E enjte, 25.04.2024, 11:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Flet shkrimtari dhe publicisti Sevo Tarifa

E shtune, 17.12.2011, 05:49 PM


Veset dhe cilësitë e njeriut nuk duken as me mikroskop, as me dylbi.

 

“Bukuria e faqes, rrezja e janarit; bukuria e shpirtit dielli i beharit

 

Nga Albert Zholi

 

Veset dhe cilësitë e njeriut nuk duken as me mikroskop, as me dylbi. Ato dallohen me “sytë e mendjes”, me arsye njerëzore, me logjikë, me mendje të mprehtë. Si veset dhe virtytet shfaqen në veprimtari konkrete, në familje, në shkollë, në punë, në shoqëri. Kjo wshtw tema qw do diskutojmw sot me shokun Sevo Traifa

 

Shoku Sevo, ju keni punuar për një kohë të gjatë me rininë. Me siguri jeni ndeshur me koncepte e perceptime për të bukurën dhe të mirën, të cilat janë një temë interesante për brezin e ri. Ç’mund të na thoni nga përvoja juaj me rininë, si vlerësohen këto, cili është uniteti dhe dallimi i tyre?

E keni zgjedhur kaq mirë këtë temë. Është vërtetë interesante sidomos për moshat e reja, poe edhe për moshat e rritura. Një fjalë e urtë e popullit thotë: “I riu ka rininë, plaku ka stolinë”.

Në fillim do të donim të na jepnit ndonjë përgjigje për unitetin e të bukurës dhe të mirës, si dhe çfarë i dallon ato?

E bukura dhe e mira shpeshherë barazohen, ngatërrohen, kuptohen dhe s’kuptohen. E bukura dhe e mira janë në unitet, por jo gjithnjë. Të dyja kanë tërhequr përherë vëmendjen e njerëzve në çdo sistem shoqëror. Popuj e dijetarë janë shprehur për thelbin, të përbashktën e të veçantën e tyre.

Në gjuhet e botës nuk munngojnë fjalë të urta dhe aforizma. Janë bërë përkufizime e krahasime. Njëri është tërhequr më shumë nga e bukura, tjetri nga e mira. Njëri ka shpjeguar ku bashkohen e tjetri ku ndahen. Dikush  ka mbivlerësuar të bukurën e tjetri të mirën. Shpesh nuk është parë si duhet raportin midis tyre. Kjo vihet re në përcaktime absolute si “Bukuria ka fuqi që të tërheqë edhe një fije floku”. “Bukuria shkëlqen më shumë nga të gjitha sendet e tjera”. “Vetëm bukuria dridhëruese është bukuri e vërtetë”.

Mendimi më i plotë për të bukurën është kur atë e percepton krahas me të mirën. Piktori i madh, arkitekti, skulptori dhe dijetari i shquar italian, Leandro da Vinçi ka thënë: “Nuk është gjithmonë e mirë ajo që është e bukur”. Për këtë flet edhe filozofi, shkrimtari i madh dhe veprimtari politik romak, Seneka, i cili shprehet: “ E bukura s’ është gjithmonë e mirë, kurse e mira është gjithmonë e bukur”. Pra, tek e mira është dhe e bukura, ndërsa tek e bukura nuk është gjithnjë e mira. E mira ka brenda dhe të bukurën. Të dyja pleksen. E bukura tek njeriu është dyplanëshe: bukuri e jashtme dhe bukuri e brendshme.

Erdhëm në një pyetje që na intereson të dinim më shumë. Mund të na thoni ç’është bukuria e jashtme dhe ajo e brendshme, ku bashkohen e ku ndahen?

Bukuria e jashtme është bukuria fizike. Me këtë bukuri ushqehet syri i njeriut. “Bukuria e njeriut qëndron në fytyrë, kurse bukuria e fytyrës qëndron tek sytë”. (turke). Kur njeriu sheh një tjetër, menjëherë sytë i shkojnë tek fytyra, në radhë të parë tek sytë e tij.  Nuk thuhet kot që “sytë janë stolia e njeriut”.

Pasi njihen ose jo, njerëzit ndalen duke e parë njëri-tjetrin tek balli, vetullat, hunda,  goja, buzët, të cilave populli u ka kënduar me vargje: “Buzët si kuti, syri si ulli, balli sheshmejdan, vetullat gajtan”. Tek e bukuria e fytyrës ata kuptojnë gëzim ose mërzitje, buzëqeshje ose “nursëz”.   “S’ka gjë më të bukur se një fytyrë që rrezaton gëzim” (italiane).

Po bukuria e brendshme dhe si lidhet kjo me bukurinë e jashtme?

Bukuria e brendshme është bukuria  shpirtërore. Ndërsa bukuria e jashtme shpreh formën, bukuria e brendshme shpreh përmbajtjen, është bota e brendshme e njeriut, mendja, zemra, karakteri i tij. “Fytyra e bukur jo gjithmonë është pasqyrë e shpirtit të mirë” (latine) “Bukuria nuk mund të na ngushëllojë në qoftë se atje nuk ndodhet shpirti”. “Bukuria pa dituri është si druri i thatë pa stoli”. (shqiptare).

Bukurinë e jashtme njeriu mund ta soditë edhe në natyrë, në një livadh apo kopsht me lule, në një muze, në një ekspozitë pikture e të tjera, kurse kryesorja është të zbulohet bukuria e shpirtit, bota e brendshme. “Është i bukur ai që ka shpirtin të bukur”.(Dikens) Në pamje të jashtme e bukura mund të mbulojë një shpirt të shemtuar. Një shpirt i bukur zbukuron edhe pamjen e jashtme” (italiane).

Po ku shfaqet bukuria e brendshme e njeriut?

Bukuri e brendshme shfaqet tek fjala dhe mendimi, në unitetin dhe dallimin e tyre. Mendimi është superior ndaj fjalës.  I bukur është ai që mendon, pastaj flet. Është e bukur ajo fjalë që nuk del para mendjes. Kur fjala ka në thelb mendimin, është e bukur.“Të flasësh pa menduar, është si të zbrazësh pushkën pa e vënë në shenjë”. Ndarja e fjalës nga mendimi ia heq bukurinë e brendshme njeriut. Bukuri ka fjala e ëmbël dhe jo fjala e egër. Fjala e ëmbël zbut edhe njeriun e egër, kurse fjala e hidhur helmon zemrën. Fjala e ëmbël është dhurata më e mirë që mund t’i bëjnë njerëzit njëri-tjetrit. Në Veri thonë: “Kush asht gojambël, han përshesh me tamël” dhe “Fjakën e keqe, lëne për nesër” (Krujë).

Fjala është e bukur kur përshkohet nga mendimi i bukur. Flet bukur kur mendon bukur, kur fjala përputhet me mendimin. Kur mendon ndryshe dhe flet ndryshe, ia ke hequr bukurinë fjalës, fytyrës dhe shpirtit. Nuk je i bukur  kur mburrej, kur përdor fjalë “të mëdha”, “fjalë të huaja”, për të krijuar përshtypjen se “je i ngritur”, “di shumë”. Kur nuk e mban fjalën, të ikën bukuria. “Mendimet më të larta gjenden në fjalitë më të shkurtëra” (Sami Frashëri). Njeriu që flet bukur mbjell kënaqësi dhe gëzim në zemrat e të tjerëve.

Po në punë, si shfaqet bukuria e njeriut?

Bukuria e brendshme duket jo vetëm në fjalë e në mendime, por sidomos në zbatim të tyre, në punë konkrete. Zgjuarsinë e tij njeriu e tregon jo aq në fjalët që shpreh, në mendimet që shfaq, në zotimet që merr, por në radhë të parë në veprimtarinë praktike që kryen , në cilësinë e saj. Sa më mirë të punojë njeriu, aq më i bukur është, aq më e mirë është fjala dhe vepra e tij, aq më tepër përshtypje të mira lë tek ata që dëgjojnë. Më të bukur janë ata, që kanë në zemër atdheun dhe punojnë e luftojnë deri në dhënien e jetës në emër të tij, ata që mendojnë dhe punojnë për mirëqenien e popullit.

Njerëzit mendojnë dhe punojnë në të gjithë jetën e vet. Ka një dialektikë në vitet e tyre. Kërkesat ndryshojnë sipas moshave. Janë minimale tek fëmijët, vijnë duke u rritur më vonë.  Në moshën e rinisë frontin kryesor e përbën mësimi. Kjo është mosha më e përshtatshme për të pasuruar mendjen, dijet, për të zgjeruar horizontin kulturor. “Mëso sa je i ri, që kur të plakesh të kesh dobi”. Një bukurosh në fytyrë, s’është i bukur po të jetë përtac. “Përtaci i rëndon edhe dheut”. Puna shoshit mendimet. Ajo nxjerr në pah se ç’mendime ke. Rezultati që arrin është matësi më i mirë i punës. Dhe kur ky rezultat është i lartë, je vërtet i bukur.

Ka interes ta shohim bukurinë edhe në botën e brendshme të njeriut, në vatrën e virtyteve të tij, në zemër. si paraqitet ky problem dhe cili është raporti i tyre me bukurinë fizike?

Bukuria e brendshme pasqyrohet në virtytet morale të secilit. “Bukuria pa virtyt është si lulja pa aromë”. Virtytet janë shëndeti i shpirtit dhe e zbukurojnë njeriun. Veset shëmtojnë edhe fytyrën më të bukur. Thjeshtësia është një virtyt më i bukur se vetë bukuria. Mendjemadhësia heq bukurinë e fytyrës e të shpirtit. Çdo gjë pozitive i shërben edukimit e vetedukimit, bukurisë së brendshme, shëndetit mendor, shpirtit të bardhë. Ndërsa çdo gjë negative, çdo ves i keq njollos zemrën dhe moralin, ashtu dhe fytyrën e bukur. “Fytyra është piktura e zemrës”. Virtytet e bëjnë zemrën të kënaqur, zemra e dëshpëruar shtyp mendjen dhe mendimet.

Ka njerëz të bukur nga pamja e jashtme, nga paraqitja fizike, por s’kanë bukuri të brendshme shpirtërore. Dikush mund të ketë të bukur fytyrën, por i mungon dashuria njerëzore, “Dashuria është rrënja e të gjitha virtyteve”.  Nuk është i bukur inatçiu, grindaveci, hakmarrësi, intriganti, servili, ai që s’është i urtë. Një tjetër mund të hiqet miku yt, por të do për interes. Do ta provosh shokun apo mikun se sa të do sinqerisht? Shikoje kur ngrihet në përgjegjësi, si tjtërsohet me ty! “Begatia të bën me miq, fatkeqësia i vë ata në provë”.

Veset dhe cilësitë e njeriut nuk duken as me mikroskop, as me dylbi. Ato dallohen me “sytë e mendjes”, me arsye njerëzore, me logjikë, me mendje të mprehtë. Si veset dhe virtytet shfaqen në veprimtari konkrete, në familje, në shkollë, në punë, në shoqëri..“Bukuria e shpirtit zbulohet edhe në shikimin, në veprimin, në fizionominë, në të cilat shprehen virtytet njerëzore” (De Rada). “Vesi trashëgohet më shumë se virtyti”. Vesi është si litari, ia përdredhim fijet përditë e më në fund nuk mund ta këputim”. I bukur është i drejti. “Drejtësia është brumi i përbashkët i virtyteve”.(Aristoteli).

Virtytet e larta morale janë karakteristikë e njeriut të mirë, e njeriut që ka pak fjalë e shumë punë, se “Fjalët janë gjethe, veprat janë fruta”. Puna të lodh, por dhe të çlodh. Ai që është mësuar me punë, nuk rri dot pa punuar. “Po të ndalësh punën, je  kandidat për të pritur vdekjen”. Çdo gjë e bëjnë njerëzit. Asgjë s’bie nga qielli. Kishte të drejtë Gorki kur pohonte: “Gjatë gjithë çasteve të vështira e të rënda në jetë, zemra ime ka kënduar vetëm një himn: Rroftë Njeriu!”

Kur mund të themi se ky ose ai njeri është i bukur?

E para, Njeriu është i bukur kur është dhe i mirë. Por çdo gjë e bukur s’është gjithnjë e mirë, kurse çdo gjë e mirë është e bukur. Mendon dhe vepron mirë ai që i shikon të dyja njëherazi, bukurinë fizike dhe atë shpirtërore, të bukurën dhe të mirën. Fytyra pasqyron shpirtin e njeriut, por kjo është relative, nuk ndodh gjithnjë. Dikush mund ta ketë të bukur fytyrën, por shpirtin nuk e ka të tillë. Dhe e kundërta, mund të mos jetë i bukur nga fytyra, por ka të bukur shpirtin dhe zemrën. Mund të jetë fytyrëbukur, por jo zemërbardhë. Në zemër është selia e virtyteve dhe e veseve. Mendimet janë në tru. Kokën e sheh nga jashtë, por nuk e di se ç’ka brenda. Njeriun mund ta njohësh lehtë nga fytyra, edhe mendjen mund t’ia zbulosh shpejt, por zemra do kohë që të njihet.

E dyta, i bukur është ai njeri që kur flet ose shkruan i mëson tjetrit një gjë që nuk e di. Kur flet për diçka që tjetri e di, lodh gojën e vet dhe veshin e dëgjuesit. Tjetri mund t’i ketë sytë të bukur dhe këta janë dritare e shpirtit, por nuk ka bukurinë e këtij të fundit. Prandaj krahas bukurisë së jashtme, duhet vlerësuar bukuria shpirtërore, mendimet, zemra, cilësitë e karakterit, qëndrimet, sjelljet në punë, në familje e në shoqëri.

Dimë që për të bukurën dhe të mirën kanë folur e shkruar dijetarë të mëdhenj. Mund të na transmetoni diçka prej tyre?

Popuj e gijetarë të mëdhenj në botë na japin shumë mësime, fjalë të urta e aforizma, për të mirën dhe të bukurën, në radhë të parë që këto t’i shohim  të gërshetuara. Ja disa prej tyre:

“E bukura tek njeriu as që mund të mendohet pa zhvillimin harmonik të organizmit të shëndetit” (Çernishevski). “Ajo që është e këndshme për shpirtin, është e bukur edhe për syrin”. “Bukuria duhet në dasmë, mendja çdo ditë” . “Bukuria dhe pastërtia e jashtme duhet të jenë një shprehje e bukurisë dhe e pastërtisë së brendshme” (Belinski). “Bukuria e fytyrës qëndron në bukurinë e karakterit” (arabe). “Bukuria e vërtetë si dhe mençuria e vërtetë janë shumë të thjeshta dhe të kuptueshme për të gjithë”.(Gorki). “Bukuria është një letër rekomandimi për te zemrat” (gjermane) “Do të falja me kënaqësi gjysmën e zgjuarsisë sime, për të pasur gjysmën e bukurisë suaj”.

Është e qartë se shumë gjëra, edhe e bukura dhe e mira,  kanë të bëjnëme zemrën dhe mendjen. Do të donim të dinim diçka edhe për këtë problem.

Kjo është një temë e tërë. Ka të bëjë me faktin që këto dy organe jetësore të njeriut, ka raste që janë në kontradiktë. Shpesh  zemra tërhiqet nga bukuria fizike, në raste të tilla kërkohet ekuilibri mendor. Jo gjithnjë zemrës i duhet plotësuar dëshirat. Kjo “kontradiktë” buron nga fakti se bukuria e jashme ka të bëjë me trupin, ndërsa bukuria e brendshme ka të bëjë me trurin.  Ndaj Çehovi thoshte: “Tek njeriu çdo gjë duhet të jetë e bukur: edhe fytyra, edhe veshja, edhe shpirti, edhe mendimet”. Dhe i madhi Dritëro shkruan në vargje:

Para nesh njeriu i bukur shfaqet:

Kur zhytur në mendime rri gatuan,

Çelik a tokë a vargje…

Dhe thoni ju ku qenka bukuria?

Përgjigjem unë:

Në mendjen dhe duart vija-vija,

Të regjura në punë”

Po nga kultura e popullit tonë për të bukurën dhe të mirën, ç’tregues mund të na thoni?

Në kulturën e popullit tonë shihet qartë intelekti për të bukurën dhe të mirën Ai nuk i ka parë të ndara nga njëra-tjetra dhe i ka shprehur me gjuhën filozofike dhe metafora: “Bukuria e faqes, rrezja e janarit; bukuria e shpirtit dielli i beharit”.  I ka parë të bukurën dhe të mirën në të gjitha drejtimet, tek njeriu, në natyrë, sidomos tek gruaja. Gruaja pëlqen tek burri jo vetëm pamjen e jashtme të bukur, por ndershmërinë, sinqeritetin, thjeshtësinë, fuqinë e mendjes, shpirtin e punës, forcën, guximin. Të dy pëlqejnë tek njëri tjetri buzëqeshjen, që është “muzika e shpirtit”. Vajza pohon se “i dashuri im është më i miri i të gjithëve: është i bardhë si bora, i kuq si molla, trim mbi trimat, flokartë, vetullzi. Lëkura e fildishtë, shpatullgjerë, gjithë muskuj, i fortë si shkëmbi, duarhekur, trup atleti”. Shkrihen kështu në një të vetme: bukuria dhe e mira, me përparësi të mirën, se ku është kjo, është dhe e bukura.

Faleminderit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora