E diele, 28.04.2024, 05:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Nanushi: Jeta e shqetësuar e një intelektuali të angazhuar

E hene, 12.12.2011, 08:59 PM


JETA E SHQETËSUAR
E NJË ITELEKTUALI TË ANGAZHUAR

(Vlerësime për veprën e Dr. Thanas L. Gjikës Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit, Tiranë, DDS 2011)

 

NGA KRISTAQ NANUSHI

 

Zëri i njohur prej disa dekadash i Prof. As. Dr. Thanas L. Gjika, tashmë i mërguar në Amerikë prej 15 vjetësh, vjen sërish në arenën tonë shkencore, politike e kulturore, me një mozaik shkrimesh, të botuara ose kumtuara në organe e veprimtari shoqërore të rëndësishme në Shqipëri e SHBA.

Përmbledhja është një përzgjedhje me kritere profesionale prej studiuesi ekzigjent dhe prej qytetari të shqetësuar të kohës. Ajo strukturohet në shtatë kapituj që, ndonëse përfshijnë fusha të ndryshme, lidhen e rrijnë bashkuar prej ndërgjegjes së intelektualit të formuar që s’mund të jetë indiferent, s’mund të heshtë për atë problematikë jete që e njeh dhe që së brendshmi i kërkon angazhim. Kjo lloj ndërgjegjeje u selit që kur ky autor punoi si gazetar në Radio Tirana në vitet 1966-1969 dhe pastaj mori shtat gjatë punës si studiues në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, ku punoi gati tre dekada.

Grishjen për angazhim qytetar autori e shprehu që në vitin e parë të mbritjes në atdheun e ri, më 1996, përmes thirrjes drejtuar shqiptaro-amerikanëve për t’u bashkuar më fort në Shoqërinë Vatra, shkrim i cili hap këtë përmbledhje. Aty ngrihet nevoja e gjallërimit dhe e rritjes së kësaj shoqërie atdhetare, për ta ribërë atë një institucion i patriotizmit shqiptar me rezatim në mbarë diasporën dhe sidomos në atdhe, si ishte në kohën e Nolit, Konicës me shokë.

Vijojnë pastaj një varg artikujsh të publikuar nëpër organet apo forumet e shqiptarëve në SHBA dhe Shqipëri, ku autori merr në analizë ngjarje politiko-shoqërore të kohës dhe mban qëndrimin e vet, p.sh. kundër festimit të përvjetorëve të diktatorit E. Hoxha, kundër fajeve e krimeve të diktaturës komuniste në Shqipëri, të cilat duhen njohur e ndëshkuar; polemizon me znj. N. Hoxha e z. R. Alia, polemizon gjithashtu dhe me lidershipin e PS për demonstratën e 21 janarit. Evoluimi i shoqërisë, mendon autori, nuk mund të vijë i plotë e i vërtetë pa një katarsis të sinqertë.

Në kapitullin me artikuj studimorë autori mbledh disa trajtesa serioze të tij, ku veçojmë mëtimin mbi shpjegimin e origjinës së disa fjalëve kishtare të shqipes, fushë kjo pak e lëvruar. Si misionar erudit ai tregon rrugën e bashkëjetesës ndërfetare të shqiptarëve, në miqësi të pandashme, ku përparësi merr në çdo kohë e vend përkatësia jonë kombëtare. E reja që theksohet prej këtij studiuesi është thirrja që ai u drejton shqiptarëve për të mbrojtur karakterin shqiptar tolerant të besimeve të tyre. Shqiptarëve myslimanë, që përbejnë shumicën e popullit, autori u kërkon që ta shprehin atdhetarizmin e tyre duke frekuentuar inztitucionet fetare, ku ka shumë nevojë për t’i cliruar xhamitë nga ngjyrat e fondamentalizmit mysliman vehabist që po u vishen prej disa hoxhallarëve që kanë ardhur prej Maqedonie ose Kosove, dhe kishat orthodokse për t’i cliruar këto nga ngjyrimi grek që po përpiqet t’ua japë kryepeshkopi i sotëm.

Në veprat letrare dhe në studimet albanologjike të kryera para dhe pas ardhjes së demokracisë, autori dallon ndër to tipare të veçanta, vlerëson aftësitë dhe talentet e krijuesve dhe formimin e studiuesve shqiptarë, por nuk nguron të tregojë dhe kufizimet që vinin prej politizimit të detyruar dhe politikës partiake, që kultivoi edhe servilizëm, dyfytyrësi, përçarje e përndjekje të një vargu emrash të nderuar të letërsisë dhe albanologjisë.

Duke jetuar jashtë vendit, ku intelektualët tanë për të fituar bukën e gojës bëjnë punë të rëndomta dhe për të hartuar e botuar veprat e tyre hyjnë në borxhe, ky studiues ankohet: Biznesmenë milionerë kemi, por Anastas Lakce s’kemi!.  Prandaj ai u bën thirrje biznesmenëve të diasporës dhe të atdheut, që tu qëndrojnë pranë krijuesve dhe studjuesve të albanologjisë, ashtu si dikur bënë Anastas Lakce në Rumani gjatë Rilindjes, Mihal Turtulli në Korçë gjatë Pavarësisë, Antoni Athanas në SHBA në vitet 1950-2000, etj.

Në ndjekje të afërt që i bën botimit të veprave serioze letrare, Gjika boton një varg analizash në gjininë e kritikës letrare. Duke iu përmbajtur idesë se shoqëria shqiptare e pasdiktaturës ka shumë nevojë për katarsë, ai riboton në këtë përmbledhje një artikull kritik të hartuar e botuar në maj 1994 për skicën Prometeu të I. Kadaresë, ku përmes autobiografizmit shkrimtari zbulon lidhjet e veta me diktatorin, revoltat dhe kundërshtimet, por dhe pajtimin me të. Pikërisht tek autokritika që I. Kadareja i ka bërë vetes për pajtimin me diktatorin në nënkapitulli Prometeu i Pajtuar, studiuesi Gjika ngre lart këtë veprim katarse të shkrimtarit tonë të madh dhe kërkon që të shërbejë, si shembull për gjithë krijuesit e studiuesve tanë.

Duke e konsideruar I. Kadarenë si shkrimtarin më të talentuar të procesit historiko-letrar shqiptar, studiuesi ka hartuar dy shkrime analitike përgjithësuese për veprën e këtij autori, njërën me rastin e 65-vjetorit dhe tjetrën për 75-vjetorin e lindjes së tij. Këto dy shkrime ai i botoi së pari në gazetën Illyria. Në këtë përmbledhje ai ka ribotuar shkrimin e dytë, ku sjell argumente bindëse se vepra e këtij shkrimtari e hartuar gjatë diktaturës, shquhet për nivelin e lartë artistik dhe për tiparet e saj disidente.

Vlerësime të larta e të merituara jep Th. Gjika për veprën biografike Jeta e Fan Nolit të prof. N. Jorgaqit, të cilën e vlerëson si vepër monumentale të letërsisë dhe të kulturës shqiptare.

Si studjues serioz, Gjika nuk lë pa përmendur edhe dobësi të autorëve që ka marrë në analizë. Kështu në këtë përmbledhje hasim dhe vlerësimeve kritike ndaj veprës së I. Kadaresë, D. Agollit, N. Jorgaqit, etj. Thuhet se I. Kadareja nuk bëri objekt të veprave të veta gulagët shqiptarë dhe se kur shkroi romanin E Penguara nuk e pasqytoi si duhej jetën e vajzave të internuara në kampet e internimit. Se talenti dhe mendimi i D. Agollit u dëmtua rëndë nga partishmëria komuniste gjatë viteve të diktaturës dhe nga politizimi mbas shkërmoqjes së diktaturës. Se romani Mërgata e Qyqeve i N. Jorgaqit është një vepër e dobët, etj.

Studjuesin e  kanë tërhequr edhe vepra historike, si vepra Ali Tepelena e autorit francez F. Pukëvil, studimi Barleti apo Becikemi?… i historianit shqiptar Ilia Karanxha që jeton në Firence, përmbledhja me shkrime analitike e historike e Mërgim Korcës, Kujtimet e Mustafa Merlika Krujës, etj. Gjithnjë në shërbim të mendimit se ne shqiptarët duhet të evoluojmë në përputhje me kohën e sotme, të clirohemi prej politizimit dhe skemave të gatshme që na ka ngulitur në kokë politika e partisë shtet, Gjika kërkon që të rivlerësohet figura e Ali Pashë Tepelenës, pa harruar veprat e mira edhe faktin se ai ka qenë një shtypës e satrap i popullit shqiptar.

Si një freski vjen kapitulli Intermexo ku autori dhe bashkëshortja e tij poetja Julia Gjika, sjellin biseda të këndshme kafeneje, përmes të cilave shprehet malli për Shqipërinë dhe shqiptarët, meditime për gjendjen dhe dëshirat për të ardhmen e atdheut e të popullit.

Me dashuri e objektivitet janë hartuar disa portrete të goditura për studjues e veprimtarë të sotëm. Lexuesit fitojnë respekt për personalitete të shquara si Lek Pervizi, Iljaz Gogaj, Palok Daka, Vladimir Dervishi, etj.

Një letërkëmbim i dendur që pason më tej dëshmon sërish shqetësimin e këtij studiuesi për probleme madhore të kombit ku vendin më të gjerë e zënë çështjet e albanologjisë. Por nuk mungojnë edhe letra me kërkesa sublime për Shqipërinë, drejtuar së bashku me një grup atdhetarësh deri te presidenti amerikan i kohës, z. B. Klinton.

Libri mbyllet me kujtime për dy personalitete të shquara të vendit tonë, prof. E. Çabej dhe prof. K. Frashëri, me të cilët autori ka jetuar dhe bashkëpunuar nga afër.

Këshillat dhe mendimet e këtyre dy personaliteteve, dhënë autorit të librit, vlejnë për gjithë lexuesit e sotëm e të nesërm.

I mbyllim këto vlerësime duke theksuar se leximi i kësaj vepre të le në mendje modelin e intelektualit, i cili jeton me angazhimin që i kërkon vendi dhe populli.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora