Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Pa fjalë as pa zë
E premte, 02.12.2011, 08:44 PM
Sejdi BERISHA:
PA FJALË AS PA ZË
(Këto vargje, nëse mundeni lexojini pa zë)
1.
Kur të vjen pranvera
Mos më kërkoni
Se dua pakëz të pushoj
Sertshëm duke heshtur
Jo duke kënduar
Mallkimin do ta vari mbi sy
Për ta shkruar një varg pa shkronja
Se dot s’më ndalet zëri
Në pranverë kush pushon
Ai vdes pa emër
Ose bëhet kambanë
I ecjeve nëpër lot
Bëhet si do vetë
Andaj në pranverë
Më leni të pushoj
Tej shikimit tim
2.
Dikush ma ngritë dorën
Me një buqetë lulesh
Por dot s’mi kapë syri
E, behari do qelë
Ani
Kështu dua ta shijoj
Ngjyrën e zërit tim
Si duket vetmia
Sa të përmallshëm janë
Akrepat e orës
Që shurdhohen me tik-takun
3.
Në pranverë mos më kërkoni
Me padurim po e pres atë lulen
E cila hapin nëpër gjethe ma madhështon
Këtij vargut tim
Pa fjalë as pa zë
Sa i sertë është ai
Në letrën e bardhë
4.
Në pranverë
Vetëm lulet i ngjajnë pavdekësisë
Si femra ngrohtësisë së tokës
Një mik imi më pat thënë
Se i frikohet vargut tim
Atëherë nuk dyshova në vetvete
Se lumturinë e hasi
Edhe në plasaritjet e gurit
Edhe në rrugën
Pa fillim as mbarim
Edhe në vrapin e territ
Dritën për ta gjetur
Edhe në çerdhen e qyqes
Me vezë bilbili
5.
Shikimi më është shtangur
Në gjuhën e heshtjes
Në këngën e djegur
Duke pritur pranverën
Se lumturia ka peshë
Edhe në përcëllimin e lotit
Edhe në shkrumbin e shiut
6.
Mos harroni
Në pranverë bie shi
Që i rritë lulet
Që gjethet e vjeshtës i rëndon
7.
Ju lutem
Këto vargje
Nëse mundeni
Lexojini pa zë