E shtune, 20.04.2024, 01:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Hajredin Isufi – ‘’Feja dhe Flamuri’’ - Dom Nikollë Kaçorri (IX)

E shtune, 10.12.2011, 03:02 PM


HAJREDIN ISUFI:

“FEJA DHE FLAMURI” –

-Dom Nikollë Kaçorri –

 

(Pjesa - 9)

 

(Shënime kritike nga Daniel Gàzulli)

 

8. VITET E FUNDIT

Besoj se do të ishin të shumtë shqiptarët që do të donin ta harroni vitin 1913: Sikur të mos mjaftonte babëzia e barbaria serbe e greke, shqiptarët filluen një luftë vëllavrasëse në mes vetit, sa çdo historiani i vjen vështirë ta përshkruej atë vit të mbrapshtë. Edhe burra vetmohues e me durim të pamatë si Abdi Toptani, trim, i squet e idealist si Imzot Nikollë Kaçorri, patriot deri në fund si Namik bej Delvina, u gjenden ku e ku ma vështirë se sa kur luftonin kundër turkut. Po tashti, kunder kujt e si të luftonin?

Tue pa zhvillimin e gjendjes mbrenda vendit, por edhe ato ballkanike, me 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve vendosi që Shqipnia të gëzonte statusin e autonomisë e të qeverisej nga një princ i caktuem nga Fuqitë e Mëdha. Edhe një herë, pra, fati paradoksal i Shqipnisë: Nga Pavarësi, në autonomi.

U gjet edhe një princ, as mish as peshk, princ Vidi, dhe me 7 mars 1914 ai u vendos në Durrës si kryetar i qeverisë shqiptare. Pra në Durrës, jo në Vlonë. Qeveria e Ismail Qemalin kishte pushue së qeni, si të thuesh, ishte shue; edhe vetë Plaku i Vlonës kishte marrë detin. E në Durrës e priste Vidin një tjetër kryeministër i vetëshpallun: Esat Pashë Toptani, Por, për hir të fateve të Atdheut, i rrezikuem nga sulmet në Veri e Jug, nga serbët e nga grekët, aty kishin dalë ta prisnin Vidin edhe shumë atdhetarë të tjerë, me shpresë se Fuqitë e Mëdha do të banin diçka për Shqipninë. Ishin pothuej të gjithë, prej Hilë Mosit tek Abdi Toptani, ishte edhe Imzot Kaçorri, qëpër herë të parë e të vetme kishte qenë i detyruem të pranonte kompromisin e pajtimit me princin e huej. Ai nuk e kishte dashtë ardhjen e Vidit në Shqipni, si dokumentohet edhe në shumë relacione diplomatike, por rrethanat e krijueme ia kishin imponue pelqimin e tij.

Mungonte vetëm Gjin Pervizi, që kishte ndrrue jetë pak dit ma parë, me 27 shkurt 1914, bashkëluftëtari i sa betejave përkrah Imzot Kaçorrit.

Por shpejt do të shihej se “mbreti” i huej, i pritun me ceremoni pompoze e me shumë shpresë, nuk do të humbiste kohë për t’i zhgënjye. Akti i tij i parë, që zhgënjeu njerëzit, ishte emnimi si ministër i luftës i një ish pashaj; e çfarë pashaj: pikërisht Esat Pashë Toptanin.

Esati nuk u kënaq as me kaq. Ai nxiti forcat ma të errta, me në krye Haxhi Qamilin, që me parullën“Dum Baben” (Turqinë) sulmuen Durrësin. Boshibozukët këdonin turpin tonë:

Pasha Din’ e fen’ e Tij,

S’fali vakth e s’hy n’xham?,

Pa pr? turkun edhe nji herë n’Shqipni…”

Në mbrojtje të Durrësit u vunë forcat atdhetare, sidomos ato vullnetare, të organziueme nga Imzot Kaçorri, që prej Zadrime e Bregut të Matit, deri tek trimat e Isa Boletinit, që së bashku me Imzot Kaçorrin, Dervish Himen e atdhetarë të tjerë, iu ba barrikadë forcave të errsinës, haxhiqamilistave; ndërkohë, pashaj Toptani bante flirt herë me Italinë, herë me Serbinë dhe nxiste tërthoras rebelimin.

Në Durrës ishin në ato dit forcat e Fuqive të Mëdha, që ngrinin barrikada në mbrojtje të Vidit, por edhe në mbrojtje të ministrit “të ligjëshëm”, Esat Pashës. Forcat vullnetare, vërtetë shpëtuen Durrësin nga shkatrrimi tue lanë aty 150 jetë të rijësh, por në fund nuk dinin për cilin kishin ra: Ata kishin ardhë në mbrojtje të “mbretit”, Vidit, por “mbreti”vazhdonte me mbante ministër lufte Juden.

Shkuen në ato dit në Durrës korrispondentë të huej, personalitete si Mis Durham, që na kanë lanë dëshmi rrëngjethëse për vetmohimin e mbrojtësve të qytetit, por edhe për barbarinë e rebelëve turkoshakë me vetë Judën në përbamje të qevrisë. Mis Durham, kjo dashnore e çmendun e shqiptarisë, na thotë se nëse Durrësi nuk u shkatrrua nga forcat e errësinës, merita u takon dy vetëve: kolonelit anglez Tomson dhe Imzot Kaçorrit.

Por edhe rezistenca, e gjetun në mes të njëmijë e një pabesive, aty nga fundi i shtatorit ra. “Mbreti” iku me vaporrin plot dhe me 5 tetor Durrësi do të binte në dorën e Esat Toptanit. Boshibozukët e tij, që shkuen të vrisnin “priftin kryqali”, meqë nuk e gjetën aty, dogjën bibliotekën e tij, ndër ma të pasunat e kohës. Atyne nuk ua vriste shikimin nata, po drita: ato libra ndriçonin, e ndirçonin mendjet.

Raprezaljet e Esat Toptanit kanë qenë ndër ma të egrat që kishte njohë veçanarisht Veriu, zonat e “anmikut të tij”,Kaçorrit të urryem sa askush tjetër nga pashaj: Kurbini e Bregu i Mates, Lezha e Durrësi, Ishmi e Biza. Nga tetori 1914 deri me 27 janar 1916, kur në Durrës hynë forcat austriake (Lufta e Parë Botënore), viktimat, me gjyq e pa gjyq, nuk kanë të numruem; e në prag të ikjes, pashaj mbushi vaporrin me pasuni të palloagritshme dhe u nis drejt Italsië. Nuk e vorfnoi Shqipninë grabitja e tij, por e drobiten plagët që i la në trup. Vetëm mbas katër vjetësh, atje në Paris, do të merrte shpërblimin e merituem nga biri i Libohovës, heroi Avni Rrustemi.

Gjatë gjithë kësaj kohe Imzot Kaçorri u strehue në malësi, sa në Kurbin, aq në Lurë, sa në Lezhë, aq në Mirditë. Praktikisht, në saje të organizmit që u bani zonave në veri të Durrësit, taman si në kohë të Turqisë, ato nuk ranë asnjëherë plotësisht nën sundimin e pashajt tiranas.

Në ato udhëtime të shpeshta e të vështira ai humbiste përditë shëndetin. “Kocka e fortë”, si e quenin bashkëkohësit, tashma kishte ngelë vetëm kockë e lëkurë. I kthyem në Durrës, shpirti i tij nuk do të gjente kurrë paqë. Raprezaljet e ekspeditës ushtarake austriake për mbledhjen e armëve në Lurë, të kryesueme nga koloneli famëkeq Myrtasz, që hapi plagë të randa në vendlindjen e tij, e banë të lëvizte përsëri drejt vendlindjes, të shkonte në Shkodër e të protestonte, t’i drejtohej Vjenës e ku jo tjetër, në mbrojtje të njerëzve të lirë, që nuk i kishte shtrue dot as ShefqetTurgut Pasha.

Imzot Kaçorri, i lodhun dhe i smuet randë, ndoshta ma shumë edhe nga shpirtplasja, pse nuk arrijti të shikonte Atdheun asnjëherë plotësisht të lirë si kishte andërrue, ndrroi jetë në Vjenë, ku kishte shkue për kurim, me 29 maj 1917.

Jo, nuk ishte një jetë e shpenzueme kot.

Një jetë e shpenzueme çdo ditë, çdo orë, çdo minut, çdo sekond për Atdhe, nuk asht kurrë një jetë e shpenzueme kot.

Imzot Nikollë Kaçorri, ky bir fisnik i Lurës, bir i një katoliku e një nane muslimane, nuk la histori të shkrueme. Ai e bani historinë.

E gjithë jeta e tij ishte një ideal: Flijimi për Atdhe.

Ka nxjerrë Shqipnia plot bijë të lavdishëm, po asnjë si ai nuk ka qenë aq konseguent në çdo milimeter të jetës së tij vetëm në shërbim të një ideali të madh: Lirisë kombtare.

Cili bani sa ai për vëllaznimin e vërtetë të shqiptarëve, pavarësisht nga besimi? Janë dëshmi qindra miq të tij të devotshëm muslimanë nga Durrësi e Tirana, nga Kurveleshi e nga Kavaja, nga Kruja e nga Lura.

Ideja e bashkimit tek ai ishte aq e fortë, sa vetëm kjo e spjegon kundërshtimin e tij për një alfabet të veçantë që më 1902 nga Shoqnia “Bashkimi” e Imzot Doçit. Vetëm një alfabet duhet të ketë, i miratuem nga të gjithë shoqnitë, nga ajo e Stambollit, tek e Bukureshtit, nga ajo e Misirit tek ato të Shkodres, kambëngulte Ai. Ishim gjashtë vjet para Kongrsit të Manastirit kur hidhte këte ide.

Ai nuk u tha malësorëve: Luftoni kundër pushtuesit turq, po i frumëzoi, i udhëhoqi, i armatosi e luftoi me ta. Kryengritjet e viteve 1905 – 1912 kanë ma së shumti mendjen, zemren dhe dorën e tij.

Imzot Kaçorri nuk bani kurëfarë kompromisi me pushtuesit turq, por sa herë ia kërkuen interesat e kombit, ai përbuzi kompromiset edhe me Romen e Vjenen,  dhe nuk u lëkund kurrë para ndërhmjeve të Beogradit e të Athinës.

Ideali i tij ishin FEJA dhe FLAMURI; ishte ATRDHEU I LIRË!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora