërë realitet "të të qenit të pranishëm në Kosovë", duke ruajtur me sukses substancën njerëzore që ishte rrezikuar nga shkatërrimi masiv. Pastaj autori flet për filozofinë e refuzimit duke sjellë pikërisht alegorinë e kësaj mënyre me atë të Ghandit në Indi, e cila "përmes refuzimit të sovranitetit serb në Kosovë e përkufizoi një strategji radikale të rezistencës", (f. 98), ku me sukses e kaq sfiduar atë politikë shkatërrimtare, në njërën anë dhe në anën tjetër duke ia sjell popullit të tij, jo vetëm lirinë por edhe pavarësinë e vendit. Në këtë pasus, më duket se autori ka të drejt kur sugjeron apo edhe kur konstaton se "mendimi filozofik i Ibrahim Rugovës", jo vetëm që duhet deshifruar leximi i kësaj filozofie, por ai sugjeron edhe mësimin në shkolla, duke e futur si lëndë mësimore në të gjitha nivelet e shkollimit nacional.

Te ndikimi i faktorëve njerëzor siç ishin Papa Gjon Pali II  dhe Nëna Terezë, përveç atyre të ditura nxjerr përfundime të vyera duke sugjeruar atyre që kanë humbur busullën e orientimit, se kah duhet mbajtur drejtimin e anijes.

Në këtë shtjellim, Enver Bytyçi pa ekuivok rithekson ndikimin e Papa Gjon Pali II dhe ndikimin e Vatikanit në rrjedhat politike në Kosovë duke e ilustruar mendimin e tij edhe me argumente konkrete që i japin vlerë dhe peshë studimit të tij. Në këtë nivel mbesin edhe mendimet e tij përkitazi me admirimin që kishte Ibrahim Rugova edhe për Nënën Terezë e cila siç thotë autori se "Një fjalë e Nënë Terezës për Kosovën ishte sa të gjitha lutjet e dy milion shqiptarëve për lirinë e tyre", (f. 116). Kështu me këtë argument kaq të fuqishëm, autori u vë kapakun të gjitha shpifjeve dhe çirrjeve mohuese për rolin dhe ndikimin e Nënës Terezë në çlirimin e Kosovës.

Në pjesën e katërt, Enver Bytyçi trajton nocionin "Babai i Kombit" që iu atribuua Ibrahim Rugovës, duke qitur në pah se ky atribut i erdhi Atij së pari nga ndërkombëtarët duke sjell mjaftë fragmente sidomos nga shtypi gjerman.  Më pas autori bënë shtjellimin e këtij nocioni duke sjell krahasime të tjera si ajo me Xhorxh Washingtonin, për dallimet dhe përafrimet me këtë figurë madhore të kombit amerikan. Por për mua ka lënë përshtypje interesante krahasimi që Enver Bytyçi i bënë Ibrahim Rugovës me presidentin tjetër amerikan Thomas Jefferson, ku gjithmonë sipas autorit strategjia e Rugovës me këtë figurë të shquar amerikane "bashkohet në taktikën, mjetet dhe mënyrën demokratike të zhvillimit e të fitores së kësaj lufte", (f. 123), por shkruan autori se "Ibrahim Rugovën, si personalitet i përmasave të jashtëzakonshme e ka diktuar koha", (f. 124), pa harruar ky dijetar e analist kaq i shquar të na kthjellon se "kohë të tilla Kosova ka kaluar edhe në të shkuarën", (po aty f. 124), dhe nuk kanë qitur ato kohëra prijës si Ibrahim Rugova.

Krahasime, përkufizime dhe edukime të nevojshme ka me bollëk, aq shumë sa mendja nuk ta thotë, por Enver Bytyçi duke nxjerr në pah virtytet e larta të kësaj figure madhore e karizmatike, ka dëshmuar pjekurin e tij analitike, me që rast dallohet si njohës i mirë i fushës së politikës, diplomacisë dhe historisë, të cilat i ka shtjelluar në kontekstin e rrethanave shoqërore e politike jo vetëm në kohën e Rugovës, por edhe te të gjitha ato personalitete të shquara me famë botërore siç ishin ta zëmë Çurçilli për Anglinë, Mustafa Kemal Ataturku për Turqinë etj.

Një diskurs analitik i rafinuar dhe sintetizuar me një stërhollim profesional shfaqet kur lexojmë analizat për "Fenomenin Rugova dhe strategjinë nacionale të tij", (f. 126-133), apo ato për "Arkitektin e shtetit të pavarur, të lirë e demokratik", (f. 133 – 137), për "Heroin e Pavarësisë", (f. 137 – 142), si dhe shkrimin për "Rugovën, pavarësinë dhe historinë e re të Kosovës", (f. 143 -147).

Enver Bytyçi me mjaftë sukses i ka bërë qasje edhe filozofisë së nderimit dhe respektimit që personalitetet e shquara botërore, kryetar shtetesh dhe politikan të shquar i kanë bërë Ibrahim Rugovës, filozofisë politike e nacionale të Tij, sikundër edhe ndikimeve të tyre të shumta që i janë bërë Rugovës, të cilat jo rrallë kanë pas luhatje e dilema, por siç shkruan edhe autori, falë gjenialitetit të Rugovës edhe sfidat e tilla janë përballuar dhe tejkaluar me sukses, pa i zvetënuar edhe raportet e mira që kishte krijuar ky Njeri kudo në botë. Në këtë plan autori flet me pietet edhe për "Miqtë dhe partnerët e Rugovës" (f. 153), kudo në botë duke shkëputur e sjell fragmente prej më të ndryshmëve që për vrojtuesit e mirë kanë qenë të njohura shumë sish, por mënyra se si iu rreket Enver Bytyçi më duket se është e re dhe gjithsesi mjaftë interesante.

Natyrisht në këto rrethana, se do mendja, që Rugova të mos ketë pasur edhe trysni dhe presione prej më të ndryshëmve, disa sish vijnë të kthjellëta brenda librit që po flasim duke shpreh admirimin e tij për stoicizmin e Rugovës i cili gjithmonë ka qenë "Kundër çdo kompromisi në qëllimin final", (f. 157), kurse në shumë përpjekje sfiduese që nuk ka arritur t'i sfidojë Rugova, qoftë duke e vënë në rend të dytë siç ishte rasti në Rambuje, autori nuk e ngarkon Rugovën me faj, por e sheh si "dështim Evropian" pasi Ai (pra Rugova), ishte i vetëm në përpjekjet e tija përballë një makinerie të sofistikuar e cila ishte e pajisur me shërbime e teknologji prej më të përparuarës.

Mendoj se në shumë çështje autori ka arritur të kthjelloj koncepte, jo vetëm për lexuesit e rëndomtë, por edhe për atë elitën që rrihet si e dijshme dhe fanatike në konceptet filozofike të këtij burri të shquar të kombit tonë.

Në pjesën e gjashtë, autori ndjehet më i fuqishëm për vet faktin se ka qenë pjesë, ose afër rrjedhave dhe zhvillimeve politike në vendin e tij, pra në Shqipëri, pasi kjo pjesë merret kryesisht me disa fenomene që kanë të bëjnë me raportet e Rugovës me Shqipërinë. Ai e çmon lart Rugovën i cili asnjëherë nuk u konfrontua me politikën komuniste të Tiranës dhe as me pasardhësen e saj, Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Autori në mënyrë të detaizuar paraqet marrëdhëniet e Rugovës me Shtetin Shqiptar duke sjellë jo veç detaje por edhe fakte se si janë zhvilluar ato ngjarje, madje duke përshkruar në hollësi kurthet e leqet që i bëheshin nga misionar të shumtë politikës së urtë të Ibrahim Rugovës.

Ndër "kthesat e mëdha" të Ibrahim Rugovës në raport me Shtetin Shqiptar, ku do të përmirësohen dhe do të avancohen shumë çështje, sipas autorit bëhen vetëm në kohën e udhëheqjes së shtetit shqiptar nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe lideri i saj Sali Berisha. Pothuajse gjatë kësaj kohe rruga e Rugovës për në Evropë dhe Amerikë do të kalonte nëpër Tiranë, kurse Tirana zyrtare në kohën e Sali Berishës do t'i bënte Atij pritje duke i kryer të gjitha protokollet që i bëheshin një kryetari të shtetit.

Autori është marrë me kritikën dhe kundërshtarët e tij, sidomos me ndërhyrjet e panevojshme dhe antikushtetuese të ish Presidentit të Shqipërisë Rexhep Mejdani i cili në cilësinë e Presidentit është njeriu më përgjegjës për të gjitha shantazhimet që ia bënte jo vetëm filozofisë politike dhe nacionale të Ibrahim Rugovës, por me atë politikë sikur u bë kundërshtarë i paepur i Lirisë së Kosovës, ku bashkë me Paskal Milon – atëherë Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë do të radikalizojnë kursin e tyre kundër Ibrahim Rugovës dhe projektit të tij për pavarësinë e Kosovës.

Kjo garë e tyre do të ishte e vogël po sikur të mos përkrahej e ndihmohej edhe nga funksionarë të lartë shtetëror e partiak të Partisë Socialiste të Shqipërisë siç ishin Fatos Nano, Skënder Gjinushi, Fatos Klosi e deri te Edi Rama, të ndihmuar e përkrahur edhe nga enveristi më i dresuar Bedri Islami, një argat SIGURIMI që kishte për detyrë të "ndihmonte" kosovarët e LPK-së që jetonin në Evropën Perëndimore, të cilët sikur nuk patën asnjë njeri të tyre, por sollën nga Tirana një enverist të çartur për t'u marrë me fatin e Kosovës.

Këto grupe enveriste i gjetën "jatakët" e tyre edhe brenda në Kosovë që përkraheshin nga "babai i tyre Rexhep Qosja", bashkë me struktura të tjera të majta politike e parapolitike të cilat sikur ishin më të gatshme ta praponin Kosovën se sa t'ia njihnin meritat Rugovës, prandaj ato grupe nuk pranuan Kushtetutën e Rugovës që ishte më e mirë se sa kjo që kemi tani, sikurse nuk e pranuan Flamurin e as Himni e Kosovës, që janë refuzuar vetëm për motive politike duke u hapur shteg  fenomeneve që e bëjnë vendin qesharak dhe Kosovë si shtet jo aq stabil.

Kur potencojmë lëvizjet anti-Rugovë të cilat në masë të madhe i ka shtjelluar autori i librit, më duhet të shtoj se Ibrahim Rugova ishte dhe mbeti personaliteti  me të cilin lidhen nocionet: "pavarësi", "demokraci", "prerektorat ndërkombëtar", "shtet neutral" me të cilat sot mburremi të gjithë, prandaj edhe pse autori i librit nuk e ka potencuar kështu kaq thjesht siç e bëra unë, mund të vijmë në përfundim se të gjitha lëvizjet dhe kundërshtarët e "filozofisë politike dhe nacionale të Ibrahim Rugovës", në një mënyrë ishin dhe mbeten, (qoftë edhe tërthorazi, qoftë edhe pavetëdije), si kundërshtar të Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

Këtyre tendencave të shumta dhe të shpeshta u ka dhënë përgjigje të merituar edhe në pjesën e tetë të librit, përkatësisht në pjesën përmbyllëse të këtyre qasja siç janë shkrimet dhe analizat: "Ndikimi dhe aktualiteti i filozofisë së Rugovës", "Modeli Rugova për shtetin e Kosovës", "Përkatësia e trashëgimisë së Rugovës", duke sidomos te trajtesa "Rugova i munguar".

Autori i ka dhënë shoqërisë sonë një libër të mirë, mjaftë shërbyes dhe i domosdoshëm për t'u lexuar. Ai duke sjellë në vëmendjen tonë disa prej mësimeve që dalin nga vizioni dhe përkushtimi i presidentit historik të Kosovës, na ka shtuar dhe na ka forcuar bindjen tonë dhe krenarinë për Ibrahim Rugovën, presidentin e parë dhe historik të Kosovës.

 

St. Gallen, 23 tetor 2011.

Shefqet Dibrani



(Vota: 15 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora