E enjte, 03.10.2024, 03:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Spata: Kur mblidhen vatranët

E shtune, 10.12.2011, 02:30 PM


Ilir Spata

 

Kur mblidhen vatranët

 

Kur mblidhen vatranët vijnë grimca atdheu

E vatrën me hi e mbushin me prush.

As rrugët e gjata, mërgimi, s’i theu

Po mbahen të fortë, s’i përkuli askush.

Ashtu kokë më kokë një kange ja marrin;

Lëndinës së lotëve a Fushës së korabit.

 

Kur mblidhen vatranët, të rinj, të moshuar

Një dritës atdheu shkëlqim kanë në sytë.

Qeleshet e bardha mbi ballet rrëzuar

Majëmale shqipëtare të lara me dritë.

Mbi ftyrat brazduar një brengë u lodron

Për motet që shkuan thellë malli trazon.

 

Larg, vatrat e lana, një nanë që qan;

Një rreze agimi që u ndriti një shteg

Një prag i braktisun me gurët kallkan

Si fat ogurëzi përmbrapa i ndjek.

Ke mall edhe digjesh t’i rrokësh, pushtosh

Si hije t’faniten s’të lanë të gëzosh.

 

Me vite, dekada, në pritjen e gjatë

Veç nana kujtohej, përmallej për ta.

U zbardh edhe floku që thinja nuk pat

E trupi fidan u thye e ra.

E shpirti zhuritun e priti këtë ditë

Rreth vatrës vunë prushin që kishin në sytë.

 

Trazuan në netët e ngricat, acar

Me andrrat ma të bukura një shpresë mikluan;

Se akujt do shkrijnë e Dielli do dalë

Të shihnin sërish ca gurë, përmalluar.

Të binin në gjunjë e puthnin atë Dhè

Me lotët për faqesh t’u rrjedhun rrëkè.

 

Kur mblidhen vatranët, bashkohet atdheu;

Veri edhe jug, gjithë gjaku i shprishë.

Nga Leka e burri e gjer Skënderbeu

Lanë vorret ku flenë e zgjohen sërish.

Zanë flasin me ne e hallet bashkë ndajmë

Rreth vatrës ku prushin të shuhet s’e lajmë.

 

Na mblodhën gëzimet e hallet sa herë

Atdheut matanë t’ja jipnim një dorë.

Njuë gja që s’e ke e din sa ka vlerë

Se larg na degdisi ky fati mizor.

S’na ngopën rrugnajat e vatrat në botë

Ndaj zumë një tonën t’na mbledhë, mbajë ngrohtë.

 

E mbajtëm një rreth me mund e me zor

Herë hapej, herë rrudhej në motet e ligë.

S’e lamë që të shuhej, qe shpresa e jonë

Që ruanim në zemrat lënduar me thikë.

Nga baltë e atdheut që gjatë s’na kuptoi

Në zgjimet e befta braktisi, harroi.

 

Ne kurrë nuk u sprapsëm, rreth vatrës bashkuar;

Nga ernat, stuhitë e mbajtëm atë zjarr.

Se gja jo nuk vlen, një vatër e shuar;

Një grumbull me hi i ftohët si varr.

Asnjeri nuk ngrohet, askush ma nuk vjen

Veç heshtjes si vdekje që shpirtërat përzen.

 

U mblodhën vatranët nga janë e nga s’janë

Rreth prushit të moçëm, të vjetër, të rinj.

Në kohë të reja prapë hallet t’i qajnë;

Të qeshin, këndojnë, si banin fëmijë.

Ca kangë atdheu t’i çojnë gojë më gojë

Që mallet t’i reshtin e prushet trazojnë.

 

Në sallat përplot kushdi sa nuk janë?

Në muaj e vite përcollëm pa kthim.

Një lule të kuqe mbi ndenjëse kanë lanë

Si copëz flamuri e ngelun jetim.

Mes heshtjes e mallit përcjellim ca fjalë

Pastaj e harrojmë se s’jeni ma gjallë.

 

Çfarë flas edhe unë, ju jeni aty

Në kangët e fjalët, në gotat që ngremë;

Fytyrat gjithë gaz e dritën në sy

Ne prushit të vatrës pa shuar e gjejmë.

E marrim nga pak e ndezim prapë zjarre

Që brezat që vijnë t’mos shohin acare.

 

E sa herë që të mblidhemi do vini dhe ju

Të ngremë ca gota e kujtojmë ndonjë çast,

Kërrusun nga motet, nga hallet randue

Sa frikem mos ikni e druhem t’u flas.

Ju kundrojmë ashtu, të qetë e të bardhë

Si andrrat me dritë që priten pa zbardhë.

 

Kur mblidhen vatranët, sa hoka e fjalë

Sa gaz edhe dritë u sheh nëpër sytë?

Në valle tek hidhen një çikë e një djalë

Qerpikë që rrëzohen shikimesh pa pritë.

Një iso e zgjatun trazon matanë,

Motiv i përjetshëm: “ Të lamë mor, të lamë!”

 

Të lamë, po të lamë, o i shtrenjti atdhe

Me vatër e gurë e nanën në prag.

Veç trupi ka ikun se shpirtin e ke

Aty ku jam lindur qofsha afër a larg!

Ndaj ngritëm këtë vatër ta kemi si Ty.

Që dritat e shpresës mos t’na shuhen në sy.

 

Kur mblidhen vatranët vijnë grimca atdheu

Nga bota e gjanë ku janë edhe rrojnë.

Një grusht me prush që zemrat ua shqeu

Trazojnë së bashku me sytë rrëmbushë.

U lamë vërtet ju o lisa e gurë

Po zemrës e mendjes s’u hoqëm jo kurrë!

 

Na e bani hallall dhe mundin dhe gjinë

Dhe ujin e gurrave që bjeshkëve pimë!

 

25 Nëntor 2010, NY



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora