E enjte, 29.02.2024, 09:11 PM (GMT)

Kulturë

Daniel Gazulli: Rrëfime kosovare (III)

E enjte, 15.12.2011, 07:57 PM


DANIEL GÀZULLI

 

RRËFIME KOSOVARE 3

(Falnderoj të gjithë ata prej të cilëve mblodha rrëfimet në vijim)

 

8 - LISI DHE SHKURRET

 

Nuk ishte krejt me qeshë ajo pyetja e hoxhës:

- E di që e ke vëlla Qamilin, po ai, a të ka vëlla ty?

Mustafa u zu ngusht. Edhe të tjerë i kishin ba kësi pyetjesh. Po përsëri, ai e dinte se i vëllaj ishte ngusht, nuk kursehej me e ndihmue.

Mandej, këta të këtueshmit, lum zotnia, kujtojnë se na atje në mërgim i presim paret si laknat. Nuk e dinë sa djersë duhet për ato të shkreta.

Mustafa kishte njëzet vjet në Zvicërr. Atje i kishte lindë edhe djali i dytë, që tash ishte ba burrë e punonte me të atin, se nuk iu vu shkollës. Te dy djemtë me të atin punonin, punëtorë të mëdhej e mjeshtra me duer të arta. Nuk i quenin bojaxhi, si këtu, po piktorë. Dhe vërtetë, me art i lyenin shtëpitë. Deri me lye godinën e vjetër të Komunës së Dryehrit i kishin thirrë.

Kurse i vëllaj, Qamili, gjashtë fëmijë si i kishte falë Zoti, e punën jo fort për marak, pa ndihmën e tij si kishte me ia ba? Edhe traktor i pat ble, sa doli serbi. Edhe shtëpinë ia rindërtoi si ma të mirën, veç se ishte e vogël për aq sa ishin ba tashti, dymbëdhjetë vetë, ma i vogli nandë vjeç, djali i pestë i Qamilit.

Qysh kur u lirue Kosova prej serbit, verë për verë, edhe të mos donte Mustafa, do të vinin doemos për pushime në Llapinë, një fshat i vogël jo fort larg Peje. Djemtë e Mustafës, që nuk kishin ardhë kurrë ma parë deri në vitin 1999, e për ta Kosova ishte vetëm diçka si andërr, donin të ktheheshin patjetër të paktën një herë në vjet në vendlindje, se mos edhe dy herë.

Verën që shkoi, tek po rrinin mbas darke krejt vetëm, ulë mbi një trung që e kishte sjellë rrëshanë me traktor Qamili, po i thotë ky Mustafës:

- Tash fëmijtë u rritën. Nuk po i lamë të ngatrruem. Si thue ti, a ndahemi?

Qamili buzëqeshi. Çka po ndanin? Gjithçka prej njëzet vjetëve e kishte pasë Qamili. Le ta kishte edhe tash e mbrapa. Ndoshta e ka për punë të shtëpisë, se jemi edhe ma ngusht kur vijmë na prej Zvicrre.

- Nuk po kemi nevojë me thirrë kend me na nda. Na jemi marrë vesht gjithmonë, pse nuk po merremi vesht sot? Si thue ti?

Mustafa i vuni dorën në gju:

- Ashtu qoftë ba. Ma le mue ta ndajë pasuninë.

- Posi, more, ty po ta la! – foli me burrni Qamili, se e dinte ç’vëlla kishte.

- Unë po mbaj 25 ari tokë, kopështin te shtëpia e vjetër. Të tjerat qofshin tuejat.

- Jo, pasha Zotin! – u trimnue Qamili – Punë që nuk bahet! Këtu gjithçka të sheh syni asht djersa jote. Si po ndahesh me kaq pak?!

- Ani – foli paqtë Mustafa, si e kishte natyrë, – unë po mbaj kopështin te shtëpia e vjetër, se ndoshta po ndërtoj edhe një shtëpi të re aty, ta kemi kur vijmë për pushime.

Nuk folen ma. Mustafa e dinte se Qamili mezi priste me i ba të vetat një herë e mirë gjithçka kishin bashkë, se ja, burrnoheshin nipat e nesër i thonë: Gjysma asht e jona.

Papritë Qamili sikur u kujtue për diçka.

- Për një se për një, ti pse nuk po blen truell në Pejë. Bash buzë qytetit ka kunati im nja 15 ari truell, vend të mrekullueshëm me ndërtue shtëpi.

- Ndoshta – foli shkurt Mustafa, se gjithësesi, edhe pse po ia linte vëllajt me gjithë zemër gjithë pasuninë, nuk i erdhi mirë që nuk hapi gojen e të thonte ndobare: Jo, edhe këte mbaje ti, s’ke si me dalë si me qenë fëmijë i gjetun. Ti je vëllaj i madh. Po atij nuk i tha gja.

Të nesërmen në mëngjes, sa duel drita, Qamili vrap e te i kunati.

- Jam ka të baj një pazar të mirë. - i tha – Mustafa po do me ble truell për shtëpi.

- Nuk kam leverdi me ia shitë Mustafës. Më duhet me ia dhanë me çmim ma të ultë se sa asht tregu.

- Po ti a ke luejtë mendsh, a?! Unë i thash dyfishin e çmimit, 3000 Euro ari. Pse po bahesh budallë, ka ai! Gjysmën e fitimit mbi çmim të tregut ke me ma dhanë mue.

Shpend Verdhës iu drodh buza. Kurrë nuk e kishte dashtë burrin e motrës, po të arrinte deri këtu, sa me grabitë edhe vëllanë, atë vëllanë që e kishte mbajtë prej 20 vjetësh me grue e gjashtë fëmijë, që i kish ndërtue shtëpi të re e stallë moderne, e i kishte ble traktor e besa edhe veturë, qysh po donte me e zhvatë ky faqezi?!

- Ndoshta nuk shes – ia preu shkurt Shpendi.

- Dije se kësi rasti nuk ka me të ardhë ma në shteg!

Shpendi mezi po priste që të ikte i kunati, aq u mllef në të.

- Po shkoj, se jam tue nxjerrë do landë në Pyll të Files. Ka treg të mirë këte verë.

- Ai pyll nuk asht i joti, Qamil. Shumë të ka shkue kungulli nëpër uji, dikur po të kapin për veshin e po ta tregojnë birucen.

- Ku merr vesht i pari të dytin këtu! Jepi 50 euro rojes e mundesh me pre tanë pyllin.

 

Ishte tue u kthye për drekë në shtëpi, kur dikush i bani me shej të ndalej. Shpendi zbriti prej makine dhe pyeti.

- Çka ka ndodhë, more?

- Ka zanë lisi Qamil Bajramin, nuk mund e levizim! Eja na ndihmo, e mandej po e vemë në makinë tande për në spital.

Shpendi shtërngoi nofullat. Motra e nipat e tij do ta paguenin këte fatkeqësi, po të ishte për Qamilin .... – turfulloi ai me vete dhe shpejtoi mbas çobanit.

- Shiko si ka ra lisi!? Çudi! Asht dashtë me ra andej, kah e teposhta.

Shpendi, si e kuptoi që Qamili ishte pa ndjenja, u tha dy çobanëve të dilnin nga ana e hollë e lisit, se ai do të rrinte te trupi i të kuantit, mos damtohej ma keq tue e lirue. Po para se me largue lisin, nuk mund ndej pa thanë:

- Andej poshtë nuk kishte si binte, se nuk ka shkurre. Lisi bie mbi shkurre.

- As këndej nuk ka shkurre – u ngut e foli çobani.

- Ka, ka – foli si me vete Shpendi.

Si e liriuen dhe po e çonin në makinë, Shpendi mendoi me vete:

- Kushedi sa paret kanë me iu dashtë Mustafës me e kurue në Zvicërr. Po nëse e do vërtetë atë tokën, me gjysë çmimi do t’ia jap.

 

9 - TRE PERQINDISHI

 

Hoxhë Rexhepi, sa autoritetar, aq edhe gojambël, kishte vetëm miq në fshatin e tij, në Pricë të Sipërme të Istogut.

Të rijtë, sidomos disa që silleshin rreth Sefedin Kalleshit, që mbahej me të madhe e premtonte se do ta shembte xhaminë,  nga njëherë edhe i hidhnin ndonjë fjalë me të gjuejtun, po përsëri i buzëqeshnin me dashamirësi, sepse hoxha ishte njeri i paqtë dhe atdhetar. Flitej edhe se ishte mik i Ibrahim Rugovës, bash atij që serbët e urrenin ma shumë se kedo.

Ishte fillimi i viteve nandëdhjetë e çdo shqiptar ishte zotnue me derdhë tre përqind të të ardhunave me mbajtë në kambë shkollat shqipe që ishin hapë nëpër shtëpia, kudo kishte qenë e mundun, në saje të Qeverisë së Kosovës, që vepronte me heroizëm nën hundët e pushtuesit.

Hoxhë Rexhepi kishte dhanë sa herë, aq sa kishte e sa nuk kishte mundësi. Po ma shumë nuk kishte mundësi, e kur nuk kishte çka me derdhë, shiste diçka prej asaj ekonomie të paktë shtëpijake.

Atë ditë, nadje heret, kishte dalë vetë bashkë me fëmijtë tue u përpjekë me kapë gjelin e vetëm, se e kishte hapë e shoqja kotecin pa dijtë se hoxha do të shkonte në treg. Po gjeli nuk po kapej lehtë e u ba aq zhurmë, sa prej pulave e ma shumë prej fëmijëve, sa tërhoq edhe kurreshtjen e fqinjëve.

Kalon aty Sefedin Kalleshi e po i thotë:

- Çka po asht tanë kjo poterë, hoxhë efendi?

- Due me dalë në treg me shitë një gjel, se u banë dy muej që nuk kam derdhë asgja për tre përqindshin e kontribuitit për Qeveri të Kosovës.

Sefedin Kalleshi qeshi me të madhe.

- Po sa po e shet gjelin thue, hoxhë efendi?

- Them ta baj nja pesë marka – iu përgjegj ai.

- E sa i bie mandej tre përqindshi? – pyeti prap me të tallun Sefedini.

- Pesë marka i bie – foli syndritun hoxha.

Sefedin Kalleshit iu ngri buzëqeshja.

- Hoxhë efendi, unë nuk kam derdhë kurrë tre përqindësh. Qè prej meje pesë marka e lene gjelin me pula, se kujtoj nuk ke as gjel tjetër. Mandej derdhi dy marka e gjysë për vehte e dy marka e gjysë për mue.

A i bie përsëri tre përqind, hoxhë efendi? – qeshi mandej Sefedin Kalleshi ndërsa nxirte pesë markat prej xhepit dhe ia zgjaste hoxhës që përtej gardhit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora